ARTI I KRIJIMIT LETRAR (III)

Përktheu Gresa Hasa

Kjo është pjesa e tretë e kolazhit të botuar për Italo Calvino-n, një intervistë e regjistruar nga Damien Pettigrew dhe Gaspard Di Caro për The Paris Review që reflekton në mënyrë të mprehtë dhe interesante botëkuptimin e shkrimtarit, marrëdhënien e tij me letërsinë, politikën, veten, dhe botën.

Ҫ’vend zë delirimi, nëse zë ndonjë vend, në punën tuaj?

Delirimi? Le të supozojmë se unë përgjigjem sikur jam gjithmonë racional. Ҫfarëdo që unë them apo shkruaj, çdo gjë i nënshtrohet aryes, qartësisë dhe logjikës. Ҫfarë do të mendonit për mua? Do të mendonit se jam krejtësisht i verbër kur vjen puna te vetja ime, ndonjë paranojak. Nga ana tjetër, nëse do të përgjigjesha, “Oh, po, jam vërtetë delirant; gjithmonë shkruaj sikur të jem në gjendje transi, nuk e di as vetë se si shkruaj gjëra kaq të çmendura!’’, ju do të më merrnit për një person të shtirur që po luan një personazh jo fort të besueshëm. Ndoshta pyetja nga e cila duhet të fillojmë është se çfarë vendos prej vetes në atë që shkruaj. Përgjigjja ime – vendos arsyen time, vullnetin, shijen, kulturën së cilës i përkas por në të njëjtën kohë, nuk mund ta kontrolloj, le të themi, neurozën apo atë që do ta quanim delirim.

Cila është natyra e ëndrrave tuaja? Ju intereson më shumë Jungu apo Frojdi?

Njëherë, pasi lexova “The Interpretation of Dreams” të Freud-it, rashë të flija. Ëndërrova. Mëngjesin që pasoi mund ta mbaja mend në mënyrë të përkyer ëndrrën, pra isha në gjendja t’i aplikoja metodën e Freud-it dhe ta shpjegoja atë deri në detajet më të vogla. Në ato çaste besova që po fillonte një erë e re për mua; nga ai çast e në vazhdim, ëndrrat s’do të më mbanin më të fshehta. Një gjë e tillë nuk ndodhi. Ajo ishte e vetmja herë kur Freud-i ndriçoi nënvetëdijen time. Që atëherë kam vazhduar të shoh ëndrra si më parë, por i harroj ose nëse jam në gjendje t’i kujtoj, nuk ia dal të kuptoj as gjërat më bazike për to. Të shpjegosh natyrën e ëndrrave të mia nuk do ta kënaqte një analist frojdian më shumë se sa një jungian. Unë e lexova Freud-in sepse më duket një shkrimtar i shkëlqyer… një shkrimtar romanesh policore që mund të ndiqen me pasion të madh. Lexova gjithashtu edhe Jung-un, i cili interesohet për gjëra tejet të rëndësishme për një shkrimtar, si simbolet dhe mitet. Jung-u nuk është shkrimtar aq i mirë sa Frojdi por, gjithsesi, mua më interesojnë të dy.

Imazhet e fatit dhe të rastësisë përsëriten tepër shpesh në krijimtarinë tuaj, nga shkartisja e letrave të fallit te shpërndarja rastësore e dorëshkrimeve. A luan një rol nocioni i rastit në kompozimin e punëve tuaja?

Libri im i fatit, Il castello dei destini incrociati, është libri më i përllogaritur që kam shkruajtur. Asgjë në të nuk i është lënë rastësisë. Nuk mendoj që rastësia mund të luajë një rol në letërsinë time.

Si shkruani? Ç’është për ju akti fizik i të shkruarit?

Unë shkruaj me dorë, duke bërë shumë, shumë korrigjime. Do të thoja që më shumë shuaj se sa shkruaj. Duhet të vihem në gjueti fjalësh kur flas dhe kam të njëjtën vështirësi kur shkruaj. Pastaj bëj një numër shtesash, ndërhyrjesh, pasi kam shkrim tejet të vogël, aq sa vjen një moment kur unë vetë nuk mund ta kuptoj shkrimin tim ndaj përdor një xham zmadhues për t’i rënë në të se ç’kam shkruar. Kam dy lloje të ndryshme shkrimi. Njëri është i madh, me shkronja mjaft të mëdha , o-të dhe a-të kanë një zgavër të madhe në mes. Ky është shkrimi që përdor kur jam duke kopjuar ose kur jam tejet i sigurt në atë që po shkruaj. Tjetri përkon me një gjendje mendore më pak të sigurt dhe është shumë i vogël, o-të ngjajnë si vrima. Ky i fundit është edhe prej meje tepër i vështirë për t’u deshifruar.

Faqet e mia janë gjithmonë të mbushura me rreshta të prishur dhe rishikime. Ishte një kohë kur shkruaja një numër bocash me dorë. Tani, pas bocës së parë të shkruar me dorë dhe plotësisht të shkarravitur përmbi, nis ta shtyp tekstin në makinën e shkrimit duke e deshifruar atë rrugës. Kur më në fund e rilexoj versionin e shtypur, zbuloj një tekst krejt të ndryshëm nga ai i pari, të cilin e rishikoj më tej. Pastaj bëj më shumë korrigjime. Në çdo faqe përpiqem që fillimisht korrigjimet t’i bëj me makinë shkrimi; pastaj i korrigjoj edhe më tej me dorë. Shpesh faqja bëhet kaq e palexueshme sa e shtyp edhe një herë të dytë. I kam zili ata shkrimtarë që mund të vazhdojnë punën pa bërë korrigjime.

Punoni çdo ditë rregullisht apo vetëm në ditë dhe orë të caktuara?

Teorikisht do të më pëlqente të punoja çdo ditë, por në mëngjes shpik çdo justifikim të mundshëm për të mos punuar: duhet të dal, të bëj disa pazare, të blej gazetat. Ia dal ta harxhoj mëngjesin rregullisht kështu që ulem të shkruaj vetëm pasdite. Unë jam shkrimtar që punon ditën, por duke qenë se mëngjesi më ikën kot, jam bërë shkrimtar që punon pasditeve. Mund të shkruaj natën por kur e bëj një gjë të tillë nuk fle, ndaj përpiqem ta evitoj këtë gjë.

Keni gjithmonë një detyrë të paracaktuar, diçka specifike mbi të cilën vendosni të punoni apo punoni me gjëra të ndryshme në të njëjtën kohë?

Kam gjithmonë disa projekte, një listë me rreth njëzet libra që do të doja të shkruaja, por pastaj vjen një çast kur vendos se do të shkruaj atë libër. Unë jam romancier me raste. Shumë nga librat e mi janë krijuar prej mbledhjes së bashku të teksteve të shkurtra, miniaturave, ose përndryshe janë libra të cilët kanë një strukturë të përgjithshme, por janë kompozuar nga tekste të ndryshme. Për mua është shumë e rëndësishme që libri të ndërtohet rreth një ideje. Harxhoj shumë kohë duke e ndërtuar një libër, duke ngritur themele të cilat eventualisht më rezultojnë të jenë, sidoqoftë, të pavlefshme. I hedh tutje. Ajo që e përcakton librin është shkrimi, materiali që është faktikisht në letër.

Jam shumë i ngadaltë me fillimin e punës. Nëse kam një ide për një roman do të gjej çdo pretekst të mundshëm për të mos punuar mbi të. Nëse po bëj një libër me tregime, tekste të shkurtra, secili prej tyre ka kohën e vet të fillimit. Edhe me artikujt jam i ngadaltë. Edhe me artikujt për gazetat, çdo herë kam të njëjtin hall për të nisur nga puna. Me të filluar ama, mund të jem mjaft i shpejtë. Me fjalë të tjera, shkruaj shpejt por kam periudha boshllëku  jashtëzakonisht të mëdha. Është paksa si ajo historia e artistit të madh kinez – perandori i kërkoi të vizatonte një gaforre dhe artisti iu përgjigj se i nevojiteshin dhjetë vjet, një shtëpi madhështore dhe njëzet shërbëtorë. Pasi kaluan dhjetë vitet, perandori e pyeti për vizatimin e gaforres. Kam nevojë edhe për dy vjet të tjera, iu përgjigj ai. Pastaj kërkoi edhe një javë më shumë. Dhe më në fund mori lapsin dhe e vizatoi gaforren në moment, me një shpejtësi marramendëse.

Filloni me një grup idesh pa lidhje njëra me tjetrën apo me një koncept më të gjerë që e plotësoni rrugës?

Nis vetëm me një imazh të vogël të cilin e zhvilloj më vonë.

Turgenev-i thotë: “Do të preferoja të kisha pak arkitekturë dhe jo shumë sepse ajo mund të ndërhyjë tek e vërteta e asaj që unë them.” A mund të komentoni mbi këtë shprehje duke iu referuar shkrimit tuaj?

Është e vërtetë se në të shkuarën, le të themi në mbi dhjetë vite të shkuara, arkitektura e librave të mi ka zënë një vend të rëndësishëm, ndoshta tejet të rëndësishëm. Por vetëm kur ndjej se kam arritur të ndërtoj një strukturë rigoroze, besoj se kam diçka që mund të qëndrojë mbi këmbët e veta, një punë të plotë. Për shembull, kur fillova të shkruaj Le città invisibili, kisha vetëm një ide të vagullt se cila do të ishte korniza, arkitektura e librit. Por më pas, pak e nga pak, skica u bë kaq e rëndësishme sa e mbarti në vete të gjithë librin; u bë subjekti i një libri pa subjekt. Për “Il castello dei destini incrociati” mund të themi të njëjtën gjë – arkitektura është vetë libri. Deri atëherë kisha mbërritur në një nivel të tillë obsesioni me strukturën, sa u bëra pothuajse i çmendur pas saj. Për librin Se una notte d’inverno un viaggiatore mund të thuhet se nuk do të kishte ekzistuar pa një strukturë shumë të saktë e të artikuluar. Besoj se ia kam dalë mbanë me këtë gjë çka më jep një kënaqësi të madhe. Sigurisht, gjithë ky mundim nuk duhet ta shqetësojë lexuesin. E rëndësishme është që ai ta shijojë librin tim, pavarësisht punës që unë kam hedhur në të.

[vijon]

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin