PARA OPERACIONIT

Kur e sollën plakën e shkretë në urgjencë, ajo gati kish rënë në komë dhe kish urinuar në vete.

Për fat, kryekirurgu – një burrë i hijshëm, flokëthinjur dhe me një buzëqeshje si gjerdan perlash – dukej në kontroll të plotë të situatës, pasi e kishin paralajmëruar për mbërritjen.

I dha urdhër ekipit ndihmës të bënte gati të sëmurën për operacion, teksa ia ekzaminoi kësaj trupin me shpejtësi.

Do t’i bëjmë rikonturim të gjoksit, me pak lifting sipas nevojës, u tha familjarëve që prisnin të shqetësuar. Korrigjim të skoliozës, pak skulpturim të krahëve gjithashtu, riorientim të hundës dhe rekonstruksion të veshëve të deformuar dhe të pubisit.

Ndërkohë, meqë e kemi në sallë, nuk e përjashtoj edhe një lifting të lehtë të vetullave dhe mbjellje të flokëve në zonat parietale.

Ka rrezik të na vdesë nëna, doktor? – pyetën familjarët, gjithë ankth.

Vdekja është gjithnjë një mundësi, por një opsion, tha kryekirurgu, më profesional se kurrë.

U bënë dy ditë që nuk komunikon me ne, as ha as pi, shtuan familjarët. I kemi dhënë ujë me lugë… Na duket sikur nuk na njeh më!

Gjithçka do të rregullohet, i qetësoi kryekirurgu. Injeksionet tona, me botoks dhe kolagjen, bëjnë mrekulli. Nëse ju nuk keni kundërshtim, mund të ndërhyjmë edhe te qepallat, ndërkohë që ekipi ndihmës kryen pilingun kimik. Nuk do ta njihni nënën, kur ta shihni sërish.

Do ta durojë dot anestezinë totale? – pyetën sërish familjarët, me lot në sy.

Anestezisti ynë është turk, shpjegoi kryekirurgu; prandaj nuk keni arsye pse të shqetësoheni. Ne bëjmë me mijëra ndërhyrje të tilla në vit. Varësisht gjendjes së të sëmurës, do të vendosim pastaj edhe nëse do t’i vendosim implante silikoni në faqet apo jo.

Nga një ekzaminim i shpejtë, vazhdoi ai gjithë duke lexuar kartelën që kish përpara, kemi konkluduar se pacientja ka gjithashtu nevojë urgjente për liposuksion.

Ajo mezi merrte frymë kur e sollëm, thanë familjarët. Gulçonte. I dilte shkumë nga goja. Kemi frikë mos i ka rënë damllaja.

Kjo nuk do të ndikojë në procedurat tona, tha kryekirurgu. Kini parasysh që, para se të nisim operacionin, pacientja do t’i nënshtrohet edhe trajtimit me shampo biologjike dhe locion, hapjes radikale së poreve, oksigjenimit të sqetullave dhe tonizimit elektro-magnetik të glutealeve dhe të kofshëve. Ndërkohë, gjatë operacionit, ekipi ynë i ndërhyrjes së shpejtë kozmetike do t’i bëjë pacientes manikyr të plotë të gishtave të duarve dhe të këmbëve dhe zbutje të themrave.

Kemi shumë ankth, o doktor, thanë familjarët.

Deri edhe vetëm pesë vjet më parë, ndërhyrje të tilla kanë qenë të pamundura tek ne, tha kryekirurgu, jo pa një farë krenarie. Por sot, për spitalin tonë flasin revistat më të njohura të kozmetikës kirurgjikale dhe plastike, në Perëndim dhe në Lindje. Dhe flasin me superlativë! Madje disa prej të sëmurëve tanë kanë marrë pjesë, të shoqëruar nga mjekët duarartë, në Bienalen e kirurgjisë estetike, në Trieste!

Nuk duam që të na vdesë nëna në spital, thanë familjarët, të rrëmbushur.

Në këtë moshë, u mundua të arsyetojë kryekirurgu, vdekja nuk mund të përjashtohet krejtësisht. Por të jini të sigurt për një gjë: nëna juaj do të vdesë e bukur. Yll e bukur.

 

3 Komente

  1. “Dhe certifikatën, atë të vdekjes, do e lëshojmë dixhitale”, sqaroi më tej kryekirurgu. “Edhe me të bukur akoma!”

    [Kështu, si në vend të epilogut, me buzën vesh më vesh.]

  2. Në përfundim të operacionit kryekirurgu i siguroi fëmijët e pacientes se kryeinfermierja hutaqe e sallës ishte pushuar pa ceremoni nga puna pas aplikimit të buzëkuqit all ndërkohë që pacientja mbante veshur një prej atyre këmishave me lule ngjyrë pjeshke. “E patolerueshme, komentoi mjeku, një shkujdesje e tillë ndaj estetikës nuk përfaqëson vlerat profesionale dhe etike të spitalit tonë”…. Ndërkohë djali i madh i pacientes pat filluar negocimet e çmimit me përfaqësuesin e agjencisë funerale që e pat hapur zyrën mu ngjitur me hyrjen e urgjenceës së spitalit.

  3. Me nje fjale, njeri i binte gozhdes e tjetri patkoit. Kjo me kujton edhe nje dialog qe ben Fadil Hasa me nej koleg tjeter, (ia harrova emrin).
    Dhe vertet nena u kthye ne shtepi si nuse e re, aq e bukur, sa per nie moment pjestaret e shtepise nuk e vune re arkivolin ku ajo rinte shtrire. Me adhurim e veshtronin te gjithe perreth, duke belbezitur mbi bukurine e saj, dhe vetem nje nipce e vogel u kujtua ta prishte ate mahnitje kolektive, tek bertiti me te madhe: nena eja te luajme pak ne oborr.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: