IDENTITETE TË KTHYERA

Ka vite që ndërhyrjet institucionale riparuese dhe restauruese në peizazhin urban, në monumentet e kulturës, deri edhe në landmarks të natyrës e të gjeografisë po i shoqëron një avaz i kthimit në identitet – kaq i abuzuar, sa tashmë e ka humbur kuptimin.

Ata që kanë folur, për shembull, për kthim në identitet të Kalasë së Lezhës, zakonisht kanë pasur parasysh heqjen nga trojet e kalasë të objekteve të ndërtuara pa leje; por jo rifutjen e saj në punë si fortifikim ushtarak që ka qenë dhe as riparimin e topave a (ri)mbushjen e hambarëve me nozullime për t’i bërë ballë ndonjë rrethimi të ri.[1]

Formalisht, kthimi në identitet mbështetet në dy premisa të fuqishme: në idenë e kthimit, ose të një zhvendosjeje imagjinare në të kaluarën, nëpërmjet rivizitimit të shenjave të saj hapësinore[2]; dhe në konceptin e identitetit të një objekti, i cili mund të jetë dëmtuar ose jetërsuar, si pasojë e ndërhyrjeve të vona, herë të pafajshme e herë të qëllimshme, madje ndonjëherë që kanë synuar rishkrimin ose shtrembërimin e së vërtetës historike.

Filozofia pas këtyre premisave është se çdo objekt (entitet) ka një identitet të vetin specifik, i cili gjendet zakonisht i depozituar në të kaluarën dhe në interpretimin historik të kësaj të kaluare; dhe politikat kulturore publike në bashkëkohësi, sidomos ato që mbulojnë traditën dhe ruajtjen e saj, e kanë për detyrë madje për mision që ta mirëmbajnë këtë identitet, duke e mbrojtur si nga entropia, ashtu edhe nga manipulimet.

Dëgjojmë të thuhet: kthimi në identitet i Kalasë në Elbasan. Çfarë do të thotë kjo pikërisht?[3] Kalaja në Elbasan ka historinë e vet, e cila me gjasë nis që me ndërtimin e saj prej osmanëve, në shekullin XV. Por “identiteti” i kalasë nuk mund të ndahet nga historia e Elbasanit në shekuj dhe nga historia e komuniteteve që kanë jetuar atje dhe e kanë përdorur hapësirën e kalasë sipas interesave të tyre.

Kthimi në identitet është predikuar edhe për ndërtimet e mëdha të arkitektëve italianë në Tiranë, në vitet 1930-1940 – nga kompleksi i ministrive, te hotel Dajti, kryeministria dhe ndërtesat te sheshi Nënë Tereza. Në këtë rast, është lënë të kuptohet se operacioni ka të bëjë me restaurimin jo vetëm të ndërtesave, por edhe të vetë qëllimit a vizionit origjinal të arkitektit, duke kundërshtuar mballomat, shtrembërimet dhe orvatjet për prishjen e atij vizioni.

Hamami i Krujës, i kthyer në identitet.

Çfarë është pra identiteti, ku kërkojmë të kthehemi? Destinimi fillestar i objektit, historia e tij, një fazë e caktuar e kësaj historie, apo plani që kish në mendje arkitekti që e projektoi apo qëllimi që kërkonte të arrinte administratori që e promovoi a e miratoi?

Një shembull domethënës është kthimi në identitet i Hamamit të Krujës, i cili u restaurua edhe nga pikëpamja funksionale – çfarë do të thotë se synimi i operacionit[4] ishte edhe “rivënia e objektit në funksionim” (këtë disa e kanë quajtur rivitalizim ose rijetësim). Kritikave të shumta nga publiku dhe specialistët, për denatyrim të një rrënoje historike, restauratorja Lejla Hadziç iu përgjigj atëherë edhe me argumentin se, për shtrimin rishtas me pllaka, ish përdorur mermer “i zonës.”[5]

Edhe rrafshimi i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” u shoqërua me një diskurs për kthimin në identitet të fasadës së tij dhe largimin nga kjo fasadë të disa barelieveve me temë sportive të realizmit socialist, të shtuara më vonë. Ideja ishte se kjo fasadë, e çmontuar gur pas guri dhe tani e stivuar në ndonjë magazinë të shtetit, do të rikthehet e trupëzuar në stadiumin e ri, në formën e një shenje ose instalacioni. Në këtë kontekst, identiteti i saj do të shkëputet nga historia e stadiumit të mëparshëm dhe e futbollit shqiptar.

Nuk ka dyshim që, shpesh, kërkesa për kthim në identitet ka të bëjë me restaurimin, ose riparimin e dëmtimeve të një objekti për shkak të vjetrimit, ose të mos-mirëmbajtjes, ose të ndërhyrjeve abuzive e kështu me radhë.

Për shembull, kthimi në identitet i Kalasë së Gjirokastrës ka konsistuar në një kompleks ndërhyrjesh për të ndrequr dëmtimet e mëparshme në kala, për të parandaluar dëmtimet e reja, dhe për ta bërë objektin më të këndshëm e më mikpritës për turistët, vizitorët e tjerë dhe aktivitetet që zhvillohen në të.

Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me rikthim të identitetit të Kalasë si burg otoman, ose si garnizon ushtarak ose si fortifikim për mbrojtjen e qytetit; por vetëm me një restaurim të rolit të saj si krye-shenjë e së shkuarës, ose kohë të materializuar në gur; i cili është një rol imagjinar, por që tashmë është funksionalizuar krejtësisht.

Për shumë nga ne, identiteti i sotëm i Kalasë është thjesht vjetërsia, ose të qenit një rrënojë madhështore, simbol i Gjirokastrës në kohë.

Por nëse është kështu, atëherë mund të pyetet se kur pikërisht e fitoi Kalaja e Gjirokastrës këtë identitet që ka sot; dhe të ngecim pastaj në sofistikën e teorive të konservimit dhe të restaurimit.[6]

Hipoteza që identiteti i një objekti i ka rrënjët në fillimet, ose në origjinën e tij nuk qëndron gjithnjë. Kështu, është folur për kthim në identitet të Pallatit të Kulturës në Përmet, me gjithë pretendimet e palës tjetër, se ai objekt i përkiste KOASH-it.

Edhe këtu, konceptet e kthimit dhe të identitetit nuk ndihmuan për zgjidhjen e konfliktit, përkundrazi; aq më tepër që grupe interesash të ndryshme gjithnjë do ta perceptojnë identitetin ndryshe, në pajtim me identitetet e tyre.

Problematik është edhe vetë operacioni i kthimit, madje jashtë kontekstit të diskursit identitar – siç është rasti i kthimit të pronës. Edhe këtu, një jetërsim që ka ndodhur në histori dhe që tani i përket së shkuarës, synohet të zhbëhet nëpërmjet një akti i cili e shpërfill përmasën kohore, duke e trajtuar historinë vetë si storyboard të një filmi a narracioni çfarëdo.

Natyrisht, institucionet nuk e shohin gjithnjë të udhës të shpjegojnë se çfarë kanë parasysh me kthim në identitet, kur ndërhyjnë në objekte dhe struktura ekzistuese – a thua se çdo kthim në një gjendje të mëparshme është vetvetiu i përligjur, edhe moralisht edhe kulturorisht.[7]

Ka një tjetër premisë këtu, që nuk artikulohet por që zakonisht pranohet në heshtje; dhe pikërisht që çdo modifikim në rrjedhë të kohës ka ndikim negativ ndaj esencës së objektit ose strukturës[8], prandaj duhet kthyer mbrapsht, në emër të ruajtjes së identitetit; çfarë bie haptazi në kontradiktë me identitetin e perceptuar në bashkëkohësi.[9]

Për ta ilustruar këtë ide, le të marrim Koloseun në Romë – identiteti i këtij monumenti sot i ruan disa tipare të identitetit origjinal, meqë vizitorët e kuptojnë dhe e mbajnë parasysh se është fjala për një stadium ose arenë. Megjithatë, Koloseu ka sot për identitet kryesor të shënjojë Romën antike, si rrënojë dhe monument; dhe çdo restaurim që i bëhet, synon që t’ia mbrojë këtë identitet të ri, jo atë të origjinës.

I njëjti koncept e bën sot krejt të pranueshëm një koncert rock-u te Terme di Caracalla, të cilat kanë funksionuar si banja termale dhe palestra në lashtësi; sepse destinimi i tyre origjinal tashmë nuk ngre më peshë, në raport me funksionin e tyre si shenja monumentale të Romës së dikurshme.

Çfarë kuptimi ka të flasësh për kthim në identitet të Parkut të Liqenit, në Tiranë; në një kohë që ndërhyrjet e shumta në këtë hapësirë, shkeljet, betonizimet, asfaltimet dhe ri-përvetësimet, janë integruar tashmë në identitetin e zonës? Edhe sikur të mos ish bërë asgjë fare në Park gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit, a nuk do të hynte identiteti i tij në krizë, vetëm e vetëm në raport me përmbysjet urbane dhe njerëzore në kryeqytetin përbri?

Vetë identiteti i Tiranës mund të artikulohet më mirë në kohë, se në hapësirë; meqë origjinat e qytetit janë në kulturën dhe urbanistikën osmane, mbi të cilën u shtresuan ndikimet e mëpasme, edhe italiane (fashiste), edhe sovjetike, edhe nacional-autarkike. Bashkëjetesa, brenda një hapësire të kufizuar, e objekteve të tilla si kompleksi i ministrive, Pallati i Kulturës, Galeria e Arteve, Hotel Dajti, Piramida, Hotel Rogner-i, Kryeministria, Pallati i Kongreseve dhe kompleksi i sheshit “Nënë Tereza” mund të kombinohet në një sintaksë identitare vetëm po të zgjedhim një perspektivë kohore, ose diakronike. Në këtë vështrim, çdo diskurs për kthim në identitet të një hapësire ose objekti të veçantë në Tiranë do të ishte, në vetvete, absurd; meqë në një kontekst urban kaq të ngjeshur sa ai i kryeqytetit, çdo identitet është para së gjithash relacional.

U fol për kthim në identitet edhe kur u lyen me bojë disa ndërtesa të njohura në Tiranë – si ministritë, ose edhe Liceu Artistik.[10] Për Liceun, identiteti kish të bënte edhe me imazhin e ruajtur prej një brezi të caktuar që ishte shkolluar atje – sërish kthim mbrapa në kohë, por deri në origjinë të kujtimit, jo të objektit.

Një operacion nostalgjik – ose diçka pa interes për publikun e gjerë dhe qytetarët; ku më shumë se kthim në identitet, kemi të bëjmë me një amarcord, ose vullnetin adoleshent të brezit të sotëm në pushtet për ta populluar hapësirën me imazhe të kujtesës së vet (edhe kjo një mënyrë për të lënë gjurmë në histori).

Diskurs më vete është ai për pazaret tradicionale të disa qyteteve – si Pazari i Ri në Tiranë, dhe Pazari i Korçës. Në Tiranë, kthimi kish të bënte me destinacionin e një hapësire urbane, jo me ndonjë restaurim të ndërtesave. Në Korçë, lexoj se kanë dalë probleme me bizneset që tani lejohen të ushtrojnë aktivitetin në atë hapësirë (aktorët që lejohet të luajnë në skenën e re). Gjithsesi, identiteti i restauruar i këtyre pazareve mbetet i brendashkruar në hapësirën diskursive – ose në ruajtjen e emrit të tyre si “pazare”.

Deri edhe rindërtimi i sheshit Skënderbej në Tiranë tani së fundi është prezantuar jo rrallë si kthim në identitet – pa çka se atij sheshi pak i ka mbetur nga identiteti i dikurshëm (duhet thënë: nga identitetet e dikurshme); madje edhe po ta nisim numërimin e viteve nga vendosja aty e statujës së Skënderbeut (1968).

Nuk më duket e përligjur, megjithatë, të quhet kthim në identitet çdo ndërhyrje – ndonjëherë madje subjektive dhe kozmetike – në qendrat e qyteteve; dhe që mund të jetë e dëshirueshme, madje e lavdërueshme, pa qenë nevoja për etiketime dhe diskurse identitare.[11]

Për ironi, shumë ndërhyrje të Rilindjes Urbane në këto qendra, duke filluar nga kulla e re në Korçë, janë akuzuar për cenim të identitetit urban. Sërish, diskursi identitar nuk çon veçse në rrugë pa krye, gjithë gropa kundërthëniesh.

Zakonisht, ky diskurs shpesh bosh për identitetet ka të bëjë me zhvillimin e ekonomisë së turizmit; ose me vullnetin politik për t’i bërë qytetet në Shqipëri dhe objekte të caktuara me vlerë historike dhe arkeologjike që gjenden atje tërheqëse për turistët dhe vizitorët që shpenzojnë atje para; meqë këta të fundit pritet që të duan të kombinojnë zhvendosjen në hapësirë me një zhvendosje në kohë.[12]

Presupozimi këtu është se turistët do t’i tërheqë diçka e vjetër dhe autentike[13]; edhe kur vjetërsia është thjesht e inskenuar, ose efekt i një artificialiteti të studiuar.[14]

Teksa identiteti i objekteve fetishizohet, duke u nxjerrë nga historia dhe rrjedha e kohës, objektet vetë obsesivisht zëvendësohen me imazhet e tyre: ja një filozofi që, e vënë në praktikë, që nuk mund të prodhojë veçse eksperienca skizofrenike.

(c) Peizazhe të fjalës.

 


[1] Për shumë vizitorë, ajo kala – si edhe kala të tjera të shpërndara poshtë e lart në Shqipëri – shërben thjesht si monument i së shkuarës, ose i vjetërsisë; pse të paktë janë ata që mund ta ankorojnë në kalendarin historik ose ta lidhin me beteja, pushtues dhe çlirues të caktuar. Madje për një kategori vizitorësh vendas, çdo kala i referohet njëfarësoj Skënderbeut – edhe pse gjithnjë në mënyrë abstrakte.

[2] E cila zhvendosje vjen si reagim ndaj një largimi të mëparshëm nga identiteti, ose një orvatjeje për braktisjen dhe zëvendësimin e tij me një identitet tjetër, tanimë të padëshirueshëm.

[3] E pyes këtë pavarësisht nga çfarë kanë pasur në mend ata që e kanë thënë; sepse dua të provoj, mes të tjerash, që shprehja “kthim në identitet” e ka humbur kuptimin.

[4] Të mbështetur nga një organizatë ndërkombëtare.

[5] Të njëjtin fetishizim të origjinës së materialeve e kemi dëgjuar edhe për pllakat e sheshit të rindërtuar Skënderbej në Tiranë, për të cilat është thënë se janë sjellë nga vise të ndryshme ku jetojnë shqiptarët.

[6] Aq më tepër që do të na duhet pastaj të argumentojmë se pse identiteti që ka sot Kalaja e Gjirokastrës, ose çdo objekt tjetër i ngjashëm, për ne ka aq vlerë sa të meritojë ndërhyrje, ndonjëherë të pakthyeshme, në vetë materialitetin e objektit. Tek e fundit, adhurimi i rrënojave ka edhe ai vetë natyrë historike, ose “identitetin” përkatës.

[7] Shpesh këto ndërhyrje shoqërohen edhe me investime të konsiderueshme të fondeve publike; por edhe kur shpenzimet përballohen prej “të huajve”, interesat financiare janë gjithnjë agresivisht të pranishëm.

[8] Kjo do të ishte një formë e esencializmit; të cilën e gjen të shprehur edhe atëherë kur flitet për kthim në identitet të shqiptarëve myslimanë, nëpërmjet konvertimit të tyre në të krishterë (ose në “fenë e të parëve”).

[9] Këtu nuk është vendi të diskutohet pse identiteti – si i tillë – u dashka ruajtur me çdo kusht.

[10] Paradoksalisht, lyerja me bojë e shumë ndërtesave në Tiranë nga ish-kryebashkiaku Rama shërbeu për t’i dhënë kryeqytetit një identitet të ndryshëm nga ai që kish trashëguar prej periudhës totalitare; edhe pse kjo u arrit nëpërmjet makijazhit ose maskimit. Sërish, suksesi i këtij operacioni plastik konfirmon idenë time, se identiteti i objekteve dhe i strukturave është më shumë çështje perceptimi; meqë pako gjë ndryshoi në ndërtesat e pikturuara rishtas, përtej fasadave.

[11] Përkundrazi, gjithnjë është dashur një diskutim i hapët për mënyrat e restaurimit, me pjesëmarrjen e grupeve të interesit dhe përfaqësuesve të komuniteteve; aq më tepër nuk ka një mënyrë të vetme, për ta restauruar një objekt.

[12] Kështu, restaurimi i urës së lëvizshme mbi Bunë iu prezantua publikut si “kthim në identitet dhe atraksion turistik.” E njëjta gjuhë është përdorur edhe për haremllëkun e Beratit, ishullin e Ksamilit, pyllin e fazanëve në Maliq, xhaminë e Gjin Aleksit në Delvinë (të cilën po duan ta shndërrojnë në “Butrintin e trashëgimisë fetare” në jug të vendit), Kafen e Madhe në Shkodër, etj. Të gjitha këto ndërhyrje të dobishme, me siguri të nevojshme dhe të mirëpritura nga banorët vendës dhe operatorët turistikë, janë shënjuar pastaj me etiketën e kthimit në identitet, si për të turbulluar ujërat; kushedi edhe për ta përdorur pastaj, të njëjtën etiketë, për operacione të tjera, më pak të kthjellëta.

[13] Edhe pse nuk më duket që të jetë vënë re shumë, është e vështirë, në mos e pamundur, që të pajtohet ky komodifikim i historisë së Shqipërisë nëpërmjet përpunimit të rrënojave dhe versionit të historisë së shqiptarëve që kanë adoptuar dhe kultivojnë kombëtaristët.

[14] Ironikisht, përfshirja e këtyre objekteve arkeologjike a historike – të ruajtura a të restauruara qofshin – në itineraret turistike, i ekspozon ato shumëfish ndaj dëmtimeve dhe rrënimit.

3 Komente

  1. Kthimi ne identitet i kompleksit te ministrive- aty ku ze fill projekti Rames i replikuar me tej ne struktura te tjera- perse qenkerka skizofreni? U kruajten fasadat nga hartat e lageshtires , u ribene dyer e dritare sipas modelit fillestar dhe godinat dolen ne drite.
    Edhe ne rastin e kalave, si ajo e Elbasanit , rikthimi ne identitet nuk nenkuptonte kthimin e saj ne nje strukture luftarake, me luftetare ne bedena, me topa e xhepane. Thjesht restaurim i mureve, pastrim i dherave e shkurreve brenda mureve dhe prishja e cdo ndertimi rrotull apo brenda saj.
    Bota ka vetem gjurme te keshtjellave, mureve rrethues, kullave dhe strukturave te ndryshme historike dhe i ngre nga asgjeja, me materiale dhe pamje sa me prane identitetit te tyre.
    Kete e kam pare ne Selanik, ne Oher, ne Mal te zi, pa shkuar me tutje e me larg.
    Edhe Akropoli apo Tempulli i Delfit, pamjen qe kane sot, sado larg asaj cfare kane qene ne origjinen e tyre, e kane fale nderhyrjeve restauruese per kthim ne identitetin e tyre. Kthimi ne identitet nenkupton pamjen e tyre dhe jo anen funksionale.
    Por restaurimi i disa kishave ne Voskopoje, ka mundesuar jo vetem rikthimin e tyre ne identitet nga ana vizuale por edhe nga pikpamja funksionale. Ndoshta me objektet e rrenuara te kultit; merr kuptim literal rikthimi ne identitet.
    Ne i kemi, diku rrenoja, diku te pa mirembajtura dhe nuk duhet t’i restaurojme , si deshmi historike dhe atraksione turistike?
    Bashkia ne Tepelene ka rivitalizuar hapsiren publike prane kalase se Ali Pashe Tepelenes dhe fale kesaj nderhyrje , kalaja ka dal ne pah dhe e gjithe hapsira aty jo vetem qe eshte bere funksionale si pedonale per komunitetin por po kthehet edhe ne nje atraksion kulturor.

    1. Siç e kam sqaruar edhe në shkrim, unë nuk e kam me restaurimin, por me termin e përdorur. Çfarë të keqe ka fjala “restaurim”, që duhet zëvendësuar nga pompozja “kthim në identitet”? Në një kohë që shumë nga këto monumente e kanë identitetin të shtrirë në kohë, jo të ngrirë në hapësirë?

      Kur flas për skizofreni, kam parasysh çarjen artificiale midis objektit “të kthyer në identitet” dhe kontekstit ku gjendet ky objekt. Shembull tipik: tyrbja e inkorporuar te The Plaza Tirana, e cila tani duket si skulpturë korporative.

      Të marrim edhe ministritë: edhe sikur të kenë “dalë në dritë”, siç thoni ju, ky operacion ka ndodhur në kontekstin e masakrimit që iu bë sheshit përreth, duke filluar që nga groporja pas monumentit të Skënderbeut. E kotë të thuash u bënë më të bukura, në qoftë se njerëzit që do t’i admironin nuk shkojnë më aty.

      1. Ministrite nuk u kthyen asnjehere ne identitet. Mjafton te permendet dritaret te cilat nga korniza prej druri u zevendesuan nga ato me duralumin. Pastaj ato gradualisht u shnderruan ne monstra urbane. U kryen ne to shtesa sic eshte rasti i Bashkise, Ministrise se Mbrojtjes apo se fundmi Ministrise se Brendshme. Kjo e fundit pervec shteses na doli befas me tulla ne vend te suvase. Mosharmonizimi ose me mire keqharmonizimi i saj me simotrat eshte per te vene kujen.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin