SKËNDERBEU PERSON(AZH)

Ka debat dhe do të ketë sërish për motivet që e shtynë Skënderbeun të mbajë ndezur, për 25 vjet, luftën kundër fuqisë më të madhe të kohës, Perandorisë Osmane: ethet fetare (kryqtaria), patriotizmi (ose dëshira për të mbrojtur çfarë ai e quante “të vetën”: atdheun, pronat e tij, njerëzit e tij), ambicia (ose pasioni për të ngadhënjyer ushtarakisht); ose një kombinim i tyre. Këto debate zakonisht sundohen nga interesi imediat i debatuesve, në kohën kur bëhet debati; pa çka se edhe ideologëve dhe fanatikëve u duhen argumentet historike.

Që këtej, edhe nevoja për ta njohur më nga afër Skënderbeun njeri; sepse vetëm ashtu mund të pyesim seriozisht se çfarë e motivonte. Burimet që na hyjnë në punë, për ta arritur këtë, kufizohen me pak histori e kronika të kohës (Barleti, Dhimitër Frangu, Gjon Muzaka) dhe me letërkëmbimet mes kancelarive. Dhe meqë Skënderbeu nuk ka lënë pas ndonjë gjë të shkruar mirëfilli të vetën, atëherë do të na duhet të pyesim, herët a vonë, mos këto burime funksionojnë si qelq i ngjyrosur, ose na bëjnë që ta shohim dhe ta kuptojmë Skënderbeun me sytë e autorëve të teksteve.

Dhe këtu menjëherë na bie në sy që penën, e cila ka shkruar atëbotë për Skënderbeun, shpesh e ka lëvizur mbi kartë një prift katolik – sepse të tillë kanë qenë Barleti dhe Frangu, por të tillë kanë qenë edhe sekretarët dhe kancelarët e Skënderbeut, si Gjergj Pelini e Pal Engjëlli; të tillë kanë qenë edhe sekretarët e kancelarët e pushtetarëve me të cilët ka komunikuar Skënderbeu; të tillë ka qenë edhe një pjesë e mirë e atyre të mëdhenjve që kanë shkruar vetë për Skënderbeun, si Papët.

Mund të pyesim, pra, nëse këta priftërinj katolikë, që kishin një vizion specifik për njeriun dhe historinë të formësuar nga botëkuptimi i tyre, mund ta kenë përshkruar dhe analizuar njeriun Skënderbe dhe t’i kenë vënë këtij në gojë një lloj diskursi karakteristik për vizionin e tyre; duke e paraqitur atë ashtu siç e kuptonin ata dhe ndonjëherë edhe ashtu siç e dëshironin ata të ishte ose siç gjykonin ata se duhej të ishte (të dukej para botës). Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjemi deri-diku duke krahasuar kronikat dhe dëshmitë e tyre, përfshi këtu edhe letrat që shkruanin në emër të Skënderbeut, me dokumente të ngjashme që kanë lënë autorë jo priftërinj – si Gjon Muzaka ose ambasadorët e Venedikut.

Por vetëm deri diku. Në shekullin XV dhe veçanërisht në mjedisin katolik ku ka lënë gjurmë të shkruara Skënderbeu, diskursit të shkruar politik dhe historik ia jepnin gjithnjë tonin klerikët; duke i lëvizur personazhet e tyre në një skakierë që i përgjigjej botëkuptimit katolik të kohës, të pasuruar me retorikën dhe modelet e klasicizmit: kësisoj, Skënderbeu hero dhe personazh i Barletit u detyrohet mjaft Plutarkut dhe të Tit Livit, por profili i tij moral i shembëllen edhe atij të një Atleti të Krishtit. Fjalimet që ai mban, letrat që u shkruan miqve dhe armiqve dhe të gjitha ato manifestime të tjera diskursive që na japin ne sot iluzionin se mund të kuptojmë diçka për “motivet” e tij, u binden në fakt modeleve dhe stereotipive retorike të diskursit përkatës.

Kjo nevojë për të faktorizuar në argument profilin, vizionin dhe interesat e autorëve të këtyre teksteve, ose të filtrave përmes të cilave e ka parë bota Skënderbeun që nga ajo kohë e tutje, nuk është se i hedh poshtë ose i përgënjeshtron ato që dimë ose që supozojmë për motivet e tij, por vetëm sa do të na ndihmonte për t’i kuptuar më mirë. Sepse edhe vetë fakti – këtë herë historik jo diskursiv – që Skënderbeu ishte i rrethuar nga klerikë katolikë, që i jepnin zë dhe tekst vullnetit të tij, nuk është as rastësi, as pasojë e ndonjë komploti; por u detyrohet rrethanave historike të kohës dhe një përkimi interesash të arsyetuara mirë.

Sikurse e kanë vënë në dukje historianët (Schmitt), nga të gjithë ata që bashkëpunuan me Skënderbeun – përfshi këtu njerëzit e familjes, krerë të tjerë feudalë shqiptarë dhe jo-shqiptarë, aleatë të përtejdetit si Alfonsi dhe Venediku – Kisha Katolike dhe klerikët e saj ishin të vetmit që i qëndruan Skënderbeut besnik deri në fund dhe me vendosmëri; dhe Skënderbeu u besonte atyre gjithçka, deri edhe detyrat diplomatike më delikate. Kjo ndoshta vinte ngaqë ai ishte besimtar i devotshëm, por mund të vinte edhe ngaqë ai kish gjetur një përkim strategjik interesash midis motiveve të tij dhe atyre të Selisë së Shenjtë; dhe e gjykonte Kishën Katolike si kujdestare shpirtërore dhe etike të ndërmarrjes së tij luftarake.

Dhe këtu mund të spekulojmë, duke paravenduar një hapësirë ose zhvendosje (décalage) midis Skënderbeut të përfytyruar nga diskursi religjioz dhe klerikët që shkruan për të, dhe Skënderbeut komandant ushtarak dhe luftëtar shqiptar (ballkanik); e cila do të jetë e njëjtë me diferencën mes Skënderbeut si figurë retorike (gramatikore) të narrativës historiografike të kohës dhe Skënderbeut “real” (algjebrik, për kushtet tona). I pari i detyrohet shumë agjencisë së klerit katolik, që formulonte dhe mirëmbante atë diskurs; agjencia e të dytit është më komplekse dhe, për shkak të rrethanave dokumentare, e tillë që na detyron t’i afrohemi vetëm tërthorazi.

19 Komente

  1. Kur bëhet fjalë për Skënderbeun dhe arsyet që e shpunë të ndërmerrte luftën – dhe jetën që bëri në përgjithësi – duhet të bazohemi gjithmonë te burimet, pasi janë ato që hedhin dritë mbi gjithë çështjen. Spekullimet dhe hamendjet e analistëve mund të jenë interesante, por do vijë një kohë që pushojnë së qëni të tilla, pasi nuk kanë këmbë ku të mbahen. Mund ta ilustroj me një shembull: kur flasim për fushatën italiane të Skënderbeut, le të citojmë Francisc Pall-in i cili shkruan (në lidhje me mospërputhjen e numrave të forcave të armatosura): [trattarsi] di due categorie di fonti: quella che parla dei preparativi e dell’INTENZIONE di Scanderbeg… e quella che gia fa menzione… dell’arrivo del Regno (Pall, Barlezio: uno storico umanista, f. 81). Pra, kemi burime që flasin edhe për qëllimet e tij. E mora si shembull – ndoshta jo fort të goditur – për të nxjerrë në pah faktin se kur bëjmë mëtime të natyrës historike, mirë do ishte që të studiojmë burimet. Dahà më mirë sikur t’i studionim burimet dhe më pas të bënim mëtime gjithëfarësh në lidhje me synimet e Kastriotit, a ishin ato «të ndershme», «fisnike», «llogari», të shtyra nga «hakmarrja» etj. etj.

  2. Ne paragrafin e pare,zoti Vehbiu,eshte i sakte per motivet qe e shtyne Skenderbeun ne luften e tij.Sidomos,kur thote “ose nje kombinim i tyre”.
    Megjithese,logjika me elementare ta thote qe motivi i dyte,ai patriotik,ashtu sic e ka shpjeguar zoteria ne kllapa,ka me perparesi se dy te tjeret.
    Ne te vertete,nga gjithe c’eshte shkruar per Slenderbeun,vetem ky kombinim motivesh mbetet,ne fund te fundit,si shtyse per luften.
    Mirepo,pak me poshte citohet Schmitt,i cili motivin kryesor te luftes se Skenderbeut e gjen tek hakmarrja.Dhe,kjo duket te jete edhe vecantesia kryesore e vetme e librit te tij per heroin,ne krahasim me c’eshte shkruar me pare.
    Nje pasaktesi tjeter,mendoj une,ka e beje dhe me debatin tjeter te theksuar nga Schmitt,se kush i qendroi besnik Skenderbeut e kush jo.
    E kjo per arsyen e thjeshte fare,se nuk permenden besniket e vertete te medhenj: ata me te cilet bente luften,luftetaret e tij arber(shqiptare).Mbase,per snobet e sotem,kjo mund te tingelloje patetike,por eshte nje fakt;nje fakt,qe nuk e zhvlereson a qesharakezon,as sterkonsumimi i tij nga historiografia komuniste,qe per shkak te ideologjise se saj,i meshonte shume ketij argumenti.
    Keshtu,duke mosperfillur kete faktor,qe eshte me thelbesori ,me i rendesishmi nder gjithe te tjeret,ajo qe thote Schmitt del nje cerek e vertete,e cila nga ana e vet te le pershtypjen sikur Skenderbeun e tradhetuan shqiptaret e tij!
    Kjo eshte nje gafe e pafalshme logjike,sepse,ne njeren ane le menjane,ne mosperfillje, masen e madhe te arberve(shqiptareve) qe i qendruan besnike Skenderbeut deri ne vdekje dhe me pas madje,e me ane tjeter,me nje lehtesi te cuditshme,ca individe qe e tradhetuan heroin,i ben perfaqesues te mases se madhe besnike!
    Ndersa jepen shembuj individesh,edhe shume te afert dhe me influence te kishin pase qene ata,qe kane tradhetuar Skenderbeun,ndersa jepen edhe deshmi shfrimi zemerimi te heroit ndaj vete kishes dhe klerikeve – nuk asnje deshmi per nje braktisje nga masa e luftetareve ndaj Skenderbeut dhe aq me pak,ndonje shfrim zemerimi te ketij te fundit ndaj tyre;nderkohe qe historia na jep shembuj te shumte rastesh te kunderta.
    Historianet dhe studiuesit sharlatane tradhtohen nga gabime te tilla logjike.Perhere,keshtu ndodh.

  3. Levizjet epokale nganjehere kane si shtysa fillestare motive banale. Me pas ato konturohen, piqen dhe formulojne synime me te qarta te cilat rrezonojne me interesa me te gjera. Per te kuptuar te shkuaren e larget, mund t’i referohemi aktualitetit .
    Bie fjala, Levizja e Dhjetorit e studenteve filloi me parrulla ku artikulohej pakenaqsia per kushtet mayeriale ( Duam drita, duam ushqim me te mire etj) . Por me pas Levizja mori frymemarrje me te gjere dhe formuloi synime me madhore.
    Edhe rezistenca e Skenderbeut nuk duhet gjykuar aq nga motivet sesa nga rezultatet ne zhvillohen e saj per nje çerek shekulli.
    Vatikani dhe Venediku e nxiten dhe mbeshteten rezistencen e Skenderbeut kunder osmaneve, duke e pare ate si ledh mbrojtes te Europes se krishtere.
    Motivet per diskursin e krishtere , portretizimi Skenderbeut si Atlet i Krishtit, edhe nese nuk ishin mirefilli shtysat fillestare, perkonin me aksionin e Skenderbeut ne terren. Atje ku ishte ngritur nje shpate kunder turkut, Vatikani shtoi dhe nje kryq. Fakti qe rrethohej dhe keshillohej nga klerike , deshmon se modeli diskursiv nuk ishte i stisur por dimension real i qendreses skenderbeiane.
    Kleriket ishin ” komisaret” dhe emisaret ideologjike te asaj kohe dhe çdo levizje, qofte dhe per motive pasioni, pronesie apo rivendikim territoresh, do bekohej prej tyre dhe do te futej ne hulline e interesave te Vatikanit.
    Perndryshe, ekzistenca e nje hendek mes Skendrebeut retorik dhe atij real, te shpie tek idea e nje Skenderbeu mercenar, i yshtur dhe financuar nga Vatikani dhe Venediku.

  4. Skenderbeu nuk nisi ndonje projekt te pashprese. Njerezia gjykon gjithnje duke marre parasysh se çndodhi me vone, gje qe e bejne edhe shume historiane ose diletante ose perfaqesues ideologjish.

    Skenderbeu e nisi projektin ne mes te nje kryqezate te madhe antiturke e njohur si kryqezata e Varnes, megjithese eshte emertim i diskutueshem.
    Duhet te kemi parasysh se kryqezata ishte thirrur nga Papa ne janar 1443 dhe merrnin pjese edhe shume europiane. Qe kryqezata ishte serioze e tregonte objektivi i saj qe ishte pikerisht Adrianopoja/Edreneja, kryeqyteti i shtetit osman, pra debimi i turqve nga Europa.

    Ne rast suksesi, territoret e Ballkanit do ndaheshin mes fituesve si ne kryqezatat e mehershme, keshtu qe Skenderbeu do te vinte drejt e ne thela, pa bere asgje te madhe. Pra, ketu ka nje llogari te ftohte prej politikani.
    Kryqezata nuk pati suksesin e pritur, u be nje paqe mes paleve,e cila u prish nga kryqtaret te cilet ne 1444 nuk i rane Serbise e Bullgarise mes per mes,si nje vit me pare, po i rane nga Bullgaria veriore, per te mberritur ne Varne, ndonja 200 km nga Adrianopoja, ku u thyen keqazi.

    Pak a shume deri ne vdekjen e Huniadit 1456, ideja e debimit te turqve nga Europa ishte pike fikse me probabilitet te larte. Alfonsi i Aragones me ate te traktateve te llojit, te qaj kur te kem nge, kishte influence nga Bosnja ne More/Peloponez, mesa duket ne pritje qe t’ia nxirrte kryqezata geshtenjat nga zjarri. Aragona ashtu si Hungaria, ishin fuqi te medha asokohe.
    Zbarkimi i Skenderbeut ne Itali ishte ne funksion te nje Napoli aragonez, qe me Ferdinandin te kishte synimet e Alfonsit per influence ne Ballkan. Ferdinandi doli pese me hiç ne kete drejtim po Skenderbeu duhej ta provonte, edhe sepse Papa ne 1459, kishte shpallur kryqezate te re brenda 3 vjeteve.
    Nga kjo shpallje vjen edhe armepushimi 3 vjeçar i Skenderbeut me Sulltanin para se te zbarkonte ne Itali.

    Hyrja e Venedikut ne lufte me Turqine ne 1463 dhe kryqezata qe do fillonte me ne fund ne 1464, i dha shprese per debimin e turqve nga Ballkani. Kryqezata doli flop se vdiq edhe Papa, turku nderkohe ishte pergatitur ushtarakisht kunder kryqezates, keshtu qe ne 1464 duhet ta kete pare punen pisk Skenderbeu. Ne fakt 1464-1467 kane qene vite sulmesh turke te jashtezakonshme.

    Pra konteksti deri ne 1464 nuk ishte aspak i keq, turqit mund te ishin debuar. Po kryqezata nuk u be, Mateo Korvini, mbreti i Hungarise, as qe i afrohej te atit Huniadit ne lidhje me turqit, per me teper shkoi e u ngaterrua me çeshtje gjermanike, Ferdinandi i Aragones, nuk i afrohej as ky te atit, Alfonsit, Papati nuk kishte me autoritet si qofte edhe 20 vjet me pare, keshtu qe situata u be e erret. Por jo urgjente, sepse rezistenca vazhdoi edhe 10 vjet pas vdekjes se Skenderbeut, derisa Venediku, nuk e perballoi dot me turkun.

    Skenderbeu ishte ne rregull me projektin e tij clirimtar dhe besoj te shpalljes mbret te Arberise dhe Epirit. Ai jo me kot e cilesoi veten si zot te Arberise dhe Epirit, sepse ai ishte objektivi i tij, qe Papa ta shpallte mbret te Arberise dhe Epirit.
    Atebote vetem Papa mund te te shpallte mbret, te dilje nga statusi i feudalit. Ne kryqezaten e 1464 ishte parashikuar qe Papa do ta shpallte Skendebeun mbret.

    Hakmarrja eshte motiv qe skartohet nga brisku i Okamit, s’ke pse fut nje entitet te tepert ne loje, kur ka pergjigje me te thjeshte, si çlirimi nga pushtimi dhe shpallja mbret i tokave te çliruara. Nqs ta zeme ne 1448 Skenderbeu do kish arritur te bashkohej me Huniadin ne betejen e Kosoves dhe do arrinte te kapte e vriste sulltan Muratin II (gje e mundur meqe Murati I u vra po ne Kosove 1389), aq me mire per te e per gjithe shqiptaret qe kishin humbur njerezit e tyre nga Sulltan Murati.
    Nuk shoh ndonje gje te keqe apo motiv per t’u cilesuar veçanerisht qe ne nje proçes çlirimtar te kete hakmarrje ndaj pushtuesit. Madje hakmarrja ndaj pushtuesit, sepse te ka vrare nje njeri te afert eshte e detyrueshme. Ne çdo proçes çlirimtar qekur ekziston pushtimi ka edhe hakmarrje, sepse pushtimi nuk eshte vetem nje çeshtje publike, por edhe çeshtje personale, nqs pushtuesi te bie personalisht ne qafe, duke te torturuar apo vrare nje te aferm.

    Nuk shoh sesi psh mund ta vendose gjykata drejtesine ne vend, nqs ty te ka rene ta zeme ne qafe nje Turgut çfaredo apo nje Sllavisha çfaredo, i cili terhiqet ne punet e veta ne Turqi apo Serbi, thote me kane dhene komanden e une e zbatova. Nqs ne proçesin e çlirimit e kap atehere drejtesine ne vend do e vendosesh vete, duke e hequr qafe Turgutin apo Sllavishen.
    Hakmarrja ne proçes çlirimi eshte vendosje drejtesie. Fenomeni i çlirimit eshte çeshtje drejtesie. Sigurisht edhe çeshtje pushteti, te cilin e marrin ata qe e kerkojne.

    p.s e thene me konceptin e kohes, djali i vogel i kohes se feudalizmit nuk trashegonte asgje, se i takonte çdo gje djalit te madh, keshtu qe nqs i binte radha te merrte toka e pushtet, me shume sesa te hakmerrej ndaj atij qe i vrau vellezerit e babane, do i thoshte falemnderit, perndryshe s’do kishte asnje kacidhe ne xhep. Ne fund te fundit Hamzai tradhetoi kur e pa qe mund te ngelej i dyti pas Gjonit. Kastriot ishte Hamzai, nip i Gjonit, qe i ka bere te 99-at per te zgjeruar zoterimet e veta. Nqs per Skenderbeun do thuhej ndonje gje per t’ia ulur figuren, do mund te thuhej ne kete menyre.

    1. Sidoqë nuk ishte kjo tema e shkrimit, edhe unë besoj se përpjekja e Skënderbeut mund të kuptohet deri në fund duke i dhënë përparësi aspektit thjesht ushtarak; dhe pikërisht angazhimit të tij, si protagonist, në dëbimin e osmanëve nga Ballkani. Tani, meqë popujt e Ballkanit nuk kishin gjë tjetër të përbashkët mes tyre përveç fqinjësisë dhe përkatësisë në Krishterim, kjo do të shpjegojë edhe rëndësinë e aleancës me Vatikanin dhe Mbretërinë e Napolit, si dy fuqi të mëdha që mund ta mbështetnin seriozisht këtë përpjekje. Analizat e historianëve tregojnë edhe në fund të viteve 1440, kur Huniadi ishte ende gjallë, kjo mund të kish pasur sukses, me bashkërendim pak më të mirë. Për t’u shënuar edhe që Kisha Ortodokse nuk u përzie shumë në këtë lëvizje të frymëzuar dhe të nxitur nga Perëndimi, të paktën sa u përket arbërve; dhe sidomos pas rënies së Kostandinopojës. Fokusimi në suksesin ushtarak mund të shpjegojë edhe pse Skënderbeu nuk u preokupua shumë për organizimin dhe kontrollin e territorit – gjë që do të bëhej me ngé, pas fitores kundër Osmanëve; por u kujdes për kontrollin ndaj njerëzve: aleatëve, bashkëpunëtorëve, popullsive që do ta furnizonin me ushtarë dhe nozullime. Me pak këmbëngulje mbase do ta kish marrë edhe titullin e mbretit; por parapëlqeu nga Selia e Shenjtë premtime të tjera. Pa një dëbimin e qëndrueshëm të osmanëve nga Arbëria, mbretëria e tij do të kish mbetur simbolike. Për fat të keq, dhe këtu sërish po i referohem Schmitt-it, nuk dihet pothuajse asgjë për marrëdhëniet dhe diplomacinë e Skënderbeut me fqinjët e krishterë në Ballkan – sllavë, rumunë, hungarezë dhe demarshet e tij në Lindje. Prandaj s’është për t’u përjashtuar që vizioni ynë i sotëm, për një Skënderbe si kryeurë të Perëndimit në Ballkan, të jetë detyrimisht i njëanshëm dhe i zhbalancuar, për shkak të asimetrisë dokumentare.

    2. Hyllin, veshtrimi yt eshte mjaft interesant, por me ngjan edhe pak sikur i merr deshirat per realitet. Kur thua se .. Skenderbeu e nisi projektin ne mes te nje kryqezate te madhe antiturke e njohur si kryqezata e Varnes, kam frike se gabohesh. Varna eshte e 1444, tamam ne ate kohe kur Skenderbeu perfitoi per t’u kthyer ne Kruje. Me thyerjen e rende te trupave hungareze, polake, serbe, boheme, transilvane etj. ne Varne, shihet qarte se konteksi i fillimeve te Skenderbeut eshte jo vetem pa projekt, por egesisht depresiv.
      Pak para Varnes ishte nenshkruar nje pakt i njohur me emrin e Adrianapojes, sipas te cilit turqit angazhoheshin te mos pushtonin asnje vend tjeter te krishtere. Ishte Vatikani e shkeli me betejen e Varnes (se ai eshte organizatori e askush tjeter), por me kete pabesi evropiane, Porta i ndjen duart e lira te rifilloje programin e saj te vjeter, tamam kur Skenderbeu rivendikon tokat e babes. Pra ndryshe nga sa supozon ti, pa nje beteje Varne, projekti tij, nese ka patur, se dyshoj, do te kishte me shume shanse te realizohej.
      Nje projekt tjeter ballkanas do te deshtoje ca me vone, ne betejen e dyte te Kosoves. Me tej, secili per vete, sikunder edhe ngjau.

      Thua: Pak a shume deri ne vdekjen e Huniadit 1456, ideja e debimit te turqve nga Europa ishte pike fikse me probabilitet te larte. Nuk eshte e vertet. Para vdekjes se Huniadit kemi renien e Kostandinapolit. Qe nga ai çast as qe behej me fjale me per çlirim te Ballkanit, ca florinj nga Serenissima, nja dy kostume nga Vatikani dhe 200 ushtare nga mbreti i Napolit nuk do ta ndryshonin fatin e Ballkanit. Qe e gabuar po keshtu qe. Kam ne dore nje biografi te André Clot per Sulen e Madherishem. Ai kritikon rrepte mungesen e nje projekti te tille, tamam ne kete periudhe.Por tani ishte vone. Rendi social, ekonomik, e juridik osman ishte mjaft i perparuar se sa ai i Evropes feudale. Njerzit, te pakten ne Shqiperi, perqafonin masivisht fene e pushtuesit, jo se kuptonin gjesendi prej saj (perveç faktit se u lejonte te merrnin disa gra, siç thone relacionet e Bardhit, gje ke me ka shtyre te mendoj se duhet analizuar edhe elementi “seksual” ne islmaizimin e shqiptare), por se kadiu turk ishte shume me i paanshem se feudali shqiptar. Fvj, kue nje feudal i eger shqiptar me emrin Gjon Kastrioti i kerkonte Serenisimmes t’i dorezonte nja dymbedhjete skllever qe ishin arratisur nga tokat e tij, qe t’i vriste me doren e tij, kjo ishte krejt e pamundur ne trojet e perandorise osmane, ku drejtesine e vendoste ligji e jo feudali.
      Pra, ne osmanizimin e Shqiperise, nuk kane rol vetem bijte e Osmanit, tha..

      1. Ne fakt Lyss une e theksoj qe kryqezata e Varnes eshte emertim i diskutueshem, sepse Varna ishte beteja e fundit ne 1444, ne nje kohe qe kryqezata ishte shpallur ne Janar 1443 dhe aktivitetin e kishte nisur me 1443, ku ne betejen e Nishit, tetor 1443 Skenderbeu u largua me 300 kaloresit.
        Prandaj une jam ne rregull me interpretimin e ngjarjeve, ti nuk je ne rregull me leximin e asaj qe shkrova.

        Skenderbeu ishte i vetedijshem qe ne Nish po luftonte kunder kryqtareve dhe projekti i cili jepet nga burimet si i ideuar me pare, gjeti momentin e pershtatshem. Qe gjithçka ishte e llogaritur me pare e deshmon edhe rrjedha e ngjarjeve, apo vete fakti qe 300 kalores bashke nuk behen lehte kollaj ne mes te nje beteje, minimalisht duhet t’u mbushesh mendjen perpara gjithe oficereve e nenoficereve te repartit. Pra ishte nje dezertim i llogaritur mire dhe i kryer ne menyre perfekte, sepse asnjeri nuk e spiunoi planin, cka do ia kishte mbyllur dyert e Krujes.

        Nderkaq kryqtaret ne 1444 nuk e moren parasysh fare ekzistencen e Skenderbeut, Sulltani solli trupat dhe kemi betejen e Torviollit ne qershor 1444. Ekzistenca e Skenderbeut dhe fitorja ne Torvioll nuk u levizi asnje presje planeve te kryqtareve, psh per te ndryshuar rrugetimin e ardhur drejt Vardarit per te perfshire edhe shqiptaret, aq te sigurte ishte ne forcat dhe mjetet e tyre dhe nuk shihnin ndonje vlere te shtuar te perfshinin edhe shqiptaret. Siguri qe pastaj i çoi ne katastrofe per ata, por ne fund fare edhe per ne.

        Si shprehet me te drejte edhe xha xhai, projekti i Skenderbeut do te ishte vertete i suksesshem vetem nqs turqit do te ishin debuar nga Ballkani. Ti thua se me nje paqe gjerat do ishin me te mira, ne fakt asokohe paqja sot nenshkruhej dhe neser prishej.
        E vetmja paqe afatgjate ishte ajo qe parashikonte mbajtjen e pengjeve. Nqs pengjet ishin reciproke kishte paqe mes te barabartesh, nqs pengjet ishin te njeanshem atehere ishte paqe e detyruar nga fuqia e madhe, dmth vasalizem. Skenderbeu vete perfundoi si peng i nje paqeje mes Sulltanit dhe Gjon Kastriotit.
        Ky ishte modus operandi i turqve, fito nje lufte, bej paqe duke marre peng femijet meshkuj te vasaleve te rinj per te garantuar besnikerine dhe paqen me kushtet e tyre.

        Edhe pas renies se Kostandinopojes behej fjale, sepse ishte gjalle Huniadi dhe ideja e kryqezates.

        Nga ana tjeter, per t’i krehur pak bishtin vetes, kaloresit shqiptare gjate atyre viteve betejash te njepasnjeshme ishin me te miret ne Evrope. Kaloresia e lehte shqiptare e trajnuar dhe stervitur gjate atyre viteve ishte modeli i stratioteve, te cilet ishin te deshiruar ne gjithe Europen, aq sa ne gjysmen e pare te shek 16 nuk kishte ushtri te respektueshme ne Europe pa nje repart stratiotesh, deri ne Angline e Eduartit kishte repart te tille. Nga ana tjeter si Skenderbeu s’kishte tjeter, gjenerali me i mire i kohes dhe me eksperience te jashtezakonshme ne lidhje me turqit.

        Dua te them, se shqiptaret nuk ishin dosido ne kryqezaten e radhes, Papa dhe Venediku, i cili sapo kishte hyre ne lufte kunder turkut ne 1463, bene çmos me premtime qe Skenderbeu te prishte armepushimin 10 vjeçar shqiptaro-turk te vitit 1463.

        Prandaj kryqezata ishte e mundur, nqs mblidheshin ata 20-30 mije kryqtare.

        Pa llogaritur ketu, qe do te mjaftonin asokohe qe Venediku dhe Genova te bashkonin flotat kunder turkut, te bllokonin Dardanelet dhe Bosforin e shteti osman ndahej me dysh, e pjesa ballkanike shkaterrohej rrezik edhe nga vetem Skenderbeu, meqe shumica derrmuese e ushtareve vinte nga Azia e Vogel, ne Ballkan ishin vetem disa mijera spahinj dhe disa mijera akinçij, qe mblidheshin nga fiset turke te zhvendosura ne Ballkan.

        Shteti osman ishte produkt i papajtueshmerise se Venediku dhe Gjenoves,te cilat kishin mjaftueshem anije te bllokonin Turqine. Madje ne 1402 kur Timurlengu praktikisht e asgjesoi shtetin turk ne betejen e Ankarase ishin gjenovezet ata te cilet shpetuan mbeturinat e ushtrise turke duke i transportuar ne Ballkan.

        ”Mekatet” italiane i paguan ballkaniket, por keto jane histori te tjera.

  5. Nese mundem , mbase letra qe Kastrioti Skenderbeu i dergoj Princit te Tarantos Antonio Giovanni-it , perben deshmine kardinale qe permbledhe dhe zbardh jo pak ceshtje ne lidhje me qasjen fetare te Kastriotit (cit . armiku i fese time ) , vetedija etnike ( cit. parardhesit tane epirotet & kombi\raca ime etj ) , gjithashtu terthorazi pasqyron edhe vizionin\projektet e tije !! Kjo hollesi ,ky dokumente nuk i shpetoje as Schmitt-it ( si paranteze ; Ardian Ndreca i ka “qendisur” nje Shkrim-Replike goxha te arrire J.Schmitt-it , per te cilen pajtohem pothuajse plotesishte !). Se cfare ishte ortodoks a katolik , realishte pak rendesi ka.. ishte nje arberor i krishter , kaq mjafon . Se per cfare luftoje , mjafton te lexojme leterkembimet e tije . Pra le te bazohemi tek burimet faktike historike e jo tek intepretimet e sotshme te diktuara shpesh nga ideologji te caktuara, qasje fetare , etnocentrizem kronik etj.

    1. Andrea, këtë letër që citon ti nuk e ka shkruar Skënderbeu me dorën e vet, por sekretari i tij, sipas rregullave diplomatike, protokollare dhe retorike të kohës. Shkrimi i letrave të tilla ishte edhe një arsye madhore pse prijësi mbante sekretar me vete. Nga analiza e letrës mund të nxjerrim informacion për diskursin diplomatik të kohës dhe për çfarë donte t’i përcillte Skënderbeu – si entitet politik – princit të Tarantos. Për ta banalizuar argumentin: për mua, si njeri, flet më shumë një letër që mund t’i shkruaj me dorë motrës sime, sesa një kërkesë që mund t’i dërgoj, me shkrim, Kryetarit të Bashkisë. Dua të them: letrat formale prandaj janë formale, që të imponohen me formën e tyre. Çfarë ngre peshë, kur dërgohet një letër e tillë, është performativiteti – ose akti i të dërguarit të letrës, jo përmbajtja.

            1. Po, por në Atti del Regio Instituto veneto di Scienze, Lettere ed Arti, letra e Skënderbeut “Datum in Croya adì ultimo Octobre 1460” (f. 994) bart shënimin: Per copia conforme, OSIO (fu direttore del Real Archivio di Stato di Milano). Zotëria në fjalë e konfirmon si gjenuine.

            2. me duhet te shfajesohem dhe te them se nuk pretendova se nuk eshte origjinale, thashe se eshte vene ne diskutim origjinaliteti i saj

            3. Me sa shoh, nga të tria letrat Makushevit iu dhanë kopje nga z. Cecchetti, kryesekretar i Arkivit Vatikan (Исторические разыскания, f. 101-103). Makushevi shkruan: Всѣ три письма сообщены мнѣ въ копіи г. Чеккетти, первымъ секретаремъ Главнаго венеціанскаго архива. Libri i Makushevit mund të gjendet në internet, si i skanuar, si i radhitur… me sa pashë (për fat të keq me Google translate, pasi rusishten nuk e di) nuk përmendej fare vënia në diskutim e këtij origjinaliteti.

  6. edion, me fal per vonesen e pergjigjes por duhet te kontrolloja qitapet, arkivat, dosjet, te zhvarrosja ca kufoma.

    lexojme tek k. frasheri (e ka fjalen per 2 letrat):

    “dyshimin se ato mund te mos jene autentike e ka shtuar stili rinashimental qe spikat ne permbajtjen e letres drejtuar orsinit ku skenderbeu shkruan: “ne se kronikat tona nuk genjejne, ne quhemi epirote dhe, sic do ta dini, ne kohe te lashta parardhesit tane kaluan ne vendin tuaj”, etj, etj. por dyshimet jane pa vend”

    frasheri k., shkenderbeu, jeta dhe vepra, toena, tirane 2002, f. 375, shen. 1.

    pra, edhe pse frasheri nuk zgjatet, se si, qysh, tek, etj shikojme se ka pasur diskutim per autenticitetin e letrave. me poshte autori ne te njejtin shenim sjell argumente per te kundershtuar dyshimet.

    nese kronikat e mia nuk gabojne, nje tjeter dyshim i hershem eshte hedhur nga autori pompilio rodota tek vepra dell’ origine, progresso e stato presente del rito greco in italia etc, v. III, salomoni, roma 1763, f. 18, shen. (a). libri mund te lexohet lirshem ne google books apo archive.org.

    keto te mesipermet me bejne besoj korrekt ndaj pohimit tim fillestar.

    1. Pllakë, pasazhi në fjalë i Rodotàsë është si më poshtë vijon:
      «Il Gobellino ci presenta una lettera scritta in quest’ occasione dal Principe di Taranto al Castriota, cui davan principio le querele… anco la risposta… Ammendue sono sospette al Sig. Gio: Maria Bremmi (sic!): Vita di Scander-begh, p. 403, stampata in Brescia l’an. 1756. Ma poichè egli non adduce convincente motivo valevole a trarre l’intelletto al suo sentimento e a derodere all’autorità dello scrittore citato, crediamo di dover ammettere per sincere l’una e l’altra.» (Dell’Origine, 1763, fq. 18).
      Tani, problemet me të cilat përballemi në këtë pasazh janë disa. 1. Nuk mund ta dimë – pa lexuar Gobellinon – se për çfarë letrash bëhet fjalë. 2. Që të dyja janë të dyshimta për Biemmi-n, i cili ndër të tjera është falsifikator (dhe duke qenë i tillë, kujton se edhe të tjerët falsifikojnë) nuk jep arsye bindëse për opinionin e vet; 3. kjo e shtyn Rodotanë t’i marrë letrat për të vërteta dhe gjenuine, bazuar në autoritetin e Gobellinos. Ndaj duhet gjetur njëherë libri i këtij të fundit.
      Ka një parim që quhet “brisku i Okamit”, i cili na ndalon të bëjmë hamendësime pa fund. Nëse letrat kanë shumë gjasë të jenë të vërteta, atëherë ashtu janë; nuk kemi pse ta vemë në pikëpyetje vërtetësinë e tyre. Veç kësaj, kur Skënderbeu përmend “le nostre croniche”, kuptohet që bëhet fjalë për kronikat në greqisht dhe latinisht/italisht që bëjnë fjalë për punët e kësaj ane t’Adriatikut, të Shqipërisë dhe Epirit, dhe jo domosdoshmërisht një kronikë të shkruar shqip e tipit Histori e Arbërisë etj. etj. Ka të ngjarë që kronikat për të cilat flet Skënderbeu të jenë të kohës së Karlit Anzhù. Karli u bë zot i Vlorës dhe i Durrësit më 1271 dhe i ngriti zotërimet e veta në rang mbretërie (nga malet e Himarës deri në gjirin e Drinit, nga Vlora në Lezhë – Albania, Guide Rosse). Është për t’u theksuar se nga kanceleria e tij kanë dalë një mal me dokumenta, ndaj dhe nuk do ishte çudi që në këtë kohë të hartoheshin ato kronika, për ta paraqitur Karlin si një pasardhës të denjë të Pirros e Aleksandrit, që erdhi e u hodh në lindje. Si tani si para 800 vjetësh historia dhe ideologjia janë përdorur për arsye shumë praktike, nuk ka ndonjë ndryshim.

Lini një Përgjigje te Edion PetritiAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin