DUKE E DITUR GJUHËN DHE KULTURËN

nga Ilir Baçi

Në një shkrim të tij, Ardian Vehbiu, nisur nga një ngacmim i imi në një media sociale, përmend rastin e përkthimit, apo rikrijimit, të poezive kineze nga poeti amerikan Ezra Pound, paçka se ky i fundit nuk e njihte kinezishten. Për këtë, Pound-i është mbështetur në shënimet e një orientalisti amerikan, që as ky vetë nuk e zotëronte mirë kinezishten por qe ndihmuar prej mësuesit të tij japonez. Brenda meje, kjo trazoi një shqetësim që ka të bëjë me atë se si e shohim përkthimin.

E vërteta është se, me gjithë rëndësinë madhore që ka, përkthimi, si proces, vuan nga një nënvlerësim i padrejtë. Kjo bën që nocionet e lidhura me përkthimin të jenë të gabuara hera-herës. Fjala bie, dëgjoj njerëz që e përdorin fjalën “rikrijim” për të përshkruar procesin e përkthimit. Rikrijimi nuk do të ishte sinonimi i duhur për përkthimin. Nëse duam medoemos t’i gjejmë një sinonim a krahasim, përpos fjalës “përshtatje”, shumë mirë mund të përdorim fjalën “krijim”. Edith Grossman, përkthyese amerikane, thotë në librin “Why Translation Matters”:

I believe that serious professional translators, often in private, think of themselves—forgive me, I mean ourselves—as writers, no matter what else may cross our minds when we ponder the work we do, and I also believe we are correct to do so.”

Tekefundit, edhe vetë procesi i shkrimit, a krijimit të një teksti, është një përkthim: përshtatje e mendimeve në tekst të shkruar.

Por le t’i kthehem sërish shqetësimit tim parësor nga i cili merr nxitjen Ardian Vehbiu. Sa (mjaftueshëm) duhet të dijë përkthyesi nga gjuha dhe kultura e tekstit origjinal për të qenë në gjendje të na ofrojë një përkthim të mirë. Përtej problemeve që na dalin me përkufizimet e disa koncepteve a fjalëve këtu, shqetësimi mbetet.

Unë nuk jam dakord në dy gjëra me Vehbiun: Së pari, poezia nuk është shembulli më i mirë për të diskutuar për problemet e përkthimit jashtë qarqeve profesioniste. Së dyti, sjellja në vëmendje e asaj që ka bërë Pound-i me rigjallërimin e interesit të botës perëndimore për artin dhe filozofinë kineze druaj se krijon në diskursin tonë ide të gabuara te lexuesit. Kam frikë se do të krijohet ideja se mjafton të jesh mjeshtër i fjalës në gjuhën tënde dhe mund të “përkthesh” pa ditur gjuhën e tekstit që orvatesh të përkthesh.

Në librin e tij “Këshilla një përkthyesi të ri”, Edmond Tupja na ofron një listë të kushteve që duhet të përmbushësh për të qenë me të vërtetë përkthyes: 1. Të njohësh shumë mirë gjuhën tënde amtare në të cilën kërkon të përkthesh; 2. Të njohësh mirë, në mos pothuaj shumë mirë, gjuhën e huaj nga e cila kërkon të përkthesh; [këtu] është e parapëlqyeshme që atë ta kesh studiuar thellë ose të paktën ushtruar mirë me gojë e me shkrim për disa vjet radhazi në vendin ku ajo flitet e shkruhet; […] 5. […] të njohësh historinë, kulturën, jetën shoqërore e artistike të atij populli nga gjuha dhe në gjuhën e të cilit do të përkthesh.

Pra të kesh njohuri të mjaftueshme do të thotë të zotërosh gjuhët përkatëse, të kesh njohuri për kulturat përkatëse dhe të jesh ekspozuar shumë ndaj tyre.

Tekefundit, çdo gjë na çon në një nga rregullat themelore të përkthimit. Nëse ka diçka që nuk shkon në tekstin në përkthim, problemi nuk do kërkuar te origjinali por te procesi i përkthimit. Gabime edhe kalojnë, por mospasja e parakushteve të nevojshme për t’i hyrë ndërmarrjes së rëndësishme dhe fisnike të përkthimit e rrit mundësinë për të gabuar në mënyrë jo të pranueshme.

(c) 2018, Autori


Shënim: Ky shkrim vjen në vijim të një diskutimi për përkthimin të hapur nga Ilir Baçi në Facebook, të vazhduar prej meje në këtë faqe (Pa e ditur gjuhën) dhe që po e zgjerojmë sot me dy shkrime të tjera, nga Ilir Baçi dhe nga unë, të botuara krah për krah.

2 Komente

  1. Mbase u deshte shtuar edhe ndonje fjale per nevojen e njohjes se mire te autorit qe perkthehet. Eshte e rendesishme sepse brenda nje letersie te caktuar, autori eshte nje bote me vete. Ne nje rast mbeta pa mend kur lexova perkthimin shqip te “I huaj” i A Kamysë, ku me ra ne sy nje figuracion i çuditshem e grimasa letrare te denja per perçapjet fillestare te ndonje autori, qe edhe ai vete kurre nuk ka guxuar t’i botoje.
    Nuk kam per qellim ketu te kritikoj apo te shfaq rezerva per aftesite e perkthyesit, apriori jam gati te pranoj se eshte njohesi me i mire i frengjishtes, po ashtu edhe vete i letersise frenge. Problemi tij eshte se ai nuk njihte A. Kamynë dhe e ka pare si nje shkrimtar te rradhes, midis atyre dhjetra te tjerve qe ka perkthyer ne seri. Se po te kishte qofte edhe nje ide te larget se se çfare solli ai letersine frenge, qe e beri R. Barthes ta analizoje si shembulli perfekt te libri Le Degré zéro de l’écriture, me siguri do te kishte reflektuar ndonje sekonde para se ta sillte ne shqip me nje sintakse lajlesh te denje per hartimet e ciklit te ulet te shkollave shqiptare.

  2. Zoti Baci, meqe deri tani nuk e dija kush ishit ju, po I jap te drejte vetes te komentoj ketu. Ju lutem, heres tjeter kur te citoni perkthimit tim ‘qaj e qesh’ te Andrea Grill, ne shkrime te publikuara ne shtyp permendni dhe emrin e perkthyeses perderisa e merrni vete te drejten te publikoni punen time.
    Majlinda Cullhaj

Lini një Përgjigje te Majlinda CullhajAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin