ZAMIRI

nga Ajkuna Dakli

Kjo që po vjen drejt furrës është gjyshja e Zamirit. Është e bëshme e rrumbullakët dhe (sigurisht) e zeshkët.

Për çudi shtëpia e saj ndodhet mu përballë furrës. Them për çudi sepse lagja e tyre fillon nja dyzet shtëpi më poshtë dhe shkon deri te stacioni i trenit.

Të dy lagjet, e jona dhe e tyrja kanë të njëjtin emër dhe nuk ndahen me kufi por sapo kalon shtëpinë e parë kuptohet menjëherë që ke hyrë në lagjen e tyre.

Shtëpitë janë të ngushta, pa oborr, dhe të gjitha të mbështetura në murin e rrugës. Dyert janë gjithnjë hapur. Para derës kanë një gur të madh ku gjithnjë sheh ulur gra ose burra që kundrojnë udhëtarët që shkojnë ose vijnë nga treni. Fëmijë të vegjël të zbathur hyjnë e dalin nëpër shtëpitë nga të cilat bisedat dëgjohen deri në rrugë. Ditën e rrogave ka aheng. Kur vdes njeri, një grua me një tepsi del te dera dhe shpërndan hallvë për kalimtarët. Tregojnë, që njëherë një kalimtare, pasi hëngri nga një top hallvë pas çdo pyetje për të vdekurën, sa vjeç ishte, sa fëmijë la pas, nga se vdiq, etj , etj e mbaroi gjithë tepsinë.

Përveç këtyre ka edhe gjëra të tjera që ndryshojnë si për shembull profesionet e banorëve të kësaj dhe asaj zone. Zakonisht banorët e asaj ane bëjnë punë krahu. Nuk di te ketë prej tyre inxhinierë, mësues e aq më pak drejtorë ose njerëz në pozitë. Po këto gjëra unë nuk i di mirë se jam akoma e vogël.

Gjyshja e Zamirit i kalon me ngut ato dhjetë hapa që e ndajnë derën e saj nga dera e furrës dhe fillon të flasë pa hyrë mirë. Nuk ka sjellë ndonjë tavë. Mesa duket mes prindërve të Zamirit ka plasur ndonjë sherr tjetër.

Gjyshja ime e përshëndet shkurt dhe kthehet nga furra, merr lopatën e gjatë prej druri, nxjerr tavat me radhë që t’i kontrollojë mos digjen pastaj i fut prapë. Gjyshja e Zamirit vazhdon të flasë pa pika e presje.

Ajo thotë që nëna e Zamirit është e çmendur dhe bën sherr për çdo gjë. Pastaj thotë që babai i Zamirit nganjëherë pi më shumë se ç’duhet. Ajo që ai pi më shumë se ç’duhet duhet të jetë raki ( jo ujë) sepse unë kam dëgjuar të thonë që është pijanec. Nja dy herë e kam parë edhe vetë kur kthehet në shtëpi duke iu marrë këmbët.

Këto bisedat me sherre s’më pëlqejnë hiç.

Dal dhe kërkoj me sy Zamirin. Ai është ulur mbi shkallët prej çimentoje të verandës që ndodhet përpara dyqaneve. Në anën tjetër të verandës ndodhet porta e oborrit të shtëpisë së gjyshërve të mi.

E gjithë rruga që fillon që nga gërmadha e xhamisë e deri në fund te stacioni i trenit duke përfshirë edhe lagjen e tyre vjen i bën pazaret këtu.

Pikërisht për këtë punë pra, për një vend ku njerëzit të rrinë e të presin në radhë, meqë pritjet mund të jenë shumë të gjata, qeveria ka ndërtuar përpara dyqaneve këtë verandën e madhe të shtruar me çimento me tre shkallë nga të dy anët ku njerëzit venë shenjën e radhës, presin dhe fjalosen.

Gjyshit nuk duket se i pëlqen shume kjo afërsia e dyqaneve. Shpesh plas sherri dhe fillojnë të sharat me zë të lartë që në pikë të mëngjesit. Atij nuk i pëlqejnë të thirrurat me zë të lartë dhe thashethemet sepse është shumë serioz dhe i heshtur. Nuk thotë gjë, vetëm nganjëherë e vërej që mërmërit nëpër dhëmbë diçka që unë nuk e kuptoj.

Gjyshja nuk shpreh as pëlqim as mospëlqim. Mua për vete kjo veranda më pëlqen shumë se aty luaj sa herë vij te gjyshërit.

Gjyshja thotë se kopshti ka qenë i madh deri aty ku janë shkallët e dyqaneve sot, po qeveria i mori një copë të madhe për të ndërtuar dyqanet. Kështu shpjegohet ajo formë e çuditshme e kopshtit: dy barqe të mëdha lidhur me një si rrip të ngushtë. Dyqanet janë katër në rresht: bulmet, ushqimore, mish, bukë.

Dyqani i bukës është më i afërti pas furrës , pastaj vjen i mishit – më i qeti. Ai i bulmetit është më i zhurmshmi vetëm herët në mëngjes kur njerëzit zënë radhën e qumështit ose ditëve kur vjen djathi.

Se si është kjo historia e marrjes nga qeveria të shtëpive të njerëzve kur i duhen, unë nuk e di mirë. Shumë e ndërlikuar. Sa herë pyes të mëdhenjtë, ose janë të zënë me punë ose ndërrojnë bisedë. Kjo m’i bën gjërat në kokë akoma më rrëmujë se ç’janë kështu që kam vendosur të mos pyes më.

Nuk e di mirë as pse gjyshja ime e la mësuesinë për t’u bërë furrxhie. Edhe kjo mbetet nga pyetjet pa përgjigje. Po nganjëherë është kot të pyesësh sepse të mëdhenjtë i shmangen përgjigjes.

Pastaj, kjo puna e gjyshes në furrë është shumë interesante për mua.

Unë rri te cepi i furrës, aty ku janë ca rafte lyer me të gjelbër ku nganjëherë gjyshja ve tavat që nuk janë marrë në kohë dhe shikoj dritën e kuqe që duket nga gryka e furrës duke mbajtur një vesh te bisedat e të rriturve.

Historitë që gratë e lagjes sjellin në furrë më duken si gjellët që piqen nëpër tava. Ca hahen ca nuk hahen fare. Po shprehjet dhe pasthirrmat gjithnjë me pëlqejnë si avulli që vjen nga tavat e pjekura.

Zakonisht bisedat bëhen mes sehirxhinjve që sjellin, marrin ose presin tavat.

Gjyshja është gjithnjë e zënë ose me pjekjen, ose me mbushjen e furrës me tallash, ose me dru sipas rastit dhe nuk ia ka shumë ngenë muhabeteve. Herë pas here ajo kthehet nga ata që flasin, fshin duart në përparëse edhe u jep përgjigje.

Në verandë ka rënë dielli. Tani është kohë dreke, dyqanet janë hapur, po s’ka njerëz fare dhe është qetësi. Qumështi ka ardhur dhe është shitur me kohë dhe do ca orë derisa të zihet radha për mëngjesin tjetër. Tushi, shitësja, ka mbështetur bërrylat në banak dhe po shikon jashtë.

Zamiri është ulur pranë meje te shkallët. Hedh nga një vështrim herë pas here nga dera e shtëpisë së tij brenda së cilës duhet të jetë duke u zhvilluar ai sherri i madh po nuk thotë gjë. Pastaj kthen kokën me kaçurrela në një anë dhe më thotë të luajmë e ka kush e ka.

Unë pranoj me kusht që të mos largohemi shumë që aty.

Zamiri nuk duket se lexon libra. Nuk di fjalë interesante. Nuk i ka notat e mira. Kjo nuk më çudit shumë, se njeriu s’ka si të mësojë kur e kalon gjithë pasditen në rrugë. Po prapë Zamiri më pëlqen. Mbase ngaqë nuk përpiqet të tregohet “si i fortë” me gocat, siç bëjnë rëndom çunat e tjerë.

Mërzitem me “e ka kush e ka”. I them të luajmë pafkash. Marr një shkumës dhe vizatoj ca katrorë të mëdhenj mbi çimenton e verandës.

“Ej, po ajo është lojë gocash “ thotë Zamiri dhe qesh me gojën e madhe dhe kokën pak anash siç e ka zakon.

“Zamir!” them unë me ton autoritar.

“Mirë, mirë” thotë Zamiri dhe zbret në rrugë për të kërkuar një gur të sheshtë që ta përdorim si pafkë.

Te dera e furrës, gjyshja e Zamirit ka një copë herë që ka filluar të dalë, po nuk duket se biseda do mbarojë së shpejti pasi ajo vazhdon të flasë duke qëndruar në mes të hyrjes, as këtej as andej. Gjyshja ime është gjithashtu te dera. E dëgjon pa folur me duart mbështetur në bel dhe tund kokën. Shpresoj që tavat mos jenë duke u djegur.

Një grua me një tavë në dorë vjen, përshëndet dhe bën të hyjë. Gjyshja kthehet te tavat e tjera.

Gjyshja e Zamirit kalon për dy minuta rrugën nga furra te shtëpia e saj dhe shtyn derën e shtëpisë. Dera nuk mbyllet plotësisht. Dëgjohen ca të thirrura, pastaj nga dera del babai i Zamirit.

Është bërë “tapë” siç thonë të rriturit. Kjo duket ashiqare sepse këmbët i merren më shumë se kurrë.

Zamiri shtang aty afër derës së tij ku kishte vajtur për të kërkuar pafkën dhe unë mbi kuadratet e vizatuara me shkumës.

Babai i Zamirit e shikon të birin një çast pastaj i fut një shpullë, thotë ca gjëra që s’merren vesh dhe ikën poshtë për nga rruga e trenit duke iu marrë këmbët.

Zamiri nuk flet. Në faqen e zeshkët shenja e kuqe (pesë gishta) duket fare qartë.

Pasi sigurohet që i ati nuk shihet më nga rruga vjen dhe ulet afër meje në shkallët e verandës.

Nuk e vazhdojmë lojën. E pyes pse babi i vet e qëlloi. Pastaj e pyes nëse i dhëmbi po ai nuk përgjigjet.

Rrimë ca minuta ulur mbi shkallë. Nuk di çfarë të bëj. Pastaj i them prit një çikë. Shkoj me vrap në shtëpi hap çantën dhe marr një libër me përralla për fëmijë. Personazhet e librit vuajnë ca, po ama në fund përrallat kanë të gjitha mbyllje të gëzuar.

Dal me vrap dhe ia jap. Ai e hap dhe i sheh figurat. Rrimë dhe ca kohë ulur pastaj ai ikën në shtëpi këmbëzvarrë. Shenja e kuqe i ka mbetur akoma në faqe.

………

Sot kam ardhur prapë te gjyshja. Kanë kaluar disa ditë nga koha e shpullës.

Kërkoj me sy Zamirin dhe e shoh si gjithnjë në rrugë. Nuk po luan. Është ulur te shkallët e verandës dhe po mendohet me kokën e kthyer në njërën anë si zakonisht.

I them a do vish të luajmë, po ai nuk përgjigjet. Çuditem po nuk e zgjas shumë dhe iki sepse dëgjoj zërin e nënës sime që ka ardhur të më marrë. Nesër nisemi për pushime.

Shtyj portën e madhe dhe hyj në sallonin e mesit pa u ndier, si mace, ndërkohë që nëna dhe gjyshja po fjalosin në kuzhinë. Ajo që më zënë veshët më le pa frymë.

Disa ditë më parë në sherr e sipër babai i Zamirit e kishte goditur nënën e Zamirit me thikë. Goditja duhet të kishte qenë në zemër, sepse ajo kishte vdekur në vend. Pas kësaj kishte ardhur policia dhe e kishte marrë babanë e Zamirit në burg. Tashti në shtëpinë e tij kishte mbetur vetëm gjyshja dhe dy motrat e mëdha.

E pyes nënën ç’ka ndodhur dhe ajo më përgjigjet se nëna e Zamirit ka vdekur po nuk jep hollësira. Pastaj fillon të flasë për pushimet.

Kur dalim, kthej kokën po Zamirin nuk e shoh më te shkallët. Ndjej një si ngërç në krahun e majtë të kraharorit.

…………………………..

Për shumë kohë nuk e pashë më Zamirin.

Pasi të ëmën e kishin plasur në varreza dhe të atin e kishin plasur në burg, plaka, dy vajzat dhe Zamiri mbetur pa një kacidhe, kishin shitur shtëpinë dhe kishin gjetur një vrimë për të futur kokën diku në pjesën e poshtme të lagjes, ku banonte soji i tyre hallemadh dhe gazmor.

Zona ime e lojës nuk arrinte deri atje.

Pas disa vitesh, kur isha tashmë studente, duke udhëtuar me trenin Elbasan-Tiranë mbushur si kuti konservash nga turma që avullonte djersë, pisllëk e gjithfarëlloj erërash të tjera, valixhe, çanta, thasë, që vareshin mbi kokat tona nga zgarat e hekurta mbi ndenjëset, ndjeva dikë që me shikonte me ngulm.

Zamiri. Ishte veshur ushtar. I pashëm, i gjatë, i hajthëm me kapelën shtrembër mbi kaçurrelat e zeza dhe kokën si zakonisht të kthyer pak anash.

Po më shihte pa më përshëndetur. Dukej në mëdyshje nëse duhet të më fliste apo jo.

E përshëndeta shkurt me kokë.

Ma ktheu përshëndetjen, pastaj ktheu kokën nga ana tjetër dhe u largua pa e zgjatur duke çarë me vështirësi mes turmës.

Kërshërisë së shoqes ngjitur me mua se ku e njihja atë jevgun “që ishte shumë king” iu përgjigja shkurt me zë të ulët se kishim qenë fqinj. Tjetra shtoi edhe nja dy argumente faktit se megjithatë nganjëherë janë racë e bukur sidomos kur qëllojnë me sy me ngjyrë, pastaj ktheu kokën dhe filloi muhabetin me dikë tjetër.

………..

Duhet të ketë qenë mbase fundi i 1997-ës, një fundjavë kur shkova në shtëpi nga Tirana dhe i bëra një vizitë gjyshes.

Ulur në dhomën e ndenjjes, ndërsa gjerbnim të dyja gllënjkat e kafes, s’di pse mu kujtua Zamiri dhe e pyeta nëse e dinte nga bëhej.

Oh tha ajo, I shkreti Zamir! E vranë para ca muajsh.

E pyeta nëse qe ngatërruar me ndonjë nga bandat e kriminelëve që vërtiteshin rrugëve atë vit.

Nuk qe ngatërruar me askënd tha ajo. E vranë ndërsa po përpiqej të ndihmonte një banor të lagjes sonë që një nga bandat e kishin futur në mes e po e rrihnin në rrugë pasi ia kishin zhvatur gjithë ç’kishte me vete.

I sulmuari kishte shpëtuar. Në polici kishte treguar se nuk njihte asnjë nga ata që e sulmuan dhe as atë djalin që qe përpjekur ta ndihmonte. Gjithçka kishte ndodhur shumë shpejt. Ajo që i kujtohej fare qartë ishte thirrja e njërit nga horrat “Na o jevg qelbur! Na!” ndërsa e godiste Zamirin me thikë. Goditja duhet të kishte qenë mu në zemër, sepse ai kishte vdekur në vend.

 

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin