MENDIME TË PAKREHURA (XXVI)

(nga Stanislaw Lec*)

Si të mendosh dhe të besosh me të njëjtin tru?

I pavdekshëm është edhe kush nuk ka lindur kurrë.

Mes Shilës dhe Karibdit, ruaju edhe nga vetja.

Të shpikësh klizmën për trurin.

E vërteta lakuriqe nuk ka seks.

Të presë vallë Zoti prej shkrimtarit satirik që ta bëjë për të qeshur me lutjen?

Nëse Zoti është i kudogjendshëm, çdo rrugë duhet të çojë tek Ai.

Dua të di çfarë na ka mbetur akoma nga përjetësia.

E kalova ditën në mënyrë shumë të frytshme. Jetova.

Do të vijë koha kur njerëzit të jenë vëllezër sërish dhe ta fillojnë nga e para me Kainin dhe Abelin.

Vër parashutën edhe kur shkon me këmbë.

Çdo fe e ka zanafillën në motive racionaliste.

Shpesh piramida sociale është njëkohësisht edhe Sfinks.

Kapaciteti i zemrës së tij nuk i kalonte dhjetë dashuri në muaj.

Vdekja nuk është koncept i vdekur.

Fakti që mund të na mashtrojnë sërish ngjall optimizëm.

Aktorja X është kaq e hijshme, sa nuk ia vë kush re fustanin që ka veshur.

Ka mendime që janë shurdhmemece.

I kish sytë e mendjes shumë të shtrembër.

E zbrazim dheun nga pasuritë dhe e mbushim me të vdekur.

Gjithçka është në menynë e kohës.

Edhe mendimi duhet ushtruar çdo ditë. Por jo kolektivisht.

Kemi shumë besim te realiteti. Po sikur të na zgjonin një ditë?

Nuk mbaron muzika kur e mbyll pianon.

Është më e lehtë të ringjallësh një popull, se një njeri.

Vetë fakti se dikush bën satirë, e tradhton si optimist.

A s’mund ta them gjithçka me fjalë të thjeshta? Po, por ashtu nuk do të më paguanin.

I kish vargjet shumë të nxehta. I përdornin në sobë, për t’i djegur.

Çfarë do të kish ndodhur sikur Zoti, me brinjën e Adamit, të bënte një Adam tjetër?

Bëri shenjën e kryqit me drapër e çekan.

Njeriu i vërtetë është i bërë me pyetje, Zoti i vërtetë duhet të jetë i bërë me përgjigje.

Turpi varet nga klima.

Brerorja zë vend më mirë në brirët e djallit.

Pashë njërin që e duartrokiste një balet sikur t’i jepte shpulla bythës një balerine.

Kulmi i ëndrrave të papagallit: të përsëritë veten.

Gjuha i gënjen mendimet.


 

(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: