Z(B)OR NË FACEBOOK

nga Beti Njuma

Pas një dite të kaluar në mal, në paqe me veten dhe natyrën, e ku telefonin e kisha hapur veçse për ndonjë mesazh, buzë mbrëmjes hap Facebookun, dhe lexoj atë që mund të cilësohet ngjarja e ditës, vdekjen e parakohshme e të hidhur të Adelajdës.

Përveç empatisë së zakonshme për humbjen e një vajze të re, një kolegeje dhe në fund të fundit një qenieje njerezore, befas u përballa me një dhimbje që vërshonte nga të katër anët. Mesazhe pa fund trishtimi, brenge, lamtumire e keqardhjeje më rrëmbyen duke më pushtuar me një ndjesi me të cilën s’kisha asnjë lidhje.

Adela nuk ishte as shoqja e as e njohura ime, por ja që uragani Facebook më mbërtheu padashur në një vorbull dhimbjeje ndaj së cilës nuk mund të jesh indiferente e domosdo solidarizohesh.

E urreva Facebookun sepse hyri dhunshëm në ditën time, në jetën time e më bëri të ndihem e brishtë dhe e pambrojtur në këtë dhimbje të shumëfishuar.

E urreva Facebookun për pushtetin e pakufishëm që ka fituar mbi të gjithë ne duke përhapur të mirën apo të keqen me një lehtësi të papërballueshme edhe kur të dyja këto duhet t’u përkasin veç të zotëve të tyre.

E urreva Facebookun sepse e ka mekanizuar dhe artificializuar dhimbjen me përjetime që fabrikohen sa hap e mbyll sytë me një klik e bëhen dhunshëm edhe personale ndonëse mund të jesh krejt i huaj ndaj ngjarjes. Dhe si të gjitha gjërat që urrehen, mendova se nuk do të jetë e largët dita kur do ta braktis perandorinë e dhimbjes komunitare. Them se ka ardhur koha që gëzimet të jenë vetëm të miat, dhimbjet gjithashtu, vetëm të miat, jeta vetëm e imja!

Siç shkruante para do kohe prof Gilman Bakalli, Facebooku është tundimi permanent i humbjes së kontrollit. Tinëzisht, por në mënyrë efikase ama! Ndoshta ka ardhur koha të gjejmë kontrollin e humbur. E po qemë të zotët edhe ta rifitojmë atë!

 

10 Komente

  1. Bej ta kuptoj dhe nuk e kuptoj dot, tha.
    Ne fillim mendova se autorja eshte revoltuar sepse u ndodh para nje fake. Gjeta ku jane e nisa te lexoj gazetat shqiptare dhe vertet mesova se fatkeqesisht ka vdekur nje vajze, qe ka patur njohje ne boten e show business -it lokal.
    Thote se perveç “empatise se zakoneshme” “befas u përballa me një dhimbje që vërshonte nga të katër anët.
    Mesazhe pa fund trishtimi, brenge, lamtumire e keqardhjeje më rrëmbyen duke më pushtuar me një ndjesi me të cilën s’kisha asnjë lidhje…”

    Une nuk di qe fb te kete ndonje faj ne kete mes perderi sa gjen kohe dhe i lexon deri ne fund ato mesazhe. Por keshtu ka qene gjithmone, fb nuk ka shpikur asgje. Para nje mije vjetesh, por edhe deri vone kur vdiste ndonje malsor ritet e kerkonin qe ta vishnin mire e bukur, ta ulnin ne nje karrige, t’i vinin nje cigare midis gishtrinjve, qeleshen ne koke dhe ta nxirrnin te dera. Kishte nga ata qe uleshin ne gjunje e qanin deri ne dhimbje, kishte te tjere qe vazhdonin rrugen e tyre. Nese ke vendosur te qendrosh aty, per t’u mbushur me nje ndijesi me te cilen nuk ke lidhje, siç thua, kjo do te thote se ke bere zgjedhjen tende, askush nuk ka ka detyruar.
    Nuk kam fb (gjithnje mendoj te bej nje te tille) dhe nuk di se sa e vertete eshte ajo qe thote prof Gilman Bakalli se Facebooku është tundimi permanent i humbjes së kontrollit. Tundimet nuk kane lindur sot. Njeriu gjithe jeten ka qene i rrethuar nga tundime shume me te forta. Por ama gjithmone ka patur mundesi te beje nje zgjedhje, t’u dorezohet atyre apo te ktheje koken anash e te shkoje ne pune te vet.

    Disa e bluajne dhimbjen se brendeshmi, te tjere kane nevoja ta shprehin. Fjala ka aftesi çliruese e lehtesuese, ne fb apo jashte tij. Por une nuk shoh ndonje arsye te veçane qe dhimbja e te tjereve, e sinqerte apo jo, te me prishe mua qetesine, ta cilesoj te artificializuar e aq me pak te me nervozoje.

    1. “Une nuk e di qe fb te kete ndonje faj ne kete mes perderisa gjen kohe dhe i lexon deri ne fund ato mesazhe” – e sakte!
      Kjo eshte pergjigjja e vetme e sakte per gjithe te mllefosurit nga fenomene te tilla fejsbukerishte.Eshte e njejte me ate te telekomandes se televizorit.Eshte e njejte me ate te dislajkeve ne Youtube.
      Zonja me siper thote disa here urrej,urrej,urrej…
      Perhere ne keto raste,me vjen te them: po pse dreqin i lexon,i degjon apo i shikon kur i urren?!
      Ka nje shpjegim,megjithate,qe duhet gjetur tek komplekset e ndryshme qe kane njerezit.Ne rastin e Adeles,shpjegimi eshte ky: zilia banale…edhe pak makabre,meqe behet fjale per nje te ndjere!
      Te gjithe kur e kane degjuar lajmin ne fillim,kane patur te njejten ndjesi dhembshurie a empatie.Por,nje pjese e ketyre,kur kane pare permasen e madhe te reagimeve,ndjene zili dhe reaguan me mllef,gjoja kunder hipokrizise!
      Me nje fjale,gjithe keto lloj reagimesh,qe nuk jane te pakta,mund te permblidhen ne keto pak fjale: po kush ishe ti Adele,qe kaq shume njerez te shpreheshin me kaq dashuri per ty?!
      Pergjigjen e japin vete,por ne menyre te terthorte,teksa flitet per jeten e saj:u be e famshme ne Big Brother…si ajo provincialja qe theu tabute…historia e saj me Bjordin etj etj.

      1. Timur, unë jam ende në pritje të sqarimit tënd, për komentin që kishe lënë tek tema tjetër. (Ndjesë kolegëve që po ndërhyj këtu.) Nëse nuk marr prej teje një përgjigje bindëse, do të më duhet të të vendos në karantinë. Të lutem më ndihmo që kjo të mos ndodhë.

  2. Rasti vdekjes se malsorit dhe pjesmarrja ne kesoll e komunitetit nuk ben shume paralele me perdorimin abuziv te fb, qofte ne sulmet denigruse te lukunise ndaj nje personi publik, qofte ne “kesollin” virtual ku derdhet dhimbja nga te kater anet gjithe patetizem dhe plot potere .
    Komuniteti e njihte te vdekurin ose te afermit e tij. Dhe gjamen e benin njerzit e aferm . Sigurisht ka patur dhe vajtoca profesionite te angazhuara nga familja e te vdekurit.
    Por kjo gjama kolektive ne fb per te ndjeren Adelajde dhe statuset me vajtime , pertej dhimbjes qe mund te ndjeje kushdo i panjohur per nje vajze te re dhe te bere vizibel nga BB, ja heq seriozitetin dhimbjes dhe ka brenda nje lloj histerie te turmave.
    Vdesin idhuj te medhenj, popstare, dhe mjafton nje RIP nga fansat.
    E gjitha me duket e tepruar dhe momentin tragjik e estradizon.

    1. Faleminderit per nderhyrjen tuaj, por po qe se nuk e merr ters, shihe edhe nje here ate idene se gjama kufizohej te njerzit e aferm. Nopça e plot deshmitare te tjere flasin per qindra e qindra pjesmarres, qe vinin nga te gjitha anet, nga fshatrat e tjere e madje, kur qe fjala per njerez te njohur (se per te tille po flasim), zbrisnin edhe nga krahina te tjera, pa lidhje direkte me “rametliun”, por me deshiren per te shprehur nje fjale ngushellimi a vleresimi. Ketu edhe paralelizmi me fb.
      Ndersa ato sulmet denigruese te lukunise ndaj nje personi publik, per te cilat flisni, nuk i kuptova mire se si lidhen me temen ne fjale.

  3. Pa hyre ne citime te Nopces, mendoj se , sikurse e theksoni edhe ju, pjesmarrja ne mort e komunitetit te fshatit apo krahines, lidhet me organizimin e shoqerise tradicionale dhe poacerisht me sistemin fisnor , bajraktarizmin ne veri. Sa me i njohur personi, sa me emer, me peshe e nga dere e madh/fis i njohur, aq me e madhe pjesmarrja edhe nga krahina.
    E njejta gje ndodh dhe sot, sa me VIP i vdekuri, aq me e madhe eshte pjesmarrja. Por paralelja e tradites se maleve me jeten moderne ne ceremonine mortore prishet kur “vajtimin” , ne kete rast ne hapsiren virtuale, e bejne edhe persona qe nuk kane ndonje njohje direkte me te ndjerin/ te ndjeren.
    Sulmin denigruese te lukunise ne fb e solla si ilustrim te efektit te psikologjise se turmes, pa lidhje me temen por si “anan e erret e medaljes”
    Mund te jem gabim por une ne vend te deklarimit publik te dhimbjes , do preferoja nje reflektim me diskret, nje veprim me personal, si , bie fjala , nje tufe me lule, nje ngushellim te afermve te saj .
    Deklarimet publike me statuse ne fb nje fije i ndan nga deklamimi.

  4. Në kanalin e ri Fax News (me një logo ku gërma e vogël “a” është bymyer aq sa duket si FOX News), u transmetua ceremonia e përcjelljes së të ndjerës. Më ra në sy këmbëngulja e spikeres që komentonte nga studioja për të ditur në kishin ardhur apo jo vëllai dhe motra e të ndjerës nga Gjermania. Pyetja bëhej dhe ribëhej duke pritur patjetër një përgjigje nga gazetarja në Kavajë. Në një moment u tha se kishin ardhur, por vajza në studio këmbëngulte duke i kërkuar gazetares të interesohej përsëri. Më në fund u tha se të afërmit e Adelës ishin në Gjermani dhe s’kishin mundur të vinin sepse nuk kishin dokumenta.

    Nuk e di pse ky episod më kujtoi një imazh të para disa viteve nga “Gjeniu i Vogël” në TV Klan, ku një kameraman fokusohej tek doçka e një vogëlushi që përpiqej sikletshëm të shqiste çimçakëzin teksa merrte pjesë në konkurim.

    Të vinte zor ta kuptoje atë që shihje.

  5. Mallkuar qofte faceboku qe na e prishi rinine nga mend e kokes! Mallkuar vetem 90%, sepse futem edhe vete aty njehere ne 2 muaj, per 10 minuta!

Lini një Përgjigje te r.th.Anuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin