TË MBASH NJË QËNDRIM

nga Erion Gjatolli

Brenda flukseve migratore të Shqipërisë post-totalitare, përvojat e grave jashtë vendit nuk kanë marrë vëmendjen dhe studimin që meritojnë, dhe as nuk janë përfshirë në kuadrin po aq të mangët të studimeve gjinore. Është edhe kjo një arsye pse diskutimi mbi gjendjen e grave dhe ndikimin e emigrimit të tyre në vendin e origjinës dhe në shoqëritë pritëse nuk mund të jetë as i lehtë dhe as i njëzëshëm, paçka se bëhet i domosdoshëm sidomos në një periudhë kur çdo ditë dalin dëshmi të reja abuzimesh me sfond seksual, të ushtruara kryesisht ndaj grave.

Një diskutim i këtij rendi u zhvillua para pak ditëve në Tiranë nga disa prej autoreve dhe autorëve të vëllimit “Gra të Shqipërisë. Mes traditës, emigracionit dhe modernitetit” (Com-Nuovi Tempi –Confronti, 2017), një përmbledhje me mbi tridhjetë analiza dhe dëshmi mbi gjendjen e grave dhe të diasporës shqiptare në Itali, ku fjalën e kanë sidomos gratë, shqiptare dhe italiane, disa prej tyre emigrante të brezit të parë dhe të dytë.

Në lidhje me emigracionin, gjatë takimit u theksua se si gratë janë më të ekspozuara ndaj ndryshimeve dhe vështirësive që shkakton shpërngulja në një vend dhe kulturë tjetër duke qenë se pikërisht mbi trupin e tyre luhet loja mes së vjetrës dhe të resë. Mjafton të përmendet debati mbi “islamizmin evropian” që politika dhe opinioni publik përqëndron tek veshjet që një grua mund apo nuk mund të mbajë në punë apo në plazh. Si dhe u përmendën pengesat që ndesh një grua në emigracion për t’i shpëtuar abuzimit në familje kur i ka duart e lidhura nga një leje qëndrimi për bashkim familjar.

Sa i përket Shqipërisë, u përmendën masat e qeverisë për të pasur një përfaqësim të barabartë mes burrave dhe grave, të paktën në politikë, por edhe fakti se barazia gjinore në strukturat përfaqësuese të vendit nuk matet në gojën e burrit që i emëron ato. Gjithashtu u paraqitën si të tejkaluara probleme të hershme, por më se të pranishme edhe sot në vend, si për shembull traditat kanunore dhe struktura thellësisht maskiliste e shoqërisë shqiptare.

Me radhë, në fillim u lëvduan e më pas u hodhën poshtë disa nga klishetë më të abuzuara mbi gratë, si për shembull forca apo fuqia e tyre vendimarrëse, duke qenë se roli dhe modelet që u caktohen grave në çdo shoqëri tradicionale si kjo e jona shpeshherë i paraprijnë edhe lindjes së tyre.

Këndvështrimet mbi gjendjen e grave shqiptare, shpesh të ndryshme dhe në kundërshti me njëra-tjetrën, ashtu si edhe kontradiktat e pashmangshme që shoqërojnë rrugëtimin e vështirë të vendit drejt një demokracie më pak të brishtë, që një ditë të mund t’u garantojë edhe grave ato (pak) privilegje që u lejon sot burrave, përkojnë me skandalet që po tronditin këto kohë industrinë e kinematografisë në mbarë botën, e me të, edhe shumë nga siguritë tona.

Skandale që prekën fillimisht personazhe më pak të njohura, një producent të pushtetshëm si Harvey Weinstein dhe një skenarist gjenial si Mattheu Weiner (të paktën Mad Men ka mbaruar dhe nuk ka gjasa të ndërpritet si House of cards, do të kenë menduar shumë nga të apasionuarit e ngjarjeve në Madison Avenue). Më pas e patën radhën yje si Kevin Spacey apo Louis CK, protagonistë që me talent të padiskutueshëm kanë ngjitur në skenë atë raport mes pushtetit dhe seksit që me sa duket e njihnin mirë edhe në përditshmërinë e tyre, duke rrëzuar – dhe ndoshta nuk ka pse të na habisë – perden midis individuales dhe kolektives.

Nga krisja që shkaktuan akuzat e këtyre javëve në botën e artë të Hollywood-it u duk qartë se abuzimet seksuale i kapërcejnë kufijtë e një shteti apo të një industrie, se ato janë të pranishme në çdo kontekst social dhe profesional, sigurisht edhe në shumë shoqëri që e kremtojnë veten si demokratike dhe të emancipuara.

Sikur të mos mjaftonte, në pellgje mesdhetare, ku shpesh abuzimet ngatërrohen me vardisjet, kur Asia Argento rrëfen përdhunimin nga Weinstein, drejtorë gazetash në shtypin italian shkruajnë se “një llapë vajzat e kanë gjithmonë qejf”[1], ndërsa në televizionin shqiptar debati mbi abuzimet seksuale devijon tek llojet e orgazmës femërore[2]. Një përbuzje dhe nënvlerësim i grave që në të vërtetë mund të vërehet çdo ditë, madje edhe me gratë me pushet. Lexuesit në të dyja anët e Adriatikut rregullisht kanë rastin të shfletojnë galeritë fotografike me fustanet e ish ministres Maria Elena Boschi[3] apo me takat e deputetes Majlinda Bregu[4]. Vëmendje simetrike të shtypit në të dyja vendet por që kurrë nuk i kushtohen asnjërit prej homologëve meshkuj.

Ndërsa në lidhje me dëshmitë e abuzimeve, shpesh opinioni publik përqëndrohet te vonesa e denoncimit, vë në pikëpyetje arsyet e heshtjes dhe hamendëson përfitimet e mundshme prej shantazheve seksuale. Është krijuar bindja se yjet e kinematografisë nuk mund të jenë viktima; se nëse nuk kanë denoncuar menjëherë ose kanë pasur interes ose, tek e fundit, u ka pëlqyer. Në këtë mënyrë harrojmë se në përplasjen me pushtetin, viktimat rrezikojnë të humbin gjithçka dhe se një viktimë, kur vendos të flasë, së pari duhet dëgjuar. Kështu konfirmojmë se viktimat heshtin edhe për shkak të mënyrës se si i trajtojmë; se të denoncosh, edhe sot, mund të kushtojë më shumë se të heshtësh.

Jemi të gjithë të përfshirë

Dallimet e pikëpamjeve që dolën në pah gjatë takimit në Tiranë, të gjitha legjitime brenda një debati dhe një botimi që falë diversitetit dhe kësaj natyre të shumëfishtë sjell një këndvështrim më të plotë mbi gjendjen e grave brenda dhe jashtë vendit, tregojnë gjithashtu se sa i vështirë është ende sot diskutimi mbi çështjet gjinore dhe në veçanti mbi abuzimin dhe diskriminimin, jo vetëm të burrave ndaj grave, por në përgjithësi të njerëzve me pushtet ndaj më të dobtëve. Sepse në thelb, abuzimet seksuale nuk janë abuzime dëshire, siç i justifikojmë shpesh, por në radhë të parë abuzime me pushtetin. Në këtë drejtim, nuk është e vërtetë se gratë nuk abuzojnë apo se qëndrojnë moralisht më lart se burrat, ato janë thjesht më larg pozitave të pushtetit që, me përjashtime të rralla, mbetet tërësisht mashkullor.

Për këtë arsye, përpara se të këmbëngulim për t’u siguruar të drejtën e garantizmit burrave që sot janë nën akuzë, apo të lëshojmë alarmin për gjueti kolektive shtrigash nga njerëz që kërkojnë vëmendje dhe vizibilitet, ndoshta duhe të ndalemi tek roli që ka secili nga ne në këtë fenomen.

Patriarkalizmi i shoqërisë, kuptohet jo vetëm shqiptare, na ka përshkuar të gjithëve, burra e gra, edhe nëse nuk kemi qenë kurrë as viktima, as abuzues. Maskilizmi është uji ku kemi notuar të gjithë, edhe pse mund të jemi rritur apo edukuar në ambiente më të përparuara. Në marrëdhënie profesionale apo afektive, të gjithë jemi ndeshur me një akt dhune, jo detyrimisht fizike: një këmbëngulje pasi dikush ka thënë “jo”, një shaka e tepërt, një ton më agresiv, një shikim i pavend. Të gjithë jemi dëshmitarë se pushteti nuk është i ndarë në mënyrë të barabartë dhe se një dallim biologjik shkakton rregullisht edhe një dallim social. Përballë këtyre padrejtësive të gjithë kemi detyrimin të mbajmë një qëndrim, pasi të gjithë jemi burra ose gra. Në të kundërt bëhemi bashkëfajtorë.

Dëshmitë e abuzimeve të këtyre javëve të fundit janë të çmuara sepse na kanë ofruar të gjithëve – burra dhe gra, nga Tirana deri në Los Angeles – mundësinë për t’u bërë pjesë e një ndryshimi social  që duket sikur ka filluar. Nëse do të vendosim të përfshihemi apo jo nuk ka rëndësi. Siç ndodh rëndom, nga ndryshimet shoqërore përfitojmë të gjithë, edhe atëherë kur nuk kemi marrë pjesë në to.

(c) Autori.


[1] http://www.liberoquotidiano.it/neës/sfoglio/13264213/cunnilingus-vittorio-feltri-asia-argento-e-quella-leccatina.html

[2] https://www.youtube.com/ëatch?v=1RdVFËkkËk0

[3] http://www.corriere.it/foto-gallery/cronache/17_agosto_03/maria-elena-boschi-look-governo-vita-privata-fd5f26b8-7830-11e7-8ef0-c9b41f95269b.shtml

[4] http://www.tiranapost.al/15-foto-si-majlinda-bregu-zilepsi-koleget-e-saj-ne-parlament/

1 Koment

  1. Ashtu, kerrkush nuk do ta perkrahte perdhunimin! Por kjo artiste filmi, kur e denoncoi rastin? Menjehere pasi doli nga hoteli? Apo shume me vone, ku i ngeci karriera? Po ne hotel, pse u dashka vajtur per tu prezantuar? Dhe aq me teper para nje producenti dhe jo vete regjizorit, i cili perzgjedh rolet!? Apo per pagen?!
    Te shkretat ato punetore te skamura, qe shkojne e punojne per nje page minimale neper restorante, punishte te vogla, ku e ku tu dali puna dhe rroga, e te cilat duhet te perballojne (apo mos ti perballojne dot) tentativat e perhershme te shefave dhe pronarve per ti shtene ne dore! Zerin e tyre nuk e di kush e degjon?!? Kush flet per ‘to dhe kush i ndihmon?!? Ndersa kurvat me nam te Hollivudit trondisin boten, sepse nuk po u ecen karriera, pasi kane thyer disa kilometra … !
    Mendoj se duhen denuar te gjithe perdhunuesit, dhe jo pas aq e kaq kohesh, por menjehere!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin