ULËRIMA JOTE NË CYBERSPACE

Lexuesit e Edgar Poe-s do ta mbajnë mend obsesionin e tij pas tmerrit të varrosjes për së gjalli – me gjasë shprehje e asaj që psikiatrit e njohin me termin taphophobia. Thuhet se Poe-ja vetë vuante nga një fobi e tillë, dhe njëfarësoj e mjekonte duke e transpozuar në letërsi.

Kjo neurozë tashmë “historike” më erdhi në mend, kur po shihja episodet e sezonit të 4-t të serialit fantashkencor “Black Mirror” në Netflix, i cili është pritur përgjithësisht me lëvdata të mëdha nga kritika dhe me interes të madh nga publiku anembanë.

Pas një fillimi disi eklektik dhe konfuz, që tradhtonte interesin e krijuesve të serialit për impaktin negativ të teknologjisë në jetën sociale, vit pas viti e sezon pas sezoni episodet erdhën duke u organizuar rreth pak temave kyç, mes të cilave do të spikaste ajo e transferimit të vetëdijes si kod softueri.

Ideja dhe mundësia e këtij lloj transferimi a transmigrimi kaq kartezian shfaqet ndonjëherë edhe në traktatet futurologjike, si një rrugë për të arritur “pavdekësinë”; edhe pse nuk duket ende të bazohet në ndonjë arritje as të shkencës kompjuterike, as të IA-së, dhe as të njohurive që kemi për mënyrën si funksionon truri, mendja dhe vetëdija e njeriut.

Në çdo rast, episode si “White Christmas” dhe “San Junipero” nga sezonet e kaluara, dhe “USS Callister”, “Hang the DJ” dhe “Black Museum” nga sezoni i tanishëm janë të gjitha variacione rreth temës narrative të replikimit a të klonimit të identitetit dhe ndoshta të dyzimit të vetëdijes.

Megjithë ambientimin teknologjik dhe familjaritetin e publikut të sotëm me teknikat dhe efektet e kopjimit dhe ngarkim/shkarkimit (upload/download) të kodit por edhe me interaktivitetin dhe realitetin virtual të video-lojërave, ky replikim a klonim i identitetit mbetet po aq larg “realizimit” në praktikë sa edhe teleportimi i njerëzve në filmat dhe serialët fantashkencorë të viteve 1960-1980 (“Beam me up, Scotty!”).

Një dëshirë a përrallë si të gjitha dëshirat dhe përrallat, por e inskenuar në zhargon teknologjik.

E megjithatë, interesi narrativ i këtyre episodeve të “Black Mirror” lidhet drejtpërdrejt me përjetimet dhe vuajtjet e këtyre simulakrave në botët e tyre simulakra, ose individëve të riprodhuar që e çojnë tashmë jetën të mbyllur në softuer, si personazhe të një videoloje.

E njëjta teknologji – kompjuteri – që mundësoi transferimin e tyre është tani edhe varri i tyre; dhe vetëdijet e murosura ngjallin te publiku po aq tmerr ekzistencial e metafizik sa edhe të varrosurit për së gjalli të Poe-s.

Aq më tepër kur programuesit – në botën e serialit – janë në gjendje të manipulojnë deri edhe shpejtësinë e rrjedhës së kohës për këta avatarë, duke i cikluar me mijëra herë në rutinat e përditshme, teksa në botën “reale” kalojnë vetëm pak minuta; ose duke luajtur me vetë perceptimin prej tyre të botës në kohë.

Tropi i transferimit të vetëdijes është adoptuar, nga letërsia dhe filmi fantashkencor, paralelisht me tropin tjetër të inteligjencës artificiale që arrin vetëdijen dhe pastaj “singularitetin”; duke filluar të ndjekë qëllimet e veta, që jo doemos e gjithnjë do të përkojnë me ato të krijuesit të saj.

Kësisoj, kalimi nga një inteligjencë artificiale e mbyllur në kompjuter – i ilustruar nga filma të tillë si “Her” ose “Ex Machina” – njëfarësoj komplementohet nga transferimi i vetëdijes së një individi në kompjuter ose në rrjet; ose, më guximshëm akoma, nga një individ te një tjetër (“Self/Less”).

Në të gjitha herët, vetëdija e transferuar fillon ta perceptojë mediumin e ri – që mund të jetë trupi i dikujt tjetër, ose një botë e simuluar nga softueri – si burg. Dhe këtë një hap e ndan nga tmerri i taphophobisë (një mënyrë tjetër, më tradicionale, për ta ilustruar të njëjtin efekt, do të ishte vetëdija e kyçur në një tru(p) që ka rënë në komë).

Motivi është edhe filozofik dhe depërton thellë në problematikën e marrëdhënies mes mendjes (vetëdijes) dhe trupit; e para është e pakufizuar, i dyti vjen me datë skadimi dhe me gjithfarë kufijsh, përfshi këtu rrëgjimin dhe dhimbjen.

Largimi i shpirtit nga trupi, ose braktisja e mishit në momentin e vdekjes, do të ishte edhe ai një lloj transferimi nga një medium te një tjetër; ndërsa varrimi për së gjalli, metafora maksimale e burgut të ekzistencës.

Periudha e artë e fantashkencës, që përkoi edhe me atë të optimizmit teknologjik, u shtjellua rreth daljes së njeriut në kozmos dhe përhapjes e qytetërimit njerëzor më parë në sistemin tonë diellor, dhe më pas në mbarë galaktikën. Nga Marsi te hënat e Jupiterit dhe të Saturnit dhe më tej, deri në themelimin e Commonwealth-it kozmik.

Ky mega-model narrativ rimerrte, shpesh haptazi dhe në trajtë klishesh, bëmat dhe aventurat e eksploratorëve dhe kolonizatorëve europianë, që nga shekulli XIV e deri në “zbulimin” e plotë të Tokës; ndonjëherë edhe duke i trajtuar nga këndvështrimi thjesht antropologjik, sidomos sa i takonte kontaktit të pashmangshëm me jashtëtokësorët.

Por shekulli XX u mbyll me një paradigmë të re: bota jonë, planeti ku jetojmë, mund të jetë edhe burgu ynë, në mos varri ynë – sepse teknologjia që zotërojmë nuk po na shpie dot askund tjetër, teksa rrëgjimi i mjedisit, ngrohja globale dhe rreziku i katastrofave natyrore ose njerëzore (lufta atomike) mund t’i japin fund qytetërimit nga një moment në tjetrin.

Nuk është rastësi që fantashkenca tashmë zgjedh të shtjellojë temat post-apokaliptike (çfarë e bën ndonjëherë edhe “Black Mirror” vetë), ose mbijetesën e komuniteteve dhe të kulturave përballë kolapsit politik, ekonomik dhe teknologjik global.

Këtij imazhi mistik të Tokës si burg, ose si hapësirë e fundme për njeriun me ambicie të pafund, i përgjigjet imazhi, njëlloj mistik, i vetëdijes së shtrupëzuar – edhe pse jo më në trajtë hijesh dhe fantazmash si në letërsinë gotike, por si kod, ose softuer i kopjuar/klonuar dhe i transferuar në hapësirën virtuale ose, gjithsesi, në një medium tjetër.

Suksesi i “Black Mirror” ndoshta ka të bëjë pikërisht me sinqeritetin brutal, me të cilin u qaset temave të tilla kaq primordiale për vetëdijen tonë të ekzistencës, ose fushëprerjes së frikës sonë nga vdekja dhe asaj pak shprese që na ka mbetur te teknologjia.

(Në anglisht titulli i kësaj eseje do të ishte: NOBODY WILL HEAR YOU SCREAM IN CYBERSPACE)

(c) 2018, Peizazhe të fjalës.

4 Komente

  1. Nje ese e bukur per nje serial qe duhet te ndiqet nga te gjithe.Taphophobia kibernetike asht nje nga temat qe prek ky serial kryeveper dhe unik qe ka pare televizioni dekadat e fundit,nje teme shume permendur ne te asht dhe ndikimi i rrjeteve sociale qe kane ne shoqerine tone aktuale me episodet “The National Anthem”, “The Waldo Movement”, “Nosedive” dhe “Hated in the Nation” apo tema tjeter e ndikimit te mediave dhe televizionit ne jeten tone.Per kete veper mund te shkruash shume ese e mund te flasesh pafund sepse asht nje serial qe te nxit reflektime te njepasnjeshme.

  2. Sezoni i katert deri tashme me eshte dukur zhgenjyes (kam pare vetem dy episodet e para) dhe nen nivelin mesatar le te themi te Black Mirror. Sidomos episodi te cilit i referohesh edhe ketu ne shkrim ( USS Callister ), i cili edhe duke marre parasysh kapercimin teknologjik, ende ka probleme te theksuara ne momente te caktuara te narratives. Psh merret e mireqene qe personazhi virtual rikrijohet nepermjet ADN-se (dakort kjo eshte premise qe po e pranojme), por nuk shpjegohet se si nga kjo ADN riprodhohet VAZHDUESHMERIA e ketyre si nje zgjatim i perjetimve, memorieve dhe ndergjegjes ne boten reale. Pa hyre pastaj ne detaje teknike (updates, firewall etj) qe edhe ato calojne.

    Megjithate, Black Mirror si pakete ngelet e nje niveli mbi mesatar, madje duke arritur kulminacione vertete cilesore ne disa episode (White bear, White Christmass, Shut up and dance, San Junipero). Perpos atyre cfare tashme jane thene ketu ne kete shkrim, mendoj se pjese e suksesit eshte edhe (ne mos sidomos) fakti qe jemi ne nje pike te tille, ku frika dhe dyshimet ndaj teknologjise, aneve te saj te erreta (black pra) jane reale. Filtrat prinderor, pornografia, fake news, varesia dhe obesioni, problemet me privatesine etj etj, jane te gjitha problematika aktuale qe gjenerojne debat po e po, por edhe iniciativa ligjore ne menyre te vazhdueshme (shih psh Gjermanine dhe tashme edhe vende te tjera te BE-se ne lidhje me facebook). Ne kete kuptim, teknologjia nuk eshte me thjesht nje instrument i perdorur per te nxjerr ne pah fobi e deshira te vjetra universale (si perjetesia), por eshte vete ajo subjekt i drejteperdrejte fobish e deshirash te reja.

    Pastaj nga aspekti thjesht kinematografik, eshte super e gjetur qe cfare i bashkon episodet, eshte fryma dhe ndjesia qe te percojne. Jo regjizoret, aktoret, skenaristet etj etj. Pra eshte nje lloj projekti qe mund t’ja lejoje vetes te rifreskohet here pas here me inpute te reja (nje lloj Gorillaz ne kinema dmth 😀 )

  3. Nuk e kam pare serialin por pse e mendoni transferimin e ndergjegjjes ne program si nje burg? Per mua do te ishte e kunderta. Fundja, a s’eshte mberthimi brenda trupit njerezor nje lloj burgu gjithashtu? Kalimi ne program kompjuterik natyrisht qe mund te paraqese njeqind sfida por konsiderimi i tij si “varr” ndodh vetem nese e e konsiderojme programin si nje sistem te mbyllur. Ndersa une mendoj se nese programi eshte nje sistem i hapur (shih internetin), ai mbetet me superior se edhe vete trupi njerezor. I vetmi problem madhor me kete sistem eshte se kush e ka kontrollin e butonit. Pra kush e miremban sistemin nga jashte. Ai mund ta bej gjemen kur te duash.

    1. Nuk e mendoj unë transferimin e ndërgjegjes si burg – ashtu e paraqet seriali, në disa episode. Unë vetë mendoj – për sa ç’mund të vlejë – se transferimi i vetëdijes individuale nga një medium te një tjetër është i pamundshëm. Ka shumë tepër shkencë te rrëfimi biblik që Zoti e krijoi Evën nga një brinjë e Adamit (klonimi, etj.) sesa te kjo fantazi e “ngarkimit” të vetëdijes në kompjuter. Unë madje as kam besim se Inteligjenca Artificiale – me teknikat e sotme të programimit dhe të kompjuterizimit – mund edhe thjesht t’i afrohet simulimit të vetëdijes. Ndoshta me “quantum computing” ose me integrimin e “wetware” në sistem kjo mund të realizohet. Kushedi. Por transferimi i vetëdijes presupozon se kjo është e pavarur nga “mishi” (trupi, truri), një presupozim që më duket pa bazë. Nuk është as fantashkencë, por thjesht fantazi.

Lini një Përgjigje te peshperitesiAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin