TË FLASËSH DHE TË THUASH (VII)

Regjime totalitare si ai i Enver Hoxhës në Shqipëri i kanë quajtur logokraci: sisteme politike të sunduara nga fjala, por edhe forma të organizimit social ku individi përfaqësohet nga fjalët që thotë dhe ku qytetaria varet nga përvetësimi i zhargonit politik të nevojshëm.

Që të funksionojë, logokracia ka nevojë për vetë-censurën, ose një lloj kontrolli ndaj fjalës dhe në përgjithësi të shprehurit, që çdo individ i përgjegjshëm e ushtron vetë ndaj vetes, pa qenë nevoja për një autoritet të jashtëm kontrolli që të ndërhyjë për të korrigjuar, shpjeguar ose ndëshkuar.

Një gjë ishte të thoje në publik se “Enver Hoxha po vret shokët e vet” dhe të arrestoheshe për këtë, dhe një gjë tjetër ta mendoje se “Enver Hoxha po vret shokët e vet” por të mos e thoje, për të shmangur arrestimin. Në rastin e parë, ti paguaje me çmim relativisht të lartë lirinë e fjalës; në rastin e dytë ti hiqje dorë vullnetarisht nga liria e fjalës, për të ruajtur veten nga dhuna prej regjimit (duke kryer një lloj arrestimi simbolik të vetes, sa kohë që e largoje këtë lloj veteje virtuale nga komunikimi ose mjedisi social).

Kufiri mes vetë-censurës dhe vetë-përmbajtjes jo gjithnjë mund të hiqet me siguri; gjithsekush e dinte se çfarë nuk mund ta thoshte haptazi, në publik, pa iu ekspozuar rrezikut për ndëshkim, ostracizëm ose tallje, meqë kjo kish lidhje me tabutë që mbajnë në këmbë çdo lloj rendi social. Megjithatë, vetë-censura në totalitarizëm ishte një sistem për ta lënë gjithnjë të pashprehur diskursin subjektiv, dhe vepronte në mënyrë paralele dhe komplementare me organet e represionit shtetëror.

Në këtë kuptim, vetë-censura nuk ishte veçse projeksioni, në mendjen e shtetasit, i të gjitha rregullave, ndalimeve dhe tabuve që rregullojnë lirinë e fjalës dhe të shprehjes në një regjim totalitar; një lloj super-egoje e ndërtuar sipas parimeve që përcaktojnë se çfarë mund të thuhet dhe çfarë nuk mund të thuhet në publik nga një njeri i rritur, në zotërim të plotë të kapaciteteve të veta mendore dhe morale.

Qytetari i një regjimi totalitar përgjithësisht e dinte se çfarë nuk duhet të thoshte në publik, sidomos në mjedise dhe në kontekste të pakontrollueshme, ose ku fjalët e tij mund të përfundonin të regjistruara dhe të raportuara nga një informator i Sigurimit të Shtetit ose ndonjë qytetar “vigjilent”. E megjithatë, kjo lloj zotësie për të kontrolluar të folurit publik duhej mësuar njëfarësoj; sepse nuk është se mund të merrej lirisht në shkollë. Asnjë mësues a edukator nuk do t’u shpjegonte nxënësve se çfarë nuk duhej të thoshnin, çfarë temash dhe komentesh duhej të shmangnin, çfarë pyetjesh nuk duhet të bënin.

Ajo që bënte regjimi ishte, përkundrazi, që t’u tregonte shtetasve të vet se çfarë mund madje duhet të thoshnin në publik, si dhe t’u vinte këtyre në dispozicion mjetet si ta formulonin këtë saktë; duke u dhënë një leksik, një gramatikë dhe një retorikë të diskursit publik, të sunduar nga klishetë dhe etosi karakteristik për ideologjinë e regjimit vetë. Shkolla luante rol të dorës së parë në suksesin e këtij projekti për t’u mësuar masave zhargonin totalitar dhe për t’i udhëzuar se çfarë të thoshnin në publik; në mënyrë të tillë që shumë të rritur instinktivisht të ishin në gjendje të shpreheshin, kur t’u kërkohej që ta bëjnë këtë, për shembull duke thënë “Në një kohë kur gjithë vendi është mobilizuar për të vënë në jetë vendimet e Kongresit VI të PPSH-së, edhe ne mësuesit e shkollës së mesme bujqësore të Priskës jemi duke punuar me ngulm që…”

Shpresa e ideologëve të regjimit gjithnjë ishte që ky lloj të foluri me parafabrikate, i domosdoshëm për ta prezantuar individin në publik dhe përballë shtetit, do të arrinte më parë ta pengonte dhe më pas ta eliminonte krejt diskursin subversiv qoftë edhe thjesht në tentativë, duke ia bërë individit të pamundshme që “të fliste kundër pushtetit”; ashtu liria e fjalës do ta humbte kuptimin, sepse do të katandisej në liri për të përsëritur dhe rikombinuar diskursin e Tjetrit.

Mirëpo kjo sipërmarrje kaq utopike nuk arrihej dot; sepse zhargoni totalitar gjithnjë u mbivendosej nënshtresave të tjera diskursive, por pa i zhvendosur dot krejt; njerëzit gjithnjë mund t’i formulonin pakënaqësitë dhe dyshimet e tyre, të paktën brenda familjes, me të afërmit dhe miqtë, ose në mjedise rreptësisht të kontrolluara (“konspirative”). Shto këtu edhe instinktin e vetëmbrojtjes, ose shtysën e natyrshme të gjithsekujt për të mos rrezikuar veten dhe të dashurit e vet, “për një fjalë goje”, e cila përligjte nevojën për vetë-përmbajtje dhe vetë-kontroll; nevojë që, nga ana e vet, kërkonte edhe aftësinë për të lexuar në çast kontekstin e fjalës dhe për të kuptuar sa dhe si mund të flitej. Në këtë mënyrë, censurimi i fjalës së lirë ndihmonte për të krijuar grupe të fjalës subversive, ku lidhjet shoqërore themeloheshin dhe pastaj riprodhoheshin mbi ndjesinë e bashkëfajësisë – meqë ishin grupe ku bisedohej “kundër.”

Kusht paraprak, për këto dinamika sociale, ishte që individi ta dinte se çfarë nuk duhej të thoshte; ose t’i njihte caqet e lirisë së fjalës, pa çka se këto nuk ishin përcaktuar gjëkundi në mënyrë eksplicite. Tek e fundit, sekretari i Partisë i ndërmarrjes nuk do t’u thoshte punëtorëve që “mos thoni se shoku Enver po vret shokët e vet, sepse do ta paguani shtrenjtë” dhe as që “mos flisni keq për Enver Hoxhën, sepse ashtu do të konsideroheni si armiq.” Edhe shembujt kur një shok a i afërm yti kish përfunduar në burg pse “kishte folur” asnjëherë nuk ishin aq të qartë, aq eksplicitë, sa të shërbenin për të krijuar mekanizmin e vetë-censurës; procedimet e hetuesisë dhe pastaj të gjyqeve asnjëherë nuk viheshin haptazi në dispozicion të kureshtarëve, por qarkullonin më tepër në “domenin” e thashethemeve.

Atëherë si arrinin individët ta zhvillonin vetë-censurën? Një rrugë do të ishte nëpërmjet qortimeve që merrnin, kur ende fëmijë, prej prindërve, sa herë që shprehnin ndonjë mendim “allasoj”, të dëgjuar poshtë e lart; ose edhe bënin ndonjë deduksion naiv, në bazë të çfarë kishin vëzhguar vetë ose në krahasim me çfarë kishin lexuar në një roman të përkthyer ose kishin parë në një film të huaj. Një rrugë tjetër do të ishte nëpërmjet përqasjes kritike midis atyre që thoshnin ose që dëshironin të thoshnin dhe diskursit totalitar: nëse dëgjoje, në shkollë, se Shqipëria ishte vendi i vetëm në botë ku punëtorët dhe fshatarët… dhe pastaj konstatoje diçka krejt tjetër nga eksperienca jote e përditshme, herët a vonë do ta kuptoje se eksperienca jote e përditshme binte në kundërshtim me “të vërtetën” e përcjellë nga lart; dhe se duhej tani të vendosje nëse do të dilje haptazi, me “tezat e armikut”, apo do t’i mbaje këto për vete.

Ky lloj edukimi, ose kushtëzimi i individit me tabutë ideologjike dhe politike, i interesonte edhe regjimit vetë; sepse që vetë-censura të funksiononte mirë dhe t’ua mbyllte gojën njerëzve, duhej që këta të përvetësonin mirë, madje deri në përsosmëri, vijën ideologjike dhe politike të regjimit, zhargonin totalitar me gjithë klishetë përkatëse, qëndrimet zyrtare të PPSh-së dhe të Enver Hoxhës ndaj gjithçkaje që mund të përfundonte si temë bisede në publik. Edhe për tema nga më trivialet, si futbolli ose markat e veturave, ti duhet ta kishe një ide se çfarë thoshte “Partia” për to, në mënyrë që ta mbaje gojën dhe të mos flisje aksidentalisht “kundër.” Çfarë do të thotë se edukimi ideologjik do t’u shërbente të gjithëve edhe thjesht për t’u vetëmbrojtur, ndaj dhunës totalitare kundër fjalës së lirë; pa çka se, kur ky edukim ishte tepër i suksesshëm, atëherë vetë fjala e lirë komprometohej dhe individi nuk kish ç’të thoshte më, edhe po të donte.

Idealisht, në këtë shkallë të edukimit komunist të individit (dhe të masave), vetë-censura si formë e super-egos ideologjike do të kalonte e gjitha në pavetëdije; dhe individi as që do ta kuptonte se po e vetë-censuronte mendimin, madje që pa e formuluar dot të plotë. Por meqë ky proces pavetëdijësimi nuk kryhej dot lehtë, atëherë rezultati më i rëndomtë i ndërveprimit midis ideologjisë sunduese dhe instinktit për vetëmbrojtje ishte neuroza; ose droja e përgjithshme se mos gaboje dhe thoshje atë që nuk duhej, e cila shkaktohej nga hipertrofia e vetë-censurës. Një pjesë e madhe e intelektualëve të regjimit, ose ata që i kanë quajtur, edhe për t’i përqeshur, si “Party intellectuals”, e kishin rrethuar veten me mekanizma mbrojtës dytësorë, për shkak të kësaj neuroze; pa e kuptuar se për shkak të kësaj dinakërie të tepërt, mendimi i lirë do t’u gjymtohej.

(vijon)

3 Komente

  1. Vetë-censura e intelektualëve të sistemit, e “Party intellectuals”, përveç efekteve në planin individual – gjymtimin e mendimit të lirë – ka dhe efekte në nivel sistemi, pasi vetë-censura e intelektualëve i heq regjimit mundësinë e korrigjimit të politikave dhe të praktikave të gabuara. Në rastin e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të bllokut komunist kjo paaftësi korrigjimi e regjimit çoi pashmangërisht në gafa dhe dështime të njëpasnjëshme të politikave sociale-ekonomike, me rezultatin final kolapsin e vetë sistemit. Si të thuash, vetë-korrigjimi në nivel individual, për t’iu përshtatur “vijës”, pengoi vetë-korrigjimin në nivel sistemi.

    Regjimi i vetëm komunist që arriti të bënte vetë-korrigjimin, edhe pse vetëm në sferën ekonomike, dhe kalimin e sukseshëm në një fazë tjetër zhvillimi, pa ndryshuar sistemin politik, ishte Kina. Por dhe aty, mendoj se kjo ishte më tepër meritë personale e Deng Xiaoping, “punë fati”, si të thuash, sesa meritë e ndonjë “mendimi të lirë” në nivelin e intelektualëve (të lartë) të sistemit…

    1. Një shembull flagrant i vetë-censurës së intelektualëve: takimi me intelektualët që organizoi Ramiz Alia në gusht të vitit 1990, në mos gabohem.

      Në atë takim duket sikur Ramizi është më “progresivi” prej të gjithëve, ndërsa të tjerët, duke filluar nga Kadareja, tregohen shumë të tërhequr.

      Më vonë është thënë se ai takim u komprometua nga prapaskenat dhe intrigat që i paraprinë. Preç Zogaj ka shkruar, në librin “Fillimet”, se Kadareja i druhej një skenari të ngjashëm me Masakrën e Manastirit.

      Për mua edhe kjo drojë, nëse ka ekzistuar, ishte formë e vetë-censurës.

      Çfarë të bën përshtypje, kur dëgjon regjistrimin e takimit, është se këta intelektualë të përzgjedhur nga pushteti nuk i zotëronin mjetet diskursive për të artikuluar një kritikë sistematike ndaj regjimit.

      Dhe nuk i kishin, sepse diskursi kritik kërkon terren social dhe kulturor për t’u përpunuar; dhe këtë lloj terreni intelektualët e atëhershëm nuk e kishin në dispozicion.

  2. Një proces tjetër autocensure, i përmbledhur në termin “political correctness”, duket se ka ndodhur në dekadat e fundit edhe në Perëndim; natyrisht shumë më i zbutur se vetë-censura në diktaturë, pasi këtu sistemi, si rregull, e nxit dhe e mbron lirinë e mendimit dhe të fjalës. Kjo “korrektesë” fillon që nga trajtimi njëdimensional i disa çështjeve dhe politikave sociale-ekonomike si p.sh. idealizimi i politikave neoliberale, dhe shkon deri te tabuizimi, sidomos kur vjen puna te temat raciale, gjinore, atyre të emigracionit etj.

    Edhe në Perëndim ky proces “edukimi” – si të mendosh dhe të flasësh “korrekt” – fillon nëpër shkolla, për të vazhduar më pas në qytezat universitare dhe kulmon në ambientet e punës, në shtet apo në korporatat private, ku një fjalë e gabuar mund të të kushtoj deri dhe vendin e punës dhe statusin social. Si p.sh. rasti i disa javëve më parë me një punonjës të Google që humbi vendin e punës pas një promemorjeje të interpretuar si antifeministe.

    E gjithë kjo përforcohet shpesh dhe nga mediat – TV dhe shtypi – nëpërmjet mënyrës së transmetimit dhe të interpretimit të lajmit dhe ndonjëherë deri filtrimi apo injorimi i plotë i lajmeve dhe temave delikate (larg syrit, larg mendjes).

    Ndërsa te intelektualët e sistemit, ky “kushtëzim me tabutë ideologjike dhe politike”, më tepër se sa vetë-censurë, manifestohet si “group thinking” dhe si përjashtim i mendimeve të tjera (i intelektualëve me mendim ndryshe), nga diskursi publik.

    Çka dhe kontribuon, në rrethana të caktuara – kur teprohet dhe në kombinim me probleme të tjera të natyrës ekonomike – në daljen në skenë të figurave politike radikale apo në suksesin e lëvizjeve të ashtëquajtura “populiste”.

Lini një Përgjigje te GjilpëraAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin