NJË SELFIE ME TEATËR

Vigjilja e Krishtlindjeve të vitit 1926 erdhi si kurrë më parë, për mysafirët dhe personelin e sanatoriumit të sëmundjeve nervore, në Schatzapfeldorf të Zvicrës. Drejtori i respektuar i institucionit, dr. Meggenbraut, i mirënjohur në mbarë Europën qendrore për metodat e tij jo-ortodokse të terapisë dhe të rehabilitimit të çrregullimeve neurologjike, urdhëroi që salla e madhe e mensës të zbrazej krejt, për t’u shndërruar në një teatër të improvizuar, ku gjysma e sallës të mbushej me karrige për publikun duke u kthyer në surrogaton e një plateje, ndërsa gjysma tjetër në surrogaton e një skene të arreduar si pavijon standard i sanatoriumit. Infermierët, sanitarët dhe hamenjtë, të ndihmuar edhe nga pacientët fizikisht më të aftë, sollën në mensë një numër shtretërish nga pavijonet, për t’i sistemuar sipas rutinës, me dyshekë, çarçafë, jastëkë, batanije leshi dhe oturakë. Ndihmësi i dr. Meggenbraut-it, dr. Kutzinski, zgjodhi pastaj, nga listat e të sëmurëve kronikë, ata që do të zinin vend në shtretërit dhe do të luanin rolin e “pacientëve” gjatë shfaqjes, teksa shefja e personelit, Emilia Cassirer, u kujdes për stërvitjen e infermierëve dhe sanitarëve që gjithashtu do të angazhoheshin në skenë gjatë shfaqjes. Sanatoriumi në Schatzapfeldorf strehonte rreth 350 të sëmurë atë vit (200 kronikë), të cilët në masë të madhe – me përjashtim të pak syresh në gjendje të rëndë e të paparaqitshme – e mbushën sallën e mensës që herët. Skena veçohej prej publikut me perde të bardha të sjella akull të pastra nga lavanderia – në orën e caktuar, këto u hapën ceremonisht, për t’i zbuluar publikut pamjen përndryshe tejet të njohur të një pavijoni çfarëdo të institucionit; me një numër të sëmurësh (njëzet e një), të sistemuar në dy radhë paralele krevatesh të ndara nga një korridor në mes. Nga një derë e vogël në cep hyri pastaj në skenë dr. Meggenbraut-i, me përparëse të bardhë borë, fez të kollarisur, stetoskop të varur në qafë dhe çekiç gome në dorën e djathtë, i shoqëruar si gjithnjë nga ndihmësit e tij dhe dy nga infermieret më të shkathëta dhe me përvojë, për të filluar vizitën e mëngjesit. Këtu të pranishmit duartrokitën me të madhe, të shoqëruar edhe nga disa prej të sëmurëve në skenë. Shfaqja vazhdoi kështu me programin rutinë të një dite në sanatorium: pas vizitës së mëngjesit, ku dr. Meggenbraut-i u foli të gjithë pacientëve me emër, i pyeti si ishin gdhirë atë ditë, u kontrolloi shenjat vitale dhe reflekset neurologjike, dhe bëri me të gjithë shaka të rastit, pacientëve në skenë iu shërbye ushqim, dhallë deleje dhe bollgur, pasuar nga një kokërr mollë; dhe me të mbaruar ky akt, u sollën në skenë me të shpejtë tre govata të mëdha me ujë të ngrohtë, për një seancë demonstrative të hidroterapisë. Kur njëri prej pacientëve dha shenjat e një krize të lehtë epileptike mu kur po e kridhnin në govatë, atij iu dha sakaq ndihma e duhur profesionale, çfarë publiku e përshëndeti me duartrokitje ngazëllyese. Në fund, dr. Meggenbraut-i u doli sërish në skenë, i mveshur me autoritet institucional suprem, për të lajmëruar fundin e shfaqjes. Siç shkruan në kujtimet e veta dr. Kutzinski, kaq sukses pati kjo nismë e Krishtlindjeve të vitit 1926, sa administratës së sanatoriumit në Schatzapfeldorf iu desh pastaj të organizonte nga një veprimtari të tillë të paktën çdo muaj, në mënyrë që t’ua mundësonte të gjithë pacientëve të dilnin së paku një herë në vit në skenë si “të sëmurë” para pacientëve të tjerë; edhe pse, vazhdon dr. Kutzinski, ky efekt nuk do t’i kish ardhur i papritur shefit të vet, dr. Meggenbraut-it, i cili e pat projektuar këtë shfaqje jo vetëm për të zbavitur mysafirët në sanatorium, por edhe si procedurë terapeutike inovative. Kolegu i tij shpresonte, vëren dr. Kutzinski, që, duke u vënë të luajnë vetveten para një publiku të sëmurësh të tjerë, pacientët të mund të fitonin një lloj tjetër vetëdijeje eksperienciale për gjendjen e tyre dhe sëmundjen që i kish sjellë aty, çfarë edhe do të shënonte një hap jo të vogël drejt shërimit. Për fat të keq, në vitin 1929, Sanatoriumi në Schatzapfeldorf u godit rëndë nga një epidemi e tifos ekzantematike, për t’u mbyllur pastaj me urdhër të autoriteteve; dhe dr. Meggenbraut-i vdiq vite më pas, pasi shërbeu pak kohë edhe si super-intendent i shëndetësisë për distriktin e Davos-it; dhe intuicioni i tij për ta teatralizuar eksperiencën spitalore të pacientëve nuk u zbatua më, për të mbetur thjesht një kuriozitet në analet e psikiatrisë zvicerane.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: