FUQIA E PAKICËS (II)

Kur jam në Tiranë, çdo ditë herët në mëngjes më zgjon zëri i myezinit, që thërret ezanin nga altoparlantet e minaresë te Rruga e Kavajës, mu përballë dritareve të dhomës ku fle. Edhe pse u bënë vite që vij shpesh këtu, sërish nuk arrij dot të mësohem me këtë lloj ndërhyrjeje akustike në hapësirën time private – sikurse nuk besoj se në shkrimet e shenjta të Islamit flitet gjëkundi për amplifikimin elektronik.[1]

E megjithatë, gjithë pa u mësuar dot me këtë zë që këndon në arabishte dhe me këtë ritual që nuk më përket por që më hyn çdo ditë në dhomë e vjen tek unë pa më pyetur, sërish jam mësuar me praninë e komunitetit të madh mysliman në Tiranë, të cilit i përket qyteti po aq sa edhe komuniteteve të tjera, dhe për të cilët ai ritual i këngës në pikë të sabahut dhe në orë të tjera të ditës ka doemos rëndësi të madhe. Lypet prej meje të ushtroj virtytin e tolerancës ndaj kësaj parehatie të vogël; tolerancë të cilën ia kultivoj vetes, me shpresën se edhe komunitetit mysliman mund t’i duhet të tolerojë gjëra që bëj unë ose të tjerët si unë që nuk besojnë; ose edhe komunitetet e tjera fetare me të cilat ndajnë hapësirën e qytetit.

Çfarë ka edhe më rëndësi, ky rit haptazi fetar, nuk më fton gjë të marr pjesë në të dhe as t’i bashkohem; as më dikton si të sillem dhe çfarë të bëj; madje më lejon të ruaj “neutralitetin”, po aq sa edhe tingulli e kambanave të kishës. Është vërtet rit i një pakice, por – të paktën në Shqipëri – i një pakice tolerante, që nuk kërkon të imponojë virtytin e vet ndaj të tjerëve.

Por ky konstatim nuk i jep përgjigje pyetjes se çfarë do të thotë, për mua si agnostik dhe të tjerët si unë, prania e spikatur e komuniteteve fetare në Tiranë; harmonia dhe rivaliteti mes tyre; dhe përpjekjet për t’i futur në konflikt, që nuk mungojnë. Veç e veç, secili prej komuniteteve është një pakicë, por pakicat mund të marrin kontroll të një shoqërie, në qoftë se janë mjaftueshëm intolerante – të paktën kështu duket se beson Nassim Nicholas Taleb-i, në esenë e tij me titull “Më intoleranti fiton: Diktatura e pakicave të vogla”, pjesë e librit të tij të ardhshëm, Skin in the Game, që do të botohet së shpejti. Prandaj virtyti i tolerancës, ose i fleksibilitetit të një komuniteti fetar nuk vlen vetëm për të ruajtur harmoninë ndërfetare dhe paqen sociale, por edhe për t’u mbrojtur nga ndonjë tundim i ndonjërës palë për t’i marrë punët në dorë (ose për të vënë rregull).

E rëndësishme, për argumentin e Taleb-it, është që edhe thjesht intoleranca në punë të fesë do të mjaftonte, për të krijuar çekuilibër dhe për të favorizuar palën intransigjente. Sipas këtij autori, përhapja e Islamit në Lindjen e Afërme, ku Krishterimi ishte i rrënjosur mirë (tek e fundit, atje edhe ka lindur) mund t’u atribuohet dy asimetrive. Thotë Taleb-i: “Sunduesit e hershëm islamikë nuk kishin ndonjë interes të veçantë për të konvertuar të krishterët, meqë këta u siguronin të ardhura nga taksat; dhe prozelitizmi i Islamit nuk prekte të ashtuquajturit “popuj të librit”, ose të besimit abrahamik.” Në fakt, vazhdon ai, stërgjyshët e tij të krishterë mbijetuan trembëdhjetë shekuj nën sundimin e myslimanëve, meqë kjo u sillte disa avantazhe: kryesisht, ngaqë i shmangeshin shërbimit ushtarak.

Po cilat janë ato dy asimetri, që favorizuan përhapjen e Islamit në rajon? E para, nëse një burrë jo-mysliman martohet me një grua myslimane ai duhet të konvertohet në Islam; dhe në qoftë se edhe njëri prej prindërve të një fëmije qëllon të jetë mysliman, atëherë fëmija do të jetë mysliman. E dyta, të bëhesh mysliman është diçka e pakthyeshme, meqë apostazia është krimi më i rëndë në këtë fe dhe ndëshkohet me vdekje. Sipas Taleb-it, mund të ndërtohen simulime të thjeshta mbi bazën e këtyre dy rregullave asimetrike, për të parë si një grup i vogël myslimanësh që pushtuan Egjiptin e krishterë (kopt) mundësuan, në rrjedhë të shekujve, islamizimin pothuajse të plotë të Egjiptit, ku koptët sot janë një pakicë e shpërfillshme. Gjithçka që duhet, shpjegon ai, është një përqindje e vogël martesash midis komuniteteve të feve të ndryshme. Për shkak të gjeografisë së vet, Egjipti ka një shpërndarje pak a shumë homogjene të popullsisë, çka e ndihmon rinormalizimin; në një kohë që në vende me gjeografi të thyer, si Libani, Galilea dhe Siria e Veriut, vetë terreni malor i mbajti të izoluar të krishterët dhe myslimanët e tjerë jo-sunitë nga myslimanët sunitë, duke i penguar martesat ndërfetare.

Koptët e Egjiptit, thotë Taleb-i, e pësuan edhe nga pakthyeshmëria e konversioneve në Islam, meqë shumë syresh, gjatë sundimit islamik, u konvertuan kur ky ndërrim feje ishte thjesht një procedurë administrative, diçka që të ndihmonte për të gjetur një punë ose për të zgjidhur një problem.[2] Përndryshe, Islami nuk është aq haptazi në konflikt me Krishterimin ortodoks, sa të përjetohej ndërrimi si dramë. Por çfarë ishte një formë akomodimi për prindërit, nuk është më për fëmijët, dhe kështu feja e mëparshme do të harrohet.

Kjo është e ngjashme, vazhdon Taleb-i, me mënyrën si u përhap Krishterimi në Perandorinë Romake, ose falë intolerancës së verbër të Krishterëve të hershëm, dhe kryeneçësisë së tyre të pakusht, agresive dhe prozelituese, përkundrejt tolerancës së paganëve të Romës, të cilët ishin gati ta pranonin edhe Krishtin në panteonin e tyre të larmishëm.

Nuk jam në gjendje ta vlerësoj, nga pikëpamja historike, këtë parashtrim të Taleb-it, edhe pse mendoj se ai e njeh mirë historinë e Egjiptit dhe të Lindjes së Afërme. Por arsyetimet e tij për përhapjen e Islamit në Egjipt më bënë të mendoj për rrethana të ngjashme gjatë islamizimit të shqiptarëve, nën sundimin osman. Dhe pikërisht, të shtroj pyetjen se çfarë roli ka luajtur, në këtë proces transformimi masiv, bashkëjetesa e dy komuniteteve, të krishtera dhe islame; aq më tepër bashkëjetesa në harmoni. Sepse harmonia i shton marrëdhëniet dhe këmbimet tregtare dhe sociale, miqësitë dhe aleancat ndërfetare; dhe herët a vonë do të ketë edhe martesa ndërfetare, të cilat – po të kemi parasysh dy rregullat asimetrike të parashtruara nga Taleb-i – çojnë detyrimisht në shtimin e numrit të myslimanëve, pa qenë nevoja për prozelitizëm dhe aq më pak për konvertime të dhunshme. Me fjalë të tjera, a ka mundësi që martesat mes shqiptarëve të krishterë dhe shqiptarëve myslimanë të kenë ndikuar në islamizimin e shqiptarëve po aq sa edhe privilegjet që vinin me konvertimin në Islam dhe, të mos e lëmë jashtë, bindja e disa prej të konvertuarve se Islami ofronte një rrugë më të drejtë për te Perëndia?

 


[1] Nuk e kam marrë vesh dot nëse thirrja e ezanit, e përcjellë nga altoparlantë të fuqishëm ekzekutohet live, nga myezini i xhamisë, apo është e regjistruar dhe veç ritransmetohet. Mbaj mend turbullt që, para se të mbyllej kjo xhami në rrugën e Kavajës në vitin 1967, myezini e ka pasë thirrur ezanin vetë, që nga ballkoni i minaresë – por kjo mund të jetë edhe një kujtesë e rreme.

[2] Këtë dukuri e kam konstatuar në disa familje shqiptare që, në fillim të viteve 1990, hynë në marrëdhënie, krijuan miqësi dhe patën shkëmbime me komunitete fetare, të krishtera (evangjelistë, etj.), dëshmitarë të Jehovait ose myslimane, të tërhequra nga mundësia për të njohur të huaj që tregonin interes për ta, por edhe për të siguruar prej tyre përfitime; por që pastaj panë – ndonjëherë me tmerr – si pjesëtarë të familjes e përqafuan fenë e të tjerëve seriozisht, madje deri në fanatizëm. Aq më tepër ndodh kjo, kur një grup ose komunitet është intolerant, sepse ashtu dëshira për të bërë përpara kombinohet me garën se kush tregohet më intolerant se tjetri. Çfarë i ka disa ngjashmëri edhe me përhapjen e komunizmit në Shqipëri, tek e fundit dhe fitores, brenda lëvizjes komuniste te ne, të krahut më sektar, më intransigjent, më të pagatshëm për lëshime dhe kompromise.

7 Komente

  1. stërgjyshët e tij të krishterë mbijetuan trembëdhjetë shekuj nën sundimin e myslimanëve, meqë kjo u sillte disa avantazhe: kryesisht, ngaqë i shmangeshin shërbimit ushtarak.

    Interesantja eshte se sot pinjollet e familjeve te krishtera pellasin fort se paraardhesit paskeshin qene te detyruar te paguanin ‘xhizjen’, taksen ne kembim te sherbimit ushtarak. Ja qe paska pasur nje perfitim edhe kjo pune. Fjala e motshme “c’do e keqe e ka nje te mire” vazhdon te jete aksiomatike.

  2. Shembulli i zones se Lures mund te jete interesant ne kete kendveshtrim. Une e kam hasur tek Kuni/Coon, i cili i ka rene kryq e terthor Gegerise malore diku nga 1930, i permend martesat e perziera dhe e cileson si faze islamizimi e krahines. Po ashtu pohon se Zogu e merrte Luren si shembull harmonie fetare per gjithe shqiptaret.
    Natyrisht nuk mund te merret si argumenti kyç i islamizimit, meqenese nuk shpjegon dot ekzistencen e te krishtereve.

    Qafir, ne rastin tone ndryshe nga Talebi thuhet se shqiptaret u bene myslimane qe te kryenin sherbimin ushtarak, sepse avantazhet e luftes ishin me te medha se te paqes ose sepse donin te mbanin arme. Po kjo eshte çeshtje kendveshtrimi dhe jo rregull, persa kohe qe malesoret e krishtere si ne veri si ne jug, kane mbajtur arme.
    Malesite e kane arritur relativisht shpejt maksimumin e popullsise per nivelin teknologjik te epokave te ndryshme, keshtu qe o do te zbrisnin drejt fushave ne paqe o do te vriteshin mes veti ne male. Kur nuk ishte e mundur te zbrisje paqesisht ne fushe e vetmja alternative ngelej arma. Kur mund te nxirreshin leke nga arma, aq me mire akoma.

    Persa i perket perhapjes se krishterimit te kohen e Romes, kam hasur ne gjera te njejta me Talebin. Ne pergjithesi teoria e pakicave sunduese eshte e njohur dhe e vjeter, Talebi i jep interpretim ne lidhje me konceptin e intrazigjences, e cila ne fund te fundit deshmon per nje identitet te forte e te palekundur, por ama kjo shpjegon vetem nje ane te medaljes, persa kohe qe ne pergjithesi pakicat asimilohen, e nqs nuk perkulen atehere thyhen.
    Pakica per te qene sunduese duhet te kete ne dore shtetin ose forcen ushtarake, nuk mjafton as identiteti i forte , as palekundshmeria e tij, dmth perveç vullnetit duhet edhe takati.

    Nje interpretim pajtues mund te ishte edhe ai i kontakteve te vazhdueshme, riformulimi e ripermasimi i çdo shumice dhe pakice, derisa fenomeni me i dobishem kthente shumicen ne pakice dhe pakicen ne shumice. Po ashtu kthimi i pakices ne shumice mund te vije nepermjet zgjerimit te rratheve me qender nje qytet, keshtjelle apo kishe, xhami.
    Ne kete asimilim te shumices ne secilen faze mund te kemi nje shumice e cila asimilion nje pakice, persa kohe qe çdo çdo grup i ri, i cili i bashkangjitet pakices duke u shkeputur nga shumica, ne te vertete eshte me i vogel numerikisht sesa grupi i ri.

    Persa kohe qe s’ka nje asimilim total te shumices nga pakica brenda nje brezi, por nevojiten shume breza, atehere mund te mendohet se ne çdo brez jane asimiliuar ata pak qe kane qene ne kontakt me qendrat e pushtetit. Nje shperndarje e mire gjeografike e pakices sunduese ne territor duket se pershpejton asimilimin, sepse krijon me shume rrathe.

    Ne fund fare del se ne cilindo moment te caktuar ta ndalesh kohen shumica e asimilon pakicen, jo shumica numerike absolute ne territor, por shumica e popullates brenda ketyre rratheve.
    Pakica duket se ka fuqi, kur arrin te izoloje individe te ndryshem te shumices, t’i shkepuse nga shumica duke ”i integruar” ne rrathet e saj, brenda te cileve ajo operon si shumice nga ketyre individeve, te cilet ne çdo faze jane me pak brenda ketyre rratheve.

    Ta zeme, nje kishe si qender pushteti fetar ndertohej ne nje lagje te krishteresh ne nje qytet te Romes se lashte. Ne ate lagje ka pasur edhe pagane, te cilet kane qene shumice ne qytet dhe minorance ne lagje, por edhe si brenda rrethit, te paret e asimiliuar, mandej zgjerohej rrethi tek lagjja ngjitur derisa ndertohej nje kishe e dyte, keshtu derisa merreshin lagjet e varfra te qytetit. Me vone, ku u be fe zyrtare, qyteti sherbente si qender rrethi per krahinen, ku fshatrat ngjitur asimiloheshin te parat.

    Cdo pakice i duhet te sillet si shumice brenda nje rrethi te vogel qe te asimiloje, çifuteve u duhet getoja, brenda te ciles silleshin si shumice, perndryshe nqs shperndahet dhe nuk arrin te krijoje askund nje rreth pushteti atehere asimilohet, le te jene individet ne vetvete me te palekundurit, agresive dhe intolerantet ne bote. Ne fund fare, sasia eshte superiore ndaj cilesise.

  3. Gjithmonë kam menduar, ndoshta gabim, se martesat e përziera janë një fenomen relativisht i ri në shoqërinë shqiptare, që nisi pas L2B, në fillim i kufizuar në numër, kryesisht nëpër qytete gjatë viteve 1950-’60, duke u kthyer në një fenomen masiv në vitet 1970-80 dhe më vonë. Nisem dhe nga historiku personal – ai familjar dhe ai shoqëror – ku martesat ndërfetare tek të afërmit dhe të njohurit u kthyen nga ‘përjashtim’ në vitet ’70, në ‘rregull’ pas viteve ’80. Ndërsa në dy dekadat e pas luftës dhe më herët martesat në fis nga të dyja anët, edhe pse jo besimtarë të devotshëm, ishin, me aq sa di unë, të gjitha ‘brenda fesë’. Thjesht për traditë.

    Ndoshta në qytete ka qënë ndryshe edhe para lufte, por në fshat të martuarit ishin pothuajse gjithmonë të së njëjtës fe. Aq më tepër që dhe ndarja midis popullsisë myslimane dhe asaj të krishtere ishte shpesh me fshatëra: fshat muhamedanësh, fshat kaurësh (po përdor gjuhën e gjyshes!), dhe kontaktet mes tyre, edhe pse joarmiqësore, ishin të distancuara megjithatë. Kjo mund të ketë qenë ndryshe më parë, natyrisht.

    “Martesat ndërfetare dhe ndikimi i tyre në islamizimin dhe mbi kohezionin social të popullsisë shqiptare” do të ishte një temë e mirë për disertacion në lëmin e historisë ose sociologjisë.. :).

  4. Nuk e di pse po me vinka mire (me siguri base ngaqe jam patriot), qe Frang Bardhi qenka pothuaj gjysme mijvjeçari perpara Talebit.
    Ja si thote ne nje nga relacionet e tij:
    Unë pra, për ulrdhën të Kongregacinit të Shenjtë, dhe për arësyet që dalin në shesh (sepse po të jipet leja me marrë të krishtena turqit, keta përherë vashat e krishtena do të mernin për gra, dhe pjella e tyne do ishte e pa fe, e kështu do të shkonte tue u hollue krishtenimi)

    Meqe nuk e nenvizoj dot po e rishkruaj… do te shkonte tue u hollue krishtenimi.

    Dhe me pas ai thote se per te ndaluar kete bjerrje te krishterimit nder trojet tona: “… ua kam mohue sakramendet (grave, shenim i imi), kurse,ato i kërkojnë me lutje të madhe dhe thonë se, po ta kishin dijtë se asht mekat, kurr s’do ta kishin bamë, por tash, po të ndaheshin nga burrat e tyne turq , s’kanë askund ku të shkojnë,ashtu edhe vojvoda do t’i kapte e do t’i shiste.

    Pra Bardhi jep arsye akoma me komplekse, por shenoj se me turq ketu ai nenkupton shqiptaret e islamizuar.

    Me sa kuptohet nga relacionet e tij, une ngre edhe nje pyetje jo fort pudike, per te eksploruar nje dimension per te cilin nuk flitet shume: Po sikur e gjitha kjo te ishte pune seksi?

    Dhe kete e them,se ne nje relacion tjeter, kur ai qorton nje fshatar (sepse e kishte lene te krishtere dhe e kishte gejtur turk) , ky i fundit si me siklet i pergjigjet se e kishte nderruar fene sepse… Islami i lejonte te kishte shume gra.

    Duket qe kjo dhe te tjereve qe diçka qe u pelqente shume!

    Me tej, duke u nisur nga Bardhi mund te vihet perpara edhe nje arsye tjeter jo me pak e sikleteshme, qe lidhet me nje seri rregullash morale dhe e sociale te cilave duhej t’u nenshtrohej nje i krishtere, e qe me sa duket ne ate kohe nuk ishte i detyruar t’u permbahej nje muhamedan.

    Po e le prape Bardhin e mire te flase (sipas relacionit Puka dhe malesoret):

    “Kur pastaj kreva meshën dhe krezmimin […] erdhi kreu Mengu [kryeplaku i fshatit Gash në zonën e Pultit] me disa të tjerë tue murmurue e tue turfllue e më thanë se atë që kishëm thanë në fjalim ishte e pamundun që ata ta zbatonin me qenë se n’asnjë mënyrë nuk mund të rrinin pa vjedhë, pa vra atë që u vret farefisin, pa e shpërblye të keqen me të keqe”

    Ja pra edhe nje interes tjeter per te hequr qafe rregulla e ngushtime te tilla morale e sociale, por sot per ne mbetet e trishtueshme kur mendon se 1500 vjet krishterim kishin kaluar pa asnje ndikim ne sjelljen e zbutjen e tyre.

    Pastaj, jo per debat, por me duket shume e thjeshtesuar kjo pune kur Taleb kerkon te aplikoje te njejten logjike edhe per krishterizimin e Perandorise romake. Gibbon-i do kthehej permbys aty ku eshte.
    Te Historia e lekundjes dhe renise se perandorise romake te perendimit (kapitulli Shkaterrimi total i paganizmit, ai flet per dhunen e pashoqe, qe te kujton ate te komunizmit kunder fese dhe shton (citoj): … gjashtedhjete vjet pas konvertimit te Kostandinit, te gjithe tempujt e botes romake u shkaterruan.

  5. Lidhur me harmonine nderfetare , kujtoj nje shkrim te shkelqyer te Dom Anton Harapi, ne vitin 42’apo 43′ te shekullit te kaluar, ku theksonte se katoliku duhet me u tregu intolerant kundrejt besimit te vet ( pranimi pa asnje lekundje i dogmes) dhe tolerant kundrejt besimeve te tjera.
    Kurse per ceshtjen e konvertimit te shqiptareve ne islam, sjell ne vemendje romanin aq te debatuar te Blushit-Te jetosh ne ishull. Edhe pse fikshen, Blushi permes personazhit Ibrahim, i parashtron te dy faktoret e konvertimit masiv te shqiptareve: presionin e administrates perandorake dhe pengesat per te krishteret ne jeten e perditshme. Islami eshte fe e Perandorise -thote Ibrahimi/Blushi dhe Perandoria ka fuqine dhe parane. Dhe kur pyesim perse greket nuk u islamizuan ne mase, pyetjen mund ta marresh duke lexuar dhjetra studime.Por romani ta shpjegon me nje fjali: Greket si zoterues te Bizantit , i dorezuan celsat e Kostandinopojes Osmaneve dhe ne shkembim, fituan statusin e privilegjuar.
    Shqiptaret cfare te ofronin, vec gadishmerise per t’u bere mercenare, si mundesi per placke e mbajtjen e armes. Virtyti me i spikatur i arberve/shqiptateve, te qenurit luftetare te zote, nga avantazh u be pika me e komprementuar e tyre. Ku eshte palla eshte dhe pushteti , ku eshte lufta eshte dhe shqiptari.
    Nje faktor percaktues i konvertimit eshte edhe fakti qe bujaret e principatave arberore u konvertuan te paret per ruajtjen e privilegjeve. Dhe duke mbajtur parasysh kuktin e prijesit tek shqiptaret, ku shkonte i pari, shkonin dhe ndjekesit e tij. Shto dhe pragmatizmin brenda ketij procesi .

  6. Qe nuk eshte naive,se preferencat dhe zgjedhjet imponohen nga shumica,po marr si shembull rastin e Mecca-Cola,nje marke alternative (hallall) e Coca-Cola.
    Megjithe hapesiren e madhe qe ka ne treg dhe sado terren te mund te fitoje perseri,prapeseprape,”pakica intransigjente” nuk do te mund t’i imponohej shumices ne kontekstin per te cilin flitet.
    Mendoj qe kemi te bejme me nje lloj “modifikimi” te zgjedhjeve dhe preferencave te shumices.Mecca-Cola nje “modifikim” i Coca-Cola.Shumica imponon perzgjedhjet,pakica i modifikon ato.Pushimet ne det,pershembull.Eshte nje preference shumice.Pakica (islame ne kete rast),gjithe duke i’u bindur kesaj perzgjedhjeje te shumices,e modifikon ate…me femrat qe duhet te bejne plazh me rroba!
    Si ne rastin e Cola-s ashtu edhe ne kete te plazhit,sado intransigjente te jete pakica,nuk do te mund t’i imponohej shumices deri ne ate pike,sa te mund te flitej per diktature te pakices.
    Ne kapitalizem,probaliteti i nje diktature te tille eshte zero absolute.
    Kjo do te ishte e mundur,vetem nese ky rend do te zevendesohej me nje kalifat islamik boteror.Por,kjo do te behej vetem me ate lloj dhune qe,besoj se nuk eshte ajo “dhuna e pakices” per te cilen flet autori i cituar.
    Konvertimi i egjiptianeve te krishtere ne islam eshte bere gjate periudhes se sundimit te kalifateve arabe dhe Perandorise Osmane,qe kishte fe zyrtare islamin dhe qe ishin kushti sine qua non per imponimin e pakices islame.
    Eshte e vertete qe martesat e perziera kane patur rolin e tyre ne perhapjen e islamizmit ne Shqiperi.Por,kjo vlen vetem per kohen e sundimit te Perandorise Osmane qe kishte islamin fe zyrtare,pra.
    Ndryshe ndodh sot;per te mos thene ndodh e kunderta,te pakten ne ate mase sa atehere,kur nga martesat e perziera me shume terren fiton krishterimi ne Shqiperi.
    Ketu kam parasysh ate shumice,qe edhe pse jo e krishtere,qe ne rastin shqiptar dmth me origjine myslimane,megjithate eshte pro-perendimore,me vetedije te tille dhe me nenvetedijen e lidhjes se ketij qyteterimi me fene e krishtere.

    1. Timur, ndryshimet sociale që ka parasysh Taleb-i kërkojnë kohë – dhe shpesh në sinkroni mund të duken si të pamundura.

      Një mënyrë për pakicat intransigjente që të imponojnë shijet e tyre ose preferencat është që këto të bëhen të modës ose “cool.”

      Për shembull, në lëmin e veshjeve, moda nuk njeh asnjë kufizim dhe asnjë kufi – përveç lakuriqësisë totale.

      Pakica mund të jetë intransigjente, por kjo nuk do të thotë, doemos, që do të imponohet me forcë. Për shembull, certifikimi i ushqimeve si “kosher” në SHBA, me shtytjen e komuniteteve hebraike, nuk është bërë me forcë.

      Të ftoj t’u hedhësh një sy ndryshimeve në rregullat e bashkëjetesës publike në një vend multi-kulturalist si Britania e Madhe: cili prej tyre do të parashikohej dot edhe vetëm 50 vjet më parë?

      Sa për islamizimin e Egjiptit ose të shqiptarëve, le të kemi parasysh se ky ka ndodhur në një kohë kur praktikisht kudo në botë feja ende nuk ishte e ndarë nga shteti.

      Ndarja e fesë nga shteti – edhe ajo dukej e pamundur, derisa u realizua nga një pakicë intransigjente.

Lini një Përgjigje te hyllinAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin