HISTORI ME BULLGARË

Shkrimtari bullgar Ilko Radev, fitues i një numri mbresëlënës çmimesh ndërkombëtare, njihet në mbarë botën për romanin e tij “Çarshia”, që iu botua në Sofje në 1963 për t’u pritur me indiferencë dhe qortime, por që pastaj u rizbulua pas botimit në frëngjishte nga shtëpia botuese Flammard, në Paris, në vitin 1967 (“Le Marché”). Përkthimin – të gjykuar si magjistral – e pat bërë nominalisht një Svetla Lazarova, e përfolur edhe si e dashura e Radevit: në fakt të dy patën kërkuar në Francë strehim politik në 1965, gjatë një udhëtimi pune të organizuar nga Ministria Bullgare e Kulturës. U dyshua, atëbotë, se përkthimi ishte, në masë të madhe, vepër e të madhit Radev vetë, i cili e zotëronte frëngjishten në mënyrë të shkëlqyer, edhe ngaqë e kish gjuhën e nënës (në kuptimin që nëna e tij ishte me origjinë franceze); dhe fakt është që Lazarova nuk përktheu gjëkafshë tjetër derisa vdiq në 2012; por iu përkushtua e tëra restaurimit të dorëshkrimeve në sllavishten e vjetër kishtare, në Bibliotekën Kombëtare të Francës. Radevi, nga ana e vet, pas romanit tejet të suksesshëm “Çarshia”, shkroi ekskluzivisht në frëngjishte një numër romanësh që nuk e patën fatin e të parit, madje që u gjykuan si të dështuar nga kritika dhe nuk u përkthyen deri as në bullgarishte. Pas vdekjes së tij nga shkaqe natyrore në 1992, dhe vullnetit masiv për ta konsakruar si patriark të letrave bullgare moderne, pati akademikë të cilët seriozisht kërkuan integrimin e origjinalit bullgarisht të atij romani me shtesat, ripunimet, përpunimet dhe redaktimet e versionit frëngjisht tejet superior. U ngrit me këtë rast një komision që përgatiti (ri)botimin kritik bullgar të “Çarshisë”, tashmë filologjikisht korrekt ndaj përkthimit frëngjisht; ky botim “i restauruar” u përshëndet nga elitat kulturore bullgare dhe u përfshi në kurrikulumet e shkollave publike, por përndryshe u prit me indiferencë nga lexuesi. Në Paris, ndërkohë, kur u festua me bujë 30-vjetori i botimit frëngjisht të “Çarshisë”, disa intelektualë publikë përmendën diferencat midis versionit frëng, të mirënjohur e të shumëlexuar, dhe origjinalit bullgarisht, duke kërkuar me urgjencë ripërkthimin për hir të parimit të autenticitetit. Kjo punë ingrate iu besua pastaj polimathit dhe poliglotit dr. Kiril Karavelov, i cili përfitoi edhe një grant të bollshëm nga PEN International; por versioni i ri i romanit në frëngjishte, i botuar sërish nga Flammard, njëzëri u gjykua si totalisht mediokër. Edhe këtë herë, përkthyesja e versionit të parë Svetla Lazarova refuzoi të jepte shpjegime, duke u mjaftuar të vërente se Radevi e kish miratuar tashmë një përkthim të kryeveprës së vet, dhe as ai as bota e letrave nuk kishin nevojë për ndonjë version tjetër. Ata që i krahasuan përkthimet, dhe që nuk ishin pak, konkluduan se diferencat mes teksteve ishin kaq dramatike, sa mund të flitej për dy vepra të ndryshme. Të tjerë, për të kundërshtuar, sollën argumentin se përkthimi në rusishte i “Çarshisë”, i mbështetur në versionin origjinal bullgar, kish fituar tashmë çmimin Pushkin. Këtyre iu vu në dukje se juria e çmimit Pushkin, e përbërë nga një coterie snobësh, pas gjase e kish njohur “Çarshinë” në përkthimin frëngjisht të Lazarovës, meqë ata lloj kritikësh letrarë nuk lexonin kurrë në gjuhën e tyre amtare (rusishten) dhe çmimin Pushkin ia jepnin vetëm atyre autorëve rusë që ishin përkthyer në mos në Francë, të paktën në SHBA. Skandali mori për keq edhe kur u mësua se përkthime të tjera të “Çarshisë”, në gjuhë të mëdha dhe të vogla, ishin bazuar rëndshëm në versionin francez, madje edhe kur pretendonin të kishin përdorur origjinalin bullgarisht si pikënisje; dhe këtu disa akademikë bullgarë seriozisht dyshuan se tashmë në botë qarkullonte një version i tretë i “Çarshisë”, në trajtën e një kompromisi të vetvetishëm midis origjinalit bullgar dhe best-seller-it frëng; meqë përkthyesit – edhe kur kishin dashur t’i qëndronin besnikë versionit të parë – kishin shfrytëzuar të dytin sa herë që kishin ndeshur në vështirësi, përballë bullgarishtes aq idiomatike të Radevit. Për një shkelje e pabesi të tillë u akuzua deri edhe poligloti dhe polimathi dr. Kiril Karavelov, tekstin frëngjisht të së cilit, kinse të përftuar rishtas nga bullgarishtja e botimit të vitit 1963, e analizoi një ekip ekspertësh kompjuterikë nga Universiteti i Ontario-s, për të nxjerrë përfundimin se ngjashmëritë gjuhësore mes dy përkthimeve frëngjishte kishin 63% probabilitet që të mos i detyroheshin thjesht rastësisë. Para se të jepte shpirt edhe ajo për shkaqe natyrore, dhe si për ta pështjelluar edhe më enigmën, Svetla Lazarova, ish-përkthyese dhe kushedi edhe e dashur e njëhershme e Radevit, zbuloi se ai autor e pat shkruar në fillim “Çarshinë” në frëngjisht, që në vitet 1950, dhe me shpresë se do ta kontrabandonte jashtë Bullgarisë; dhe vetëm më pas e kish përkthyer dorëshkrimin, ai vetë fshehurazi, nga origjinali frëngjisht në bullgarishte; çfarë do të thoshte se versioni i parë dhe origjinal i romanit, i botuar në Sofje në 1963, ishte në fakt përkthim e kushedi edhe përshtatje nga një version frëngjisht në dorëshkrim, më pas i zhdukur ose i asgjësuar nga autori ose e ëma. Lazarova shtoi pastaj se, kur e përgatiti versionin bullgarisht, Radevit iu desh të mbante parasysh edhe censurën e shtëpisë botuese shtetërore, që ia kish marrë përsipër romanin; dhe se shumë pasazhe i ish dashur t’i rishkruante, ose t’i hiqte krejt. Specialistët e letërsisë bullgare bashkëkohore ranë në ujdi, me konsensus, se ishte në të mirë të Bullgarisë dhe të krejt kulturës botërore, që këto deklarata të fundit të një plake të rrjedhur të shpërfilleshin krejt, me argumentin se ajo përndryshe gjithë jetën kish heshtur për identitetin e kryeveprës së Radevit; dhe se prandaj meritonte të trajtohej me mëshirë, jo me kërshëri.

1 Koment

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: