HATAJA “MACHUPO”

nga Adela Radovani

“URGJENTE” shpallte posti-i i parë në shfletimin tim të mëngjesit në Facebook. Kishte marrë menjëherë reagime pavarësisht orës. “Urgjente, një paracetamol i infektuar me virusin Machupo po qarkullon në treg. Shpërndaje dhe shpëto jetë. Kujdes!” Ora 7.32 dhe dita dukej që tani premtuese. Isha e sigurt që kishte bërë xhiron e rrjetit, diçka e mirë për të bërë shaka mendova. Por e kisha gabim.

Post-i kishte marrë dhenë por askush nuk ishte tallur me të. Pashë sesi të njohur e të panjohur e kishin kopjuar të alarmuar siç e kishin gjetur, pa asnjë koment të tyrin. Disa deklaronin vetëm se nuk përdornin ilaçe kurrë, edhe kur ia jepte mjeku me recetë e që kjo i kishte shpëtuar nga Machupo. Në disa raste, post-i shoqërohej nga një foto me një paracetamol me emër tregtar P-500 që as nuk ka hyrë kurrë në Shqipëri. Disa prej burimeve ishin njerëz relativisht të famshëm që kishin marrë deri në 50 share brenda orës. Një shpërthim viral i vërtetë.

Me kalimin e orëve, situata përshkallëzohej. Njerëz që ti pret se do jenë disi më të kujdesshëm, inxhinierë, juristë, ekonomistë dhe deri profesionistë shëndeti, e kishin tashmë në profilet e tyre duke rritur më tej shpërndarjen në ata që janë përdorues rastësorë të Facebook-ut. Lajmi sigurisht është i rremë dhe ka nisur të qarkullojë që në janar të 2017 në Malajzi e Singapor. Nuk ka patur kurrë paracetamol të infektuar me virusin Machupo (që po, ekziston vërtet dhe shpërndahet në urinën ose feçet e minjve dhe kafshëve të tjera në Afrikën Jugore dhe shkakton vërtet një sëmundje vdekjeprurëse).

Ndër lajmet e rreme, ato të fushës së mjekësisë dhe privacisë online janë më të shpërndarat në rrjetin social shqip. Kujtoj bananen me gjak të infektuar me HIV (që ishte në fakt një myk i padëmshëm bimor), limonin që plaste hemoragji të brendshme kur konsumohej me peshk (jo e vërtetë, në foto një grua që kishte pësuar aksident), banakierin që derdhte nga një pikë gjak të infektuar sërish me HIV në kokteilet e klientevë naivë (kjo daton para rrjeteve sociale), domatet e injektuara kokërr për kokërr me ilaçe kancerogjene (këtu ka teori që mund të jetë e vërtetë por që nuk ka prova mjaftueshëm), e pastaj ato të kthimit të Facebook-ut me pagesë, nxjerrjes së mesazheve në poste publike pa dëshirën tënde, kthimit të ikonës blu (që ende nuk e kam kuptuar se ç’donte të thoshte) janë disa që më vijnë tani në mend. Nga këto lajme të kthyera në virale mund të arrijmë në dy përfundime. Së pari se besimi te shëndetësia dhe institucionet shtetërore në Shqipëri është shumë i ulët. Është kaq i ulët saqë ti më mirë beson shkrime të tilla, pa asnjë burim dhe ku përmendet p.sh. një virus emri i të cilit duket qesharak në shqip sesa beson mjekun ose farmacistin, specialistin në ministri e aq më pak vetë ministrin. Së dyti, dhe kjo është më e rëndë, institucionet e legjitimojnë këtë mosbesim duke mos informuar publikun mbi lajme të tilla. Ne nuk e dimë a ka kontrolle dhe a bëhen ato. Ne nuk e dimë çfarë bëhet me shëndetin tonë, me ushqimet, me barnat, me ndotjen sepse agjensitë që merren me këto kontrolle nuk bëjnë me dije. Jemi në mëshirë të fatit dhe në terr informativ. Shqiptarët informohen nga reklamat që dalin çdo të diel në programacionet varieté në televizion dhe nga mashtrimet që shpërndahen në Facebook e midis atij lëmshi, nuk ekziston zëri i “zyrtares”. (Konkluzion i tretë është që populli ynë është po aq fëminor sa të tjerët që i qarkullojnë po aq sa ne këto “fake news”.)

Për kontrast, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës doli menjëherë në deklaratë se paracetamoli në fjalë nuk qarkullon në vend e as që ka qarkulluar ndonjëherë. Fatkeqësisht as ata nuk qartësuan se lajmi ishte i rremë, ndoshta për të qenë politikisht korrektë, ndoshta se edhe ata e besuan se kjo gjë, pra infektimi i paracetamolit me virus, ka ndodhur diku vërtet. Çfarë bën Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë? Mburret me arritjet e saj imagjinare, se spitalet duken po aq keq sa ca vite më parë, komplet e shkëputur nga realiteti dhe jeta e përditshme. Të mos harrojmë se po flas për Kosovën, një shtet i ri e me institucione shumë më të reja se tonat. Nuk dua as të përmend FDA-në dhe institucionet analoge të BE-së. Krahasimi me ne bëhet fare grotesk.

Gjëja më e lehtë sot është të tregosh me gisht të gjithë ata që kanë rënë pre e këtij hoax-i (edhe pse e kuptoj tërësisht dëshirën për të vënë në lojë dikë që poston diçka aq të palogjikshme sa kjo) por që nuk adreson realisht problemin. Machupo nuk mund të jetë vetëm problem i injorancës, impulsivitetit dhe sipërfaqësores e ne nuk jemi as më keq e as më budallenj se të tjerët. Machupo është problem shtetëror që zgjidhet vetëm nëse institucionet kryejnë si duhet, në kohën e duhur dhe me shpejtësi reagimi, detyrën e tyre kontrolluese dhe informuese (e ndoshta, dashtë Zoti, edhe ligjzbatuese).

1 Koment

  1. “Macupo” mund te jete edhe nje sondim i caktuar, si dhe dhjetra te tille, qe behen pikerisht nga segmente prane shteterore te vendeve te medha, per te pare reagimin e internetisteve, facebokisteve, tuitisterve, etj., per arsye nga me te ndryshmet, si bie fjala, per te pare shpejtesine e reagimit te njerezve, per te pare aftesite e sotme te njerezve per kontroll dhe vetkontroll, per te pare mjetet e komunikimit te njerzve, per te pare inteligjencen dhe budadallekun e tyre, (ndonese keto dy te fundit mbeten percaktime subjektive), per te pare shume gjera ne lidhje me njerezit. Pas ketyre gjerave ata dine nese ka ardhur koha per x- dhe y-program, per te filluar nje lufte te caktuar, per te dale me nje teori te re, etj.-etj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin