FOTOGRAME

Himarë, plazh, vitet 1980.

Një tregim me këta tri përbërës vështirë t’i shpëtojë stereotipisë, veçanërisht ngaqë është plazhi në mes.

Trupa të zhveshur, njohje të reja, serendipitet, trullosje nga dielli, alkool etilik.

Katër djem nga Tirana në një çadër fushore, të ngritur tek ullishta në Maraç. Beqari, cigare DS, pesëkatësh, qofte të prishura, këngë korçare me dy zëra, kolit spastik. Gjëra që priten, për rrethanat.

Te një vilë aty përbri, familja e një profesori, sërish nga Tirana: burrë, grua mësuese me kapele kashte, krem shëndeti dhe një roman të Elena Kadaresë, dhe vajzë tronditëse për nga bukuria dhe lëvizja.

Vajza e profesorit: e thua këtë, i ke thënë të gjitha, sepse më klishe se kaq nuk e bën dot.

Vajza e vetme e profesorit, trëndafili i vetëm, i çelur me një mijë mundime, e selitur me përkëdhelje, mësime pianoje, pak frëngjisht: edhe këtu, po shkelim në truall të njohur.

Katër djem në çadër dhe vajza e profesorit që u kalon para çadrës 3-4 herë në ditë – për reagimin instinktiv nuk ka nevojë të zgjatemi.

Ajo është Nausika, këta janë katër Uliksë që mbulohen me gjethe, edhe pse nuk janë aspak lakuriq, përkundrazi.

Mbulojnë lakuriqësinë e dëshirës.

Krijohen miqësi. Njëri nga djemtë, le ta quajmë Risto, lidh miqësi me të shoqen e profesorit, gruan me kapele kashte, krem plazhi dhe romanin e trashë të Elena Kadaresë.

Bisedojnë për rrymat letrare dhe për rrymat e ftohta, në ujin e Jonit, ku noton e shpenguar Nausika mbrëmjeve.

Në fakt, vajza e ka emrin Aurela.

Një tjetër nga djemtë afrohet me profesorin, që do ta quajmë Llazi; të dy bashkë pijnë fërnet, liker me vlera medicinale, te bari i vetëm në Spile dhe bisedojnë për betejën e Borodinos.

I treti djalë vendos ta impresionojë Aurelën drejtpërdrejt, duke notuar fuqishëm dhe me zhdërvjelltësi thellë, por paralel me bregun.

Asnjë nga këto metoda të sprovuara nuk jep rezultat: e shoqja e profesorit, e cila quhet edhe ajo Elena njëlloj si autorja e saj e preferuar, përpiqet ta mbajë Riston për vete; ai djali që pi fërnet me profesor Llazin, dhe që e ka emrin Shan, zhvillon një varësi të rrezikshme ndaj alkoolit; notari, të cilin do ta quajmë Mark (të gjithë notarët e kanë emrin Mark), tërheq vëmendjen e një vajze tjetër, nga një tregim tjetër.

Mbetet kështu i katërti, Tiba. Me origjinë punëtore, Tiba nuk interesohet për gra leximtare, as ka ndonjë dobësi për pijet medicinale dhe noton vetëm në stilin bretkosë.

Prandaj vendos që t’i qaset sfidës ballazi, ose duke iu afruar Aurelës drejtpërdrejt.

Ditë e bukur jave, plazhi ka filluar të mbushet por jo krejt, deti lëpihet si qen pas gurëzave të bregut. Ja ku shfaqet Aurela, në shtegun teposhtë shtëpive, sytë të maskuar me syze të errëta Zeiss, shapkat prej gome bojë rozë që pothuajse i këputen në çdo hap, po të mos i frenojë hap pas hapi, duke i pickuar me gishtat e këmbëve.

Tiba i afrohet, me buzëqeshje të ngrirë. Mirëmëngjes, Aurela. Fjalët lodrojnë e ndjekin njëra-tjetrën, si flutura të bardha. Ditë e bukur, e rrallë, e mrekullueshme, të shoh shpesh që kalon këtu, ku e ke shtëpinë në Tiranë, profesor Llazi, eh profesor Llazi, po kush nuk e njeh profesor Llazin?

Këtë muhabet nuk na lejohet ta shkëputim sado pak nga skenari i parashkruar, ose i çfarë ndodh kur një djalë si Tiba ndalon një vajzë si Aurela.

Për më tepër, Tiba po mban në dorë një këmishë – një nga dy këmishët që ka sjellë me vete nga Tirana. Kjo këmishë najloni, ngjyrë limoni, e blerë në tregun e zi, gjithnjë e ka dalluar Tibën prej të tjerëve, në bulevard dhe gjetiu.

Vetëm Tiba e zotëron një këmishë të tillë, në krejt Ilirinë e Poshtme. Ngjyra e saj, produkt i një gabimi të rastit në dozimin e pluhurit larës të NISH Kimikes, e bën atë unike.

O Aurela, i thotë vajzës Tiba, me zërin joshës që ka praktikuar një natë më parë. A mund të të kërkoj diçka? Po natyrisht, i thotë Aurela. Më thuaj jo, po të duash, nuk do të ta merrja për ters. Pa merak, i thotë Aurela. Veç ty mund të ta kërkoj, vazhdon Tiba. Aurela vë duart në bel dhe i lë të kuptojë se është gati për t’ia dëgjuar peticionin.

Tiba ia zgjat këmishën e zhubrosur.

A ma lan dot një këmishë, të lutem? – i thotë. Nuk do të ta kërkoja, se unë kujdesem vetë për këto gjëra, por këtu nuk kemi as ujë, as kushte të tjera për të larë rroba…

Nuk dimë si e priti tamam këtë kërkesë Aurela; por dimë që këmisha e Tibës nuk ndërroi duar dhe pas pak u kthye sërish në thellësitë johigjienike të çadrës, siç kthehet lakuriqi i natës herët në mëngjes në shpellën me të pëgëra shekullore.

Me gjasë, Aurela refuzoi që t’ia lante Tibës këmishën; dhe jo sepse nuk deshi a nuk mundej vërtet, dhe as ngaqë Aurela nuk kish larë ndonjëherë gjë në jetën e vet, përveç pizhameve të kukullës, por sepse prej një vajze, në statusin e saj social, si e bija e vetme e një profesori të nderuar, pritej që të refuzonte një kërkesë të tillë.

Ose çdo lloj transaksioni të ngjashëm, me një djalë që kish guxuar të bëhej pis, para se t’i afrohej. Çfarë i tha mendja, xhanëm, do t’u thoshte ajo më pas shoqeve imagjinare, duke pirë me to fërnet Branca, të nxjerrë vjedhurazi nga bufeja sekrete e profesor Llazit.

Një këmishë e palarë nuk mund të shërbejë si pikënisje ose shkas për të krijuar një intimitet domethënës.

Më pas, Aurela do ta përfytyronte në shumë variacione erotike veten, të zhveshur krejt, duke larë këmishën e djersitur të Tibës – në një mjedis plot avull marramendës, shkumë sapuni rrëshqitëse dhe mundësi për eksplorime seksuale të guximshme. Nëse Tiba, edhe ai gollomesh, ose i mbuluar përgjysmë me këmishën e tij të dytë, kishte apo jo ndonjë rol në këto variacione, për këtë nuk spekulojmë dot.

Ndërsa Tiba, gjithnjë sipas kësaj skeme të thjeshtë narrative dhe nga ana e vet, do të shpjegonte se qasja e tij ndaj këtij problemi praktik, ose kërkesa Aurelës për një shërbim lavanderie më të shumtën simbolik, nuk ish veçse një provokim i llojit klasor, ose shprehje e sublimuar e përplasjes midis atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë: me një fjalë, si në romanet e Hemingway-t.

Shpresa e tij paskësh qenë, pra, se do ta shtinte Aurelën në dorë duke e poshtëruar.

Nuk dimë se kujt do t’ia jepte Tiba këto shpjegime; por dimë që, menjëherë të nesërmen, dyshes së prof. Llazit dhe të Shanit, që pinin fërnet në barin e vetëm të Spilesë, do t’i shtohej edhe Tiba kreshtë-rënë, për të porositur një dopjo konjak Ekstra dhe për ta mbytur melankolinë në vanilje.

Ristoja i pat lypur Elenës ndonjë gjë të bukur për të lexuar, por pastaj, nuk kuptohet si dhe pse, kjo ia mbushi mendjen për t’i shitur, me çmim të arsyeshëm, një kavanoz të madh me mjaltë lokal. Ristoja e konsumoi një pjesë të këtij mjalti hyjnor gjatë pushimeve, por një pjesë tjetër e çoi në Tiranë, trofe të varfër nga një aventurë që përndryshe mund edhe të kish përfunduar në melodramë.

Për Markun nuk dimë gjë tjetër, përveçse që mbrëmjeve ia merrte ndonjëherë hua Tibës këmishën ngjyrë limoni, qoftë edhe jo në gjendje të mirë, para se të largohej në drejtim të Llamanit.

Aurela, me hap të hajthëm dhe të shpenguar, futej në det deri sa uji i prekte cepin e poshtëm të trekëndëshit pubik, por pastaj dilte sërish e zhgënjyer: për shkak të rrymave të ftohta, uji i njelmët i Jonit ende s’kish arritur temperaturën optimale.

Imazhin e Maraçit vonë në gusht jemi në gjendje ta rindërtojmë pa kurrfarë zori: Elena dhe Ristoja lëçitin prozë të gjatë shqipe të Realizmit Socialist, e bija e vetme e profesorit, shtrirë si qefull mbi një peshqir sporti të vrazhdë, rreket të nxijë qepallat duke qëndruar stoike në diell me sytë mbyllur, ndërsa Tiba dhe Shani flenë të dehur në çadër kuturu, të rrethuar nga duhma e pirgut me plaçka të palara.

Përkundrazi, Profesor Llazi, i veshur me një këmishë puplini akull të pastër dhe i mbathur me shapkat e çara të Elenës, del me vrull nga bari i zhurmshëm me këmbët që i ngatërrohen nga pija; dhe niset të ecë, edhe pse jo drejt shtëpisë; pastaj ndalet në mes të xhadesë, i ndarë më dysh nga frika se mos nuk e mban më mend rrugën.

 

6 Komente

  1. Në një fotogramë, Nausika-Aurelë noton mbrëmjeve, si ngjalë e zhdërvjedhët, rrymave të ftohta të Jonit dhe e njëjta Aurelë-Nausikë me hap te hajthëm dhe të shpenguar, trembet nga uji i njelmët i Jonit sepse ende s’kish arritur temperaturën optimale. Cila është vërtet vajza e profesorit, një Nausikë-Aurelë apo një Aurelë-Nausikë?

    Tiba nuk interesohet për gra leximtare dhe ska ndonjë interes as për profesorin dhe as për Elenën me kapele kashte e krem shëndeti. Mos ndoshta njëriu sfidon ata që i ngjallin interes, që i ndjen të ngjashëm, që i njeh si të denjë si kundërshtar për sfidë? Ndërkohë fotograma na paraqet një Tibë të painteresuar për sojin e profesoreve dhe vajzave me shapka prej gome bojë rozë. Pse Tiba me këmishë najloni, ngjyrë limoni qe e dallon në bulevard e gjetiu, i hyn sfidës ballazi dhe drejtpërdrejte me nje Aurelë-Nausikë, që mezi frenon shapkat prej gome bojë rozë, me pickime te gishtave te këmbës.
    Ta shtinte Aurelën në dorë duke e poshtëruar? Pse? Ndjehej i cënuar nga gratë leximtare që ndërkohe nuk i interesonin fare? E dyshimtë!

    Vazhdojmë! Një Tibë me nje qasje praktike ndaj nje problemi simbolik, që fundja nëse ishte i tillë mund të themi edhe që deri diku ia arriti qëllimit, përderisa Aurelë-Nausika, u zhyt në avuj marramendës duke përfytyruar veten në variacione erotike me këmishën e tij të djersitur, pra nje Tibë i tillë, përse do zhytej në melankolinë me vanilje, kreshtë-rënë, për të porositur një dopjo konjak? E dyshimte edhe kjo!

    Përkundrazi, per Profesor Llazin skam asnje dilemë; i veshur me një këmishë puplini akull të pastër dhe i mbathur me shapkat e çara të Elenës, padyshim që do gjendet i ndarë më dysh nga frika se mos nuk e mban më mend rrugën. Profesorat e kanë këtë te metë, humbasin rrugën cdo herë pasi pijnë fërnet dhe bisedojnë për betejën e Borodinos.

    1. Më duhet të shtoj se Aurela i kishte thonjtë e gishtave të këmbëve të lyera me manikyr pak të ciflosur, në ngjyrën e një vere malbek: për fat të keq, nuk më lejoi ritmi i fjalisë që ta bëja këtë në tekst, dhe imazhi mbeti në mendjen time, me gjithë koloristikën shoqëruese prej dyqani karamelesh (kjo edhe në pranëvënie me këmishën ngjyrë limoni të Tibës).

      Sa për luhatjet e temperaturës së ujit, kush ka qenë në Himarë do ta mbajë mend se deti ishte shumë më i ngrohtë në mbrëmje se në mëngjes. Le të kemi parasysh edhe se Aurela, pas dalldisjes nga ferromonet e mëtonjësit të saj modest, filloi ta ndiente më fort të ftohtit në përballjet me Jonin.

      1. Gëzohem që më në fund zbulova identitetin e “castigat”, shkrimet e të cilit janë ato që ndjek rregullisht dhe me ëndje.

        Malbek?! Një zgjedhje e shkëlqyer!

  2. Jo pse eshte punetor, por sepse Tiba ka pare vetem filma nga ata me Uliksa dhe Herkula, ndaj dhe dinte vetem ate metode afrimi me Dulqinjen e tij te enderruar!

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: