MENDIME TË PAKREHURA (XXVIII)

(nga Stanislaw Lec*)

Këlyshëve të ujkut ua tregojnë krejt ndryshe përrallën e Kësulëkuqes.

Një herë u zhyta në optimizëm. Mezi më shpëtuan.

Nuk kam punë me politikën. Por kam frikë se ajo ka punë me mua.

Në ballon me maska të ideve, slogani u paraqit i veshur si përkufizim.

Çdo profesion ka zhargonin e vet. Politikanët ia kanë imponuar të tyrin popullit.

Luftën midis zemrës dhe trurit në fund e fiton stomaku.

Doktor në tautologji.

Rrufeja e ndriçon vetë rrugën.

Mos bëjmë gabim të na zërë gjumi. Nata vazhdon.

E kuptoja atë enigmë derisa nuk i ishte gjetur zgjidhja.

E tregon talentin me fjalët që zgjedh për të mos përdorur.

Ai mendimtar i kap mendimet, por ua shkul pastaj krahët.

Të vdekurit s’e kanë problem t’i ndërrojnë opinionet politike.

Ndoshta edhe te dera e vdekjes është ngulur një patkua.

Rrallë ndodh që kush ndërron bindjet, të ndërrojë edhe ideologji.

Garancia e paqes: ta varrosësh sëpatën e luftës bashkë me armikun.

Nuk mund të ulesh në një tryezë të rrumbullakët me veten.

Fjalë që godasin në shenjë? Po, janë ato që thotë komandanti i skuadrës së pushkatimit.

Kur u gjenda në fund, dëgjova të trokisnin që poshtë.

Legjendat e dashurisë kalonin gojë më gojë – por pa fjalë.

Marksimalistët!

Kush e ka gjuhën shumë të gjatë, mund të ngatërrohet me këmbët e veta.

Nuk e çoi dot deri në fund ditarin. I mbeti përgjysmë, ditën që vdiq.

Çfarë pavarësie! Kultura mund të bëjë pa ministrin, por edhe ministri pa kulturën.

Edhe ilegaliteti mund të kodifikohet.

Aventurën mund ta gjesh edhe thjesht duke e kërkuar!

Nënvetëdija? Patjetër, zotërinj, por nën cilën vetëdije?

Zoti e krijoi njeriun në ngjashmërinë e vet. Por si ta marrim vesh nëse ishte realist?

Bashkëjetesa e fjalëve njeh çdo lloj perversioni seksual.

Qëkur njeriu u ngrit mbi gjymtyrët e poshtme, gjithçka është pozë.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

1 Koment

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: