MENDIME TË PAKREHURA (XXIX)

(nga Stanislaw Lec*)

Ndonjëherë është më lehtë të shohësh në sy vdekjen, se njerëzit.

Etimologjia? Të gjitha fjalët rrjedhin nga ajo ulërima e parë.

Arti i miniaturës po jep shpirt. Kë të zvogëlosh sot?

Me atë tipin mund të flasësh dhe, njëkohësisht, të mendosh. Natyrisht, jo për çfarë po flitet.

Historia përsëritet, sepse na mungojnë historianët me sens krijues.

Në një bombë të vërtetë me sahat, eksplozivi është koha.

Çfarë përfundimesh nxjerrin kaviet nga eksperimenti?

Disa foljeve u mungon e ardhmja.

Truri mund të kish bërë shumë gjëra, sikur të mos i duhej të mendonte.

Ta shkurtojmë metrin. Do të bëhemi më të mëdhenj!

I tregonte gjuhën armikut? Po, duke e lëpirë.

Fjala është krijesë e gjallë, prandaj nuk i duhet marrë erë nga mbrapa.

Ka vende ku një libër kuzhine do të ishte letërsi subversive.

Hyji nuk bën mrekulli. Thjesht bën detyrën.

Kush arrin të vetëvritet, nuk arrin as ta përgëzojë veten për arritjen.

Të bekuara ato kohë kur shkonim te muri veç për të urinuar.

Fëmija gjithnjë sheh mbrapa pasqyrës, vetëm ne të rriturit e pranojmë që jemi të sheshtë.

Arti që kërkon të dalë nga katër muret e shtëpisë shpesh përfundon brenda katër mureve të shtetit.

Shpirtrat delikate avullojnë pa lëshuar aromë.

Sikur t’i besonim, të paktën, të kundërtës së shpifjes!

Manekinët hiqen si njerëz, për të nxitur shitjet.

Kam frikë se vdekja do të na mohojë edhe jetën e përtejme.

Shkrimtarët që shiten më lehtë janë ata që askush nuk ua blen librat.

E kërcënonin: “Do të të mbulojnë lotët e viktimave të tua!” “Lotët janë të pastër,” thoshte. “Nuk lënë njollë!”

Nuk duhet të fillojmë kursimin duke pakësuar sasinë e bonsensit.

Që nga kohët e përmbytjes së madhe, bota lahet vetëm me gjak.

Çfarë nuk ekziston, nuk është mister.

E shkreta kokë e njeriut. I rri ngushtë kurora e krijimit.

Qytetari arrin pjekurinë në sallat e pritjes të pushtetit.

Ca e kanë ngrohur kaq shumë vendin në diell, saqë ky do të mbetej i ngrohtë edhe po të shuhej dielli.

Pulsi i kohës shpesh rreh nën vargonj.


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: