I VDEKURI I GJALLË

Jerome Charyn, në librin biografik Savage Shorthand (Random House, 2005) tregon një histori të çuditshme për shkrimtarin e njohur sovjetik Isaak Babel (1894-1940), viktimë të terrorit stalinist.

Babeli u afirmua herët si shkrimtar klasi me tregimet e tij, ku përshkruante kozakët e Budjonit, luftën polako-sovjetike të vitit 1920 dhe jetën e hebrenjve në geton e Odessa-s; dhe që iu vlerësuan lart për prozën e shkëlqyer.

Mik dhe protégé i Gorkit, shumë shpejt fitoi privilegje që, në Bashkimin Sovjetik, u rezervoheshin shkrimtarëve të regjimit; megjithëse gruaja e tij e parë dhe vajza i kishin emigruar ndërkohë në Paris.

Dikur në vitet 1930, hyri në një lidhje pasioni me Yevgenia Freigenberg-un, përkthyese dhe groupie shkrimtarësh; lidhje që e vazhdoi edhe pasi kjo u martua me një zyrtar të lartë të NKDV-së sovjetike (pararendëses së KGB-së) – Jezhovin.

Në të njëjtën kohë, haptazi bashkëjetonte me një inxhiniere, Antonina Pirozhkovën.

Pasi e ndihmoi Stalinin të hiqte qafe krejt gardën e vjetër të bolshevikëve, Jezhovit vetë i perëndoi ylli, për t’u zëvendësuar nga Beria. E arrestuan në prill të vitit 1939 dhe e pushkatuan në shkurt të vitit 1940 – por pushkatimi u mbajt sekret deri të paktën në vitin 1948.

Kur ende në hetuesi, Jezhovi pranoi se edhe Babeli, i dashuri i gruas së tij dhe mysafir i rregullt në sallonin e tij letrar, kish marrë pjesë në veprimtari spiunazhi. Pas kësaj akuze edhe Babelin e arrestuan, në 15 maj 1939. Besohet se pas disa muajsh marrjeje në pyetje dhe torturash, ku ai pohoi gjithçka që i kërkuan dhe pastaj e mohoi sërish, ia bënë gjyqin shpejt e shpejt, në një apartament privat të vetë Berias, për ta dënuar me vdekje.

Fotoja e Babelit në polici, natën e arrestimit.

E pushkatuan në 27 janar 1940 dhe trupi i tij përfundoi në të njëjtin varr të përbashkët, ku kishin hedhur më parë edhe trupin e Jezhovit dhe të viktimave të tjera të spastrimeve. Për t’u shënuar se, vetëm pak hapa larg, u varros edhe e dashura e Babelit dhe gruaja e Jezhovit, Yevgenia, që pat vrarë veten kur ishte shtruar me forcë në një çmendinë.

Antonina, me të cilën Babeli kish bashkëjetuar për shumë vjet, madje kish edhe një fëmijë, tregon se, pas arrestimit të shkrimtarit, ajo gjithnjë ndjeu se dikush – në skalionet më të larta të pushtetit – po kujdesej për të dita-ditës.

Ekzekutimi u mbajt gjithsesi sekret, deri në fund të vitit 1954.

Në 1940, një nga prokurorët ushtarakë i pat thënë se Babelin e kishin dënuar dhjetë vjet punë të detyruar, pa të drejtë korrespondence; që nga ajo kohë, çdo përpjekje e Antoninës për të mësuar diçka më shumë për fatin e tij, merrte gjithnjë të njëjtën përgjigje “Gjallë e shëndoshë, në një kamp pune.”

Madje, siç tregon Charyn-i, policia sekrete filloi t’i dërgonte inxhinieres ish-të dënuar politikë (zek) në shtëpi, të cilët i rrëfenin se, gjatë transferimeve të tyre nga një kamp pune në tjetrin, e kishin takuar Babelin.

Në vitin 1955, një koleg i Babelit që kish shërbyer si kujdestar në një kamp pune në Siberi, i rrëfeu Antoninës se ai dhe Babeli patën qenë miq për një farë kohe; dhe se të burgosurit i kishin qepur Babelit “një pelerinë shajaku me ngjyrë të gjelbër të errët, që ai e mbante rregullisht…” dhe se “Babeli kish dhomën e vet në kamp dhe nuk e detyronte kush që të punonte, prandaj ish në gjendje që të shkruante lirisht.”

Sipas këtij “miku”, dhoma e Babelit ishte ngjitur me dhomën e kujdestarit, me një ballkon të përbashkët. Nëna e këtij gatuante byreçka me mish për shkrimtarin… dhe, më në fund, Babeli kish vdekur nga një atak në zemër, në “divanin e mikut të vet, prej vinili të zi.”

Arsyet e këtij konstruksioni përrallor nuk kuptohen dot mirë: pse duhej të robëtohej kështu Cheka, për të mbajtur gjallë një gënjeshtër, në një kohë që fati i qindra mijëra të tjerëve të burgosur politikë në Bashkimin Sovjetik dihej botërisht?

Por ka edhe më. Siç tregon Charyn-i, gruaja e parë e Babelit, Zhenja, jetonte në Francë prej kohësh, së bashku me të bijën, Natashën. Babeli i kish takuar ato disa herë madje kish ndenjur me to gjatë, gjatë vizitave të tij të shpeshta në Paris – por nuk ishte bindur që të vendosej atje, dhe as ua kish mbushur dot mendjen që ta ndiqnin nga pas, në Bashkimin Sovjetik.

Gjithnjë në Francë, Zhenja – që ishte hebreje – i mbijetoi pushtimit nazist, duke u vendosur në Niort. Dhe një ditë prej ditësh, në vitin 1946 (vitet kanë rëndësi të madhe në këtë histori) i vjen lajmi në Niort se Ilia Ehrenburgu, një shkrimtar i mirënjohur sovjetik, beniamin i pushtetit dhe i paprekur nga spastrimet e viteve 1930, donte të takohej me të në Paris.

Ashtu takohen, dhe Ehrenburgu i thotë se Babeli ishte ende gjallë, e kish kaluar kohën e luftës në internim, dhe tani jetonte nën mbikëqyrje, por jo larg Moskës.

Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe të tjerë të panjohur zunë t’i dilnin Zhenjës përpara në rrugë, për t’i treguar për jetën e Babelit, në burgjet e Siberisë.

Në vitin 1956, Zhenja dhe Ehrenburgu u takuan sërish: këtë herë, shkrimtari “i madh”, kanakar njëditëzaj i Stalinit dhe më pas i Hrushovit, i tha se Babeli ishte rehabilituar krejt në Bashkimin Sovjetik dhe nuk konsiderohej më armik i popullit; dhe se emri i tij ishte rishfaqur në publik; dhe i kërkoi pastaj të nënshkruante një dokument për të vërtetuar se ajo dhe Babeli ishin divorcuar, para Luftës.[1]

Në momentin e këtij takimi të dytë, Zhenja me siguri do ta ketë ditur që Babeli kish vdekur (meqë Hrushovi pat botuar tashmë, në 1954, një dokument zyrtar që e certifikonte këtë).

Megjithatë, përpjekjet shumëvjeçare, për ta mbajtur të fshehtë pushkatimin e Babelit, nga një shtet që s’e kish për gjë të pranonte pushkatimin e Zinovievit, Kamenevit dhe Bukharinit – të gjithë bolshevikë të vjetër dhe miq të ngushtë të Leninit – nuk kuptohen mirë.

Charyn jep në thelb dy shpjegime: ose Stalini nuk donte që të njihej, në publik, si një udhëheqës që vriste artistët; ose sekreti i detyrohet thjesht inercisë, ose ndonjë programi “të automatizuar” të policisë politike të Moskës.

Sërish, motivet e një operacioni të tillë, me shtrirje nga Bashkimi Sovjetik në Francë, mbeten të pasqaruara. Kujt i interesonte vallë kaq shumë, që Babeli të besohej se ishte ende gjallë, në fund të viteve 1940; ose pasi Bashkimi Sovjetik kish përjetuar tmerret dhe triumfet e Luftës II Botërore?

Por kjo intrigë nuk ka nevojë për t’u shpjeguar, që të mbetet ngjethëse – si histori e një zombifikimi simbolik, në vitet kur jeta e njeriut sovjetik nuk vlente as sa plumbi pas zverkut, që do t’i jepte fund.

(c) Peizazhe të fjalës


Ilia Ehrenburg

[1] Yevgenia (Zhenja) quhej edhe gruaja e parë e Babelit e emigruar në Paris në vitin 1925; edhe e dashura e tij, gruaja e Jezhovit. Me të parën Babeli pati një vajzë, Natalia ose Natasha; ndërsa me Antonina Pirozhkova-n një vajzë tjetër, Lidian. Nuk është e qartë nëse Zhenja e Parisit dinte për bashkëjetesën e të shoqit me inxhinieren Antonina; por kur Ehrenburgu u takua me të në vitin 1955, e pyeti nëse e kish marrë vesh që Babeli, në Bashkimin Sovjetik, kish një grua të dytë, dhe një vajzë. Zhenja e pyeti, me këtë rast, se si e kish emrin kjo vajzë, dhe Ehrenburgu iu përgjigj “Natasha” (jo Lidia; duke e gënjyer, për t’i lënë të kuptonte se Babeli e kish dyzuar jetën e vet deri atje, sa edhe vajzës së dytë t’i vinte të njëjtin emër me të parën). Këtu Zhenja e pështyu në fytyrë të madhin Ehrenburg, dhe pastaj u rrëzua përdhé pa ndjenja. Arsyet pse ky shkrimtar, dikur mik i afërt i Babelit, u përpoq t’ia torturonte gruan e parë, sërish nuk kuptohen mirë.

1 Koment

  1. …dy shpjegime: ose Stalini nuk donte që të njihej, në publik, si një udhëheqës që vriste artistët; ose sekreti i detyrohet thjesht inercisë, ose ndonjë programi “të automatizuar” të policisë politike të Moskës.

    Mund të jetë një kombinim i të dyjave: në fillim Stalini dha porosinë (urdhërin) për ta mbajtur sekret vdekjen e shkrimtarit për arsye reputacioni, aq më tepër që gruaja e tij jetonte në Perëndim, dhe më pas nuk u kujtua më për të; ndërsa organet përgjegjëse të ngarkuara me ruajtjen e sekretit dhe mbajtjen “gjallë” të shkrimtarit, vazhduan ta bëjnë këtë për inerci, për sa kohë që nuk erdhi një urdhër i dytë për të anulluar/neutralizuar të parin. Si një histori Orwelliane, që i ka të gjitha brenda: mizorinë, paranojën, manipulimin, absurditetin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin