ARTI I KRIJIMIT LETRAR (II)

Mendime përpara një interviste

Nga Italo Calvino

(përktheu Gresa Hasa *)

Ҫdo mëngjes i them vetes: “Dita e sotme duhet të jetë e frytshme” – dhe pastaj ndodh diçka që më pengon të shkruaj. Sot… Ҫfarë kam për të bërë sot? Ah, po! Supozohet që do të më intervistojnë. Kam frikë se romani im s’do të bëj asnjë çap përpara. Gjithmonë ndodh diçka. Ҫdo mëngjes jam i vetëdijshëm se do t’ia dal ta çoj të gjithë ditën dëm. Gjithmonë do të ketë diçka për të bërë: të shkoj në bankë, në postë, të paguaj disa fatura… gjithmonë një lëmsh burokratik me të cilin më duhet të merrem. Teksa jam jashtë, kryej edhe pazarin e ditës: blej bukë, mish ose fruta. Fillimisht, blej gazetat. Me t’i blerë këto, njeriu ulet t’i lexojë sapo kthehet në shtëpi – apo të paktën t’u hedhë një sy titujve kryesorë që më pas të bindet se s’ka asgjë të vlefshme për të lexuar. Përditë i them vetes se leximi i gazetave është humbje kohe, por pastaj… s’bëj dot pa to. Janë si një drogë. Me pak fjalë, vetëm pasdite ia dal të ulem në tryezën e punës, ku janë bërë kapicë letrat që presin t’u përgjigjem, nuk e di më prej sa kohësh, e kjo është një tjetër pengesë për t’u kapërcyer.

Me gjasë, ia dal të ulem që të shkruaj dhe këtu fillojnë problemet e vërteta. Nëse nis diçka nga e para, çka është pjesa më e vështirë, por edhe nëse punoj me një tekst që e kam nisur një ditë më herët, përfundoj gjithmonë në një rrugë pa krye, ku një pengesë e re duhet tejkaluar. Dhe vetëm pasdite vonë filloj më në fund të shkruaj fjali, t’i korrigjoj ato, t’i fshij, t’i ngarkoj me fjali të tjera të panevojshme dhe të rishkruaj. Pikërisht në këtë çast bie zilja e telefonit ose e derës dhe një mik, përkthyes ose gazetar shfaqet. Meqë ra fjala… Këtë pasdite… Intervistuesit… Nuk e di nëse do të kem kohë të përgatitem. Mund edhe të improvizoj, por kam përshtypjen se një intervistë duhet përgatitur paraprakisht, në mënyrë që të tingëllojë spontane. Rrallë një intervistues bën pyetje që ti nuk i pret. Kam dhënë shumë intervista dhe kam arritur në përfundimin se të gjitha duken njëlloj. Mund të jap gjithmonë të njëjtat përgjigje, por besoj se duhet t’i ndryshoj ato, pasi për çdo intervistë diçka ka ndryshuar ndërkohë ose tek unë ose në botë. Një përgjigje që mund të ketë qenë e saktë herën e parë, mund të mos jetë e tillë herën tjetër. Kjo mund të jetë baza e një libri. Mua më jepet një listë me pyetje, gjithmonë të njëjtat; çdo kapitull do të përmbante përgjigjet që unë do të jepja në kohë të ndryshme. Ndryshimet do të përmbanin përgjigjet që do të jepja në kohë të ndryshme. Atëherë ndryshimet do të shndërroheshin në itinerarin, në historinë që përjeton protagonisti. Ndoshta në këtë mënyrë mund të zbuloj disa të vërteta për veten time.

Por duhet të shkoj në shtëpi – pas pak do të vijnë intervistuesit.

Zoti më ndihmoftë!

(vijon)


(*) Origjinali: Italo Calvino, The Art of Fiction, The Paris Review no. 130

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin