RRENËN TONË TË PËRDITSHME…

Lajmi merr dhenë: xhudistja kampione Majlinda Kelmendi njofton botën mbarë, nëpërmjet llogarisë së saj në Facebook, se i kanë kërkuar të humbë një ndeshje ndaj një kundërshtareje serbe.

Kjo humbje do të (lejohet të) ndodhë vetëm që disa zyrtarë të lartë të Prishtinës të shpëtojnë nga krimet e bëra, thotë ajo. Prandaj edhe kërkon ndihmën dhe këshillat e dashamirësve të vet, si të veprojë; madje premton se do të vendosë në bazë të komenteve të tyre.

E gjithë kjo shoqërohet me një fotografi të Kelmendit të përlotur.

Lajm i rëndë por edhe i rremë: burimet pranë sportistes së njohur e kanë përgënjeshtruar sakaq.

Megjithatë, disa sajte dhe portale shqip në Internet rendën që ta nxjerrin lajmin, por jo përgënjeshtrimin: mes tyre edhe 360 gradë.

Këtu ndoshta ka vend të pyesim se çfarë kërkojnë të arrijnë krijuesit e këtyre lajmeve të rreme – meqë nuk duket sikur bëhet fjalë për ndonjë shaka ose spoof, sa kohë që është falsifikuar deri edhe llogaria e xhudistes.

Disa elemente retorike të lajmit duhen pasur parasysh: që Kelmendi është vajzë, që është kosovare, që është kampione; por edhe që tani duhet të humbë, sepse këtë ia kërkojnë “zyrtarët e korruptuar”; pra gjunjëzimi i saj i detyruar, ose më rëndë akoma, dhunimi i saj në arenë, të ndërmjetësojë për ata pushtetarë në Kosovë që përndryshe do të dënoheshin. Pa përmendur konfliktin epik shqiptaro-serb, këtë herë i mishëruar në një ndeshje të xhudos, por edhe konfliktin midis qingjit Majlinda dhe ujqërve që po gatiten ta shqyejnë më katërsh, që nga mjegulla; dhe më në fund poshtërimin e atyre pak kampionëve me të cilët mund të mburremi lirisht. Pa përmendur as edhe hollësinë – përndryshe të meritueshme – që humbja e Kosovës ndaj Serbisë “është kurdisur”, si edhe herë të tjera, si gjithnjë, falë një marrëveshjeje të fshehtë, ose një tradhtie aq emblematike të krerëve.

Fotografia e vajzës së përlotur, që ilustron lajmin anembanë, e thekson edhe më motivin e vajzës së re që sakrifikohet, për t’u shpëtuar kokat të ligjve.

Për të shkuar edhe më thellë: motivin e së ardhmes së Kosovës, që sakrifikohet me dredhi, për t’u shpëtuar kokat drejtuesve të saj të korruptuar.

Atëherë shohim si ky lajm i rremë në të vërtetë rimerr një temë mitologjike universale – dhe e bën këtë për ta ushqyer zemëratën e një lexuesi të caktuar, i cili mbi këtë zemëratë konstituohet.

E kam fjalën për atë që në anglisht i thonë outrage, dhe që i mban me karburant rrjetet sociale.

Konsumatorët e këtyre rrëfimeve kanë nevojë për to, ose për efektet e tyre emocionale, njëlloj siç ka nevojë i adiktuari për pilulën, heroinomani për heroinën, alkoolisti për alkoolin. Madje jeta e tyre, si internautë, nuk mund të kuptohet pa komunikimin horizontal të zemëratës, amplifikimin e saj dhe ortekun e denoncimeve kundër botës. I share, therefore I am.

Zemërata mobilizon vëmendjen; pa çka se vëmendja e kësisoj e mobilizuar mund të shërbejë për të shitur një produkt, por jo për të nxitur veprim social. “Gjendje afektive e zhveshur nga fuqia për të vepruar”, e quan outrage-in filozofi gjerman Byung-Chul Han (In the Swarm: Digital Prospects).

Varësia nga doza e përditshme e zemëratës, dhe efekti i kësaj droge për të paralizuar veprimin social domethënës: ja një skicë model e aparatit produktiv të lajmeve të rreme të kësaj kategorie.

Këtu do të shtoja edhe një efekt të tretë: iluzionin se zemërata – outrage – përbën në mos veprim, së paku angazhim social të mirëfilltë; në kuptimin që të indinjuarit për poshtërimin primordial të vajzës-Kosovë, njëkohësisht përmbushin edhe detyrimin e tyre të përditshëm për patriotizëm dhe i shërbejnë “kombit.”

Përveç kënaqësisë fizike dhe psikike, kjo lloj droge garanton edhe kënaqësinë morale, ose vetëdijen e kujt po i del zot atdheut mu kur ky ka nevojë.

Dhe nëse është kështu, suksesi i lajmit të rremë për Majlindën të sugjeron se tregu për lajme të tilla është gjithnjë treg mallrash të përdorura; ose i ndjenjave që nuk destinohen për t’u provuar, por për t’u riprovuar.

Në tezgat e këtij tregu reklamohet, ofrohet dhe shitet virtyti i bindjes për të ecur përpara, teksa në jetën tënde si blerës dhe konsumator dhe internaut nuk ndryshon asgjë.

Prandaj edhe portalet gjithnjë i mirëpresin këto lajme; sepse ndryshe nga lajmet që mund të prodhojë realiteti, të parat e kanë efektin jo vetëm të garantuar, por edhe të mirënjohur. Portalet veprojnë si drug dealers, që i shërbejnë besnikërisht një klientele të caktuar: nuk shpërndajnë lajme, por garantojnë reagime.

Në cirkuite të tilla, lajmi ofrohet dhe konsumohet si të ishte fiction, prandaj duhet shoqëruar me atë shënimin e mirënjohur, se çdo referim ndaj ngjarjeve ose personave realë është krejtësisht i rastit.

Tek e fundit, që pasi mass mediat tradicionale e shndërruan informacionin në argëtim (entertainment), atëherë lidhjet e këtij informacioni me realitetin dhe të vërtetën veç do ta pengonin komunikimin.

Brenda kësaj logjike, deri edhe përgënjeshtrimi bëhet sakaq pjesë e mitologjisë së përgjithshme, madje duke u synuar që prej autorëve të lajmit fillestar: sepse a nuk do të ishte falsifikimi i adresës së Kelmendit dhe përgojimi i saj po aq provë – simbolike – e dhunimit të vajzës Kosovë?

Zemëratën për komplotin serbo-korruptiv e pason zemërata për komplotin rreth këtij komploti.

Rëndësi ka që vetëm heshtja të mos dëgjohet.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës

8 Komente

  1. Z. Vehbiu, më erdhi ndërmend thënia e Zygmunt Baumanit: “Mediet sociale janë një kurth i vërtetë” (Social media are a trap). Arsyeja për këtë besoj është mediet e tilla nuk kanë filtra kontrolli dhe janë shndërruar në muret e një nevojtoreje të madhe publike, ku të gjithë mund të shkruajnë ç’të duan, të gdhendin grafitti plot kripë dhe të lenë nr. e telefonit. Në mediet sociale nuk mund të zhvillohet një jetë e vërtetë mendore, politike dhe sociale… kjo e fundit e ka vendin në kartën e shtypur.
    P.S. Ky koment nuk ka lidhje me temën.

  2. Lajmi mu duk i cuditshem se nuk kuptohej leverdia e politikaneve te Kosoves nga nje ndeshje e trukuar. Keto i bejne per leke, po cfare do i shpetonte politikanet kosovare ?
    Ne keto kohe politikanet e Kosoves jane nen presion per shkak te prokurorise speciale, e cila duket si veper perendimore per te hequr qafe disa syresh, por jo si veper serbe (sado proserbe te mund te rezultoje puna e saj).

    Lajmi i rreme eshte me burim shume te dyshimte, sepse ka si qellim vetem te godase politikanet nen presion nderkombetar.

  3. Z. Vehbiu, 360grade.al ka qene e para nga portalet shqiptare, qe ka nxjerre pergenjeshtrimin e trajnerit te Kelmendit.

    Ps. Eshte tjeter gje, perse lajmi vazhdon te qendroje dhe nuk eshte terhequr.

    1. Denis, kjo që thoni kërkon një ese të dytë.

      Brenda të njëjtit sajt informativ ekzistojnë dy lajme të ndryshme, nga të cilët i dyti e përgënjeshtron të parin – por që nuk janë vendosur në lidhje me njëri-tjetrin.

      Të thuash se 360gradë.al ka krijuar një botë ku edhe A, edhe jo-A bashkekzistojnë.

      Por kjo është pikërisht bota e lajmit të rremë – sepse lajmi i rremë nuk është ai që gënjen, por ai që vazhdon të gënjejë edhe pasi është përgënjeshtruar.

      Unë madje do të kisha probleme edhe me botimin e një lajmi të nxjerrë nga një status në FB, që duket se është i dyshimtë. Madje edhe me botimin e paverifikuar të statuseve në FB. Sikur të mos mjaftonin rrjetet sociale, tani duhet të dilnin në skenë edhe sajtet si 360gradë.al, që t’u shërbenin si kasë akustike.

      Do të shtoja edhe se vetë lajmi, po ta lexosh, tingëllon i pabesueshëm. Sepse një kampione e kalibrit të Kelmendit nuk do të dalë të qurravitet në një rrjet social, për të denoncuar “forcat e errëta” që e kanë tradhtuar, atë dhe Kosovën, te serbi.

      Është ABC-ja e gazetarisë që të mos u besojë këtyre budallallëqeve dhe t’i botojë siç i gjen në rrugë; ose të paktën të mos u besojë menjëherë.

      Denis, nëse keni kontakt me Artur Zhejin, thuajini ju lutem, nga ana ime, se “jeni duke e shkatërruar lexuesin.” E kam njohur dikur në Shqipëri, por edhe jemi takuar në zyrat e Radio Radicale, në Romë; kur ai punonte për një media në avant-garde të shërbimit publik në Itali.

      1. Ju kuptoj, thjesht mu duk pak e tepruar përmendja e 360grade.al kur ke gazeta si Panorama etj. që e kanë publikuar lajmin e statusit të Facebook-ut të rremë, ndërkohë që kishte dalë përgënjeshtrimi.

        Gjithësesi, unë ju përshëndes për përpjekjen tuaj në të mirë të gazetarisë!

    2. Denis,
      ne fund te “pergenjeshtrimit” te lajmit ne 360Grade pohoni se “Një gjë është e ditur: Nevoja për klikime po e mposht edhe etikën gazetareske!”

      Ja nevoja per klikime: per nje hic lajm media ku ju punoni ka botuar te pakten 4 LAJME. Besoj se e keni qe qarte se kush e mban pergjegjesine per rrenimin e etikes gazetareske. Ne nje media serioze, do te kishte mjaftuar shkrimi yt per skandalin e skandalit. Nuk po i ve links meqe nuk dua te ushqej dhe me tej nevojen perverse per klikime.

      – Majlinda Kelmendi zbulon skandalin: Më kanë urdhëruar të më mposhtë një serbe që qeveritarët të…
      – Trajneri i Majlinda Kelmendit tregon si qëndron e vërteta për lajmin që “plasi” në media
      – Trajneri i Majlinda Kelmendit, del me një kërkesë urgjente
      – “Skandali i skandalit…”

Lini një Përgjigje te Ardian VehbiuAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin