I DYTI

Silviusi është njeri i madh, artist i mendjes, i dorës dhe i zemrës, krijues dhe blatues përjetimesh të pashembullta. Miku i tij Tuliusi, që nuk i ndahet, rreket ta bindë se të tjerët – kolegët, bashkëpunëtorët, bashkudhëtarët, kritikët, rivalët – e kanë zili, e urrejnë, e përçmojnë, i kthejnë kurrizin, e shmangin, duan t’i futin shkopinjtë në rrota, ta rrëzojnë, ta shfuqizojnë, ta degradojnë, ta tredhin simbolikisht, ta njollosin, ta mbulojnë me të pëgëra, ta mbulojnë me dhé, t’ia zënë vendin, t’ia zënë piedestalin, që ai dalëngadalë të dalë nga skena, të venitet, të harrohet, ose më keq akoma, të mbahet mend për çfarë ka bërë keq e të qortohet për çfarë nuk ka bërë mirë. Silviusi është njeri i madh, por edhe argumentet e Tuliusit janë të forta; dhe ashtu Silviusi nis ta përjetojë veten si frikë dhe botën si armiqësi dhe hap pas hapi të gatitet për luftë kundër entropisë që aktivisht i kanoset, madje edhe duke goditur paraprakisht dhe duke i bërë të tjerët të duan ta rrëzojnë, ta shfuqizojnë, ta tredhin simbolikisht, ta njollosin, ta mbulojnë me baltë, ta mbulojnë me dhé e, më në fund, t’ia zënë vendin a piedestalin, thjesht për t’u mbrojtur prej tij.

Korneliusi kujton se është njeri i madh dhe e kalon ditën para pasqyrës virtuale të përfytyrimeve. Miku i tij, Dariusi, që nuk i ndahet, rreket ta bindë se të tjerët – kolegët, bashkëpunëtorët, bashkudhëtarët, kritikët, rivalët – e kanë zili, e urrejnë, e përçmojnë, i kthejnë kurrizin, e shmangin, duan t’i futin shkopinjtë në rrota, ta rrëzojnë, ta shfuqizojnë, ta degradojnë, ta tredhin simbolikisht, ta njollosin, ta mbulojnë me të pëgëra, ta mbulojnë me dhé, t’ia zënë vendin, t’ia zënë piedestalin, që ai dalëngadalë të dalë nga skena, të venitet, të harrohet, ose më keq akoma, të mbahet mend për çfarë ka bërë keq e të qortohet për çfarë nuk ka bërë mirë. Argumentet e Dariusit janë edhe garancia e miqësisë së tij me Korneliusin, sepse ky i fundit vetëm ashtu, duke u bindur që ka gjithë botën kundër, dhe që të tjerët komplotojnë në heshtje kundër tij, për ta shfuqizuar, tredhur, njollosur, mbuluar me baltë, mbuluar me dhé; vetëm ashtu mund t’ia konfirmojë vetes që është vërtet i madh. Përndryshe, pse të tjerët do të kërkonin me kaq ngulm që ta fundosnin?

Luciusi është njeri i madh, që kujton se është njeri i madh. Blasiusi, që nuk i ndahet, përpiqet ta bindë se të tjerët – kolegët, bashkëpunëtorët, bashkudhëtarët, kritikët, rivalët – e kanë zili, e urrejnë, e përçmojnë, i kthejnë kurrizin, e shmangin, duan t’i futin shkopinjtë në rrota, ta rrëzojnë, ta shfuqizojnë, ta degradojnë, ta tredhin simbolikisht, ta njollosin, ta mbulojnë me të pëgëra, ta mbulojnë me dhé, t’ia zënë vendin, t’ia zënë piedestalin, që ai dalëngadalë të dalë nga skena, të venitet, të harrohet, ose më keq akoma, të mbahet mend për çfarë ka bërë keq e të qortohet për çfarë nuk ka bërë mirë. Argumentet e Blasiusit marrin pjesë në mendjen e Luciusit, sepse Blasiusi nuk është veçse halucinacion konstant, mik imagjinar që Luciusi e ka trashëguar nga fëmijëria, por edhe kusht i nevojshëm për të që të vazhdojë të jetë njeri i madh dhe të kujtojë se është i tillë, falë Blasiusit që edhe ia ndërton e ia mirëmban skenën ku të shkëlqejë, edhe ia tund atë herë pas here, për t’i kujtuar sa lehtë një ditë mund të rrëzohet.

Kasiusi, që mund të ishte njeri i madh, nuk ekziston; por të gjithë ata që do t’i kish pasur kolegë, bashkëpunëtorë, bashkudhëtarë, kritikë, rivalë nuk gjejnë dot arsye tjetër për t’u ndier bashkë si pjesë e një së tëre, përveçse që të ulen dhe ta krijojnë – nga dheu, nga balta, nga llurba, nga zgjyra, nga llumi – duke thirrur në ndihmë Feliciusin, i vetmi që mund të thurë, për ta dhe për vete, pezhishkën elastike të intrigave, zilive, insinuatave, shpifjeve, pabesive, provokimeve, komploteve, brenda së cilës do të marrë herët a vonë formë Kasiusi tani ende imagjinar, por një ditë prej ditësh më real e më i mirëfilltë se të tjerët, i ushqyer me jetë nga urrejtja, nga zilia, nga smira, nga përçmimi i të gjithë atyre që tash e tutje do të ndihen kolegë, bashkëpunëtorë, bashkudhëtarë, kritikë dhe rivalë jo vetëm të njëri-tjetrit, por edhe të dikujt që do t’ua japë dot më në fund dinjitetin e munguar.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: