MENDIME TË PAKREHURA (XXX)

(nga Stanislaw Lec*)

Le të mos harrojmë se ëndrrat tona nuk i lënë të tjerët të flenë.

Stili i të jetuarit përfshin edhe vdekjen.

Shkrimtarët nuk ikin nga realiteti, përveçse kur ky i ndjek nga mbrapa.

Në një shtet u shpall zyrtarisht se nuk ekzistonte dënimi me vdekje. Asnjë i dënuar nuk dëshmoi të kundërtën.

Si arrita deri te satira? Shkruaja panegjirikë.

Kur dikush nuk ka punë, mund të bëjë shumë.

Çfarë mendon qeni, kur zgjedh karrierën e qenit të policisë?

Shpesh, për të afirmuar veten, mjafton të thuash “jo”.

Kur njeriu lufton me mendimet e veta, e ka të vështirë të rrijë i paanshëm.

Zoti i vërtetë është Zot edhe nëse nuk ekziston.

Jetoj me çfarë nuk më lë të jetoj. Duke menduar.

Të vonosh në momentin e duhur është art.

Ca me veprën e tyre ndërtojnë një lapidar për veten, ca të tjerë vetes ia hapin gropën.

Edhe ti vetë do ta harrosh veten pasi të vdesësh, le të tjerët.

Përkëdheli drakoniane.

Edhe masat kanë komplekse freudiane të trashëguara.

E vura pikën mbi “i”, duke e quajtur idiote.

Mendimi arratiset nga koka. Nuk i duron dot mjediset e mbyllura.

Sikur Krijuesi të ishte mjaftuar me fjalët!

Edhe lotët ndjekin rrymën!

I mjerë është ai që nuk i sheh dot yjet, pa ngrënë një grusht dhëmbëve!

Obsesioni i stereotipit – të bëhet model.

Mund edhe ta hash një kanibal, sikur të mos e dije se është ushqyer me mish njeriu.

Kujtoja se, që nga koha e Pasteur-it, njerëzit mund të tërboheshin pa problem!

Jam realist, nuk mund të mbyll sytë para surrealizmit të jetës.

Kush e njeh mirë historinë, nuk ka dëshirë të bëhet historian.

Kush është i lumtur, nuk i thotë askujt: “Vëre veten në vendin tim!”

Besoni se fjalët e ndyra bëhen të bukura po të mos i përdorësh?

Ata që jetojnë me shpifje, do të arrinin të jetonin edhe me të vërteta.

Kur majmunit i erdhi për të qeshur me imazhin e vet në pasqyrë, lindi njeriu.

Besimtarët thonë se kafshët nuk kanë shpirt; ata që nuk besojnë, se kafshët nuk kanë ideologji.

Po ju shkel mbi ndjenjat tuaja më të shenjta? Po mos i lini në tokë, xhanëm!

Kush ka guxim të shkruajë një Kritikë të arsyes së turbullt?

Kur do të bërtasin gurët që ia kanë hedhur njeriut?

Kafshë, mos u zini besë kanibalëve!


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: