ÇËSHTJE TË AMBICIES

Një mik që kish lexuar shkrimin tim “Kostallari bardhezi”, më sugjeronte që, kur flisja për stalinizmin dhe enverizmin e këtij dijetari dhe të dijes që ai krijoi dhe përfaqësoi për disa dekada, të përmendja edhe se ku ishin katandisur studimet e sotme gjuhësore dhe të tjera të ngjashme.

Krahasimi nuk mund të shmanget. Por unë pyetjen do ta formuloja kështu:

A mund të bëhet gjuhësi (albanologji) serioze në Shqipëri jashtë dhe përtej infrastrukturës kulturore totalitare (autoritare)?

Dhe unë besoj se po, të paktën në parim. Çfarë u mungon studimeve sot në gjuhësi dhe gjetiu në dijen albanologjike në Shqipëri janë fondet; dhe fondet mungojnë, para së gjithash, sepse mungon vullneti për t’i livruar.

Sistemi i djeshëm, falë kontekstit autoritar dhe detyrues (koercitiv), mundësonte një funksionim tjetërlloj të punës shkencore, që mes të tjerash kushtonte edhe më pak.

Revistat shkencore botoheshin rregullisht.

I njëjti sistem u jepte njerëzve si Kostallari – që përndryshe mund të ndodhte edhe që të jetonin në mënyrë spartane, të detyruar nga kushtet – mundësitë për të ndërmarrë dhe çuar deri në fund projekte tejet ambicioze, si Fjalori i Gjuhës Shqipe ose Atlasi dialektologjik.

Sot shteti nuk jep fonde të tilla. Edhe kur ofrohen, ato shpesh vijnë nga palë të treta dhe jo rrallë përfundojnë të abuzuara ose u përcillen palëve të katërta. Pa paragjykuar dhe pa akuzuar kënd, sot promovuesit dhe administratorët e projekteve të ngjashme parapëlqejnë të pasurohen vetë, ndaj pasurimit të kulturës.

Kur flas për projekte ambicioze, me të cilat sot shumë mburren dhe ndihen “krenarë”, mund të pyetet edhe se e kujt ishte ambicia: e individëve që i ndërmerrnin dhe i administronin, apo e regjimit vetë, që induktonte një farë megalomanie ndër elitat?

Një shpëtim nga kjo AUT/AUT do të ishte të përgjigjeshim se ambicia i përkiste kohës; çfarë do të përligjte edhe amullinë e sotme, përtej aspekteve thjesht financiare.

Në çdo rast, Kostallarit shteti i kish vënë në dispozicion jo vetëm fonde, por edhe specialistë albanologë të formuar në shkollën albanologjike shqiptare dhe një pjesë të specializuar edhe jashtë Shqipërisë.

Sot shteti po kërkon të lajë duart me institucionet buxhetore, duke u dhënë atyre fonde simbolike dhe përndryshe duke pëllitur poshtë e lart. Qarkullojnë ide absurde, sipas të cilave një institucion studimesh duhet të jetë në gjendje të mbajë veten, duke e shitur dijen që prodhon. Jetojmë në një klimë të tillë ekonomike (neoliberale) e cila e përjashton produktin kulturor elitar dhe kërkon të monetizojë çdo produkt të mendjes.

Përtej arsyetimeve të momentit, edhe kriza që po përjeton sot Akademia e Shkencave është, në thelb, pasojë jo vetëm e një modeli të amortizuar, por edhe të indiferencës dhe përçmimit – nga ana e elitave të reja ekonomike – të një veprimtarie që nuk përfshihet dot lehtë në ekonominë e tregut, pavarësisht nga statusi që ka.

Sipas kësaj logjike, Shqipëria nuk mund të realizojë më projekte aq ambicioze sa ato të kohës së Kostallarit; sepse është vend i vogël dhe i pafuqishëm, ekonomikisht i papërfillshëm, i përfshirë madje i përpirë nga globalizmi. Gjithnjë sipas kësaj logjike, Shqipëria duhet të mësohet tash e tutje që t’u japë përparësi fërgesës, dhënies me koncesion të rrënojave greko-romake dhe shërbimeve të hotelerisë për turistët, teksa dija albanologjike shndërrohet në një mish-mash ideologjik dhe pseudo-fetar i shërbyer me salcë pellazgjike.

Kjo është logjika neoliberale. Megjithatë, unë besoj se përveç opsionit stalinist/autoritar dhe atij neoliberal ka edhe opsione të tjera, alternative. Por kjo nuk varet më nga talenti individual i studiuesve dhe as nga ambiciet e tyre dhe vullneti i tyre i mirë. Është çështje politikash ekonomike.

5 Komente

  1. Ardian, kam përshtypjen se ti vetë nuk je nisur me ndonjë ide fizibiliteti e aq më pak përfitimi ekonomik në ndërmarrjet e tua kulturore. Mendoj se Peizazhet është ndoshta shembulli më i mirë për shqiptarinë i një produkti kulturor cilësor të arritur falë dëshirës së mirë e seriozitetit në këtë kohë allasoj. Thënë ndryshe, këto punë bëhen me zemër para së gjithash dhe kush do të qahet, për këtë le të qahet.

    1. Natyrisht, por unë – dhe ai kolegu që e hapi këtë muhabet – e kisha fjalën për projekte ambicioze, që kërkojnë investime të mëdha dhe mobilizimin e shumë specialistëve, të tilla si hartimi i një fjalori, hartimi i një atlasi dialektor ose krijimi i një kartoteke të shqipes. Sot një projekt analog do të ishte hartimi i një fjalori të madh anglisht-shqip online, ose krijimi i një databaze të kërkueshme shqipes së shkruar. Ndërsa Peizazhet i përket një lloji tjetër projektesh, që mund të mbahen në jetë edhe me nismë private, ose me zemër.

  2. Fondeve u ka ardhur fundi! Dhe me mire keshtu, se u be deti kos me duket! Ndersa salca pellazgjike -qe vete Ardiani na e sjell si prove- i ngjan atyre lemyshqeve qe nxjerr deti ne breg dhe kerrkush nuk i heq.
    Jam dakort me komentin e pare (oksigjen); kush nuk e ka per zemer studimin, kush nuk e ka pasion shkencen, kush nuk e ka ambicje zbulimin e te rejave shkencore, fali edhe thesarin e Montezumes po deshe, nje vere ne uje ka per te bere!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin