ANTISOVJETIZËM

Shumë budallallëqe po shoh e dëgjoj të thuhen për votën e Shqipërisë, në Asamblenë e OKB-së, që ishte në thelb kundër qëndrimit të tanishëm të Trump-it ndaj statusit të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. Si edhe herë të tjera në të shkuarën, nuk munguan as akuzat për antisovjetizëm[1]. Unë nuk di që kjo qeveri të ketë ndonjë qëndrim parimor dhe të përcaktuar mirë në lidhje me Jeruzalemin, dhe konfliktin izraelo-palestinez; por në çdo rast, nëse vota e tanishme i përgjigjet një vendimi të marrë me vetëdije morale dhe bindje për pozicionimin e së drejtës në Lindjen e Mesme është për t’u përshëndetur, aq më tepër kur edhe i bie ndesh vullnetit të administratës Trump për këtë çështje. Në fakt, praktikisht askush në botë nuk e ka përshëndetur vendimin e Trump-it për ta zhvendosur në Jeruzalem ambasadën amerikane në Izrael, qoftë edhe vetëm me arsyetimin se ky vendim do të acarojë shumë tensionin politik dhe ushtarak në atë zonë. Përndryshe, në qoftë se Shqipëria e ka shitur votën në OKB, ose ka vendosur për të votuar në favor të rezolutës të paraqitur nga Turqia dhe Jemeni për oportunizëm ose për t’u konformuar me një vullnet politik të caktuar, me synimin për të përfituar nga kjo, atëherë nuk është aq kundërshtimi i SHBA-ve në OKB që duhet denoncuar, por mungesa e seriozitetit në një votë të tillë, e cila qenka lexuar si thirrje për t’u rreshtuar në një krah ose në tjetrin. Tek e fundit, shitja ose përdorimi taktik i një vote me natyrë simbolike ose etike po më duket më anti-amerikane sesa kundërshtimi i vendimit të një presidenti si Trump-i, me të cilin kushedi as ai vetë sot nuk është më dakord, teksa ka parë reagimet dhe situatat shpesh dramatike që e kanë shoqëruar; sepse politikës amerikane dhe republikanizmit në SHBA duhet t’u vlerësojmë mbrojtjen e përbotshme të pluralizmit dhe lirisë së fjalës në publik, jo diktatin dhe imponimin e konformimit përkundrejt kacidheve.


[1] Edhe pse këtë herë vendin e Bashkimit Sovjetik e ka zënë SHBA, ose më mirë “Amerika.”

28 Komente

  1. A nuk do të ishte më e udhës dhe më e ndershme të abstenohej sa kohë që nuk ka një linjë të qartë qëndrimi ndaj çështjes?
    Ka vetëm një fuqi detyruese në OKB: të thuash fjalën tënde, nëse je pro, kundër, apo abstenon.
    Justifikimet me dokumente e rezoluta detyruese që i faturohen OKB nuk duken edhe aq koherente.

  2. …nëse vota e tanishme i përgjigjet një vendimi të marrë me vetëdije morale dhe bindje për pozicionimin e së drejtës në Lindjen e Mesme është për t’u përshëndetur.

    Kjo më kujton një kohë kur në Shqipëri çështja e Lindjes së Mesme ishte në krye të lajmeve nga bota, dhe pjesë e të përditëshmes në kronikat e lajmeve (e quanin “populli vëlla palestinez”). Por edhe sa pak gjëra kanë ndryshuar në mentatlitetin e politikës shqiptare qysh nga ajo kohë. Jo në bindjet. Sepse bindjet kam frikë se u mungojnë.

    Kjo për sa i përket politikës së madhe, apo internacionalizmit, në daç edhe proletar.

    Dhe nuk them dot se është qesharake që një klasë, apo kastë politike , e cila nuk vë dot drejtësi në vëndin e vet, tek njërzit e vet, dhe me njërzit e vet, pretendon të marrë vendime me “vetëdije morale dhe bindje” në arenën ndërkombëtare dhe për Lindjen e Mesme. Në fakt është për të qarë.

      1. Teuta,

        Noli, për fatin e tij të keq dhe të Shqipërisë e pagoi shtrënjtë mungesën e konsekunceës në qëndrimet ndaj politikës amerikane, ndonëse ka qënë nga aktorët kryesor që ka siguruar mbështetjen amerikane ndaj interesave kombëtare shqiptare në fillimiet e veta. Këtu e kam fjalen për njohjen që i bëri Bashkimit Sovjetik. Kurse Konica ka qënë më konseguent, ndonëse pa pushtet.

        Ndërsa ajo që po ndodh sot është një “déjà vu” e qëndrimit të Enver Hoxhës, që për hirë të pushtetit të vet i përdori parimet ndërkombëtare si vegla për t’i kthyer interesat kombëtare me kokëposht.

        1. L.A.,

          Noli është një figurë komplekse me të mirat dhe dobësitë e veta. E kam sjellë në vëmendje për rolin që luajti në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.

          Në lidhje me këtë mund të shihet këtu: http://www.albanianhistory.net/1918_Noli/index.html

          Minimalisht kujtimi i tij dhe i Konicës do të ishte si një pasqyrë reflektimi për të qenë po aq pasionantë, elegantë e të mprehtë në përfaqësimin me dinjitet të vendit në logun e diplomacisë. Puritanizmi në diplomaci përjashtohet kur peshorja anon në të mirë të kombit (e theksoj, kombit dhe jo shtetit). Po mua kjo peshorja më duket sikur ka harruar të lëvizë kësaj here…

  3. Vota pro rezolutës e Shqipërisë në OKB është moralisht e drejtë, edhe pse nuk jemi të sigurt për motivet mbi të cilat qeveria e mori këtë vendim. Por vetëm me moral dhe me parime në politikën e jashtme nuk shkohet shumë larg; madje për vendet e vogla, ekonomikisht dhe ushtarakisht pa këllqe si Shqipëria, mbajtja lart e parimeve dhe e moralit rrezikon të na lerë jashtë dere, në të ftohtë, ose në variatin shqiptar të “edhe bar do të hamë”.

    Më e kuptueshme për pozitat rajonale të Shqipërisë, dhe sidomos me angazhimin e SHBA-ve në garantimin e pavarësisë së Kosovës, mua do të më ishte dukur abstenimi, siç bën 35 vende të tjera, mes tyre edhe Polonia, Kanadja dhe Australia, ose qëndrimi larg votimit, siç bën 21 shtete, edhe Ukraina mes tyre. Aq më tepër që SHBA-të kërcënuan hapur se do të “mbanin shënim” emrat e vendeve që votonin kundër tyre dhe që presidenti Trump e marrka shumë personalisht këtë çështje (dakort, kjo është mënyrë shumë ordinere dhe provinciale e të bërit politikë të jashtme, por ky është presidenti që ka sot SHBA dhe kjo është politika e jashtme aktuale e tyre, për të paktën katër vitet e ardhshme).

    Çfarë më duket e shpifur, tani që vota u dha dhe që s’ka si ndryshohet më, është që presidenti i Shqipërisë i var kësaj vote këmborën e madhe dhe në letra të hapura nisur presidentit amerikan i përvishet qeverisë si anti-amerikane dhe anti-kombëtare, si të ishim një republikë bananesh.

    http://www.respublica.al/2017/12/22/po-ilir-meta-kë-përfaqëson-me-fletërrufenë-ndërkombëtare-ndaj-qeverisë-së-shqipërisë

    1. Gjipëra,

      Qëndrimi i Trump në lidhje me votën në OKB (UN), ndonëse në dukje jodiplomatik, është në knotekstin e qëndrimit zyrtar të politikave të së djathtës amerikane, i adaptuar më parë nga disa presidentë republikan. Amasadori i Xhorxh Bush, John Bolton të vjen ndërmënd. Ky e ka pozicionin ndaj OKB-së shumë më në të djathtë se Trump.

      Nga këndvështrimi republikan, OKB është një organizatë që është e përbërë nga vënde aspak miqësore me SHBA, dhe që në shumicën e tyre janë jodemokratike, kurse disa prej tyre mbështesin terrorizmin. Po nga ky këndvështrim, shumica e vëndeve në OKB punojnë kundër interesave të SHBA-ve. Në periudhën para-Trump SHBA ka përdorur “carrot and stick approach” për të mos e delegjitimiuar krejt dhe lënë jashtë kontrollit OKB-në.
      Me ardhjen e Trump gjërat kanë ndryshuar. Trump fitoi mbi një platformë ekonomike, dhe sipas tij karrotat që shpërndahen nga SHBA në OKB janë në të rënda në kurriz të taksapaguesve amerikan. “Ëe save a lot” tha Trump pas votës.

      Ndërkohë rezoluta e prezantuar në OKB ka të bëj pak ose aspak me “të drejtën e palestinezëve”, sesa ka të bëjë me të drejtën e USA-ve për ta vendosur ambasadën e tyre në atë pjesë të territorit Izraelit që ata dëshirojnë. Ky qëndrim i fundit është i konsoliduar në politikën amerikane me një akt të vitit 1995 nga Kongresi Amerikan.
      Kurse vota e Shqipërisë vjen në kontestin e një resolute të propozuar nga Turqia (një ish aleat që eshtë duke kryer tranzicionin drejt një Autokracie) për t’iu kundërvën këtyre politikave amerikane (tashmë të stabilizuara). Prandaj vota pro e Shqipërisë në këtë kontekst është votë kundër SHBA-ve. Sepse, nëse ka patur dhjetra rezoluta të mëparshme, përse do duhej një e njëmbëdhjetë për të konfirmuar ato të mëparshmet?

      Por, duhet të bëjmë kujdes, sepse vota e Shqipërisë nuk mund të shifet jashtë kontekstit të asaj se ç’po ndodh brenda vendit. Klasa politike Shqiptare nuk e ka pasur këto njëzetepesë vjet pavarësinë e plotë për të bërë si të dojë, dhe ka qënë e varur nga komuniteti ndërkombëtar. Përndryshe do kishim përfunduar në diktaturë shmë më herët. Me këtë votë politikanët shqiptarë më në fund po testojnë pavarësinë e vet ndaj komunitetit ndërkombëtar, ose më skatë SHBA-ve, me shpresën se administrata e Trump do t’i mbaj premptimet… dhe t’i lërë djemtë e Ramës të shkojnë.

      1. Jam dakort që politika e Trump është vazhdim i politikave të së djathës amerikane – fraksionit radikal të kësaj të djathte – dhe që raportet e SHBA-ve me OKB-në kam qenë gjithnjë kontradiktore, por nuk po zgjatemi këtu se dalim jashtë teme.

        Çështjen e rezolutës kundër qëndrimit të Trump-it ndaj statusit të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit unë e shoh nga dy këndvështrime:

        Së pari, sa e ndihmon ky veprim i Trump-it zgjidhjen e konfliktit palestinezo-izraelit? Aspak, do të thosha unë. Nëse dikush mendon se po, e ndihmon, atëhere në ç’mënyrë? E kundërta mund të dal e vërtet, që konflikti vetëm acarohet me këtë vendim.

        [A mund të jetë ky veprim pjesë e një masterplani më të madh të SHBA-ve për zgjidhjen afatgjatë të konfliktit, zbatimin e të cilit do e shohim në muajt dhe në vitet e ardhshëm? Ndoshta po, ndoshta jo; këtë s’kemi si e dimë. Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung para disa ditësh shkruante për ri-aktivizimin e një plani të mbiquajtur “the deal of the century”, mbi të cilin diskutohet mbrapa skenave midis SHBA-ve dhe Izraelit në njërën anë dhe Egjiptit dhe Arabisë Saudite në anën tjetër, për t’u dhënë palestinezëve një shtet të tyrin në gadishullin e Sinait, kundrejt financimeve sigurisht; këto plane, thuhet aty, janë duke u diskutuar intensivisht, por këto ngelen spekullime, sa kohë që nuk ka qëndrime zyrtare (shiko te vegëza më poshtë, shkrimi është në gjermanisht por Google Translate mund të ndihmojë për një ide të përgjithshme).
        A kërkon Trump që me vendimin e tij t’i vendos vendet arabe para faktit të kryer (ato sunite, se me Iranin dhe me altetët e tij gjërat janë të ndara qartë tashmë) dhe t’i nxis ato drejt pranimit të këtij plani apo të një plani tjetër? Përsëri vlen: ndoshta po, ndoshta jo, kemi të bëjmë vetëm me spekullime për momentin.]

        Së dyti, ç’qëndrim duhet të mbante Shqipëria ndaj kësaj rezolute? Fakti që rezolutën e solli Turqia nuk e diskretiton atë automatikisht, pavarësisht se me çfarë qëllimi tjetër u bë kjo nga Erdogani (jam i një mendjeje përsa i përket kalimit të Turqisë në autokraci); rezoluta mund të ishte sjellë nga çdo vend tjetër dhe, për më tepër, ajo u mbështet nga shumica e vendeve anëtare të OKB-së dhe nga shumica e vendeve evropiane po ashtu, midis tyre dhe nga Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca. Deri këtu Shqipëria është në rregull me votën e saj pro. Problemi ynë, siç shkruajta dhe në komentin më lart, është që pozitat e Shqipërisë në rajon dhe sidomos garantimi afatgjatë i pavarësisë së Kosovës kërkojnë me patjetër angazhimin e SHBA-ve në këtë garanci. As EU-ja dhe asnjë fuqi tjetër evropiane nuk mund ose nuk duan ta marrë përsipër këtë rol, të paktën sa kohë që Shqipêria nuk është vend anëtar i EU-së. Prej këtej, qeveritë shqiptare bëjnë mirë të jenë dyfish të kujdesshme, kur vjen puna te raportet me qeverinë dhe shtetin amerikan. Jo për servilizëm bajat, por për interesat e veta reale. Për më tepër që SHBA-të kërcënuan hapur vendet që do të votonin kundër tyre dhe kur presidenti Trump u tha se e ka marrë personalisht punën e votave (sado e pavend që të na duket kjo mënyrë e të bërit politikë!). Abstenimi në këtë kontekst do të ishte për Shqipërinë, mendoj unë, zgjidhja më pak e sikletshme dhe me më pak pasoja të mundshme për të ardhmen.

        Që me këtë votë, siç shkuani ju, “politikanët shqiptarë më në fund po testojnë pavarësinë e vet ndaj komunitetit ndërkombëtar”, unë këtë nuk e besoj. Të prishen me Perëndimin për të shkuar ku? Te prehëri i Erdoganit, te sqetulla e Putinit apo te oborri i Mr. Xi? Veç nëse klasa politike shqiptare të jetë komplet delusional! (se s’po e gjej dot tani fjalën e duhur shqip). Më tepër unë mendoj se Rama e bëri këtë nga mendjelehtësia; ose nga budallallëku, si diletant që është në politikën e jashtme.

        http://www.faz.net/aktuell/politik/inland/israel-und-palaestina-was-koennte-die-loesung-des-konflikts-sein-15342741.html?printPagedArticle=true#pageIndex_0

        1. Politikat që përmenda më sipër janë politika konservatore republikane, dhe jo patjetër të ekstremit të djathtë apo të djathës alternative. Ja ku i gjen të artikuluara në “The Wall Street Journal” që është një publikim si të thuash mainstream.

          Përkundrazi, alt-right dhe Trump nuk i kanë në platformë vlerat demokratike si kriter të politikës së jashtme, dhe i kundërshtojnë politikat e “regime change” dhe demokratizimin si mjete të diplomacisë. Për aq sa i intereson atyre, tipa si Putin, Duterte, Erdogan etj janë në rregull për aq kohë sa nuk i kundërvihen Amerikës.

          Gjithësesi gjasat janë që qëndrimi ndaj OKB-së po konvergjon në një formë, që duhet të jetë pak a shumë si ai i artikuluar në WSJ më sipër, i cili përmbledh si vlerat konservatore ashtu edhe ato më pragmatike të parashtruara nga Trump.

          Se si do përkthehen këto në rastin e Shqipërisë dhe Kosovës, ku në të dy vëndet ka tendenca autokratike, mbetet për t’u parë. Por duke qënë se tani-për-tani është Trump që dominon politikën amerikane, mantra e demokracisë do luhet sa për sy e faqe.

          Ndërkohë, nëse e analizojmë nga prizmi i mundësisë së një zgjidhje të konfliktit, bëjmë mirë të jemi të sinqertë me veten – shqiptarët nuk kanë asgjë për të ofruar në konfliktin e Lindje së Mesme. Ne nuk e kuptojmë, jemi larg kulturalisht dhe politikisht, dhe nuk na ndërthurret asnjë lloj interesi (të vjen për të qarë/qeshur kur krahasohet Prishtina me Jeruzalemin). Kaq duhet të ishte e mjaftueshme për Ramën që të abstenonte.

          Por, ndërhyrja e Ramës me votën pro (kundër SHBA-së) është një largim i qartë nga rreshtimi i zakonshëm në politkën e jashtme e këtyre njëzetepesë vjetëvë.

          Të gjitha këto nuk të lënë të besosh se Rama e ka marrë një vendim të tillë nga mëndjelehtësia apo se është delusional dhe të mendojë se mund t’i jap drejtim çështjes së Lindjes së Mesme. Gjasat janë që ka një kalkulim, apo edhe një bast po deshe, për mundësinë e largimit nga ndikimi i politikës amerikane (of course if they can). Dhe në sytë e Ramës, Trump me sa duket është njeriu perfekt që e mundëson këtë.

          Sa për pyetjen e fundit (Të prishen me Perëndimin për të shkuar ku?) më duket se ia ke dhënë përgjigjen: të shkojë me Putin apo Xi. Nuk e di pse të duket e pamundur për Ramën. Boll që të vazhdojë t’u thotë Shqiptarëve që mardhëniet me Amerkiën i kemi të shkëlqyera, dhe të sjelli ca agjent të FBI të flen tek Rogner si provë, si dhe ca ushtar në Afganistan. Shqiptarët do vazhdojnë ta besojnë, siç i kan besuar.

          1. Nuk e di pse të duket e pamundur për Ramën.

            Më duket e pamundur sepse nuk është vetëm në dorën e Ramës nxjerrja e Shqipërisë nga njëra hemisferë gjeopolitike dhe kalimi në një tjetër, të paktën sa kohë që rendi i gjërave në Evropë është ky që kemi sot. Regjimi i Ramës, dhe në përgjithësi çdo pushtet në Shqipëri pas ’90-ës ka qenë dhe është shumë i dobët. Për shumë arsye. Mjaftojnë dhe gjëra “të vogla” si p.sh. rifutja e vizave nga BE për shqiptarët, ose që opozita e radhës të nxjerrë 100 mijë veta në rrugë, që çdo qeveri e Tiranës të bie si kala rëre brenda pak javësh. Nuk po flas për sanksione ekonomike, izolim në Evropë etj. Pastaj, sado delirant që të jetë Rama, edhe ai e di që Rusia në Ballkan i ka priotitetet ndryshe (“kolltukun” e ka zënë dikush tjetër) dhe që Kina, edhe pse mund t’i ketë xhepat e thellë kur vjen puna te paratë, është shumë larg për t’i dhënë ndihmë kur mund t’i duhet.

        2. “Më tepër unë mendoj se Rama e bëri këtë nga mendjelehtësia; ose nga budallallëku, si diletant që është në politikën e jashtme.”

          Voten e Shqiperise pro rezolutes ne OKB , mjaft analiste , politikane e tufa komentuesish e shikojne si produkt te axhamillekut te Rames ne politiken e jashtme. “Eshte diletant, eshte palle” -thone. Te tjere aktin e tij e konsiderojne “antikombetar”. Te tjere e lexojne si vendim te diktuar nga Erdogan.
          Lufta politike ne Shqiperi eshte kaq parapolitike , saqe çdo levizje dhe qendrim i Rames , shikohet si produkt vetem i vullnetit personal , arbitrar te Rames. Me tej akoma, qendrimet e tij etiketohen si shprehje e ” budallallekut” te tij. Sinteza eshte shprehja – refren e çdo deklarate te harvadistit, jalistit, oksfordistit Petrit Vasili: i pashkolli Rama.
          Tani duhet te themi se jo rralle, ne mos si rregull , ata qe dalin ne krye te qeverive nuk jane perhere njerzit me IQ -ne me te larte, superinteligjente, me te kulturuarit, njohesit me te mire te çeshtjeve nderkombetare, te miteve dhe midhjeve.
          Harrohet se per ata punojne stafe, eksperte, keshilltare, institucione.Keshtu qe ” budallalleku ” personal kufizohet.
          Rama nuk i njeh çeshtjet komplekse te Lindjes se Mesme-thone. Enveri po , ai çdo dite mbante ditar dhe ndiqte me vemendje jo çeshtjet ekonomike te vendit por ate, çeshtjen palestineze. Per Enverin punonte Instituti studimeve m-l , MJ , Sofua dhe sofoklite anonime.
          E dyta qe harrohet ne analize eshte fakti se Shqiperia aspiron te behet pjese e BE dhe te hapi deri ne pranveren e vitit tjeter negociatat per antaresim. Ka shume gjasa qe Rama te kete rakorduar voten e Shqiperise me qendrat e medha te koncertit europian.
          Vendimi per hapjen e negociatave eshte jetik per Ramen. SHBA jane miku i madh strategjik. BE eshte familja , komshiu qe te ndodhet prane ne cdo rast.
          “Deal” me Erdogan dhe “ecja ne gjurmet e Enverit per çeshtjen palestineze” jane muhabete kafenesh dhe pjese e teatrit politik.
          Se treti , harrohet se vendimi Trump shkon ne favor te Izraelit dhe merr kuptim si levizje ne kontekstin e rolit te SHBA ne Lindjen e Mesme.
          Pra vendimi Trump shkon ne favor te Izraelit i cili nuk ka njohur pavaresine e Kosoves. Reciproriteti duket se ben sens dhe voten e Shqiperise e shikoj si nje resto te merituar.

          1. […] çdo levizje dhe qendrim i Rames , shikohet si produkt vetem i vullnetit personal , arbitrar te Rames.

            Në rastin në fjalë nuk më del që Rama të jetë këshilluar as me institucionin e Presidentit, as me atë të Parlamentit (me Komisionin e PJ). Pra është një vendim i marrë nga qeveria e Ramës.

            Ka shume gjasa qe Rama te kete rakorduar voten e Shqiperise me qendrat e medha te koncertit europian.

            Përse do t’i shqetësonte partnerët evropianë vota asnjanëse ose qëndrimi i Shqipërisë larg votimit për një çështje të Lindjes së Mesme, ku Shqipëria nuk luan asnjë rol, aq më tepër që vota e vendeve të BE-së nuk ishte e unifikuar? Çdo shtet evropian votoi për vete, disa pro, disa abstenuan, vota nuk ishte ‘en bloc’. Më duket se i japim vetes më shumë rëndësi se sa kemi në të vërtetë.

            Reciproriteti duket se ben sens dhe voten e Shqiperise e shikoj si nje resto te merituar

            Pra i bie që t’i kemi bërë karshillëk si Izraelit ashtu dhe SHBA-ve. Unë këtij i them delir, sikur të jetë ky shkaku i votës…

          2. Nga ç’duket, një lojë e sofistikuar po luhet në sferat më të larta të diplomacisë.
            Në këtë shah ndërkombëtar, pala jonë i ka mirëmenduar lëvizjet, madje ka një skemë që do t’i zërë dy herë mat dyshuesit që shfaqen nën petkun e specialistëve të midhjeve ose si shpjegues horoskopësh parapolitikë. Nga burime të parakonfirmuara bëhet e ditur se vota në KB (quajtur kështu ngase OKB tingëllon si një rudiment përkthimor prej një kohe të largët) do të pasohet me njohjen e Kosovës nga Palestina. Njëherazi do të përjetojmë me gëzim hapin e shumëpritur të Greqisë në këtë drejtim, pasi kemi lejuar varrezat e ushtarëve grekë në truallin tonë. Kush ende mendon se kemi hyrë në pazare të pabarabitura për supet tona të njoma le ta dijë se Motër Mogherini është aty që t’ia tërheqë veshin Greqisë po nuk e mbajti fjalën, kurse Vëlla Erdogani do ta sikterisë pa mëshirë Palestinën po nuk e ktheu kokën nga hallet tona. Në përfundim të shahut do të shpërndahet edhe akullore, edhe çokollatë, kurse për ata që janë të prirur për një mënyrë jetese të shëndetshme, verë të vjetëruar në vite.

  4. Oi,oi, c’na gjeti thuaj! Oi, e shkuar oi-s! Si s’na ra plasja me pare! Te kishim vdekur te gjithe me pare! Po na fal o zoti, o mbreti, o perendia yne, Donald Trump! E beme kete gabim! E beme se na iken mend e kokes kur pame Moniken ne parlamentin tone, gjithe furi, se si goditi me cizme poziten. Uf, si u beme ato momente! U eksituam fare! Nuk ngeli shqiptar pa ia hypur gruas ne darke, e te tjeret dashnoreve, e kush nuk kish keto iu permblodh pemes! Po c’ti besh o zoti Trump! Kjo ndodh kur me (gjoja) politiken, perzihet edhe eksitimi ne parlamentin shqiptar, (ndonese ka zera shume te vjeter qe i prezantojne keto si lojra pordhitikanesh shqiptare). Ti e di fjalen e urte: kok e falur nuk pritet! Dhe ti, si Zot i botes qe je, duhet te na falesh, na fal o Donald, o rob zoti! Dhe ne shqiptaret do te vazhdojme, sic kemi vazhduar gjithe jeten e jetes tone, te te lepijm ty bythen, sic ia lepinim dikur turqve-osmanllinj, italianve, jugosllaveve, ruseve, kinezeve, se ne vetem kete pune dime te bejme ne jete te jeteve. E c’na intereson neve populli palestinez! Ata le te zhduken fare, se ne si hiena qe jemi dhe pa as edhe nje parim, do i lepihemi atij me te fortit! Na beso o zoti Trap, Tramp, desha te them, se ne do te vazhdojme ne jete te jeteve te jemi pa parime, ashtu sic na ka dashur gjithnje Amerika, Rusi, Kinezi, Europa, etj., por qe ti ne vecanti na do te tille! Se ti je shume i zgjuar dhe i vendosur, pa llogaritur ate kryesoren, aventurier! Qe ti dukesh si rus nga fytyra dhe qe mund te jesh nje agjent mese i rendomte rus, dhe qe Amerika e di kete por e shfrytezon per te tjera qellime, kjo nuk na prish neve pune; ne fund te fundit, nje servili dhe bythlepirsi si puna jone, nuk i duhen shume mendime, as paanshmeri dhe aq me keq, parimet. Na fal, o bab Tra(m)pi!

    1. Edhe dicka harrova o zoti Trump, ne votuam keshtu kesaj radhe, jo se u udhehoqem nga parime njerezore, ku menduam ti japim sado pak nje dore ndihmese edhe popujve te vegjel e pa perkrahje, palestinezve ne kete rast, jo, jo, jo; ne votuam keshtu po per arsye servilizmi dhe bythlepirje, duke iu bashkuar shumices dhe nenes tone Europe. Pra, ky fakt duhet te te jape ty Donald te kuptosh, se ne nuk kemi parime, se ne nuk heqim dore nga servilizmi dhe bythlepirja, ndaj ne rastin tjeter me te pare, do te ta lepijme ty bythen, sic kemi bere keto 27 vjet, e sic kemi bere edhe me te tjeret me pare. Zoti te shtofte jeten o perendia yne!

  5. r.th.

    Shqiptarët udhëhiqeshim nga parimet vetëm në kohë të Enver Hoxhës. Po të kishim edhe bar hanim por parimet nuk i shkelnim.

    Porse politikanët e sotëm nuk e kanë tagrin e Enver Hoxhës si udhëheqës internacionalist. Me sa di unë i kemi zgjedhur të merren vetëm me hallet e Shqipërisë dhe jo të botës. Ndaj parimet vlejnë vetëm për interesat dhe hallet e Shqipërisë.

    Nëse nuk e di, Republika e Shqipërisë nuk ka as ushtri dhe as ekonomi. Ajo e ruan integritetin e territorit të vet falë të qënurit në NATO. Kjo e fundit në pjesën më të madhe financohet direkt nga SHBA-të. Ndaj nuk shoh asgjë të keqe nëse Shqipëria vendos të mbështesë SHBA-të në OKB në këmbim të ruajtjes së integritetit territorial të saj.

    Por nëse e ke vështirë për ta kuptuar, po ta përkthej sa më sipër në një gjuhë më të afërt– nuk ka asgjë të keqe t’i lëpish bothën Donald Trump, pasi t’ia ke lëpirë Saimir Tahirit.

    1. L.A., mund ta kuptoj një pushtetar që t’i lëpijë bøthën Trumpit, ose Papës së Romës, ose Putinit për të ruajtur “integritetin territorial” të Shqipërisë, por jo qytetarin – sepse qytetari kërkon të drejta dhe liri, qetësi, siguri, shërbime sociale dhe përfaqësim ndërkombëtar me dinjitet; vetëm gjeografia nuk mjafton. Meqë flasim edhe për “internacionalizmin” e Enver Hoxhës, le të kujtojmë edhe se ai regjim njihej edhe për shprehje të tilla se “nuk do të lejojmë që asnjë pëllëmbë e truallit…” etj. Sot që shqiptarët janë gati të largohen me dhjetëra mijëra nga vendi, nuk më duket se ka shumë kuptim të flasësh për ruajtje të integritetit territorial (të kësaj toke “të mbjellë me kockat e armiqve”). Shumë nga ata që largohen e që duan të largohen por edhe nga ata të tjerët që ende nuk janë larguar e kanë kuptuar tashmë se pushteti mund të interesohet vërtet për “territorin”, por vetëm e vetëm për ta shfrytëzuar: duke e nxjerrë në shitje, duke e shkatërruar, duke e shpuar, duke e gërmuar, duke i dhënë dërrmën. I trajtuar kështu, territori ikën nga duart dhe kontrolli i qytetarëve, për të përfunduar si pronë e pushtetit dhe e pushtetarëve – dhe qytetarët vjen momenti kur i thonë shtetit: mbaje territorin, ta kam falur, bashkë me vjershat patriotike. Mjaft të shohësh si i kanë trajtuar qeveritë, e të dy krahëve, pasuritë publike – duke ua dhuruar të tretëve, duke i dhënë me 1 euro, duke lejuar zhvillime që territorin po e shpërfytyrojnë, si ato të Valbonës dhe të Vjosës dhe të gjitha lemeritë që janë bërë dhe që po përgatiten për bregdetin (dhe këtu as që po dua ta hap muhabetin e raportit mes kontrollit të territorit dhe kultivimit të cannabis-it për eksport). Prandaj, për mendimin tim, klasa në pushtet është më e interesuar të ruajë “integritetin territorial” se qytetari, dhe kjo nuk më duket se ka ndryshuar, që nga koha e Enverit; ndoshta me të vetmin dallim se në kohën e Enverit ushtria ishte gati të bënte vërtet luftë, për ta mbrojtur kilometrazhin katror të Shqipërisë, ndërsa sot presim që edhe luftën për ne ta bëjnë të tjerët (NATO-ja). Për fat të mirë të së gjithëve, askush nga fqinjët (dhe jo fqinjët) nuk është i interesuar për territorin tonë, sepse nuk ia vlen. Dhe nuk ia vlen jo sepse nuk ka vlerë intrinseke, por për shkak të pasojave që vijnë nga prishja e ekuilibrave rajonalë – dhe në këtë kuptim, Italia dhe Turqia do t’i garantonin kufijtë e Shqipërisë shumë më tepër se SHBA. Prandaj problemi që ka sot qytetari me pushtetin nuk është që pushteti, duke u sjellë në mënyrë të papërgjegjshme, po vënë rrezik “integritetin territorial”, por përkundrazi, që pushteti, duke pasur kontroll të ligjshëm ndaj territorit, e përdor këtë kontroll për të mbijetuar ai vetë. Sa për qytetarin, nëse ky i fundit i kalon pushimet më mirë, ta zëmë, në Mal të Zi ose në Turqi, në krahasim me ç’do t’i kalonte në Shqipëri, atëherë përkatësia territoriale e vendit ku i kalon pushimet nuk ka pikë rëndësie.

      1. Ardian,

        I am afraid you found a straw man. Asgjëkundi nuk kam thënë që qytetarët Shqiptar duhet t’i lëpijnë bothën Donald Trump, apo SHBA-së. Më duket se ishim duke folur për qëndrimin e politikës zyrtare.

        Për të njëjtat arsye që ju i rreshtoni më sipër, e gjej pa vend justifikimin se ka ndonjë qëndrim parimor në pozicionin që qeveria mbajti në OKB, dhe e shoh me shumë dyshim largimin nga pozicioni pro-amerikan njëzetepesë vjcar. I kam parashtruar arsyet në një koment përgjigje për Gjilpërën, në po këtë shkrim.

        1. L.A., të mirëkuptoj. Dua vetëm të shtoj se, në instanca ndërkombëtare, të tilla si OKB-ja, qytetari shqiptar veç mund të përfaqësohet – sikurse edhe përfaqësohet, nga dikush të cilit, në analizë të fundit, i ka dhënë votën. Nëse është kështu, atëherë kushdo që e përfaqëson ligjshëm Republikën e Shqipërisë në OKB mund të thotë se vepron në emër të qytetarëve që ia kanë deleguar këtë funksion (çfarë edhe e bën absolutisht patetike letrën e Presidentit Meta: një nga ato ngjarje që të bëjnë të fillosh të gërmosh për të hapur një gropë të thellë, për t’u futur atje nga turpi). Prandaj unë arsyetoj se, një pushtetar që me vetëdijë e shndërron lëpirjen e bøthës të Trump-it në parim të politikës së jashtme i përfaqëson të gjithë qytetarët e vet, kur e bën këtë në forume ndërkombëtare.

          1. Ardian,
            Si qytetar unë personalisht nuk kam ndonjë iluzion se po përfaqsohem nga kjo kast politike që është instaluar në Shqipëri. Dhe nuk besoj se jam i vetëm. Thjesht po përpiqem të demaskoj pretendimin se kjo votë është rezultat i ndonjë qëndrimi moral. Sikundër po bëni edhe ju me ata që sjellin mirnjohjen për argument për të justifikuar bØthlëpirjen.

            Në këndvështrimin tim, në çështjen e lindje së mesme ndërthuren problematika që kanë të bëjnë me të gjithë “izmat” dhe përplasjet ideologjike të mundshme: kolonializmi, terrorizmi, antisemitizmi, komunizmi, fashizmi, imperializmi, zionizmi, judaizmi, myslymanizmi. Çdo ideologji që është hedhur ndonjëherë në ajër, me siguri ka rënë në tokë diku në Lindjen e Mesme. Për të mos përmendur interast meskine të një numri të pallogaritshëm aktorësh në Lindjen e Mesme dhe më gjërë.

            Ndërkohë, vota që u mbajt në OKB, të paktën në dukje, nuk kishte të bënte me asnjë nga këto, por me faktin që administrata amerikane vendosi të zhvendosë ambasadën në Jeruzalem, që pasonte njohjen që ia kish bërë Kongresi Amerikan qysh më 1995. Nëse një akt i tillë njohje do ndërmerrej nga kushdo shtet tjetër përvec SHBA, përshembull Hondurasi, OKB me siguri nuk do nxirrte ndonjë rezolutë. Përkundrazi do e kishte injoruar. Në thelb kjo ishte një votë për t’i treguar vendin SHBA-së, dhe Trump-it, prej atyre që e shohin çdo veprim të pavarur të SHBA-së si shënjë të unilateralizmin dhe imperializmit. Fakt është që Shqipëria u bashkua në këtë “group shame” ndaj SHBA-së. Si të thuash iu bashkua një turrme lincuese, ndonëse nën petkun e diplomacisë. E thënë shkurt, argumenti moral nuk bind.

            Ndryshe nga ç’na serviret nga kasta e Tiranës, unë besoj se kjo ishte një votë për të testuar pavarësinë e kësaj kaste ndaj komunitetit ndërkombëtar, ose më saktë SHBA-ve. Sepse do ishte absurde të presësh një qëndrim moral në arenën ndërkombëtare të kësaj kaste politike, kur kjo e ka humbur krejt kerdibilitetin në mardhënie me qytetarin e vet.

            1. Dakord, por kjo do ta zhvendoste argumentin në një hapësirë tjetër. Në fakt nuk e dimë, dhe as mund ta dimë, se çfarë e motivoi pikërisht votën e tanishme të Shqipërisë në OKB.

              Unë besoj se kjo ndodhi në marrëveshje me Bashkimin Europian, me shpresë se ky do ta interpretojë si një hap të mëtejshëm drejt afrimit (asimptotik).

              Bashkimi Europian nuk e dëshiron fare acarimin e situatës në Lindjen e Mesme. Dhe sidomos i ka ardhur në majë të hundës me veprimet e SHBA-ve në këtë anë të botës. Për Bashkimin Europian, Trumpi mishëron stereotipitë më të këqia të amerikanit në botë – arrogancën, injorancën dhe brutalitetin.

              Kjo lidhet vetëm tërthorazi me Palestinën (pa çka se Papa i Romës, që në Tiranë e duan aq fort, pati ca fjalë tejet të forta sot në meshë, pikërisht në mbrojtje të palestinezëve).

              Përkundrazi, lidhet me krizën e refugjatëve. Nëse kjo krizë vazhdon edhe pak, qeveritë e shumë vendeve të Europës do të përfundojnë në duart e së djathtës ksenofobe dhe nacionaliste.

              Të kujtoj se kriza e tanishme e refugjatëve në Mesdhe u mundësua nga ndërhyrja krejt e papërgjegjshme e SHBA-ve në Libi pak vjet më parë; e cila e shndërroi Libinë në një pikë për shpërndarjen e refugjatëve në gjithë Europën.

              Të tjera ndërhyrje amerikan, si ajo në Irak dhe më pas në Siri veç i kanë shtuar rreziqet për të ardhmen e Bashkimit Europian, pa zgjidhur ndonjë gjë konkrete.

              Shumë analistë mendojnë se ndërhyrja amerikane në Siri punoi në favor të Putinit. Ka madje analistë që mendojnë se Putini nuk do të vinte dot në fuqi, pa ndërhyrjen amerikane në Kosovë – por kjo është çështje tjetër.

              Një gjë vështirë të diskutohet: që qytetarët në Libi, në Siri, në Irak dhe gjetiu jetonin shumë më mirë, para se të përziheshin atje amerikanët.

              Ndoshta nuk ka nevojë të kujtoj edhe që 11 shtatori nuk ka pasur asnjë lidhje as me Irakun as me Saddam Hussein-in.

              Shkurt: ndërhyrjet amerikane në Lindjen e Mesme këto 20 vjet e kusur kanë qenë katastrofike për rajonin, Europën dhe vetë Amerikën. Madje edhe Trumpi erdhi në fuqi me një platformë që premtonte reduktimin drastik të shpenzimeve amerikane në atë rajon – ushtarake dhe të tjera.

              Gjasat janë që edhe kjo zhvendosje e tanishme e ambasadës – të cilën Trumpi e pat trashëguar si premtim nga administrata të mëparshme – të mos ndihmojë për asgjë, por vetëm të hapë vatra të reja tensioni.

              Le të kemi parasysh edhe që interesat e Izraelit nuk përkojnë doemos me ato të politikës së Netanyahut.

              Për t’u kthyer tek argumenti im fillestar: Shqipëria votoi ashtu si votoi, pasi është marrë vesh me BE-në. Intuita ma thotë edhe se për këtë u ka marrë pëlqimin SHBA-ve. Është në vijën e politikës së jashtme të Trumpit që t’i heqë nga nënsqetulla bezdi të papërfillshme, si Shqipëria, duke ia lënë në dorë Europës.

              1. Ardian,

                Unë përsëri nuk e kuptoj se ç’vlerë ka vullneti apo opinioni i Shqipërisë në konfliktin e Lindjes së Mesme, ndërhyrjes amerikane ne Iraq dhe Libi, dhe me krizën e refugjatëve. Shqipëeria dhe Kosova dërgojnë më shumë refugjat në Europë se vetë Siria.

                Po ashtu nuk më rezulton që Bashkimi Europian të ketë pasur ndonjë ndikim në votën e Tiranës, sepse përndryshe vota e BE-së nuk ishte aspak monolite. As sermonet e Papës nuk më rezultojnë të kenë ndikuar (meqë ra fjala, kush është ambasadori ynë në Vatikan?)

                Por bie dakort me ju që administrata e Trump-it kërkon të lëshojë disa vezë nga sqetuallat, dhe që buxheti i ambasadave në mbarë botën është përgjysmuar.

                Por këto nuk kanë të bëjnë fare as me moralitetin, as me real-politikën. Por kanë të bëjnë shumë me izolimin e Shqipërisë.

                1. Siç thashë, ne nuk dimë se çfarë e ka motivuar votën e Shqipërisë dhe as mund ta dimë – shpjegimet që jepen janë gjithnjë diplomatike.

                  Por mund të spekulojmë; dhe një mënyrë për të spekuluar është duke supozuar se kujt mund t’i ketë interesuar ajo votë.

                  Mes të interesuarve të mundshëm – Turqisë, vendeve arabe (që përkrahin kauzën e Palestinës), BE-së, Rusisë, Kinës etj., unë do të zgjidhja BE-në si kandidatin më me gjasë.

                  Vërtet, pati vende europiane që abstenuan – në mos gabohem, Hungaria, Polonia dhe Çekia. Këto janë edhe vende që janë rebeluar ndaj politikës së BE-së për mikpritjen e refugjatëve.

                  Kjo mund të lexohet në shumë mënyra. Unë e lexoj kështu: refugjatët po e rrëzojnë Europën e Bashkuar.

                  Ndryshe nga Hungaria, Polonia dhe Çekia, të cilat janë anëtare të BE-së, Shqipëria synon anëtarësimin. Si kandidatët e Partisë qëmoti, është e detyruar ta provojë në çdo hap europeizmin e saj.

                  Ndonjë aparatçik i BE-së mund t’i ketë kërkuar qeverisë shqiptare që të votojë në frymën e BE-së; aq ka mjaftuar. Brenda këtij skenari hipotetik, MPJ-ja në Tiranë mund t’i ketë njoftuar paraprakisht SHBA për këtë dhe të ketë marrë përgjigjen: go ahead.

                  Madje ka gjasa që vetë në departamentin e shtetit në D.C. t’u ketë ardhur në majë të hundës me këto që vendos Trumpi një ditë po një ditë jo; sidomos të gjithë atyre që, në rrjedhë të dekadave, janë “institucionalizuar” si brokerë të paqes mes Izraelit dhe palestinezëve në Lindjen e Mesme.

                  Përndryshe, vota e Shqipërisë në asamblenë e OKB-së është nga ngjarjet më të parëndësishme në diplomacinë e këtij mijëvjeçari. E bënë të dukej e rëndësishme ata pak politikanë dhe analistë që u munduan ta përdorin kundër Ramës.

  6. Po vijoi t’i përgjigjem komentit nga Gjipëra, të 24 Dhjetor 2017 te 5:21 am (US_ET) në një postim më vete.

    Gjipëra thtë:

    …nuk është vetëm në dorën e Ramës nxjerrja e Shqipërisë nga njëra hemisferë gjeopolitike dhe kalimi në një tjetër, të paktën sa kohë që rendi i gjërave në Evropë është ky që kemi sot.

    Fillimisht le të biem dakort që praktikisht Shqipëria nuk është pjesë e asaj hemisfere gjeopolitike ku bëjnë pjesë demokracitë perëndimore.

    Për njëzetepesë vjet, ne kemi kërkuar të bëhemi pjesë e tyre, por pa sukses. Dhe sot-për-sot, askush nuk është duke pritur më që Shqipëria të bëhet pjesë e demokracive perëndimore. Formalisht jemi vetëm me një këmbë në hemisferën gjeopolitike që i referoheni ju, duke aderuar në organizmave të tilla si: (1) antar i NATOS (nga ata me më pak/pa influencë), dhe (2) vend kandidat për në Bashkimin Europian (nga më të dobëtit).

    Ndërsa në realitet Shqipëria ka mungesa serioze në: (1) ushtri, (2) ekonomi, (3) stabilitet social, (4) stabilitet politik.

    Nga të gjitha këto besoj se biem dakort bashkë se ekonomia është faktori më i rëndësishëm, i cili ose i ngre ose i fundos të gjithë faktorët e tjerë.

    Para tre vjetësh kemi diskutuar në këtë blog rreth politikave fiskale të qeverisë Rama 1, të cilat nuk mund të shpjegoheshin me stadin e atëhershëm, dhe rritjet e parashikuara të ekonomisë. Ju vetë më duket keni shkruar atëherë se këto politika do çojnë drejt kolapsit të biznesit të vogël.

    Fast-forward, Shqipëria sot ka një ekonomi formale inekzistente dhe pjesën më e madhe e GDP-së të mbështetur nga ekonomia e kanabis dhe koncensioneve të dominuara nga oligarkët. E gjitha e ideuar dhe e vënë në zbatim nga Rama 1.

    Kjo lloj ekonomie paralele jo formale (aka kriminale) ka sjell me vete disa probleme me pasoja afatgjata, që ndikojnë drejtëpërdrejtë ne pozicionin tonë gjeopolitik:

    Për perëndimin, por edhe në realitet kontigjenti njerëzor shwiptarë me potencial ekonomik është direkt ose indirekt i inkriminuar, duke qënë se cdo lloj ekonomie ka nevojë për këtë kontigjent njerëzor që ta mbështesë. Shqiptarët shihen sot së pari si kontigjent kriminal, përpara se të jenë, doktorë, inxhinier, shoferë, karpentier e kështu me rradhë. Kjo do ndikoj në pranimin e Shqipërisë në BE. Me shumë gjasë Shqipëria do marrë rrugën e Turqisë duke kërkuar pavarësi nga BE-ja, ose duke krijuar një pakt pan-ballkanik.
    Elita e ekonomisë Shqiptare (homo-economicus), nga e cila pritet të gjenerojë elitën politike (homo-politicus) është e mbushur me oligark dhe kriminel. Ndaj shancet që ekonomia dhe politika të ndikojë në rregullimin e njëra-tjetrës jane afër zeros.
    Së fundi situata në rajon, ajo ekonomike në Greqi, ajo politike ne Turqi, dhe njohja zyrtare e qëndrimit të dyfishtë të Serbisë midis perëndimit dhe Rusisë duket se po i bind perëndimorët për një zonë të ndërmjetme midis perëndimit dhe lindjes, pan-ballkanike në të cilën politika Shqiptare do përfshihej me plotë dëshirë. Një plan pan-ballkanik sigurisht i vë vulën cdo shprese që Shqipëria të jetë ndonjëherë një vënd demokratik. Por kush po shpreson më? Harta gjeopolitike po rishkruhet përditë, ndërsa ne duartrokasim Palestinën.

  7. Faleminderit L.A. per mbeshtetjen! E dija qe Shqiperia ka qene gjithmone e mbushur me bythlepirsa dhe te tille politike ka per te bere! Urra! Mundesisht duhet te prezantohen te gjithe shqiptaret si bythlepirsa, te gjithe si bllok monolit si ne kohen e partise, (packa se kjo e fundit e gjeti kete Shqiperi gati dhe kaq sa eshte nga Europa dhe nga dy fqinjet tane, “armiqte tane me te medhenj”, Greqia dhe Serbia; por te pakten “parimori” Enver pati aq kellqe sa ti hiqte bazat sovjetike nga vendi yne, packa se dhe me pakez ndihm perendimore, nga keta “armiq te poshter”, po nejse keto jane ca filma qe ti dhe une nuk kemi per ti marre kurre vesh, sic nuk morrem vesh pse flota e 6 amerikane ishte asaj kohe aty afer dhe cfare fshihej pas Teme Sejkos dhe gjyqit te tij), keshtu monolit te shkojme nga te fryje era, te mos kemi norma e parime, te shkelim me te dobtin sic e kemi shkelur gjithnje, te jemi me mw tw fortin, packa se te tjeret mund te bejne edhe lojra, aq sa ta meritojme cilesimin leter higjenike, por ricikluese.
    Po ky Sajmir Tahiri kush eshte? Po vrisja mendjen dhe po thoja c’figure eshte kjo qe mund te na ndihmoje ne bythlepirjen e metejshme ndaj ruso-amerikanit Trump? Mos eshte ai ministri qe u largua nga posti dhe e akuzojne per lidhje me drogistet? Nese po, atehere na ngelet vetem ta bejme figuren e ketij njeriu te panjohur ne arenen nderkombetare sa me te njohur, ta njollosim dhe nxjerrim si drogaxhi te mbaruar, dhe pastaj daje Sami e afron vete ate, sepse daja nga pertej Atlantikut i favorizon gjithmone monstrat dhe te korruptuarit, qe ti kete ne dore e ti levize si te doje! Ndoshta per kete pune mund te na ndihmoje edhe presidenti yne ne kete rast, burri i Monikes, biznesmenes! Apo thua nuk ia le kete nder Sajmirit ky Iliri? Ah te isha pak me i zgjuar e te kuptoja pak me shume nga politika! Por ja qe s’jam!

  8. L.A,

    Shqipëria që nga viti 1990 u bë pjesë e bllokut gjeopolitik të Perëndimit, në periferi të saj natyrisht dhe vetëm me fasadë demokratike-perëndimore (“zorra e verbër” e Perëndimit, mund ta quante dikush sot me gjendjen që është aty), por ama është pjesë e saj. Anëtare e NATO-s, kandidate për të hyrë në EU etj. Përkatësia në “Evropë” është vullneti i shumicës së qytetarëve shqiptarë dhe kjo ka pak gjasa që të ndryshoj së shpejti, pavarësisht turfullimave dhe kërcënimeve nën zë që bën Rama, që Rusia dhe Kina janë gati t’ia zenë karrigen Evropës në Shqipëri dhe Ballkan (edhe pse kjo mund të jetë e vërtetë).

    Por kjo marrëdhënie e Shqipërisë me Evropën është si puna e tangos: duhen dy për ta kërcyer! Evropa mund të mos ia ketë më ngenë Shqipërisë – për faj të Shqipërisë së pari, që nuk është askund me standartet për t’u pranuar në bashkësinë evropiane, por dhe për probleme të brendshme të vet BE-së. Kjo nuk do të thotë, megjithatë, që Shqipëria dhe shqiptarët nuk u interesojnë më atyre. Edhe sikur jo për gjë tjetër, por vetëm për të shmangur mundësinë e një lufte të re dhe të trazirave në Ballkan, BE-së i intereson që ose ta mbaj afër (lexo: pezull) Shqipërinë, si në këto 27 vite, ose të gjej një zgjidhje tjetër, si ideja që po qarkullon për një treg të përbashkët të Ballkanit Perëndimor; në çdo rast, për ta mbajtur Shqipërinë nën ndikimin e Perëndimit pavarësisht nëse hapen apo jo negociatat e pranimit në 2018 të Shqipërisë në BE (ose hapen dhe ngelen të hapura pafundësisht, si në rastin e Turqisë dhe BE-së…). Personalisht mendoj se zgjidhja do të jetë financiare, Evropa ka për t’i paguar – në formën e ndihmave, kredive, fondeve etj. – elitat e Ballkanit Perëndimor që, edhe pa i pranuar këto vende në BE, ato që “të rrinë rehat”.

    Ramës, Bashës, klasës politike në përgjithësi dhe oligarkisë ekonomike në veçanti u intereson më parë (vetëm?) pushteti i tyre politik dhe ekonomik; përkatësia e vendit në një bllok apo në tjetrin, progresi social dhe ekonomik i shoqërisë shqiptare u intereson deri në atë masë sa u siguron dhe u shton atyre pushtetin, sidomos atë ekonomik – aka pasuritë e vëna (lexo: shumica të vjedhura!) pas ’90-ës. Pas krizës ekonomike të 2008-09, që mes të tjerash nxorri në dritë dhe shterpësinë dhe qorrsokakun e modelit ekonomik dhe social neo-liberal (për Shqipërinë: anarko-liberal dhe këto vitet e fundit narko-liberal!) dhe pakësimin e mundësive për nxjerrjen e fitimeve të mëtejshme nga tregtia dhe ndërtimi, u hap me qëllim rruga për kanabizimin e vendit, u tolerua dhe u justifikua emigracioni ilegal i shqiptarëve drejt Evropës (a thua se për këtë punë është zgjedhur Rama aty ku është!) dhe u mundësua – në emër të “zhvillimit ekonomik” – shkatërrimi i natyrës dhe grabitja e pronës publike dhe e pasurive mbi- dhe nën-tokësore të vendit.

    Këtu jam i një mendjeje me Vehbiun, në komentin e tij më lart, që rreziku më i madh Shqipërisë dhe shqiptarëve sot u vjen jo nga ndonjë rrezik i jashtëm, por nga elitat e veta (në fakt: “elitat”), kur për shkak të politikave të tyre Shqipëria rrezikon që në dekadat e afërta të zbrazet edhe më tej nga shqiptarët, të kthehet në një “guackë pa midhje”, dhe më keq akoma, që shqiptarët e mbetur aty të kthehen në kuptimin e vërtet të fjalës në shërbëtorë dhe të huaj në vendin e tyre (nisur nga ankesat dhe sugjerimet që lexoj nga oligarkët se “tregu është bllokuar nga informaliteti”, apo se “mungon fuqia e kualifikuar punëtore”, apo që “shqiptarët janë dembela”, apo që “hotelet me pesë yje janë shpëtimi” etj).

    Kjo nuk do të thotë, për mendimin tim, që ne të mos mendojmë përtej kësaj klase politike aktuale dhe të injorojmë rreziqet e mundshme të natyrës së jashtme, sidomos kur vjen puna te Kosova, pavarësia dhe territori i saj. Rreziku për Kosovën është ende real! Dhe këtu nuk na ndihmon dot as Italia, as Turqia; nuk na ndihmojnë dot se nuk kanë këllqe ose se nuk duan… Këtu kthehemi prapë politika e jashtme, te SHBA-të dhe te vota jonë në OKB. Unë i nglem mendimit që shkruajta dhe më lart, se vota jonë kundër Trump-it ishte moralisht e drejtë por mundësisht me pasoja negative në marrëdhëniet me administratën aktuale të SHBA-ve dhe si e tillë ishte gabim; një votë pro Trump-it do të ishte e turpshme për Shqipërinë dhe probabilisht me pasoja në raportet me Evropën. Vota asnjanëse ose qëndrimi larg votimit, në këtë rast dhe nga pozicioni i Shqipërisë do të ishte, mendoj unë, zgjedhja më smart.

    Politika e jashtme e Shqipërisë është – më saktë: duhet të ishte – relativisht e thjeshtë (straightforward) dhe me tre synime bazë:

    – Sigurimi i pavarësisë dhe i territorit të vendit.
    – Sigurimi i pavarësisë dhe i territorit të Kosovës.
    – Integrimi ekonomik, politik, kulturor i Shqipërisë në Evropë dhe në institucionet e saj.

    Dy synimet e para kërkojnë aleancën (në fakt, ombrellën) e NATO-s dhe SHBA-ve, i treti kërkon hyrjen në BE. Si NATO, si SHBA ashtu dhe BE-ja nuk janë në konflikt me njeri-tjetrin kështu që Shqipërisë nuk i duhet “të balancoj” shumë mes tyre. Kaq “pak”, kaq thjesht. Komplikimi vjen sa nga inkompetenca, aq dhe nga kopil-llëku i politikanëve tanë, që politikën e jashtme ose e shohin si zgjatim të politikës së brendshme, ose “harrojnë” të bëjnë detyrat e shtëpisë dhe duan ta kalojnë klasën pa hyrë në provim, ose kur sillen sikur janë Evropa dhe SHBA-të ato që na e kanë nevojën neve, më shumë se ne atyre, ose – në delirin tipik ballkanas – përpiqen të luajnë “lojën e madhe”, siç po bën Rama së fundmi, të tipit “mbamëni se bëra namin!” (pak a shumë, si Tsipras donte të bënte me Evropën dy vite më parë, kur erdhi në pushtet).

    Shembuj dhe gafa për diletantizmin e klasës politike shqiptare në politikën e jashtme gjen pa fund. Nga futja e Shqipërisë në Konferencën Islamike, te karshillëku i Berishës ndaj SHBA-ve dhe Evropës në ’97-ën, e deri te piruetat e Ramës këto tre vitet e fundit. Nga një anë Rama flet për kërcënimin rus në Ballkan, në anën tjetër shkon e bëhet bothë e brekë me Vuçicin në Serbi; nga një anë bërtet për rrezikun islamist që i kërcënohet Shqipërisë, në anën tjetër shkon dhe i ulet në kolltuk Erdoganit në Turqi; nga një anë kërkon votën e Greqisë për pranimin në Evropë, në anën tjetër shkon dhe kapet si delirant me fshatarët e Himarës (no offence!) për planin urbanistik të zonës, duke rritur kështu çmimin që duhet t’i paguaj Greqisë për të mos vendosur veton në Evropë. Pa harruar këtu as këshillat shumë “presidenciale” që u dha qytetarëve amerikanë për zgjedhjet nga ekrani i CNN-it!

    1. Permiresimi raporteve me Serbine/ Vuçiç eshte direktive e BE . BE nuk mund te pranoje brenda familjes europiane vende me konflikte dhe raporte te tensionuara.
      Lojen e qendrimit ne dy karrike e ben Serbia por kjo eshte çeshtje e tyre. Shqiperia nuk mund te kushtezoje relaksimin e raporteve me Serbine duke i kerkuar kesaj te fundit te mos flirtoje me Rusine.
      Turqia dhe terrorizmi islamik jane aq te lidhura sa nje kapele me nje ari polar.

      1. Permiresimi raporteve me Serbine/ Vuçiç eshte direktive e BE. BE nuk mund te pranoje brenda familjes europiane vende me konflikte dhe raporte te tensionuara.

        BE-ja të detyrojë njëherë Serbinë të njoh pavarësinë e Kosovës, pastaj të kërkoj zemërgjerësinë e Tiranës.

        Shqiperia nuk mund te kushtezoje relaksimin e raporteve me Serbine duke i kerkuar kesaj te fundit te mos flirtoje me Rusine.

        Jo, por Shqipëria mund – duhet – të kushtëzojë rregullimin e raporteve me Serbinë me njohjen prej saj të pavarësisë së Kosovës. Jo më shumë, por në asnjë mënyrë më pak se kaq.

        Turqia dhe terrorizmi islamik jane aq te lidhura sa nje kapele me nje ari polar.

        Unë nuk lidha gjë Turqinë, as turqit dhe terrorizmin islamik me njeri-tjetrin. Unë lidha Erdoganin me rrezikun islamist për Shqipërinë. Gjë krejt tjetër.

Lini një Përgjigje te Ardian Vehbiu Anuloje përgjigjen

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: