LIRIA E LEXUESIT

EU Media Days në Tiranë – një event që ndoshta do t’i kthehem, por po e nis me pak vërejtje nistore.

Para eventit dhe në fjalën përshëndetëse, Komisioneri Hahn, e vuri theksin te “liria e shprehjes si vlerë thelbësore e BE-së dhe gur themeli për procesin e zgjerimit, me një shtyp të fortë dhe të pavarur si forcë tërheqëse të transformimit demokratik.”

Liria e shprehjes – dakord, por kaq nuk mjafton. Eksperienca në Shqipëri dhe besoj edhe gjetiu, sidomos në kontekstin e revolucionit teknologjik të mediave dixhitale dhe të rrjeteve sociale, tregon se liria e shprehjes në vetvete nuk garanton gjë, në qoftë se nuk përcaktohet, ushtrohet dhe verifikohet më në hollësi.

Duke filluar nga vetë konsumatorët –lexuesit a përdoruesit – e mediave: mund t’i quajmë edhe publiku i mediave. A marrin këta pjesë në përpjekjen për liri të shprehjes? Për ta formuluar ndryshe: a mund të flasim edhe për një liri të leximit (në kuptim të gjerë), e cila rrezikohet në mënyra ta ndryshme nga çfarë ndodh me lirinë e mediave vetë, ose të diskursit mediatik? Dhe më tej akoma, a mund të flasim për kundër-publik në Shqipëri, si një reagim i dëshpëruar dhe in extremis ndaj rrafshimit (konformizimit) të publikut nga mass media komerciale?

Analiza nga perspektiva e lexuesit ose e recepsionit detyrohet të marrë parasysh dukuri të tilla si censura e tërthortë, ose nëpërmjet kakofonisë dhe pseudo-pluralizmit; përzgjedhja e materialeve në burim; dhe homologimi i mediave përmes shpërfilljes së copyright-it (ose bashkëndarjes difuze të përmbajtjes).

Tek e fundit, këtu vjen në vështrim edhe ajo liri e lexuesit që sigurohet nëpërmjet rrjeteve sociale – ose iluzioni se publiku (konsumatori) mund ta krijojë vetë përmbajtjen; çfarë e mënjanon, madje ndonjëherë e përjashton rolin e profesionistit të medias a gazetarit. E megjithatë, kemi të bëjmë më shumë me një iluzion, që nuk e ndihmon lirinë e lexuesit vetë, dhe aq më pak atë të shprehjes, meqë shpesh statuset (dhe tweets) nuk janë veçse shkalla zero e diskursit mediatik.

Këtu mund të shkojmë edhe më thellë, për të argumentuar se liria e lexuesit, për t’u angazhuar në komunikimin mediatik, kushtëzohet edhe nga veglat që zotëron lexuesi, duke filluar nga gjuha që ai përdor, për të dekoduar mesazhin që i vjen nga media. Tek e fundit, ti si autor mund të jesh tërësisht i lirë që të artikulosh mendimet e tua, por leximi – konsumi – dhe interpretimi i tekstit tënd do të varen nga kodi që zotëron lexuesi.

Kur flas këtu për gjuhë, nuk kam parasysh gjuhën shqipe si të tillë dhe as shqipen e publicistikës; por një sistem specifik – leksikor, sintaksor, stilistik – që mundëson artikulimin dhe komunikimin e një diskursi le ta quajmë “europian bashkëkohor”, ose të tillë që të na ndihmojë të ndihemi pjesë e Europës duke komunikuar sipas të njëjtave parametra. Kjo gjuhë specifike nuk është e dhënë, por duhet përvetësuar me punë të gjatë, këmbëngulje dhe frymëzim.

Vetëm se nevoja për një “shkollë” të diskursit mediatik shoqërohet me një rrezik serioz: kush do ta kontrollojë instrumentin, kush do t’ia sugjerojë dhe do t’ia mësojë publikut? Aq më tepër kjo në Shqipëri, kur palët që marrin pjesë në komunikimin mediatik janë ende thellësisht të kolonizuara nga diskursi totalitar dhe populizmi?

Çështja do trajtuar veçan nga zotërimi i të njëjtit mjet a instrument nga autorët dhe mediat vetë; sepse Shqipëria gjithnjë ka pasur një elitë të nivelit të mirë, që mund të artikulohet në “europianishte”; por e ka bërë këtë ose për të folur vetmevete, ose për t’iu provuar “donatorëve” se mund ta bëjë. Mirëpo sot, kur prodhimi i diskursit mediatik varet gjithnjë e më pak nga kontributet financiare të publikut (në kuptimin që lexuesit nuk paguajnë më për çfarë konsumojnë në mediat), atëherë mediat nuk shqetësohen më shumë, për t’i aftësuar këta lexues me aspektet më delikate të diskursit mediatik.

Analfabetizmi mediatik i publikut (media illiteracy) është, nga ana e vet, në gjendje të ndikojë drejtpërdrejt mbi prodhimin e teksteve mediatike; meqë shumë producentë duan të arrijnë një masë të madhe lexuesish (dhe të tërheqin një numër maksimal klikesh), duke e përçudnuar diskursin sipas një modeli që ata e përfytyrojnë si “të kapshëm” nga sa më shumë lexues (konsumatorë). Kjo është natyrisht shumë më e lehtë, se përpjekja për ta angazhuar publikun në një proces të korruptuar, ku komunikimi i dyanshëm zëvendësohet nga manipulimi dhe argëtimi konstant i lexuesit.

Në këto rrethana, liria e lexuesit reduktohet në lirinë për t’u argëtuar; ndërsa ofruesve të diskursit mediatik serioz, refleksiv dhe të artikuluar u mbetet iluzioni se po mbeten të përgjegjshëm ndaj një publiku që, në fakt, rrezikohet të mos ekzistojë më.

17 Komente

  1. Kam parandjenjen qe Kryeministri Rama,shume i nderkryer keto kohe ndaj mediave, mund t’u sugjeroje serish kritikeve te tij te lexojne zotni Vehbiun.

  2. Timur, zotni Vehbiu i ka quajtur mediat kazan perpara Rames, madje ka quajtur kazan edhe publikun ne pergjithesi.
    Thjesht dallojne ne qellime, ose ne arsyet e argumentet per t’i quajtur kazan pothuajse te gjithe.
    Por edhe ne, publiku, quajme kazan mediat dhe pjesen e publikut qe nuk na pelqen. Ne fund fare jemi te gjithe ne nje kazan.
    Normalisht, kur kryeministri quan mediat kazan, pritet qe te vetet ta mbeshtesin ndersa kundershtaret te mbeshtesin mediat, dmth nuk ka rendesi kush eshte kazan dhe pse, o je me kryeministrin o je kunder.
    Kur nje kryeminister i fut te gjithe ne nje kazan, do te thote qe vertet ka arritur fundin, perndryshe ne opozite te gjithe jane me mediat e me fjalen e lire.

    Gjithsesi, politika menjane, une nuk kuptoj se çfare nenkupton xha xhai me debat cilesor e diskurs mediatik serioz e europianist.
    Ne Europe, por edhe Amerike, gjallojne palet, ka zera nga me te ndryshmit, ka grupe interesash te ndryshem te cilet mbeshtesin mendime te ndryshme, me pak fjale ka nga te gjitha rrymat qe ekzistojne ne bote, qe nga me kriminelet deri tek me shenjtoret.
    Cfare ka tek ne, perpos nje pllaje te sheshte, qe nuk stimulon asnje rrudhim truri. Toka ka rrudha, dmth kodra e male aty ku perplasen vazhdimisht pllakat kontinentale. Pjesa tjeter e rrafshet, eshte larg zonave te perplasjeve.

    Ka nje hegjemoni te plote te nje diskursi europianist te dale boje qe lejon vetem cic-mice historike te paleve dhe çikerrima politologjie.
    Nuk besoj se ka faj publiku analfabet se intelektualet jane te rrafshet.

    Qe te dalesh nga ky qerthull duhet te hapesh ndonje gazete apo portal te huaj. Kohet e fundit psh mesova qe Dhoma e Lordeve ne Angli ka mbi 800 lorde dhe kryeministrat angleze bejne qoka duke emeruar here pas here lorde te rinj. Kryeministrja angleze ishte e nje rryme angleze konservatore me origjine shekullin 19.
    Nje nga çeshtjet me intriguese ishte si mund te hyjne 800 lorde ne nje salle qe maksimumin e vet e ka 400 ulese.

    Ne anet tona del Fitim Zekthi, pedagog, analist dhe kandidat per deputet, i cili deklaron se eshte konservator dok, besoj si e do zakoni ne keto ane, me konservator se kryeministrja angleze. Nga ana e vet, Cili, i veteshpallur kryeliberali i shqiptareve, qe i do trapi se eshte njeri i lire, thote se duhen liçenca per gazetaret. Ne ate moment mori nje kunje nga Hasimja per tezen e hedhur, i cili nga ana e vet eshte bere kryetar i Partise se Gjergj Bojaxhiut, te cilit i ka dale boja qe eshte nen hetim per nje transaksion bankar me vlere plot 172 milione dollare.

    Hasimja nga ana e vet mendon qe shqiptaret do votojne per te sepse ai thote qe paraja duhet te veje tek i zoti.
    Kjo duket si teza e Jezu Krishtit, monedha eshte e Qezarit, atehere jepjani Qezarit. Mirepo leku yne ka fytyren e Skenderbeut, Ismail Qemalit, Naim Frasherit etj, atehere i bie t’ia japim shtetit. Por i zoti tek Hasimja ka nje nuance te re, te sofistikuar, moderne, i zoti eshte ai qe nxjerr qimen nga qulli e gomarin nga balta, ashtu sikunder di edhe se i pikon çatia. Per Hasimen duhen hequr fytyrat e Skenderbeut, Ismail Vlores etj, qe i zoti i ri dhe i zoti i Krishtit te rikthehen te jene nje, sikunder e do mbarevajtja e mire e puneve.

    Ketu çeshtja e diskursit publik serioz nuk me duket se ka ndonje pengese te madhe nga mentaliteti totalitar dhe populist, perpos nqs duam te quajme diskursin europianist si totalitar dhe populist.
    Ketu nuk gjallon asgje qe te stimuloje trurin, ka vetem kanabis, kazan, europe, ambasadore, taksa, veting e fjale te ketij lloji qe permblidhen tek kategoria e primitivizmit shteteror.

    A tjeter gje, nqs diskursi publik serioz duhet te nenkuptoje fjale te mençura e me vend, qendrime korrekte prej profesori apo prifti e kryeplaku te koheve te shkuara.
    Po ne kete rast, nuk eshte ndonje humbje e madhe kur permbajtja boshe nuk ka forme pas te ciles te fshihet, ne fund te fundit, nuk kemi ngelur ne pike te hallit per mungese pedantizmi.

    Ne lexuesit, verdallosemi ne rrjetet sociale si kaloresit e stepave, sepse s’ka as ara te punuara, as qytete, ka vetem nje toke te rrafshet te mbushur me bar, ku e vetmja gje interesante eshte te verdallisesh maje kalit,mushkes apo gomarit.

    1. Shkruan:

      Gjithsesi, politika menjane, une nuk kuptoj se çfare nenkupton xha xhai me debat cilesor e diskurs mediatik serioz e europianist.
      Ne Europe, por edhe Amerike, gjallojne palet, ka zera nga me te ndryshmit, ka grupe interesash te ndryshem te cilet mbeshtesin mendime te ndryshme, me pak fjale ka nga te gjitha rrymat qe ekzistojne ne bote, qe nga me kriminelet deri tek me shenjtoret.

      Përdora cilësorin “europianist”, duke iu referuar konferencës për mediat, e cila organizohej nga Bashkimi Europian; por edhe duke pasur parasysh një cilësi të caktuar. Nëse panorama e mediave në Perëndim karakterizohet nga pluralizmi, sërish ka nivel mesatar që është shumë më lart se yni. Në anglishte, fjala që përdoret në këtë rast është “mainstream”; dhe ky mainstream tek ne i korrespondon gjirizit.

      Veç kësaj, mendoj se niveli i medias “mainstream” në Shqipëri është përkeqësuar edhe në raport me vitet 1990 – sidomos sa i përket medias së shkruar. Kam këtu parasysh gazeta si “Koha jonë” dhe “Rilindja demokratike” dhe gazetarët që punonin atje. Mund të sillen si shembull plot emra gazetarësh dhe publicistësh që janë pasuruar materialisht, që nga ajo kohë; madje disa duke u majmur mirëfilli. E kam të vështirë të sjell shembuj emrash gazetarësh dhe publicistësh që janë “pasuruar” intelektualisht dhe shpirtërisht, që nga ajo kohë.

      1. Per keto jane te gjithe dakort, te pakten ne vlere absolute. Cfare stonon eshte konteksti. A mund te flase per kazan e gjiriz kryeministri i kanabizimit te vendit ? Gazetaret rendom shiten e blihen, por nuk bejne as kanabizim, as tregti droge, as japin koncesione miliardash, as fusin njerez ne burg per drita,as u vene gjoba bizneseve familjare per te favorizuar te medhenjte etj.

        Sot tha mediat dhe sistemi i drejtesise jane njesoj. Mirepo ketu, po duket sikur Rama e te vetet jane shenjtoret, ndersa kriminelet jane ata qe kane makine, ata qe kane biznese familjare, ata qe s’paguajne dot dritat e se fundmi ata qe kane hapur puse e s’paguajne ujin. Mandej, kriminelet e medhenj nuk jane politikanet,oligarket dhe drogaxhinjte, por gjyqtaret, prokuroret, avokatet, akademiket dhe se fundmi gazetaret,

        Dialektika e ketij fyelli eshte qe gjithe shqiptaret jane armiqte e shqiptareve, perpos Rama me te vetet, politikanet e tij,oligarket e tij dhe drogaxhinjte e tij.

        Ne kete dialektike, ka sigurisht rendesine e saj e verteta e marre ne vlere absolute, dmth qe gazetaret jane kategori qe shfaq nje mije probleme, por ama konteksti dialektik thote qe ky i lajthitur u ka shpallur lufte, qe t’u mbylle gojen, jo per te ndihmuar ne ndergjegjesimin e rolit te tyre publik.

        Ti vertet e ke çeshtjen e mediave ne Shqiperi, nje nga problemet qe e ke trajtuar gjeresisht dhe per mendimin tim pergjithesisht me te drejte, por besoj se ky eshte momenti per te pare qe per lirine e fjales dhe te lexuesit ka me keq sesa mediat. Ne fund te fundit varemi nga to per çdo informacion se ç’po ndodh dhe nqs ç’po ndodh nuk i pelqen kujt, faji eshte i atij qe qeveris jo atij qe lajmeron, sado tendencioz ta jape lajmin lajmeruesi.
        Media eshte nje institucion qe nuk jeton dot vetem me propagande e rrena, madje nqs duam te besojme Mero Bazen, Top Channel hoqi Kol Ballen, sepse ky ishte shume i bute me qeverine. Po Topi persa i perket kategorise se lajmeve eshte ne pikiate prej kohesh, (te pakten une e kam perceptuar keshtu, mbase e kam gabim), sepse gazetaret me te famshem investigativ te ketyre viteve te fundit, duket t’i kete News24 dhe deri diku Klani.

        Ne fund fare, edhe PTF media eshte,per ata qe nuk e njohin dhe degjojne per te, ndodh barazimi me kazanin, se kur gjithe media behet kazan, nuk shpeton dot i njomi, i cili ne keto ane e ha gjithnje me te thatin, sipas parimit, he mo se do kete ndonje gje edhe ky.

          1. Ata qe njihen prej publikut te gjere, besoj se edhe ti, duke qene te pakten publik i gjere, duhet t’i njohesh. Nje emer qe s’besoj se ma konteston dot as ti, as ndonje tjeter eshte Artan Hoxha i News24.

            1. Para ca vjetesh kujtoja dhe une se ky Artan hoxha ishte nje gazetar investigativ, cfar d.t.th. se, cfare merr vesh, e verifikon dhe ia jep lexuesve menjehere. Mirpo, rastesisht e kam hasur disa here ne tituj gazetash dhe filmime youtubi gjate javeve dhe muajve te fundit, tek ai thote per ceshtje te ndryshme e delikate, se ai e dinte prej 6 muajsh… se ai e kish degjuar muaj me pare… se ai ishte ne dijeni prej nje viti… Cfare gazetari investigativ eshte ky, kur di dicka dhe e mban tek vetja?!.. Ketij une e shumta mund ti them tani: bashkpuntor ne krimin shqiptar!…

            2. Une, o r.th, ne vijim te ketyre provave qe nxore, mendoj se Artan Hoxha duhet pushkatuar si kriminel, sabotator dhe poliagjent. Si hap i metejshem per shpetimin e Shqiperise duhen derguar ne Spaç gjithe pjesetaret e grupit armiqesor ne media. Gjithsesi mos u merakos shume, ja sa ta hape prape Komandanti thesin per pronaret e mediave dhe mbaron kjo pune. Jane vertet shume goje per t’u ushqyer, eshte me ekonomike t’i pushkatosh e te lesh vetem Shqiptarja.com, po vrropianizimi ka kosto.

            3. Vetem ne Shq. nuk ka nevoje per pushkatime dhe denime, sepse njerezit e denojne vete veten, tek ia nxjerrin vetes te palarat ne shesh!

        1. Edhe një konstatim tjetër që më qëllon ta bëj sa herë që vij në Shqipëri: gazetat që shiten në treg kanë cilësi më të lartë se të njëjtat gazeta online. Diferenca është dramatike. Natyrisht, materialet online ofrohen falas, por duket se këto media nuk e çajnë shumë kryet për brandin, sa kohë që e dinë se po u flasin demografive të ndryshme. Gazetën e shtypur e blen më shumë brezi i vjetër, ndërsa faqen online e shohin më të rinjtë. Problemi: lexuesi i sotëm po FORMOHET duke lexuar online; dhe në këtë kuptim nuk janë mediat që “detyrohen” t’i përshtaten lexuesit, por janë mediat që e brumosin lexuesin ashtu siç dëshirojnë. Në pamundësi për t’u shitur gjësendi drejtpërdrejt, krijojnë një lexues që ta konsiderojë paranë si të vetmin mjet shkëmbimi të jetesës. Ky lloj lexuesi – që duhet sa qortuar aq edhe kuptuar – nuk është në gjendje t’ia bëjë kritikën medias, sepse nuk ka pritmëritë e, të themi, brezit tim. Prandaj edhe gëzon liri të kufizuar, jo pse ia pengon ligji, për sepse nuk i janë mohuar mjetet për të qenë i lirë. Ky është lexuesi që tani kujton se diskursi mediatik nuk është veçse një varg ad hominem-ësh, i shoqëruar me pornografi. Kjo i përgjigjet, strukturalisht, edhe obsesionit që ka sot politika me EMËRIMET, ose kush emërohet ku, dhe kush “kap” çfarë. Jeta publike vjen dhe i ngjan Ciklit të Kreshnikëve, ku historitë janë të ndryshme, por rrëfimet gjithnjë organizohen rreth pak heronjve. Aq më keq në rastin tonë, sepse këta heronj, për të cilët flitet nga mëngjesi në darkë, nuk kanë asgjë për të admiruar, përveçse që ia kanë arritur të bëhen heronj.

  3. hyllin,Rama eshte nje manipulator i papare dhe i mbrapshte.Ne debatin per futjen e mesimit te fese ne shkolle,shume intelektuale te majte u pozicionuan kunder dhe kjo nuk ishte nje gje e mire,politikisht,per Ramen.Nje shkrim te zotit Vehbiu atekohe per kete ceshtje,Rama e sugjeroi per ta lexuar.Ai e beri kete per dy arsye:si kunderpeshe ndaj shkrimeve te intelektualeve te majte qe ishin kunder dhe,me kete rast,pse jo,per te mikluar sedren e zotit Vehbiu.
    Termi “kazan” me shume sesa nje shpikje e Rames,eshte nje perdorim tipik i tij,qe e ka zanafillen tek skandali diskretitues i plehrave.
    Ate kohe,aktiviste te shoqates kunder importit te plehrave,shkruan emrin e Rames,Shalsit qe ishte perdorur nga Rama per kete qellim dhe disa politikaneve socialiste,ne kazanet e plehrave.Kjo u pasqyrua gjeresisht ne media dhe rrjetet sociale.
    Per Ramen qe eshte shume i ndjeshem per aspekte te imazhit,kjo qe shume e hidhur;dhe dicka duhej bere.Ne stilin e tij,ai e ktheu ne favor te vetes,duke e zhvendosur(kuptimesisht) njollen e turpit nga kazanet e plehrave tek mediat e kazanit.Dhe pati sukses.Askush nuk kujtohet me per origjinen e “kazanit”,qe ishte ai i plehrave;te gjithe flasin per “kazanin mediatik”!

  4. Liria e shprehjes ne vetvete nuk eshte e mjaftueshme, e drejte. Liria e shprehjes konsiderohet si instrument per prodhimin e te vertetes ne qasjen ndaj ceshtjeve publike.
    E verteta eshte produkt i diskursit, mediatik, politik, i grupeve te interesit dhe vete publikut.
    Ne kete pluralitet aktoresh e zerash, askush nuk e ka monopolin e instances se privilegjuar per prodhimin e te vertetes.
    Kesisoj , e verteta ne nje shoqeri plurale eshte e kercenuar nga vete statusi i saj relativizues, si produkt i diskursit, pra
    Kurse ne nje mjedis si yni, ku te gjithe akuzojne te gjithe, relativizmi cohet ne ekstrem prej keqperdorimit dhe shperdorimit te fjales. Fjala eshte instanca e pare dhe e fundit. Parole, parole, parole.
    Qe do te thote se diskursi mediatik sipas parametrave europiane , nuk eshte vetem nje ceshtje kulturore ( analfabetizimi publikut , komercializimi medias) POR edhe nje ceshtje institucionale dhe ketu kam parasysh sistemin e drejtesise i cili , si pazar i drejtesise , ruan stasquone e diskursit mediatik si pazar fjalesh ( llafe pazari , llogje kavaje) edhe kur ngre akuza dhe zbulon skandale politike.
    Politika, media dhe gjyqesori, si tre pushtete te ndara ne leter, praktikisht jane tre fusha ku e njejta klase ( elita pra qe di te llafose evropiance) ndan pushtetin mes vedi. Kjo besoj eshte rrenja e asaj qe AV e quan ” pseudopluralizmi”.Madje edhe raporti pozite-opozite eshte burimi dhe shprehesia e ketij pseudopluralizmi.
    Autori ose producenti mediatik ka lirine e shprehjes dhe te kodimit te mesazhit. Edhe lexuesi ka lirine e dekodimit dhe interpretimit te tekstit. Cdo tekst eshte polisemantik dhe pertej mosperputhjes se kodeve te autorit me lexuesin, teksti eshte ” i denuar” te interpretohet Interpretimi i tekstit ndodh pashmangshem jo vetem se ne thelbin e vet eshte polisemik porse edhe receptuesi, lexuesi eshte heterogjen, audienca eshte e segmentuar dhe ngaqe eshte e tille, ndodh diskursi.
    Vetem ne shoqerine totalitare receptuesu perceptohet homogjen dhe e verteta e prodhuar nga pushteti presupozohej te ishte edhe e verteta e opinionit publik.
    Mendimi se mungesa e kontributit financiar nga ana e lexuesit e detyron median te leshoje doren dhe te prodhoj nje ushqim masiv argetues apo surrogato, nuk me duket se perben nje faktor thelbesor ne cilesine e produktit mediatik. Madje, duke mos paguar, konsumatori behet me pak i varur nga media dhe kjo e fundit qe te arrije tek konsumatori, do te duhej te permiresonte produktin e saj.
    Per te pare reagimin e konsumatorit, per analogji po sjell rastin e prodhimit te perimeve me perberes kimike qe shpejtojne pjekjen. Por dhe ushqimet ne pergjithesi te dyshimta dhe te pa kontrolluara. Konsumatori paguan dhe blen nje produkt te rrezikshem per shendetin e tij. Edhe pse paguan, prodhuesit as duan t’ja dine. Konsumatori mund te beje statuse ne fb por statuset -sikurse thoni- nuk prodhojne nje diskurs ndikues. E shumta, statuset ndiqen nga nje komunitet i vogel por nuk prodhojne nje diskurs dominant.
    Raati analogjik qe solla , edhe pse calon shume, tregon se zeri konsumatoreve mbetet si ze ne shkretetire sepse nuk zoteron instrumentat. Edhe ne rastin e diskursit mediatik; fjala si instrument, eshte e instrumentalizuar ne sherbim te elitave dhe, si e tille, do riprodhoje vetem spektaklin politik . Spektakli kerkon vetiu spektaktore qe hane kokoshka.
    Po me zerat serioze ne agoren mediatike, cfare behet, pyet AV.” Duket sikur ndikojne tek publiku duke artikuluar nje diskurs serioz. Por ky eshte nje iluzion sepse publiku nuk ekziston”
    Mendoj se duhet ndryshuar paradigma. Nje autor, media apo ze mediatik, i drejtohet nje segmenti te audiences e cila supozohet se zoteron te njejtat kode me autorin. Autori formeson kete segment lexuesish dhe lexuesit legjitimojne ekzistencen e tij si nje ze ne polifonine e diskursit mediatik.
    Iluzioni do fillonte kur nje autor, media apo ze mediatik do te metonte te ishte instanca e privilegjuar apo dominuse ne peisazhin e diskursit mediatik.

Lini një Përgjigje te r.th.Anuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin