ATËSIA E NJË FJALE

Më tërhoqi vëmendjen diskutimi i tanishëm për origjinën e fjalës demokraturë – të formuar nga kombinimi “krijues” i fjalëve demokraci dhe diktaturë. Madje një koleg vërejti se kjo fjalë është “sendërgjuar nga sociologu francez Gérard Mermet” në një vepër me atë titull.

Figura leksikore si demokraturë i kanë quajtur “fjalë portmanteau” – mes shembujve më të njohur do të përmendja smog (smoke + fog) dhe motel (motor + hotel); ose tani së voni Brexit. Jo të gjitha këto e fitojnë statusin e fjalës; disa mbeten të ngrira në përdorimin e tyre të vetëm, njëlloj si metaforat poetike që rrallë shndërrohen në metafora kuptimore.

Çfarë i ndryshon nga kompozitat, ose fjalët e përbëra është se kombinimi nuk ndjek ndonjë rregull morfologjik, por i bindet më shumë veshit “muzikor” të krijuesit.

Sa për ndërkombëtarizmin demokraturë, fjala sugjeron vetveten; prandaj edhe nuk është çudi që t’i dalin atësi të ndryshme. Mund të ndodhë që një publicist ta krijojë dhe ta përdorë, i bindur se e ka nxjerrë nga duart e veta, dhe pastaj ta gjejë të përdorur dhjetëra vjet më parë.

Me pak kërkime që bëra, pashë se mes etërve të termit në politologji përmenden uruguajani Eduardo Galeano por edhe Predrag Matvejeviç; Jean-François Revel dhe këngëtari reggae nga Bregu i Fildishtë, Alpha Blondy.

Lexova edhe se komediani gjerman Dieter Hildebrandt e ka përdorur këtë fjalë në vitet 1960, për të përshkruar politikat e qeverisë së Konrad Adenauerit.

Rastësisht ndesha edhe në pretendimin e artistit italian Fabrizio Loschi, i cili ka deklaruar se fjalën democratura e ka shpikur ai, 15 vjet më parë (në Gazzetta di Modena).

Pyetja që mund të bëhet këtu është nëse do t’i lejohen fjalës atësi të ndryshme, apo do të qëmtojmë kronologjinë absolute si kriter vendosës?

Zgjidhja më logjike do të ishte që autorësia t’i njihej atij politologu që jo vetëm e ka përmendur fjalën, por edhe e ka analizuar në mënyrë shterruese – francezi Gérard Mermet vjen këtu në vështrim me përparësi, si autor i veprës Démocrature. Comment les médias transforment la démocratie.

Por le të mbajmë parasysh edhe se fjalë të tilla si demokraturë – me format sipas gjuhëve përkatëse – nuk është se krijohen a shpiken, si të ishin vepra arti ose vegla a makina të reja; por më shumë zbulohen nga mendjet, në momentet kur lind nevoja për to.

Autorëve, si të thuash, do t’u mjaftonte të mihnin në gjuhë, për t’i gjetur – në kohën e dukur, ose kur konceptin e servir në tabaka historia. Suksesi i tyre, ose “shpikja” e disahershme anembanë globit, është edhe ajo provë e suksesit të tyre.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin