ENVER EX MACHINA

Një faqe komentesh e një forumi online; fundja edhe e një portali, ku diskutohet për një shqetësim social: sa vetë duhet të ndërhyjnë, që t’i vijë radha atij që sjell në bisedë Enver Hoxhën?

Në formën: Këtyre ua rregullonte mirë Enveri; ose Një gjë e pat bërë mirë Enveri atëherë, ose Enveri kësaj pune i jepte dum brenda natës. E kështu me radhë.

Nostalgji, do të thonë disa; pleq të currufjepsur, do të thonë disa të tjerë. Enveristë të pandreqshëm, do të shtojnë disa të tretë.

Mirëpo Enveri i invokuar si deus ex machina në debatet e sotme nuk është aq vullnet për t’i kthyer mbrapsht akrepat e orës, sa dëshirë për t’i dhënë dëshpërimisht zgjidhje një problemi në dukje të pazgjidhshëm.

Do të thoja: Enveri është ilaçi imagjinar për një të keqe reale.

Më tepër se mall a nevojë për një udhëheqës dhe një model politik tashmë të kapërcyer, është një kategori gramatikore e diskursit social.

Të shpjegohem: në vend që të themi “është rritur kriminaliteti”, themi: “Enveri nuk do ta linte kriminalitetin të rritej kështu.”

Në Itali, në dekadat pas rënies së fashizmit, e kishin zakon të thoshin: “Mussolini non l’avrebbe permesso” – Mussolini nuk do ta kish lejuar. Janë shtuar lypësat në rrugë: Mussolini non l’avrebbe permesso. Kanalizimet nuk punojnë mirë: Mussolini non l’avrebbe permesso. Po hipin njerëzit pa biletë, në autobusin urban: Mussolini…

Nuk është mall, as invokim i udhëheqësit të djeshëm, por formë e zhdrejtë e distancimit të atij që flet, nga një realitet që (atij i duket se) ka shkuar për dreq.

Zakonisht Enveri thirret të zbresë në skenë gjatë një konflikti midis rregullit dhe kaosit: më kozmik se kaq, nuk ka. Në konflikte të tilla, duket sikur rregulli gjithnjë zbythet, përson kolaps, shpërbëhet. Fiton kaosi – sepse ashtu e kërkon edhe ligji i dytë i termodinamikës.

Ose për ta thënë me një frazeologji të shqipes: nuk merr vesh i pari të dytin.

Ku i pari dhe i dyti janë metafora të një principi rregullues, të një renditjeje çfarëdo – të tillë që të mundësojë parashikimin, ose orientimin social.

Pas të parit dhe të dytit, pritet të vijë i treti.

Mirëpo nuk ndodh kështu – sepse edhe këtë herë fitorja i buzëqesh entropisë. Dhe siç do ta thoshte populli (sërish): ujku entropi do.

Këtu vjen koha për Enverin, që të zbritet në skenë nga lart, për të rikthyer rregullin – si parim organizues i realitetit politik.

Dhe Enveri – kjo forcë kozmike – e lufton kaosin nëpërmjet disiplinimit, si një baba mitik, që e komandon universin me instinkt.

Virtyti i këtij heroi të gramatikës politike gjithnjë i referohet dhunës: arrestimit, burgut, poshtërimit, litarit. Disiplinimi që do të ndërmerrte ky deus i ulur në skenë me çikrik nuk do të ishte gjë tjetër, veçse një fantazi e vullnetit të kujt ndihet aq i pafuqishëm para realitetit, sa veç për dhunë mund të fantazojë.

Enveri është tani ekzekutori i fantazive të vulgut.

Njëlloj si Aleksandri, që e pat zgjidhur Nyjen Gordiane duke e goditur me shpatë, edhe lideri i së djeshmes shqiptare thirret që t’i zgjidhë hallet e sotme të “popullit” nëpërmjet arbitraritetit – kështu ndoshta do interpretuar tani edhe vargu i këngës “Enver Hoxha e mprehu shpatën – dhe një herë, o për situatën”.

Kjo sepse “populli”, dhe të gjithë ata që që “flasin nga salla”, besojnë se fajet dhe përgjegjësitë i ka vetë sistemi; dhe prandaj asnjë zgjidhje nuk mund të vijë, përveçse nga jashtë sistemit.

Nuk është ligji që do të na shpëtojë, as ligjshmëria, por vullneti i atij që lejohet të veprojë jashtë ligjit; madje që e ka për mision të veprojë jashtë ligjit.

Një Porsche përshkon me shpejtësi bulevardin, duke rrezikuar të përplasë e të lëndojë fëmijët dhe pleqtë, të hedhë tutje biçiklistët… Duke spërkatur me ujë të qelbur gra të veshura me sqimë, që sapo kanë dalë nga një banket; duke nxjerrë brutalisht nga mpirja mesditore rojen flokëbardhë të bankës…

Një Porsche kalon rrufeshëm përmes qytetit tënd, duke ta ndarë ditën përgjysmë, si me thikë buke.

Ti je aty, sheh dhe dëgjon, murmurit me dhëmbë një sharje por më shumë nga frika, përfytyron aksidentin që nuk ndodhi; dhe reagimi i parë që të vjen, nga thellësitë freudiane të vetes, është ajo fantazi ku ti e qëllon Porsche-n me bazooka.

Si në një film që ke parë, ose një video-lojë që ke luajtur: merr shenjë, tërheq këmbëzën dhe problemi yt, ose e keqja publike, zgjidhet duke u shndërruar në një lëmsh zjarri, tymi dhe zhurme shurdhuese.

Ti nuk fantazon për ndërhyrjen e policisë “që duam”, as për sallën e gjyqit, kodin penal dhe leximin e vendimit nga gjykatësi “i vetinguar”; as dënimin me burg të lehtë ose me kusht; as nevojën që drejtuesi i atij mjeti të ri-edukohet me shpenzime publike dhe t’i rikthehet komunitetit, duke lyer me bojë kangjellat e një institucioni shtetëror; dhe as pyet ku i ka gjetur paratë pronari që e ka blerë dhe nëse i ka paguar apo jo taksat.

Ti veç fantazon për goditjen me bazooka, siç ke fantazuar edhe herë të tjera: zgjidhje e thjeshtë dhe praktikisht universale, për një kategori problemesh përndryshe sfilitëse deri në torturë. Një shkrepje e këmbëzës, dhe kokëçarja e Porsche-s do t’u përcillet specialistëve të hekurishteve.

Mirëpo pastaj dehja nga fantazia të ikën, aq jetëshkurtër sa edhe trullosja pas një thithjeje të fortë të cigares; dhe boshllëkun e mbetur ti e mbush sakaq duke menduar:

Mussolini non l’avrebbe permesso…

Enver nuk do t’i linte këta të livadhisnin kështu…

Edhe ashtu, edhe kështu, ky është sublimimi i një shtyse për një passage à l’acte, ose i një nevoje pothuajse të moralshme për të vepruar.

Duke ndjekur një rrugë të shkurtër, sado të thepisur, por të sprovuar për t’ia rikthyer universit social rregullin dhe qetësinë.

Disiplinimi, që vetëm Enveri, funksion gramatikor i rehabilituar, do të mund ta realizonte; në vendin tënd dhe në emrin tënd.

13 Komente

  1. Fjalia e pare me kujtoi ligjin e Godwin per komentet ne internet. Ne Shqiperi, ne vend te krahasimeve me Hitlerin, i behet thirrje Enverit. Ndoshta kjo tregon dicka per nje nga prirjet kolektive qe kemi si shoqeri, ose se paku per prirjet e ketyre nengrupeve qe, pas nje sasie replikash ne diskutim, e reduktojne biseden ne zgjidhje tejet te mbithjeshtezuara, e reagime hiperbolike.

    Disa studime ne USA sugjerojne se personat qe e shohin te kaluaren gjithmone me nostalgji, si nje kohe me te mire se e sotmja apo e ardhmja, zakonisht kane orientim te djathte politik dhe mund te konsiderohen si nengrup, per shkak se disa karatkeristika te tjera gjithashtu shfaqen, pak a shume njetrajtshem, tek nje pjese e madhe e atyre qe kane keto prirje. Psh. Ata qe kane bindje politike te djathta, zakonisht ndihen ne siklet perballe te panjohures mire, te paqartes, jane me te prirur te gjykojne moralisht ne baze te reagimeve fillestare emocionale. Nderkohe qe ata ne te majte, ndonese mund te bejne te njejten gje fillimisht, jane me te prirur per te rivleresuar situaten dhe per te gjykuar ne nje menyre me komplekse, me nuance. Ata ne te djathte vleresojne me teper besnikerine, autoritetin dhe shenjterine, nuk u pelqen novacioni, ngushellohen me struktura dhe hierarki te forta, me te gatshem per te interpretuar nje situate si te rrezikshme e per te preferuar nje regjim autoritar, dhe me empati me famullore (brenda grupit te tyre, dhe me agresive ndaj te jashtmeve), tendenca te cilat i kam vene re neper komentet ne faqet shqiptare.

    Megjithate, mendoj se nje pjese e ketyre qe therresin Enverin jane thjesht dembele dhe perserisin dicka qe e kane pare diku tjeter, pa qene plotesisht te qarte se cfare po thone apo se cfare duan ne te vertete. Pastaj, ka dhe nga ata qe e cojne dembelizmin nje shkalle me lart, duke komentuar thjesht mbi titullin e nje artikulli, pa e lexuar fare ate.

    P.S. Kerkoj ndjese per ndonje gabim gramatikor, por nga qe flas e shkruaj shumicen e kohes anglisht, e kam te veshtire te shprehem mire per tema te thella ne shqip.

    1. Erisa,shkrimi i autorit eshte shume i qarte.Studimet ne USA,qe i permendni,nuk kane lidhje fare me shkrimin.
      Eshte e pavertete ajo qe thoni per komentet ne faqet shqiptare.Ne fakt,eshte krejt e kunderta madje.Dhe,habitem sesi e thoni me kaq lehtesi nje te pavertete qe duket kaq qarte!
      Ju patjeter qe lexoni komentet edhe tek Tema dhe Dita.Shumica derrmuese e komentuesve jane socialista.Shumica derrmuese e komenteve atje thone pikerisht kete qe po thote autori ne shkrimin e tij.
      Aq te prirur jane keta komentues te majte “per te vleresuar situaten” dhe per ” te gjykuar ne nje menyre komplekse” dhe me “nuance”(!),sa nuk harrojne t’i bejne thirrje diktatorit te ngrihet nga varri dhe te beje nje masaker te re…!
      Per mua,komentet per te cilat behet fjale,nuk jane edhe aq shqetesuese sa komentet “kritike” mbi keto komente,sic eshte edhe ky i juaji,ku perpiqeni,jo vetem te justifikoni me “dembellik” barbaret komentues (meqe jane te majte),qe e shprehin hapur dhe qarte nostalgjine e tyre per diktaturen hoxhiste,por shkoni deri atje sa te thoni qe jane te djathtet ata qe pelqejne diktaturat!

      1. Me vjen keq por komenti im nuk ishte ne kundershtim me artikullin. Nuk e kuptoj fare se cfare po kundershtoni ju, sinqerisht. I lidha studimet per shkakun sepse sjelljet e pershkruara ne artikull kane te perbashketa me sjelljet qe jane verejtur ne studime.

        Nuk e kuptoj, cila nga ato qe kam thene une per komentet shqiptare eshte e pavertete dhe pse?

        Nuk e di cfare eshte Tema dhe Dita. Komentet qe kam pare jane ne faqe te ndryshme. Kuptohet qe une po flas ne baze te vezhgimit tim ketu e nuk po e shpreh si nje studim shkencor qe shumica e komenteve jane keshtu apo ashtu. Kjo eshte ajo qe kam vene re une.

        Nuk e kuptoj kundershtimin tend ketu “Aq te prirur jane keta komentues te majte “per te vleresuar situaten” dhe per ” te gjykuar ne nje menyre komplekse” dhe me “nuance”(!),sa nuk harrojne t’i bejne thirrje diktatorit te ngrihet nga varri dhe te beje nje masaker te re…!” Une thashe ate qe sugjerojne studimet, si nje informacion qe une doja te shtoja ne bisede.

        “Per mua,komentet per te cilat behet fjale,nuk jane edhe aq shqetesuese sa komentet “kritike” mbi keto komente,sic eshte edhe ky i juaji,ku perpiqeni,jo vetem te justifikoni me “dembellik” barbaret komentues (meqe jane te majte),qe e shprehin hapur dhe qarte nostalgjine e tyre per diktaturen hoxhiste,por shkoni deri atje sa te thoni qe jane te djathtet ata qe pelqejne diktaturat!” Kjo eshte absurde. Komenti im nuk eshte kritik ndaj artikullit, e as qe po mundohem te justifikoj komentet, thjesht po marr pjese ne bisede duke kontribuar me dicka. Ju i keni keqkuptuar fjalet e mia.

        1. Mjaft origjinale kjo “teori” e lidhjes se nostalgjise dhe optimizem-pesimizmit me prirjet politike te djathta-te majta! Biles, ti permbahemi kesaj teorie, i bie se te djathtet duhet te jene ne fakt me pak nostalgjik per te kaluaren dhe me optimist per te ardhmen, sepse jane keta qe i japin perparsi inisiativave individuale te biznesit, pa care koken per me shume (pasojat e nje ndermarrjeje p.sh. etj.), dhe te majtet jane me nostalgjike per te kaluaren! Keshtu duhet ti binte, sipas kesaj teorie. Do te thosha, mos i besoni te gjitha cfare shkruhet dhe prezantohet si teori, apo si ligjesi, por me pare mendoni vete si,qysh, e pse!

          1. Nuk eshte origjinale kjo teori, thjesht anakronike. Kur ne mesin e shek 19 u krijuan hegelianet e majte dhe hegelianet e djathte, ata te majtet moren pjesen ”ç’eshte racionale eshte reale”, ata te djathtet pjesen ”ç’eshte reale eshte racionale”.
            Keshtu hegelianet e majte, synuan qe racionalen ta kthenin ne reale, sepse s’mund te jete ndryshe, eshte fati i racionales te behet reale, prandaj duhet te jene revolucionare e progresiste.
            Hegelianet e djathte thane qe ajo qe ishte reale padyshim ishte racionale, keshtu qe racionaliteti perkonte me realitetin, dmth me ruajtjen e asaj qe ishte, u bene konservatore e tradicionaliste, ose si u pelqente te majteve u bene reaksionare (ne disa raste ishte e vertete).

            Mirepo qe atehere ka rrjedhur shume uje dhe kete çeshtjen e reales dhe racionales, njerezit duket ta kene harruar ose kane rene dakort qe edhe realja eshte racionale edhe racionalen duhet ta bejne reale, keshtu qe nuk eshte e nevojshme te kemi as revolucionare as reaksionare.

            Ripertypja qe i behet ketij dallimi anakronik, duhet pare me shume me kuriozitet prej turisti te ekzotikes sesa me seriozitet politik apo politologjik.

  2. Dualizmi ligji-jashte ligjit ka edhe nje fytyre tjeter perpos goditjes me antitank. Mjaft qe shteti (policia,prokuroria,gjykata) te zbatoje ligjin dhe tipi i porshit e gjen veten prapa hekurave, edhe sepse zakonisht ketyre tipave u gjen arme pa leje, u gjen droge dhe mund te kene edhe ndonje akuze per kanosje apo denim te pashlyer ne ndonje vend tjeter.
    Ka padyshim raste kur krimi ka zene aq rrenje forta sa mjetet ligjore nuk mjaftojne, gje qe ndodh kudo ne bote ne nivele te larta, ku krimi i organizuar korrupton police,prokurore,gjykates,deputete etj, por keto jane fenomene relativisht te padukshme ose qe nuk sjellin ndonje shqetesim te dores se pare per popullin.
    Problemi si ka thene edhe Lubonja eshte se çdo shtet ka mafien e vet, kurse tek ne mafia ka shtetin e vet.

    Enveri apo Mussolini nuk jane edhe aq ne funksion te paligjshmerise se nevojshme per te vene rend, sa si modele pikerisht te ligjshmerise se kulluar, luftes se vendosur me krimin ordiner. Kapacitetet e tyre per te dale edhe jashte ligjit per te vendosur rend sherbejne si garanci qe rendi do te vendoset me çdo kusht, dmth qe nese gjendja ne vend eshte aq kritike sa mund te quhet e jashtezakonshme, atehere edhe fuqia e perdorur logjikisht duhet te jete e jashtezakonshme.
    Ketu dua te kujtoj edhe eliminime te shume krimineleve ne kohe te shkurter ne 1997, kur po rivendosej rendi. U perfol asokohe qe i vrau shteti, me ane te skuadrave te vdekjes. Mund te jete mit mund te jete e vertete, fakti i eliminimit te pashpjegueshem thjesht ne terma te vrasjeve mirefilli mafioze eshte fakt.

    Rama si timonier i vetem ka krijuar nje situate fuqie politike te jashtezakoshme ne keto 25 vjet. Rama eshte i pakushtezuar jo thjesht nga Meta, por nga çdo aleat dhe njekohesisht nga asnje grup brendapartiak. As Berisha ne vitet 1992-1997 nuk ishte kaq i pakushtezuar ne pushtetin e vet, sepse kishte aleate por dhe rryma e individe kunder brenda partise, te cilet i fshiu nga partia me kalimin e kohes, por ama i kishte. Po ashtu kishte edhe individe e grupe me prestigj brenda partise te cilet edhe kur i ke te tute, ta kushtezojne pushtetin. Vete Enveri kishte shume individe e grupe me prestigj te tyrin, te krijuar gjate Luftes, te cilet ishin enveriste por interesat e tyre krijonin njefare kushtezimi per vete Enverin, pa harruar qe ne fillimet e veta, Enveri kishte problemin e Koçi Xoces apo me vone te atyre qe ishin me shume besnike te Bashkimit Sovjetik sesa te Enverit, te cilet dihet pastaj si perfunduan.

    Rama eshte politikisht i pakushtezuar, ne nje variant te frikshem, s’i duhet asnje aleat e s’ka asnje figure qe mund t’i kushtezoje me prestigjin e vet ndonje levizje.
    Ne nje situate te tille, kur Rama ka pushtet te pakufizuar nga aktoret e tjere politike, rritja e kriminalitetit dhe sfidat e vazhdueshme te krimit ndaj organeve te shtetit, mund te deshmojne vetem nje gje, qe Rama eshte i pakushtezuar nga aktoret politike, por mese i kushtezuar nga aktoret kriminale. Ndryshe nuk mund te shpjegohet dot.

    Ketu qendron problemi i timonierit te vetem, ne vend qe populli te vinte syze, nxorri syte. Rama eshte timonieri i nje treni qe kushtezohet nga shinat e krimit. Mori nje pushtet te jashtezakonshem per keto 25 vjet, te cilin po e vendos ne sherbim te paligjshmerise. Nqs ai nuk arrin dot te shkeputet nga krimi, atehere pasardhesi i Rames, pa nje pushtet te jashtezakonshem nuk mund t’i beje dot balle krimit. Jemi ne nje qerthull demokratikisht te pashprese, te mos ishim gjeografikisht ne Europe, do te ishim kthyer ne Kolumbi.

  3. Ndërsa vërtitemi nga njëri dualizëm në tjetrin, ca që ekzistojnë e të tjerë që stimulohen artificialisht (marifeti: tezë + antitezë = sintezë), ndodh që ne pengohemi e biem, pa mundur/guxuar të shkojmë aty ku zënë fill dualizmat, në mënyrën sesi e shohim realitetin dhe si kuturisim t’i japim hakun atij dhe vetes, për të kaluarën dhe të tashmen tonë.

    Në natyrë, gjithçka është e thjeshtë dhe e përsosur (e kam fjalën për dualizmat): dita ja lë vendin natës dhe nata është paqësisht natë dhe jo “antiditë”.

    Të kundërtat janë në funksion të njëra-tjetrës dhe jo në antagonizëm patologjik e të pashpresë – të dyja i shërbejnë sipas mënyrës së tyre ekuilibrit të jetës.

    Kurse ne vazhojmë ta mbajmë peng mendjen me të djathtët – të majtët, dashurinë – urrejtjen.

    Po sikur dualizmat në fakt të jenë: dashuri – mungesë dashurie, urrejtje – mungesë urrejtjeje?

    Ndoshta ka ardhur koha për të mos shpresuar në ndryshimin e elitave politike, por të Lojës…

  4. Do të thoja: Enveri është ilaçi imagjinar për një të keqe reale.

    Ama njerëzit në Shqipëri kanë gjetur dhe kundër-ilaçin ndaj Enverit, kur thonë “u bëmë prapë si në ’90-ën” apo “na kthyen prapë në kohën e Enverit”, kur duan të nxjerrin dufin për mizerjen e sotme ekonomike.:)

    Këto janë, besoj, shenja dëshpërimi me rumpallën e tranzicionit dhe me elitën e mbaruar politike të vendit, dëshmi të dështimit të sistemit ekonomik-politik të pas ’90-ës në Shqipëri – bashkë me emigracionin, narkotrafikun, entropinë sociale – pa njërëzit e dinë shumë mirë se ç”pleh ishte Enveri bashkë me sistemin e mëparshëm.

    Mendoj se ky dëshpërim është dhe një nga arsyet pse njerëzit jo vetëm nuk e penguan Ramën të grumbullonte sa më shumë pushtet, por ia dhanë me dëshirë atij vetëm gjithë “tepsinë”, me shpresën e të mbyturit që kapet pas fijes së kashtës, se një dorë e vetme dhe e fortë do u bëj derman halleve të shqiptarëve. Problemi tani është që Rama, si inkompetent që është, nuk di se ç’të bëj me gjithë këtë pushtet, përveçse të shkoj dhe t’ua vë në dispozicion oligarkëve, me rrezikun që pas tij shqiptarët të sjellin në pushtet vërtet një “dorë e fortë”, nga ato të sojit alla-Putin apo alla-Erdogan; “Enverin e radhës”, si të thuash.

  5. Gjilpera me duket se fjalen oligark ke filluar ta perdoresh si eufemizem per kriminel. Marrim psh dy oligarke Aqif Rakipin ndryshe Qifja i Elbasanit -thone se te thyen koken me leke, bleu 10 mije vota- dhe Gaz Demin, President i Partizanit, ish truproje e Nanos, qe i lejoi vetes te mbaje me rroge Moxhin. Do thuash ti, ç’pune ka Rama me keta oligarke/mafioze ? Mbase s’ka Edi Rama, por e ema e tij, Aneta Rama, patjeter qe ka pase pune, perderisa u ul me ta ne nje lokal bastesh:
    http://www.panorama.com.al/sekretari-i-pd-publikon-foton-cfare-mund-te-bisedoje-nena-e-kryeministrit-me-rakipin-dhe-demin-ne-nje-lokal-bastesh/
    Mbase jane miq familjeje, mbase kane krushqi, mbase i lidh pasioni per pikturen ose skulpturen, pse jo edhe per futbollin, mbase edhe per te vene nje lloto sporti.

    Rreziku i dores se forte alla-ky apo alla-ai, vetem mund te sherbeje si gogol per te trembur popullin e per te justifikuar kriminelet ne krye. Nqs gjendja do veje deri ne ate pike halli, vetvetiu te gjithe do te gjenden perpara medyshjes; me kriminelet apo me doren e forte alla-ky apo alla-ai apo alla-nje tjeter. Shpreso te mos shkoje gjendja ne ate pike gjate ketyre 4 vjeteve, se po shkoi deri atje,dihet mire se kush fiton.

    1. Fjala oligark më duket se i përmbledh më mirë lidhjet e pushtetit ekonomik me atë politik dhe me botën e krimit/ ilegalitetit. Në fakt, në ua hapshin ndonjëherë “defterët” oligarkëve, se si dhe me se i bën pasuritë, një Zot e di se ç’ujë i zi ka për të dalë!

      Ndërsa për punën e gogolit, nuk besoj se dora e fortë i tremb (më) shqiptarët, ndryshe nuk i kishin dhënë kaq pushtet një dore të vetme, Ramës. Nga “dora e vetme” te “dora e fortë” një hap ngelet, sidomos pas 27 vitesh tranzicion, me një kryeministër që shtetin dhe pushtetin po ua servir në tabaka oligarkëve, dhe me institucione aq të dobta sa në Shqipëri. Për më tepër, po të shohim dhe zhvillimet në rajon dhe në Evropën Lindore – Turqi, Rusi, Hungari, më pak në Poloni, ku tendenca është e dukshme (vetëm mua ka filluar të më ngjaj Rama gjithnjë e më tepër me Orbanin?). Nuk është për t’u uruar aspak, por rreziku i ndonjë shqiptari në krye alla-kështu apo alla-ashtu, në horizontin e 10-15 viteve të ardhshme nuk mund të përjashtohet. Një a dy stuhi (kriza) më shumë dhe s’dihet se ç’sjell më lumi.

      http://www.exit.al/2017/09/30/edi-rama-call-center-ercc-ministrat-duhet-tu-pergjigjen-ne-telefon-sipermarresve-te-medhenj/

      1. Varet se ç’peshe ka mafia brenda oligarkise, nqs ka peshe te madhe fjala oligark nuk e pershkruan mire situaten. E thene ndryshe ka oligarke qe e kane bere parane me ane te politikes, duke zhvatur shtetin, ka edhe oligarke qe i kane bere me ane te aktiviteteve ilegale dhe pastaj perdorin shtetin per te pastruar parate por edhe vjedhur me tej ne aktivitete legale si kazinote, ndertimi apo barnat.
        Brenda oligarkise jane te dyja kategorite, por ajo qe verehet eshte rritja e forces se kategorise mafioze. Padyshim te ardhurat nga kanabisi kane fuqizuar ekonomikisht shume mafioze, çka rrit peshen mafioze brenda oligarkise.

        Sa per Ramen e Orbanin ngjajne deri diku por ne thelb jane dy gjera te kunderta, Orbani eshte nacionalist,kristian,tradicionalist, konservator etj çka i ka sjelle telashe imazhi ne Europe, por nuk ka vjedhur/blere ndonjehere vota, as ka kanabizuar Hungarine. Ka tendenca autoritariste, po Merkelja pas 12 vjetesh fitoi prape e do shkoje 16 vjet rresht ne pushtet, dmth ky pushteti paska qene supermastiç, e vika bythen robi ne kolltuk dhe duhet ta nxjerresh jashte me gjithe kolltuk.
        Kur Uashingtonit i ofruan mandatin e trete tha, une nuk luftova kunder monarkise qe te behesha mbret, dmth pak a shume ai rregulli i dy mandateve dhe drejt e ne shtepi, me duket si i vetmi rregull i arte kunder tendencave autokratike.
        Nqs Rama mendon se do marre mandatin e trete me ane te krimit ordiner, nuk ngelet tjeter perpos rruges se armatosjes dhe kesaj radhe rruga do çuar deri ne fund.

  6. Padiskutim, “Enveri” eshte valvula e sigureses per cdo crregullsi dhe me te drejte; per vete faktin se ne llogarisim ne momentin e permendjes vetem ato ane pozitive te atehershme, negative sot, si zhurmat, vjedhjet e prones, ndertimet pa sistem, prishja e uzinave dhe fabrikave, berja e lokaleve dhe shtepiave pa sistem dhe me rryshfete, nxjerrja e shkalleve dhe tavolinave ne trojtuare, prishja e bregdetit shqiptar, e sa e sa dhjetra fenomene te tjera. Por ama, te dilte nje Zot ne qiell e te na pyeste: he, t’ua nxjerr Enverin edhe nje here? Besoj se kesaj radhe nuk do ti leshonim aq kollaj fjalet: coju Enver edhe nje here e vure ne udu kete popull!

Lini një Përgjigje te r.th.Anuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin