LIRIA TË LODH

Jemi rritur, si brez, me radion: kemi dëgjuar çfarë ka dashur radioja që të dëgjojmë, e shumta duke zgjedhur stacionin.

Nga radio RAI, që e kam ndjekur për gati 35 vjet, do të kem marrë përafërsisht 80% pleh dhe 20% muzikë të vyer.

Ndërkohë, muzika e vërtetë, ajo e florinjta, gjithnjë vinte nëpërmjet albumeve, shiritave të magnetofonit dhe pastaj kasetave, pllakave të gramafonit, më pas CD-ve.

Dhe bashkë me këtë ndërrim të medium-it, ndërronte edhe mënyra e konsumit: nëse radioja ishte një lloj mense, ku ti thjesht haje çfarë të kishin gatuar të tjerët, opsioni tjetër i ngjante restorantit, ku mund të zgjidhje nga një meny.

Mundësia për të zgjedhur është atribut i lirisë: ti hyn në një dyqan muzike dhe zgjedh të blesh albumin që dëshiron, nga artisti që të pëlqen.

Zgjedhja mund t’i besohet edhe intuitës, ose të ndikohet nga një kopertinë e bukur ose nga moda (trendi) – por përndryshe lyp që të jesh i informuar, ose ta dish se çfarë kërkon.

Nëse të pëlqejnë King Crimson, nuk do të shkosh të zgjedhësh te seksioni i muzikës hip-hop.

Dhe nëse zgjedhja është atribut i lirisë, liria ka kuptim vetëm për atë që njeh diçka – ose që ndjek një sugjerim të një miku të informuar, ose një rekomandim që e ka parë në një revistë.

Interneti e përmbysi edhe këtë raport; sepse tani praktikisht të gjithë zgjedhim të dëgjojmë atë që duam.

Jemi të lirë. Madje jemi aq të lirë, sa kemi përfunduar robër të lirisë sonë.

Sepse të zgjedhësh muzikën që të pëlqen, është e kundërta me të pëlqesh muzikën që zgjedh. Duke eliminuar faktorin e rastësisë, që e siguronte radioja, ne eliminojmë edhe mundësinë për t’u kapur në befasi.

Lëvizim në territore gjithnjë të njohura, njëlloj si turistët që gjejnë të njëjtat hotele dhe plazhe dhe cocktail-e – si në Florida, ashtu edhe në Antalya, edhe në Aruba, edhe në Cancún të Meksikës.

Trajektoret tona, si konsumatorë të kulturës, janë po aq të përcaktuara, sa edhe shtegu që ndjek në një videolojë.

Dhe muzika që gjithnjë kemi dashur na shndërrohet në qeli burgu.

Shpëtimi ndoshta vjen sërish nga radioja – që të nxjerr nga algoritmi, duke të servirur diçka të panjohur, për të të kapur në befasi, për të të habitur.

Paradoksalisht, liria që të ofron tregu dhe Interneti dhe xhepi ka për efekt anësor zhdukjen e rastësisë nga eksperienca.

Dhe kjo është aq më serioze, sa më shumë që ti kujton se e di se çfarë kërkon.

Vetë zgjedhja, përfundon në një simulim të zgjedhjes – njëlloj sikurse vrapimi sportiv në natyrë simulon gjahun, ku ti je, sipas rrethanave, preja ose predatori.

Solla si shembull muzikën, por mund të kisha sjellë letërsinë: sot, dikush që jeton në Perëndim, i zgjedh librat që lexon o sipas librave që ka lexuar më parë, o në bazë të rekomandimeve të motorit të Amazon-it (dy opsionet gjithsesi rrethpriten).

Nëse ke blerë Mandelstamin, Amazon-i do të sugjerojë Akhmatovën ose Pasternakun, por kurrsesi jo Longfellow-n.

Revistat letrare dhe kulturore, që duhej të luanin një rol të ngjashëm me atë të radios, duke të vënë në kontakt me rastësinë ose duke “të hapur sytë”, në fakt ndjekin edhe ato të njëjtat kritere dhe parime, që i ka bërë të vetat algoritmi zgjedhës i Amazon-it.

Kohët kur ti hyje në librari thjesht për të blerë një libër dhe dora të shkonte te një autor i quajtur Italo Calvino, ose Adolfo Bioy Casares nuk vijnë më.

Ka një mur gome, midis teje dhe çfarë do të ishte për ty libri ideal për t’u lexuar – dhe ky mur është iluzioni i lirisë sate për të zgjedhur.

Kohët kur ti prisje që të vinte radha për të lexuar një libër të huaj të ndaluar, që qarkullonte dorazi në rrethin tënd, dhe që e pëlqenin të gjithë, nuk vijnë më.[1]

Me përjashtim ndoshta të Hit Parade-s, radioja italiane në vitet 1960-1980 nuk e fshihte që po të servirte, për të dëgjuar, muzikë të zgjedhur prej producentëve dhe editorëve të saj.[2]

Tregu i sotëm, me gjithë milionat e titujve në dispozicion, dhe me gjithë misionin për të qenë customer-centric, vetëm sa të bën të besosh se je ti që vendos.

Dhe jo vetëm kur ti veç ndjek symbyllur shtegun e përpjekjes më të vogël të more of the same, por edhe kur dëshiron të ndërrosh faqe, të kuturisesh në të panjohurën, të futesh në xhungël në kërkim të emocioneve të forta; ose për të gjetur dhe zbuluar çfarë ke humbur deri më sot.

Se algoritmi e ka parashikuar edhe se çfarë do të zbulosh.

Njëlloj si në labirint, ti mund të ndjekësh rrugë nga më të ndryshmet, edhe pse secila nga rrugët që ti ndjek është e dizajnuar paraprakisht.

Në mendjen e makinës, zgjedhjet e tua të njëpasnjëshme reduktohen në një formulë të vetme.

Prandaj, tha, duhet dëgjuar të paktën herë pas here një radio e huaj.[3]

(c) Peizazhe të fjalës


[1] Çdo libër i botuar dhe i shitur në treg kalon përmes shumë filtrave, para se të bjerë në dorën tënde, të cilat filtra të gjitha e reduktojnë lirinë tënde si lexues; por një libër i huaj, i kontrabanduar në Shqipërinë e rinisë sime, me siguri nuk ishte destinuar për t’u “konsumuar” nga një lexues si unë.

[2] Aq më tepër, në rastin e radio RAI-t dhe radiove të tjera të huaja, ato zgjedhje bëheshin për një publik tjetër, jo për ty që dëgjoje vjedhurazi, publik i paparashikuar. Radioja komerciale gjithnjë ishte në shërbim të tregut të muzikës – por për dëgjuesin në Shqipëri ky treg i muzikës nuk ekzistonte; në përgjithësi, ne të atëhershmit gjendeshim në një situatë surreale, kur mass media-t e huaja na reklamonin produkte për ne të paqena.

[3] Kur po merresha me këtë shkrim, pashë një ëndërr kurioze: sikur isha duke dëgjuar radion, në Tiranë, së bashku me të afërmit e mi, dhe papritur filloi një këngë e prezantuar si kryesorja e albumit Abbey Road të Beatles-ave, me titullin “Baby, don’t you wipe [sic!] your windows”, dhe unë aq shumë u ngazëlleva, sa fillova të këndoj edhe vetë me zë. Kur më doli gjumi pas pak, me këngën që më kumbonte akoma në kokë, zbulova se melodia e kësaj pjese fantomatike ishte marrë nga “Lucy in the sky with diamonds’, sërish e Beatles-ave; ndërsa koncepti i tekstit kushedi nga kënga “Steamy windows” e Tina Turner-it. Mbajta mend edhe që, në ëndërr, më pyetën se ç’kuptim kish kjo këngë, dhe unë u shpjegova, pa m’u dridhur syri, se refreni kërkonte që të mos i pastroje dritaret, nëse nuk doje që të tjerët të shihnin se ç’mbaje të fshehur. Në çdo rast, një tjetër provë – e panevojshme për mua – se “nuk ka gjë të re nën këtë diell.”

3 Komente

  1. Edhe unë, si autori dhe shumëkush që i ka kapërcyer të 50-at e kam kaluar rininë time me radio në vesh. Kur jetoja në bregdetin shqiptar të viteve ’80 mund të dëgjoja mirë në verë gjithfarë kanalesh radiofonike në FM dhe pa qenë i orientuar, besoj sot se duhet të kem dëgjuar edhe unë mbi 90 % gjëra, që kurrkujt nuk i hyjnë në punë. Sot do ta shikoja më ndryshe këtë punë. Duke dëgjuar gjëra të tilla, unë mësova për ekzistencën e vetëkuptueshme të gjërave që ekzistonin jashtë sistemit të botës time shqiptare të asaj kohe që ishte jashtëzakonisht e ideologjizuar dhe e kufizuar. Pra mësova, që ka edhe gjëra të tjera, të cilat, pavarësisht se sa pa kuptim janë, ekzistojnë objektivisht, pa e çarë fort kryet për dogmën e PPSh-së. Mu hap veshi. Me hyri gjuha. Dhe pse jo, mu hapën sytë. Me atë vesh të hapur dhe sy të shqyer, kur dola në perëndim e dija, se sado e çuditshme që mund të më dukej diçka, ajo ishte e vetëkuptueshme në vendin e vet. Mësova ndoshta të jem tolerant, pa e verbalizuar akoma këtë veti. Kam parë shumë të tjerë, të cilët si edhe unë dikur kapërcyen dikur kufirin dhe që në fillim edhe sot ruajnë një pozicion refuzues karshi asaj që ndeshin në botën e re. Edhe pas 20 vjetësh.

    Sot, larg Italisë por falë Internetit, dëgjimi i radios italiane është një nga kënaqësitë personale, që i shijoj me të njëjtin intensitet si dikur; në të vërtetë është e vetjmë konstante kulturore që kam me botën time shqiptare të vjetër. Nga Shqipëria mediatike kulturore të sotme nuk gjej dot diçka timen. Tek Rai po. Që të mos më thotë dikush, “pse ore, akoma “hiparenë” dëgjon ti?” Sigurisht që jo. Nga muzika argëtuese e pasdites, e zgjedhur dhe transmetuar në vitet ’80 nga Radio Due tek unë pavarësisht nga shijet e mia, por që i ndikonte ato bajagi, duke mbetur besnik i sistemit të dëgjimit të muzikës që e kanë zgjedhur të tjerët kam mbi 7 – 8 vjet që dëgjoj rregullisht “battiti” të Radio Tre. Program i hatashëm. Fillon nga ora 00:30 dhe është rreth 90 minuta. Nuk ke nevojë të rrish si kukudh dhe ta presësh, por e shkarkon si podcast dhe i ke të gjitha aty brenda. Cilësinë, papritshmërinë, analizën dhe kritikën, muzikën e një niveli të lartë artistik, konceptualitetin e saj.

    Ndërkohë që si nja 6 – 7 kartonë me CD të grumbulluara në fundvitet ’90, kam mbi 10 vjet që i mbart nga një bodrum në tjetrin gjatë këtyre katër herëve që kam ndërruar shtëpinë. Muzika e Radios, por jo vetëm kjo, edhe teatri radiofonik, leximi i literaturës, pra ndërmjetësimi i pasurive kulturore të zgjedhura jashtë vullnetit tënd është (për fat) ende i mundshëm, madje edhe kur pretendon te jetë i një niveli të lartë. Mjafton të dëgjosh kanalin e duhur.

    Battiti

    http://www.radio3.rai.it/dl/portaleRadio/Programmi/Page-b925e569-2485-4480-b254-409a8f03a6c9.html?set=ContentSet-690bd841-b852-4cf3-b812-3a06cee87c72&type=undefined

  2. Diku,krejt rastesisht, degjoj motivin e “Seranade” te Schubert.Me behet fiksim.Hyj ne Youtube.E degjoj;ne disa variante,nje prej te cilave me shpie tek “Serenade” e Steve Miller Band…pastaj,nga ketu tek “One way ticket” e Eruption, e qe ketej,tek origjinali i Neil Sedaka!Nga ketu tek A.Williams,P.Simon & A.Garfunkel tek nje bashkepunim i mrekullueshem i te treve bashke(Scarbourough fair),per te perfunduar tek folku skocez!Por,prit,se qe ketej ,hop! dhe dalim tek folku rus…tek ai gjerman,tek ai ballkanas e deri tek ai i popujve native te te dy amerikave…nga ku krejt papritur(kondori) dal perseri tek Simon&Garfunkel, per t’u arratisur me tej ku te me doje qejfi.
    Ky eshte vetem nje shembull.
    Nuk ka rruge te dizenjuara per mua.Ato i dizenjoj vete.Ose i ridizenjoj sipas deshires time.
    Radioja eshte nostalgji.Eshte pikerisht kjo nostalgji qe shpjegon njefare mrekullimi pas saj.

  3. Nje shkrim i mrekullueshem qe me pelqeu pa mase! I vertete, i thjeshte dhe i bukur! Po vecoj dicka nga shkrimi i Ardianit: “Jemi të lirë. Madje jemi aq të lirë, sa kemi përfunduar robër të lirisë sonë. Sepse të zgjedhësh muzikën që të pëlqen, është e kundërta me të pëlqesh muzikën që zgjedh.” Me lakonisht nuk ka ku te shkoje!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin