LIBËR MË I RI

Deludhi, Sotir: Delet e fshatit tim, Sh. B. “Buka pa sufllaqe” 2017, fq. 378, studim

nga Arben Dedja

Përveç titullit, ky libër nuk ka asgjë bukolike. Autori, siç e pohon edhe vetë, u ul dhe e shkroi nga dashuria për gjuhën shqipe, aq të keqtrajtuar e të masakruar tash së fundi. Shqipja gjuhë e varfër, e shkruar vonë, në rrezik? Aspak! Thotë Profesor Deludhi:

Pa të marrim e t’i trajtojmë njëherë pa doreza pasuritë e saj të thella, leksikun e pasur që gjyshërit tanë, barinj të rrafshnaltave epike, përdornin për të dalluar delet e kopesë, për shembull! Numri i këtyre fjalëve – ndonëse mbërritur i gjymtë – është aq i pasur e i larmishëm sa do të mjaftonte, i vetëm, për ta shtuar leksikun tonë të mrrudhur nga dyndjet e huaja me disa mijëra fjalë autoktone më shumë. Balë, bejkë, briçe, hutë, kaçe, kërrutë, larë, leke, lepe, llashkë, llajë, mazhë, miskë, skuqe, syskë, sykuqe, sharkë, shytë, thinjë, zekë… etj., etj., nuk janë fjalëshpejtëza, por gurë të rëndë në themelet e gjuhës sënë.

Vazhdon autori:

Nganjëherë dallimet midis deleve janë të holla, gati të padukshme për ne, dystabanët: por shpirti piktorik i të parëve tanë nuk lë rast pa na mrekulluar: syskë, është një dele e bardhë me rrathë të zinj rrotull syve, kurse sykuqe, pavarësisht nga emri, është prapë një dele e bardhë, por kësaj radhe me njolla kafe rrotull syve. Nganjëherë një emërim krejt i thukët mban përbrenda, si hieroglif, një përshkrim që do të desh përndryshe dhjetra fjalë (për shembull: leke = dele këmbëshkurtër me pulla të vogla të verdha poshtë syve dhe me nga një njollë kafe në të dy faqet).

“A i memorizuat ndoca këto fjalë?” – pyet autori në kapitullin mbi sinonimitë. – “E pra, kjo listë mund të dublohet kollaj në qyen tjetër të të njëjtit mal. Përse bariu fqinjë duhet të përdorë po atë “terminologji” për delet e veta? Fantazia dhe kreativiteti i njeriut shqiptar, i lirë në trojet e veta alpine, ishte pa cak. Delen që i pari e quan briçe, ky e thërret koçe (të mos ngatërrohet me kaçe, që është një dele krejt tjetër), pa miskën e quan sorrmë, syskën kaleshe, zekën galë e me radhë”. […]

Në këtë pikë autori u propozon gjuhëtarëve me profesion t’i përdorin njëfarësoj këto fjalë, t’i specializojnë edhe më, duke ua shtuar nuancat qimeve gjedhore dhe, si pasojë, thesaret shqipes. Ai, ama, është i vetëdijshëm që nuk mjafton që fjala të qëmtohet fjalorëve e të vihet në dukje në një libër të vetëm. Fjala jeton në komunikim. Po nuk u përdor (medet!) ajo vyshket, vdes. Si i bëhet, pra, për ta mbajtur ndezur traditën e bukur, tani që barinjtë vërtet të apasionuar kanë emigruar prej vitesh në Zvicër qoftë, a në Sardenjë dhe të mbeturit stërralleve shqiptare e kanë orientuar inteligjencën dhe formimin e tyre drejt kultivimesh bimore me jehonë ndërkombëtare? Si i bëhet fjalës llashkë, për shembull? Apo fjalës sharkë? Në një farë mënyre ato duhet të integrohen në indin e modernitetit shqiptar. Po qysh?

Këtë e mësojmë në kapitullin e fundit të librit. Arsyetimi është i hollë, i katërciptë, ka gjallërinë e zhivës. Vetëm se nuk jemi të sigurt: autori e ka me tërë mend, apo po lot me ne një rrurëz qeshjeplotë? Dakord, sugjeron që në realitetin urban të Shqipërisë riciklimi i këtyre termave të bëhet duke u dhënë atyre një ngjyresë figurative, duke i përdorur si trope/metafora (nuk mund të mendohet më që delet dora vetë të ecin sebes nëpër Bulevardin Zogu I).

Heroi e vrau birin e Makut;
Pati stuhi shpatash dhe haje korbash.

Janë vargje nga Saga islandeze e Grettir-it, shkruar aty rreth vitit 1000, siç na rrëfen Borges-i. Vargu i dytë këtu, me anë të metaforave (me kalimin e kohës ato u bënë pjesë e pandarë e gjuhës sa askush nuk i vinte më re) do të thotë që pati një betejë (stuhi shpatash) me të vdekur (haje korbash). Kështu duhet proceduar edhe me emërtimet e deleve shqiptare. Dhe vendi më i mirë, sugjeron autori, ku këto fjalë do të ngjisin vërtet në matricën e gjuhës është po qe se përdoren, ashtu të tëra, nga janë e nga s’janë, për të identifikuar diçka të përhershme e aktive, për shembull parlamentarët. 140 parlamentarë: jo më 140 germa twitter-i për t’u klikuar (për të cilat, meqë ra fjala, pulqerët e tyre me manikyrë, por edhe me dhé e graso brenda thonjve, janë të hajthëm fort), por 140 lloje delesh për ta dalluar njëherë e përgjithmonë njërin parlamentar nga tjetri, për ta fiksuar atë mirë në ndërgjegjen e thellë popullore dhe për ta pasur të përbashkët kopenë që qen pastorë e ruajnë vëngërr. Kryetari i Parlamentit bën sikur nuk e dëgjon deputetin që kërkon fjalën, që propozon diçka të arsyeshme? Ok, po sikur ta thërrasim, për shembull: hutë, që është një dele me veshë shumë të vegjël. Një parlamentar propozon një ligj jashtë faze, e mbi të gjitha, të papërpunuar juridikisht? Po sikur t’i themi: llashkë (kështu quhet delja që pjell para kohe)? Dyshimi për një shaka djallëzore mbetet, por kënaqësia e të lexuarit është edhe më e madhe.

Së fundi, si recensues i parë i këtij teksti, shpreh një peng: për arsye banale ky studim nuk arriti të dalë në kohë për Panairin e 20-të të Librit “Tirana 2017”. Disa fotografi me ngjyra delesh që autori desh me çmos t’i përfshinte e ngadalësuan në mënyrë fatale shtypshkrimin. I kam ndër duar, por nuk po i nxjerr këtu se druaj mos ndesheni në ndonjë fytyrë te njohur.

Lexim të mbarë!

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin