KAVALIOTI I PAFAN (II)

Kumtesën e Xh. Lloshit në konferencën kushtuar Voskopojës, të botuar pastaj te “Dita”, e ndoqi sakaq një shkrim i Shenasi A. Ramës[1], “Kthim nga etnia: mbi një shkrim të dr. Xhevat Lloshit mbi Kavaliotin” që doli te “Bleta Shqiptare” dhe më pas u mor edhe nga “Dita.” Për Sh. Ramën, pozicionimi i Lloshit ndaj Kavaliotit është “shkrim me shumë vlerë dhe një shenjë kthese në studimet shqiptare.”

Po pse kështu? Sh. Rama i tregon menjëherë letrat – për të, Kavalioti është figurë “antishqiptare”, një “prift vllah ortodoks” që “ka vepruar si agjent i hapur i Rusisë në Ballkan”. Madje rëndësia e madhe e polemikës dhe e ndërhyrjes ndreqëse të Lloshit është se ky “guxon e pyet nëse Kavalioti ishte shqiptar apo jo.” Sh. Rama i kujton lexuesit se identifikimin si vllah dhe jo shqiptar – ose në daçim – demaskimin e Kavaliotit e ka ndërmarrë edhe ai vetë, para Xh. Lloshit, në disertacionin e vet; por Lloshi pati guximin që ta bëjë këtë në Tiranë, “ku ka një ngrehinë mashtrimi gjigande lidhur me historinë e shqiptarëve.”

Dhe pikërisht, “gjatë këtyre 100 e ca viteve, ne kemi qenë të sunduar nga pakica dhe bashkësi që parësore nuk e kanë pasur kombin shqiptar […] Kjo çoi në krijimin dhe shtrembërimin e identiteteve të njerëzve që kishin punuar dhe vepruar në shtetin shqiptar duke i paraqitur si shqiptarë, edhe kur në mënyrë flagrante ishin joshqiptarë dhe punonin kundër shqiptarëve. Rasti i Kavaliotit është rasti ndër më flagrantët e manipulimit të idesë etnike dhe kombëtare.”

Tani, meqë Sh. Rama e di që Kavalioti ka jetuar në shekullin XVIII, kur jo vetëm që nuk kishte “shtet shqiptar” dhe as njerëz që “punonin dhe vepronin atje” por edhe vetë identiteti “shqiptar” si i tillë sapo kish nisur të ngjizej, unë këtë arsyetim të tij e shpjegoj kështu: shtrembërimi i identitetit të Kavaliotit nga historianët dhe albanologët është simptomë a metaforë i asaj çfarë ka ndodhur me kamuflimin ose mimetizimin e pakicave jo-shqiptare në krye të shtetit shqiptar gjatë këtij shekulli.

Nëse ka pasur nga paria shqiptare përfaqësues të pakicave që kanë vepruar kundër interesave të shqiptarëve, këtë nuk e diskutojmë dot këtu; por po mjaftohemi të vëmë në dukje se historia njëshekullore e shtetit shqiptar ka dëshmuar madje provuar, më se një herë, që shqiptarët “etnikë” nuk u kanë lënë gjë mangut të tjerëve, ose atyre që shosha e Sh. Ramës do t’i kish lënë jashtë kombit, kur ka ardhur puna për të vepruar kundër interesave të shtetit shqiptar dhe të kombit shqiptar. Me fjalë të tjera, të jesh apo jo “pakicë”, madje edhe sipas përkufizimit të Sh. Ramës, nuk ngre peshë në identifikimin e “antishqiptarëve”; përveçse po të duam t’i quajmë pakicat si antishqiptare a priori, ose me përkufizim.

Sh. Rama e quan Kavaliotin “antishqiptar” dhe “agjent të Rusisë në Ballkan”; unë nuk di se çfarë ka bërë ky në Voskopojë, për ta quajtur të tillë – aq më tepër që, në shekullin XVIII, përpjekjet për përhapjen e ortodoksisë dhe të arsimit të bazuar në ortodoksinë greke në Ballkan nuk ka arsye të quhen “antishqiptare”, sa kohë që këto nuk është se binin ndesh me përpjekje të së tjerëve, në kah të kundërt. Madje edhe po të ketë vepruar Kavalioti si “agjent i hapur i Rusisë në Ballkan”, kjo nuk e shndërron automatikisht në “antishqiptar”: interesat e Rusisë në atë kohë mund të kenë qenë anti-osmane, por jo anti-shqiptare; dhe Sh. Rama nuk di të ketë thënë dhe as shkruar gjëkundi që, në shekullin XVIII, interesat osmane në trojet shqiptare përkonin me ato të shqiptarëve en bloc.

“Këto bashkësi dhe pakica”, shkruan më tej Sh. Rama, “janë munduar shumë të stisin rrënjët e identitetit të tyre si shqiptarë edhe kur nuk kanë pasur asgjë të përbashkët me etninë shqiptare apo me idenë kombëtare shqiptare” madje edhe tani “shohim gjithfarë antishqiptarësh që shiten si më shqiptarë se ne që jemi të tillë nga gjaku, sepse njohin gramatikën e Androkli Kostallarit.” Kjo ka lejuar, përfundon autori, që identiteti shqiptar të kthehet “nga një identitet etnik, në një identitet të mbështetur te gjuha.” Më qartë se kaq nuk bëhet: përballë dilemës gjuhë apo gjak, Sh. Rama zgjedh gjakun, si faktor themelor të përkufizimit të “identitetit shqiptar.”

Edhe tek ata që “janë marrë me Voskopojën” dhe janë bërë “vegla të antishqiptarëve të tërbuar që sundonin shtetin shqiptar” dhe që “Lloshi i përmend me emra”, Sh. Rama sheh “vegla të kësaj agjende shumëbreznore antishqiptare të pakicave dhe të bashkësive që jetojnë me ne.”[2] NE, në këtë kontekst, do të ishin shqiptarët e identifikuar në bazë të gjakut – dhe jo, ruajna Zot, në bazë të përkatësisë fetare, prejardhjes gjeografike a dialektore, ose një tradite kulturore specifike.

Koherent në qëndrimin e vet, Sh. Rama i quan absurde identitetet e përziera, të tipit “vllah shqiptar”; “nuk ka identitete të tilla realisht,” shpjegon ai; duke e kundërshtuar përcaktimin që Xh. Lloshi ia bën Kavaliotit, kur e quan këtë “arumun shqiptar.” Ky autor duket se nuk e pranon mundësinë që një identitet të ndryshojë me kalimin e kohës ose me evoluimin e kontekstit social dhe historik; dhe as që dikush të identifikohet dyfish; madje edhe në rastin e shqiptarëve dhe të vllehëve, të cilët si rregull kanë bashkëjetuar paqësisht dhe kanë shkëmbyer mes tyre jo vetëm mallra dhe kulturë, por edhe nuse (gjak).

Dhe këtu vjen në vështrim vetë statusi i Voskopojës në Ballkanin e shekullit XVIII –qytet etnikisht i përzier, arumun dhe shqiptar, i varur politikisht nga Porta e Lartë dhe kulturorisht nga Kisha Ortodokse; por që megjithatë lulëzoi, me gjasë pikërisht falë këtyre “identiteteve të përziera”, të cilat i shërbyen krijimit, në rrjedhë të viteve, të një identiteti të fortë qytetar (që do t’i bënte banorët e Voskopojës të identifikoheshin para palëve të treta, fort dhe haptazi, si “voskopojarë”); ose një komunitet ku përkatësitë etnike, ose të gjakut, luanin rol më pak të rëndësishëm se pozicioni social, funksioni në gjirin e komunitetit dhe të bashkësisë profesionale dhe lidhjet jo-gjeografike me bashkësi të tjera, karakteristike për qytetet tregtare. Madje bash për këtë dukuri cilësisht të re, që përfaqësonte Voskopoja në Ballkan, historiani Pëllumb Xhufi – të cilin Sh. Rama me siguri nuk e përfshin në “jeniçerët, bizantinët, grekomanët, rusofilët, italofilët, turkoshakët e me radhë” – e quan shekullin XVIII “shekullin e Voskopojës”, te një monografi së cilës do t’i kthehem në pjesën e tretë të këtyre shënimeve. Unë do të shtoja se pa Voskopojën, si dukuri komplekse, që përfshin demografinë, ekonominë, strukturat sociale, kulturën dhe arsimin, Rilindja kombëtare shqiptare, të paktën në Shqipërinë e Jugut, nuk do të kish qenë aq e suksesshme, të paktën në lëmin kulturor[3].

Sh. Rama nuk duket të jetë i këtij mendimi – për të Voskopoja shërbeu si qendra e lëvizjes pro-ruse në bashkësinë ortodokse në Ballkan dhe më pas qendra e ortodoksisë së përbashkuar nën influencën ruse; dhe figura si Kavalioti, “duke ndjekur qëllimet ruse, synonin të krijonin një identitet mbietnik dhe fetar ortodoks në Ballkan.” Ky autor nuk sjell ndonjë provë në mbështetje të këtyre tezave – por ndoshta nuk ka qenë vendi dhe po e marr për të mirëqenë se prova të tilla ekzistojnë. Mirëpo, edhe sikur të ketë qenë kështu, dhe Kavalioti t’i ketë shërbyer pikërisht dhe besnikërisht Rusisë në gjakimet e veta teologjike, filozofike, pedagogjike dhe leksikografike, kjo nuk e bën gjë “antishqiptar” – sepse me këtë logjikë, të gjithë ata që i hapën shtegun pavarësimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane do të dilnin të tillë, sa kohë që bashkëpunonin me fuqi të tjera të mëdha për të arritur synimet e tyre. Kujtoj këtu se edhe një pjesë e Rilindësve tanë të shekullit XIX, në të dy anët e Adriatikut, dhe pavarësisht nga grupi i gjakut, përkrahnin idenë e integrimit të shqiptarëve dhe të grekëve në një shtet, në bazë të interesave të tyre të përbashkëta. Nga lartësitë e të sotmes, ne gjykojmë se e kanë pasur gabim; por kjo nuk i bën ata tradhtarë, as anti-kombëtarë.

Për Sh. Ramën, megjithatë, përpjekjet e rusëve për të ndikuar zhvillimet në Ballkan – le t’i marrim të mirëqena, në rastin e Voskopojës – ishin “përpjekje pastërtisht antishqiptare dhe në dëm të interesave të shqiptarëve si etni.” Po pse vallë? Autori e shpreh mirë qëndrimin e vet emocional ndaj kësaj çështjeje, por pa e shoqëruar këtë shfrim me argumente: nëse Voskopoja do të bëhej, hipotetikisht, vatër e një lëvizjeje anti-osmane të frymëzuar nga Rusia, pse do të ishte kjo në dëm të interesave të shqiptarëve ortodoksë? Aq më tepër në rrethanat kur Fanarit i përkonin interesat me Portën e Lartë dhe prej ortodoksisë greke nuk pritej (akoma) ndonjë përpjekje kundër sundimit osman? “Voskopoja ka qenë dhe mbetet një çiban i huaj për etninë tonë shqiptare,” përfundon Sh. Rama; por e ka gabim. Për shqiptarët ortodoksë të Shqipërisë së Mesme (Elbasanit) dhe të Jugut, të cilët i gjeje me mijëra edhe në Voskopojë, lulëzimi ekonomik dhe kulturor i këtij qyteti mund të ketë qenë një rreze drite dhe shprese, në atë masë që këta nuk e donin sundimin osman, ose e shihnin atë si diçka të huaj dhe mbytëse. Po ashtu do të ketë qenë edhe për vllehët ortodoksë të Jugut, të cilët, sa i përket qëndrimit ndaj sundimit osman, kishin interesa të përbashkët me shqiptarët ortodoksë. Në këtë perspektivë, mua më duket se Voskopoja përgatiti terrenin – sado tërthorazi – për lëvizjen kombëtare shqiptare të Rilindjes një shekull më pas.

Ka interes të shihet edhe raporti midis dy ndërhyrjeve – asaj të Lloshit, dhe kësaj të Sh. Ramës: atje ku Lloshi dekonstrukton (ose “çmitizon”) një figurë individuale si Kavalioti, duke shpjeguar se ky nuk është autor shqiptar, meqë jo vetëm nuk e kish shqipen gjuhë amtare por edhe as shkroi ndonjëherë shqip, Sh. Rama shtyhet më tutje, e absolutizon kriterin e “gjakut” si faktor parësor në identitetin shqiptar dhe përjashton nga ky identitet jo vetëm një individ, Kavaliotin, por edhe bashkësi të tëra, si “vllehët”, që sipas tij kanë ditur të mimetizohen si shqiptarë, për të marrë kontroll të fateve të shqiptarisë.

[vijon]

Pjesa e parë e kësaj serie mund të lexohet këtu.

© 2017, Peizazhe të fjalës.


[1] Doktor i Shkencave Politike nga Columbia University dhe Profesor klinik në programin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në New York University në SHBA.

[2] Mes këtyre edhe Alfred Uçi, të cilin Sh. Rama e identifikon si “vllah” dhe “me demek kokë e madhe [e] shkencës antishqiptare.”

[3] Këtu nuk duhet lënë jashtë as roli i rëndësishëm i veprimtarëve arumunë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare shqiptare. Sh. Ramës mund t’i duhen absurde emërtimet e përziera të tipit “vllah-shqiptar”, por një pjesë e kolonive shqiptare që mundësuan Rilindjen – si ato të Sofjes, të Bukureshtit, të Misirit dhe të vetë Stambollit, këtë lloj përzierje e kishin në themelet e tyre; pa sjellë pastaj fare në vështrim përbërëset greke, vllahe dhe sllave në kulturën e arbëreshëve të Italisë, të cilat i ka shkoqitur me nge Arshi Pipa.

4 Komente

  1. Debati rreth vleresimit te Kavaliotit me intrigoi sepse ende kam te fresket pasionin me te cilin fliste i ndjeri prof. A.Uçi rreth kontributit te tij. Asokohe ne ishim studente. Emrin e Kavaliotit e degjonim per here te pare , ne kushtet kur fjala e autoriteteve si Uçi nuk vihej ne dyshim e kur keto punerat e minoriteteve dhe identiteteve te shumefishta plasen pas vitit 90-tes, ne si stidente nuk vinim ne dyshim asgje nga cfare thuhej.
    Por mbaj mend njelloj habie per faktin sesi ” ky kollos i mendimit filozofik, ky drejtues i te vetmes Akademi ne Ballkan” , nuk ishte i popullarizuar , kur ne piedestal ishin ngritur governatore Libani me nje vjershe per Shqipnin.
    Te ndodhur peeballe hapsirave bosh ne procesin tone historik , kemi sajuar idhuj te rreme , i kemi mitizuar dhe nga ana tjeter, profile e figura qe rrine mire ne histori, u nxjerrim bishtra e i çmitizojme.
    Figura e Kavaliotit eshte e lidhur me Akademine dhe Akademia qendron brenda Voskopojes si qender zhvillimi . Por rrezatimi Voskopojes ne zhvillimet e kohes dhe mepastaj nuk mund te sherbeje si mantel per Kavaliotin dhe vlerat e Voskopojes nuk jane atribut automatik per cdo dhespot apo dhaskal qe ka kaluar ne Akademi.
    Rreth tij ka mjaft pikpyetje per etnine, gjuhen qe fliste , vendlindjen, shkollimin .
    Edhe nese fliste shqip dhe ne fjalorin e tij ka fjale shqip, ta ekzagjerosh rolin e tij dhe ta quash ” mendimtar shqiptar te shquar, iluminist” eshte njelloj si te quash Janullatosin “patriot te madh shqiptar ” vetem se ne liturgjite e kishes ortodokse perdor shqipen dhe se Kisha Ortodokse ka kontribute ne zhvillimin e vendit.
    Edhe “kontributi ” ne filozofi duket nje ekzagjerim sepse doreshkrimet e tij duken si konspekte dhe komente per filozofine e Dekartit.
    Prof Lloshi e quan Kavaliotin ” vlleh shqiptar” por nuk ka asnje deshmi per vetedijen e tij “edhe shqiptare”. Aq me teper qe ne kohen e tij dhe nisur nga roli si mesimdhenes brenda sferes se ortodoksise dhe kultures greke, identiteti fetar ishte dominues.
    Ceshtja e Kavaliotit vjen ne kontekstin e klimes se maisur, kur shqiptaristet shikojne me dyshim dhe denigrojne çdo kontribut vlleh dhe nga ana tjeter, identitetet fetare dhe partikularitet kane lulezuar ethshem ne kurriz te identitetit kombetar.
    Nga te dhenat e deritanishme, Kavalioti nuk ka perse te vendoset ne nje piedestal aq te larte dhe si pjese e mendimit shqiptar. I mjafton nje hapsire , kur flitet per Akademine e Voskopojes, si mesimdhenes dhe kaq. Vlleh, shqiptar apo vlleh-shqiptar pak rendesi ka.

  2. Nqs me lejohet te nderhyje , eshte goxha intrigante ceshtja e Voskopojes dhe ne vecanti ajo e marrdhenies vllaho-shqiptare ( ketu po menjanohem dukshem nga thelbi i diskutimit, te me ndjeni ), po te shqyrtosh nga pikpamja etnike perberjen e popullsise Voskopojare te Shek ’17 -te , duhet domosdoshmerishte t’ju referohesh Deftereve Osman te 1560,1583 e me rradhe , pra nga 5 lagje me 1560 (me rreth 300 familje), dy kane referenca te qarta etnike ne baze te emrit te mehalles; Mecovik ( nga vllehet e Metsovo te Pindit) Dhe Arnavut .Pra qartesisht pjesa derrmuese e popullsise ishte arumune , por shtrohet pikepyetja me kalimin e dhjetvjecareve dhe me zhvillimin e vrullshme popullsia u shumfishua, te ardhurit cfare ishin etnikisht ?! Vlleh nuk mund te ishin te gjithe !!Per te konkretizuar ndopak argumentin , nje mik i imi Korcar nga Voskopoja sipas historise familjare , me origjin te larget ishin nga Berati (Arberore/Arbinesh ortodokse) te ardhur ne Voskopoje ne fund te shek ’17-te , sa raste te tilla do kete pasur ?! Kesisoj i meshoj idese se ai fjalor tre gjuhesh i Kavaliotiti pasqyron terthorazi edhe realitetin etnik te qytetit te Voskopojes.Ketu dua edhe te nxjerre ne pah dukurine e bashkejeteses-simbiozes Vllaho-Shqiptare pervec zones se Pindit qe ishte kryekeput vllahofone , vendbanimet e tjera me prani arumune ishin kryesishte te perzjera,ne shumicen e rasteve me Arberore ;Reka,Frasherit,Mastorohoria,Negovani,Bellkameni,Krushevo etj dmth raste analoge me ate te Voskopojes ka me teprice, rasti me kuptimplote eshte ai i Karaguneve(Gunzinjeve) te Thesalise , qe mendohet se jane fryt i nje perzjerje arumune-arberore gjithashtu edhe te ashtuquajturit Arvanitovllahet , qe me gjasa mund te kene pasur edhe elemente arberore (Dygjuhesia vllahishte-shqip eshte prove deftuese). Personalishte , per mua opsioni me tundues e bindes nuk eshte ai i perjashtimit apo monopolizimit , perkundrazi fakti qe nje komunitet etnikisht i perzjer zhvillon e levron nje qyteterim e kulture te perbashket , me tingellon Historikisht dhe Moralishte me realiste.

  3. Po te kemi parasysh semundjen qe po kalon shoqeria shqiptare dy dekadat e fundit, patriotizmin folklorik (sic e kane quajtur), semundje qe duket se po kalon avash-avash gjate ketyre viteve te fundit dhe edhe disa vjet mund te shfaqi simptomat e saj, nuk kemi pse te cuditemi nga shkrimi i prof. tone shqiptar, Xhevat Lloshi, dhe ngulmimi qe ai i ben etnise dhe aktivitetit patriotik te T. Kavaliotit.
    Gjithashtu, po te kemi parasysh se Sh. Rama ka ngecur ne Amerike dhe i painkuadruar ne karreiren politike shqiptare, (ndonese edhe mund te jete kthyer keto dy vjetet e fundit), kuptohet pse dhe sa atij i rreh tek rreziku ruso-sllav i Kavaljotit nga Voskopoja e viteve 1700!
    Jam i sigurte, se po keta qe sot tregohen si patriote te medhenj, si anti-ruse dhe anti-Putine te vecante, kane qene po ata dje qe tregoheshin si njerez besnike te partise.

  4. Shkrimi “Kthim nga etnia” nuk e nderon profesor Ramën. Po hiç fare ama. Një diskutim akademik, serioz dhe i civilizuar mbi një personazh të historisë dhe mbi ngjarje historike të para 250 viteve, ku kanë kontribuar një numër i konsiderueshëm intelektualësh shqiptarë – edhe Shinasi Rama vetë mes tyre – tani përdoret prej tij si trampolinë për t’iu përveshur pakicave dhe bashkësive etnike në Shqipëri, atyre reale dhe atyre imagjinare, në botën e Ramës, të bashkuara këto në një konspiracion 100 e ca vjeçar, me një “agjende shumëbreznore antishqiptare të pakicave dhe të bashkësive që jetojnë me ne” për të sunduar shqiptarët nga antishqiptarët. Është një shfrim (a rant) i Sh. Ramës, sa i pamerituar kundër pakicave, aq dhe i padenjë për profesor Shinasiun, që, të paktën për mua, e diskretiton edhe kontributin e Ramës në këtë diskutim, edhe nacionalizmin nën petkun e të cilit bëhet ky shfrim dufi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin