PASOLINI / DROGA DHE KULTURA

Përktheu: Edon Qesari

Pse drogohet njeriu? Është diçka që s’e kuptoj, por përpiqem ta shpjegoj. Drogohet për mungesë kulture. E kam fjalën, afërmendsh, për shumicën dërrmuese apo mesataren e të droguarve. Është e qartë që drogohet kush përpiqet të mbushë një zbrazëti, atë çka i mungon, që shkakton pështjellim dhe angështi. Diçka që zëvendëson magjinë. Primitivët e pazhvilluar gjenden përherë ballë kësaj zbrazëtie të frikshme, në brendinë e tyre. Këtë, Ernesto De Martino[1] e quan “frikë për humbjen e pranisë vetjake”; kësisoj, pikërisht të prapambeturit e mbushin këtë zbrazëti përmes magjisë, duke i dhënë asaj kuptim dhe vëllim. Në kohët e sotme, tjetërsimi i shkaktuar nga kushtëzimi i natyrës zëvendësohet nga tjetërsimi për shkak të kushtëzimit shoqëror: pasi kalon dalldia fillestare (iluminizmi, shkenca, shkenca e aplikuar, rehatllëku, mirëqenia, prodhimi dhe konsumi), ndodh që i tjetërsuari nis të ndihet fillikat; atij, ashtu si të prapambeturit, i kall datën humbja e pranisë vetjake. Në të vërtetët, gjithsecili prej nesh drogohet. Unë (me ç’di) duke xhiruar filma, të tjerë trullosen me punë të tjera. Veprimi përherë ka luajtur rolin e drogës. “Che” Guevara drogohej nëpërmjet veprimtarisë revolucionare (si ajo e teorizuar nga kastrizmi romantik: vepro, pastaj mendo); gjithashtu puna që shërben për “prodhim” është një lloj droge. Lipset gjithmonë një siguri kulturore që të shpëtosh nga droga; nga ajo e vërteta, e kam fjalën. Të gjithë ata që drogohen janë të pasigurt nga ana kulturore. Rrugëkalimi nga një kulturë humaniste në një kulturë teknike shkakton trazirë në vetë thelbin e kulturës. Ata që e pësojnë nga kjo trazirë janë sidomos të rinjtë. Kjo është arsyeja përse shumë të rinj drogohen. Të mos kesh bazament kulturor, duke mos pasur kësisoj mundësi që të mbushësh zbrazëtinë e tjetërsimit, së paku përmes vetë-shqyrtimit dhe ndërgjegjësimit (vetjak dhe klasor), do të thotë, shkoqur fare, se je i paditur. Trazira në kulturë, në të vërtetë, bën që shumë të rinj të jenë tamam të paditur. Me pak fjalë, të mos lexojnë më, ose të mos lexojnë më me ndjenjë. Por duhet shtuar dhe diçka: të rinjtë e paditur që nuk drogohen, e që madje drogohen përmes veprimtarisë politike të specializuar (e cila është një padije e llojit të veçantë), janë shpesh tinëzarë, të ligj, të pamëshirë, të pakëndshëm: ashtu siç i do kultura teknike neokapitaliste e pashpirt (ndaj së cilës luftojnë). Ndërkaq që shumë të rinj “të paditur” të cilët drogohen janë, në përgjithësi, të mirë, shpirtpastër, mëshirëplotë, tërë zemër, vetëmohues, paqësorë, të butë, besimplotë (njësoj si të pazhvilluarit): kundërshtia e tyre në vetvete, pra ndaj vetë trupit të tyre, është shumë më tmerruese dhe mallëngjyese. Ata po, e meritojnë të jenë në krahun e atyre që japin ndëshkim, nëse do të mund të bënin. Krejt ndryshe nga nxënësit e shkëlqyer të klasës, që flasin njësoj si në libra (e pashpirt) e që kanë shembur urat: e kanë bërë të pamundur gjithë-përfshirjen. Kryengritja e tyre, edhe pse e tmerrshme dhe mallëngjyese, është e kotë: pikërisht se s’ka kulturë, apo gjendet jashtë saj. Pasi, në të vërtetë, është kollaj të jesh i mirë dhe shpirtpastër si të pazhvilluarit, është kollaj të jesh mëshirëplote për shkak të tmerrit që shkakton zbrazëtia ku jeton. Nga ana tjetër (dhe ky është përfundimi dëshpërues) të gjesh lirinë nga kjo “mangësi kulture” apo “interesi kulturor”, duket e pamundur; kjo e ka përgjithësisht prejardhjen, me gjasa, nga njëfarë “frike prej se ardhmes”. Kurrë si sot (kur “parashikimi” është shndërruar në shkencë) e ardhmja s’ka ngjallur kaq shumë mëdyshje, bash si një makth i padeshifrueshëm.


 

Botuar në të përditshmen “Il Tempo”, nr. 53, viti XXX, 28 dhjetor 1968.

[1] Ernesto De Martino (1908-1965), antropolog italian dhe studiues i besëtytnive primitive, i njohur veçanërisht për hulumtimet e kryera në popullatat rurale dhe të paindustrializuara të zonave jugore të Italisë.

5 Komente

  1. Sa aktuale qe jane fjalet e Pasolinit, te cilat vertetojne dhe nje here, largpamesine e tij ne ceshtjet sociale dhe kulturore te rinise, te brezave te atehershem por edhe te sotme. Urime Edon dhe faleminderit qe e solle ne shqip per ne lexuesit.

  2. Atenzione! Atenzione!
    Ky është Pasolini ende në mos kato-komunist paksa reaksionar e etnocentrik, që ka nevojë – sidomos në Shqipëri – për një parathënie dhe kontekstualizim goxha të thelluar. Përndryshe rrezikohet lajthitja e lexuesit …mjafton Kanali i Topit për këtë.

  3. Vertet aktuale keto shprehje te italianit, sepse droga (si ajo specifike ashtu dhe figurative) mbushin boshlleqet e njeriut (dhe njerezimit). Ku ka boshesi, hyn droga, per t’mos len vakum. Ligj i Natyres.

  4. Jam.plotesisht me mendimin e Kodres. Kujdes nga kontestimet e asaj lloj injorace te lodhur shfrytezuese mediatike droguese, per ta interpretuar ndryshe kete trajtese…qe fatkeqesisht na vjen ne dije 50 te vite me pas.

  5. Mund te drogohesh edhe me botoks,mjafton te shohim kukullat e zbrazura te botoksit,te panumerta qe gelojne ne televizionet tona,qe servirin spektalet e menderosura,nje çorbe derrash qe publikut te zbrazur,qe i ndjek,i thellohet zbazetia shpirterore,per nje kenaqesi shterp kallpe te siperfaqshme,ky publik duke krijuar nje idhujtari ndaj”idhujve pa krena”,humbet pranine vetjake,siç shprehet Pazolini,ne perkthimin e shkelqyer,te Edon Qesarit,dhe i dorezohet droges,qe e fut ne nje qorrsokak pa rrugdalje,duke mos harruar 50 vjet komunizem fondamentalist puritan ateist,si askund ne Lindje.

Lini një Përgjigje te romikodraAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin