MENDIME TË PAKREHURA (XXVII)

(nga Stanislaw Lec*)

Fjalë të zbrazëta, por të garantuara nga shteti.

Kish vënë bast për një Kalë Troje të mirë.

E vetmja valutë që ka mbetur në qarkullim nga antikiteti – tridhjetë asprat.

Duhet të luftojmë me thonj e me dhëmbë për autonominë e kokës.

Zoti ua realizon ëndrrat edhe besimtarëve, edhe ateistëve. Herë është, herë s’është.

Imagjinata? Më të fortën e kanë onanistët.

Fabrikat e gjenijve ekzistojnë, mungon veç lënda e parë.

Na bashkon mungesa e interesave të përbashkët.

Shpesh guximi nuk mjafton, duhet edhe pafytyrësia.

Po sikur të shteronin depozitat e kohës?

Pornografia më e keqe është ajo e masave. Kur populli është i zhveshur dhe i zbathur.

Në kabarenë e tyre shihje gra lakuriqe të veshura me përkufizime.

Trupi i njeriut është një nga kostumet më të zakonshme në karnavalin e bishave.

Të jesh Zot dhe të krijosh vdekëtarë?

Sikur të zhdukej papritur forca e rëndesës, do ta merrnim vesh peshën e vërtetë të gjërave.

Nuk e bëj dot spiunin. E kam të vështirë të gjej njerëz, të cilëve do të më pëlqente t’ua përgjoja bisedat.

E kuptova me shumë vonesë që isha i ri.

Ua shkul flokët këtyre mendimeve të pakrehura.

Dielli pasqyrohet edhe në një pështymë.

Nuk është enigmë e përjetshme ajo që nuk ka zgjidhje, por ajo që çdo ditë ka nga një zgjidhje tjetër.

Koha e bukur të mbron prej shiut më mirë se ombrella.

Zoti nuk është ëngjëll.

Ka një stil të pakrahasueshëm! Bën gabime gjithnjë e më brilante.

Morali i tyre është shumë i ulët, mezi u arrin deri te beli.

Vetëm me vdekjen e të tjerëve mund të mësohesh.

Hijet? Janë gjëja më optimiste. Provë që rreth tyre ekziston drita.

Nuk ekziston fare, por bën sikur fshihet.

E ka kthetrën si të luanit, por pis.

Qëkur pashë Perëndinë të pikturuar nga artistët më të mëdhenj si një plakush tullac, e kam humbur krejt besimin te produktet kundër rënies së flokëve.

Sa më herët të kryhet një krim, aq më herët do të parashkruhet.

Çfarë na ra nga qielli? Satanai.

Macja e kish mjaltë e qumësht me qenin, por minjtë nuk nxorën ndonjë përfitim nga kjo.

Sa herë që them “po”, e përfytyroj sa “jo” do të më kushtojë kjo.

Jo të gjitha personazhet historike janë autentike. Disa kanë ekzistuar vetëm në fantazinë e tyre.

Të gjithë njerëzit janë të barabartë. Pas një diseksioni të përshtatshëm.

Një përkulje ndaj priftërinjve vlen sa njëqind hyjnisë.


 

(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

1 Koment

  1. “Na bashkon mungesa e interesave të përbashkët” – ja ky mundet fare mirë të jetë slogani i Shqipërisë së sotme.

    Kurse “Jo të gjitha personazhet historike janë autentike. Disa kanë ekzistuar vetëm në fantazinë e tyre.” mund të kthehet në arsye për luftë civile në Shqipëri.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: