FAKE VIDEO

Tani që softueri për editim videosh dhe përpunim të imazhet sa shkon dhe përmirësohet, krahas me avancimin teknologjik të harduerit përkatës (videokardave etj.) dhe të inteligjencës artificiale, po afron dita kur gjithsekush do të mund të krijojë video/film nga shtëpia, me aktorët dhe ambientet që dëshiron.

Me një farë alarmi, edukatorët dhe vëzhguesit e dinamikave njerëzore në rrjetet sociale lajmërojnë për një aplikacion të ri që lejon, mes të tjerash, ndërrimin e fytyrave të protagonistëve në videot, në mënyrë të tillë që, mes të tjerash, dikush të përfshihet – me shaka pse për poshtërim a shantazh – në një skenë pornografike, e cila mund të shpërndahet pastaj si autentike.

Kjo edhe në lidhje me një dukuri të njohur si revenge porn, ku videot me lakuriqësi dhe seksualitet përdoren për të sulmuar dhe diskredituar personazhe herë të njohura, herë të panjohura, sidomos në mosha ose pozicione sociale delikate; dhe që ka çuar jo rrallë në lëndime dhe traumatizime psikologjike deri në vetëvrasje.

Megjithatë, përshtypja ime është se, krah për krah me sofistikimin e teknikave të editimit video ose të imazhit, do të vijë duke u dobësuar edhe fuqia e këtyre “dokumenteve” për të dëshmuar të vërtetën – sot është praktikisht e mundur të krijosh foto të gjithkujt kudo; dhe nesër kjo do të mundësohet edhe për videot. Do të jetë thjesht çështje kohe, parash dhe mundi.

Me fjalë të tjera, revenge porn dhe armë të tjera virale, që mbështeten në virtytin dokumentues të videos, do ta humbin këtë privilegj, që nga momenti kur të bëhet e qartë se kushdo mund të krijojë video. Njëlloj sikurse askush nuk do ta besonte një lajm në gazetën Daily Mail se Elena Ferrante ka përshkuar me not distancën nga Ischia në Capri, ashtu edhe nesër askush nuk do të besojë një “footage” të këtij eventi sportiv sensacional, të “rrjedhur” në rrjetet sociale. Falë teknologjisë, videoja do të mund të gënjejë po aq lehtë sa edhe teksti.

Me të shpejtë, po i afrohemi atij momenti kur, e njëjta teknologji që deri dje garantonte vërtetësi, do të triumfojë si instrument argëtimi, pa asnjë lloj monopoli a raporti special me realitetin. Dhe ky do të jetë zhvillim për t’u përshëndetur – sepse do të restaurojë atë situatë kur besueshmëria e një burimi informacioni do të përcaktohet nga autoriteti i krijuar në rrjedhë të kohës, ose nga përgjegjshmëria e investuar në raportin me publikun.

2 Komente

  1. Më duket pak optimiste, megjithatë të shohim. Me ç’kam vënë re, edhe duke e ditur se ç’mund të bëhet me photoshop, njerëzit vazhdojnë të besojnë lloj lloj gjërash. Në një rast një shoqe më tregoi një peshk transparent mbi dorën e fotografit, me dixhiturën ‘mrekullitë e allahut’ – a diçka e tillë, dhe edhe mbasi i kujtova që ai peshku vështirë se mund të jetonte pa asnjë organ, nuk e di a iu mbush mendja. Dhe e dyta, ne gjithmonë e më shumë po largohemi nga burimet me një farë autoriteti duke shpërfillur, madje përqafuar rrezikun e mashtrimit për aq kohë sa jep kënaqësi. S’e shoh se si një kërcënim i ri të mund të ndryshojë rrjedhën. Ndërkohë që këshillohet më mirë, edukimi i brezave të rinj në gjimnaze për të dalluar mashtrimet dhe për të qenë, …, skeptik.
    E fundit fare, deepfakes -siç quhen, nuk kanë nevojë për para se sa për mund dhe kohë, 12-24h për momentin, plus një kartë të mirë grafike.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin