NJË DITË E ZAKONSHME

nga Gresa Hasa

Një grua është hedhur nga kati i tretë i ballkonit në qytetin e Fierit. Është paradite. Ende si kam hapur mirë sytë. Natën e shkuar gjumi më zuri vonë. Po shihja një dokumentar për një piktor francez të shek. të XX për të cilin s’kisha asnjë interes, megjithatë më pëlqente mënyra se si më rrëfehej jeta e tij. Ishte krejt e mërzitshme. Zgjedhja e duhur për të të marrë gjumi ngadalë e për të mos t’u ngarkuar koka me kurrfarë informacioni. Fërkoj sytë dhe lexoj sërish: ‘‘Një nënë 29-vjeçare ka tentuar të kryejë vetëvrasje sot në orën 10.10‘‘. Shoh orën. Kjo e fundit shënon 10.40. Lajmin e bën të ditur në faqen e saj personale në Facebook një gazetare nga qyteti i Fierit, shoqëruar me tri fotografi ku duket një pallat i madh me ballkone bojëqielli, dyqane të kyçura me qepen dhe disa policë që presin. Nuk e di se ç’presin. Ndonjë urdhër mbase? Të përfundojnë detyrën e të kthehen në shtëpi? Është e diel sot. Paçka se të dalësh në punë për të zbardhur një vetëvrasje duhet të jetë fort pështjelluese në çdo ditë të javës. Një shikim më i hollësishëm më bën të mendoj se policët nuk po presin asgjë. Thjesht po rrinë aty. Përkarshi tyre disa veta, me siguri fqinjët, vështrojnë me keqardhje oborrin e rrethuar nga shiriti i verdhë ku shkruhet: “SKENË KRIMI – MOS KALO!”. Në tokë, një palë shapka. Njolla gjaku. Jo shumë. Mjaftueshëm sa për të krijuar idenë se ka ndodhur diçka e pakëndshme. Të ketë vdekur gruaja? Nga dritarja e dhomës time dëgjohet zëri i një burri që i kanoset plot mllef dikujt. “Po ky tipi…”, mendoj, “Si mund të bërtasë njeriu kështu të dielën paradite?” Me siguri dhe ai ka menduar të njëjtën gjë sepse britmat u shuan menjëherë për t’u zëvendësuar nga e lehura e një qeni çka bëri që maçoku im t’i përvidhej vrik dritares. Ҫ’frikacak! Po gruaja që u hodh nga ballkoni ka patur frikë? A ka frikë njeriu pasi e ndan mendjen që t’i jap fund jetës? Pse nuk e kishte ndaluar dikush atë? Të kishte qenë vetëm fare në shtëpi? Po fëmija? A e kishte parë ai ose ajo skenën? Të lehurat e qenit jashtë dritares bëhen të papërballueshme. Ngrihem. Ndez ekspresin e kafesë dhe pres. Kjo është aroma që dua më shumë në mëngjes. E bën shtëpinë të ngrohtë e të rehatshme. Kafeja e nxehtë ma përshkon gurmazin ngadalë dhe prehet në stomakun bosh. Kam frikë se po bëhem e varur prej saj. S’më duket gjë e mirë kjo. Mendoj se varësia nuk është asnjëherë e mirë, pavarësisht subjektit që e provokon atë, qoftë kjo kafeina apo ndonjë bukurosh që adhuron Leonard Cohen njësoj si ty. Maçoku më fërkohet nëpër këmbë. Duhet ta ushqej. I hap një nga pakot që ai ka më qejf. Një turli me mish pule. Ky mund të jetë informacioni më kot në botë këtë të diel, por maçoku im duket qenia më e lumtur teksa lëpihet e s’ngopet me konservën e prodhuar apostafat për turirin e tij simpatik. Besoj që njerëzit duhet të bëhen kureshtarë për një maçok që lumturohet pasi ha vaktin. Një maçok i lumtur është një shpresë e ripërtërirë. Do duhej të ishte kështu. Gruaja për të cilën gazetarët me shumë gjasë do të kenë mprehur lapsin për ta përshkruar në mënyrën më joprofesionale, nuk më shqitet nga mendja. Më kujtohet që vite më parë pata dëgjuar në një emision në radio se lajmet apo ngjarjet e para që na ofrohen sapo çelim sytë ndikojnë në humorin tonë përgjatë gjithë ditës. Të jetë e vërtetë kjo? Ku i dihet?! Mbase. Dal në ballkon dhe vijoj të rrufis kafenë. Sot bën vapë në Tiranë. Zagushi. A mund të vdesë direkt dikush që hidhet nga një lartësi jo fort e madhe si kati i katërt i një ndërtese? Ngrihem në majë të gishtave dhe vështroj bahçen e komshijes së katit të parë. Kam frikë se jo. Kam frikë se ajo që pason duhet të jetë një dhimbje shkatërruese. Ideja më shkakton mornica në trup. Çuditërisht nuk e përfytyroj dot gruan e panjohur të vdekur. Në kokën time ajo shfaqet e gjallë dhe e bukur, mbathur me një fustan nate të bardhë. Flokë në ngjyrën e prushit, të lëshuara, dhe një shikim të trishtë.  Më është e bukur sepse shikimi i saj është i vërtetë. I kam dhënë një fytyrë tashmë, ashtu pa ndonjë qëllim konkret. Kujtohem që Dino Buzzati ka një tregim te vëllimi i “Gruas me flatra” për një “Vajzë që bie…”. Gruaja e re e Buzzati-t është një 19-vjeçare që përshkon teposhtë katet e njëpasnjëshme të një qiellgërvishtësi. Fluturimi i Martës (kështu e ka pagëzuar Buzzati vajzën e tregimit) është rrokopuja fatkeqe dhe naive e një reje në morinë e shumë të rejave që bien si ajo, pasi përplasen me shkëlqimin fals të qytetit të madh me drita, aty ku gjenden burrat e fuqishëm dhe gratë akoma më të fuqishme, gëzofrat dhe violinat, veturat ngjyrë oniksi, reklamat fosforeshente të kabareve, portikët e pallateve të zbërdhulët, shatërvanët, diamantet, kopshtet e moçëm të heshtur, festat, dëshirat, dashuritë dhe mbi të gjitha, magjepsja tronditëse e mbrëmjes që të bën të ëndërrosh për madhështinë e ngadhënjimin[1]. Fieri nuk është një qytet i tillë pavarësisht se ka pallate të mëdhenj si ky nga i cili u hodh gruaja e re sot. Kjo puna e shkëlqimit dhe madhështisë është çështje perceptimi që formësohet nga makineri moderne torture si televizioni dhe media sociale. Vallë, si e ka parë kjo grua e re në Fier, gjithashtu nënë, veten e saj në pasqyrë? Si të ketë qenë nga gjendja ekonomike? Apartamentin ta ketë pasur të vetin apo me qira? Të ketë qenë e punësuar? Të ketë pasur bashkëshort ose të dashur? Po ëndrra? Dëshira? Plane? T’i kishin shteruar të gjitha, të gjitha?

Një artikull i Gazetës Shqip në korrik të këtij viti paraqet disa shifra alarmante nga INSTAT-i mbi vetëvrasjet në të gjithë Shqipërinë për vitin 2016.[2] Me sa duket, te ne numri i vetëvrasjeve e tejkalon atë të vrasjeve. Ne kemi hyrë në vitin e pestë të Rilindjes që po na garanton qeveria kudo, në arsim, në punësim, në mirëqenie dhe lumturi. Pse njerëzit e vrasin veten me këtë ritëm këtu? A thua që mirëqenia e madhe të shkaktojë depresion? Ne po rilindim por s’jemi bërë akoma Suedi. Legjendat urbane më thonë se vendet skandinave kanë shifra shqetësuese të vetëvrasjeve dhe ndërsa shkruaj, nuk kam as dëshirë dhe as vullnet për t’i verifikuar këto legjenda me fakte konkrete. I avitem bibliotekës dhe nxjerr prej aty librin e Buzzati-t. Rilexoj tregimin për Martën, që mbyllet me një çift të cilët kthejnë gllënjkën tjetër të kafesë pasi komunikojnë me sho-shoqin se nuk e shquan dot siluetën e saj teksa plandosej në tokë si shumë të tjera. Shoh që e paskam mbaruar kafenë. Kam dëshirë të pi një tjetër por ndoshta është më mirë që përpara të ha diçka. Në kuzhinë gjej dy copa keku me mollë që ma bëjnë me sy e ndërsa nis të mbllaçitem në këmbë duke bërë pis pllakat që më vonë do t’i laj vetë, përhumbem te një tjetër tregim i shkurtër i Buzzati-t që po e ndaj edhe me ju.

ENIGMË QENI

‘‘Kur mua, qenin, më nxjerrin shëtitje, përballë atij pallatit të madh me shtatore, xhamllëk, kulla e kupola në sheshin aty pranë, shoh shpeshherë një lloj kamioni shumë të bukur me ngjyrë të zezë, gjithë lajlelule, ndaluar mu para portës së madhe. Përreth ka një turmë njerëzish. Dhe, papritmas, nga porta dalin katër burra që mbajnë mbi sup një arkë të gjatë, pa të shkruara sipër. Edhe kjo arkë është shumë e bukur, fund e krye e stolisur. Dhe njerëzit e vështrojnë, ndërkohë që katër burrat e vendosin me kujdes në kamionin aq të bukur. Ҫ‘të ketë brenda? Vëmendja e publikut, madhështia luksoze, solemniteti i veprimeve të lënë të mendosh se arka përmban diçka jashtëzakonisht të vyer, ushqime të rralla e të moçme, gjithsesi gjëra për të ngrënë, ndryshe s’kish si të shpjegoheshin gjithë ato ceremoni. Pastaj, ndërsa arka misterioze vendoset në kamion, kam vënë re se disa nga të pranishmit, sidomos gra, shpërthejnë në dënesa. Edhe kjo të shtyn të besosh se është fjala për ushqime të zgjedhura e të shijshme. Tek shohin që i shpien tej, ata më grykësit dëshpërohen kaq shumë sa nuk arrijnë t’i mbajnë lotët.

Ja konkluzionet ku do të të çonte thjesht gjykimi i shëndoshë. Por njerëzit janë ca tipa shumë të çuditshëm. Ec e gjeje ti se çfarë mbyllin në ato sëndukë të mrekullueshëm dhe pse i lënë t’ua marrin kështu, mu para hunde, pa bërë asnjë qëndresë. Qajnë si viça, por s’luajnë as gishtin për ta penguar nisjen e tyre. Ҫ’njerëz të çuditshëm!‘‘[3]

 


[1] Buzzati, Dino. ‘‘Gruaja me flatra‘‘, fq. 43, ‘’Vajza që bie… bie’’, përktheu Zija Ҫela.  Shtëpia botuese ‘’Naim Frashëri’’, Tiranë 1993.

[2] http://gazeta-shqip.com/lajme/2017/07/05/vetevrasjet-ne-shqiperi-tre-here-me-te-larta-se-vrasjet/

[3] Buzzati, Dino. ‘‘Gruaja me flatra‘‘, fq. 42, ‘’Enigmë qeni’’, përktheu Dritan Ҫela.  Shtëpia botuese ‘’Naim Frashëri’’, Tiranë 1993.

 

2 Komente

  1. Kane kaluar tashme 3 dite dhe me siguri qe askush nuk do guxoje te shkruaje me dicka derisa tema te jete e hapur per komente… Nese do ish ndonje tjeter forme interneti njerezia mund te kishin lene ndonje trendafil a ndonje Like, por ja ku jemi ne kete teme te ftohte e “te vdekur”, o shkruaj o mos thuaj gje. Me e pakta qe mund te them eshte Ngushellime!…me e shumta qe mund te bej eshte te them fjale, se ato jane dhe te lira, por do mundohem ti gjej te shtrenjta, se ndoshta po i le nje perkujtimore, e ndoshta po e rivarros perseri per turpin tim te zi, dhe shpresoj te me falin ata qe kjo ceremoni aspak rituale do u duket mungese respekti. Ndoshta edhe ne jemi banoret e nje qiellgervishtesi te madh.

    Gruaja e Panjohur e Fierit (GePeF) nuk ka as emer per momentin, dhe le ta quajme me akronimin e saj te rastit, Gepef, qe ndonje zberthyes emrash do thosh se mund te jete Gruaja e Peizazheve te Fjales. Ajo eshte Marta jone e Buzzati-t, sic u parashkrua me ndjenje nga Gresa, dhe ajo qe dime eshte se e ndjera kish prinder dhe ishte prind. Mjere femija! Ndoshta Zi-ja do kish shkuar poshte pallatit te Greses dhe do i kish kerkuar nje bisede te shkurter duke i propozuar qe “Nëse ju pëlqeu ky shkrim, lutemi konsideroni të dhuroni diçka per kete shkrim” te kthehej ne nje fond te vogel per Gepef, qe ndoshta me dhuratat nga njerez e shoqata grash do te dilnin per ti ndertuar nje statuje me permasa njerezore qe do vendosej ne qytetin e Fierit. Kjo statuje do ish pak e demtuar ne njeren ane, duke simbolizuar te gjitha grate qe kane humbur jeten nga plaga e vetevrasjes, ndersa nje tjeter ane do kish shenja demtimi e te nxira, duke simbolizuar dhunen qe ushtrohet mbi grate. Ndoshta mund ti shtonim edhe simbolizma te tjere, por ndoshta do ish e padrejte ta ngarkonim me me shume me vuajtje. Poshte statujes do vendosej nje femi duke luajtur, e ndoshta edhte aferm te tjere, por tashme statuja do kthehej ne permendore, dhe Gepef-i yne do transformohej ne nje emer vendas, ndoshta Rozarta (Rozafa + Marta).

    A do i kish hapur valle flatrat Rozarta teksa binte trekatshem? Nje Superman vertet do kish bere mrekulline por per te shmangur keqkuptimet do kish qene me mire qe nje Wonder Woman ta kishte kapur dhe ti kish folur si moter a si nene, dhe do kish qene nje ngjarje qe do i kish ndryshuar jeten pergjithmone. Kemi dashur gjithnje te kemi krahe e te fluturojme, por me statistika me siguri do na ndodhnin me shume aksidente, do perplaseshim neper xhama makinash apo godina, ndersa me te cmendurit do fluturonin aq lart sa do u merreshin mendte dhe fryma. Thone qe fluturimi me avion eshte shume me i sigurt pasi aksidentet rrugore shkaktojne me shume viktima. Ah sikur te kishte qene dikush me flatra! Apo dikush qe di te lexoje mendje dhe te thote se ne cilin vend po tentojne te vetevriten! Ndoshta ne te ardhmen, dhe urojme te perdoren per mire keto aftesi qe deri tani jane ndeshur ne filma.

    E keni vene re qe ndonjehere kur shkembeheni me dike ne rruge, ai/ajo fillon e rregullon floket sapo ju sheh? 99% mundesi se eshte shenje se modeli i flokeve ju eshte prishur ca dhe mos pritni t’ua thone rruges, por kuptojeni vete. C’lidhje ka kjo? Ndoshta edhe Rozartes do i kish pelqyer pak humor ne momentet e percjelljes.

    Vite me pare udhetuam larg, qytet madheshtor, dhe rreth 5 milje pa hyre ne qytet rruga kryesore dhe me e shkurter na ra nga nje varreze (duke ndjekur GPS). Mu duk e cuditshme per vendin qe i kishin gjetur. A nuk kishte vend me larg? Kush do ta shohe e perkujtoje vdekjen kur vjen me pushime si turist? Me trishtoi por nuk ndryshoja dot gje e ne nje fare menyre me beri me te ndergjegjshem per vleren e jetes, te afermit… Ishte nje pasdite e shkelqyer dhe mora (me kishin caktuar) nje dhome qe shihte nga pjesa e brendshme e hotelit, jo shume piktoreske por qe aty dallohej qarte edhe pishina e madhe blu e hotelit, por ama krahu tjeter i hotelit shihte nga rruga e zhurmshme, dhe nuk u qava. Poshte dritareve kishte edhe ca palma si dhe tenda te vendosura hijshem. U mata te hap dritaren per te marre ca ajer te paster, dhe nuk po u besoja syve, nuk po gjeja dot dritare. Te dyja dritaret ishin bere me nje xham te trashe njecopesh qe nuk kish as kanate e as nje te care! E cuditshme. Te pakten dhoma kishte ballkon. Me pas zbresim per te dale dhe pyes nje nga sportelistet se perse dhoma nuk kishte dritare. Sportelisti pa njehere anash dhe me tha me ze te ulet se kishte pasur raste qe njerezit kishin rene nga dritarja. Ah! Nuk doja te dija me per detaje. C’mu desh qe pyeta! Po nga dhoma ime do kish rene njeri? Nga se kishin rene? Alkooli? Pakujdesia? Merzia? Kur u ngjita me vone ne dhome me dukej sikur siper dritares ish shkruar “Ndalohet hedhja nga dritarja”, njesoj si ato shenimet ne autobus “Mos i flitni shoferit”. Ndoshta duhej ta kishin lere nje vend te vogel sa per ajrosje. Ndoshta edhe arkitektet duhet te mendojne per raste te tilla dhe ti dizenjojne hotelet ne menyra me pak te rrezikshme. Tashme edhe tendat poshte hotelit me dukeshin sikur sherbenin per te pritur me bute ata qe do e gjenin nje menyre per tu hedhur. Ndoshta katet e larta nuk kishin shprese mbijetese. Shpresoja most e hidhej njeri gjate qendrimit atje.

    Cuditerisht ne lajmet e vona po jepnin nje reportazh per nje ure te famshme, Porta e Arte, te ciles tashme i kishin vene rrjeta per ata fatkeqe qe donin ti jepnin fund jetes:
    http://time.com/4736962/golden-gate-bridge-suicide-net/
    Lajmet po i shihnim ne hollin e hotelit ku nje plak ndaloi per te pare rubriken e vecante mbi rrjetat e shtrenjta te ures. A thua gjithe ai lek mund te ish shpenzuar me mire apo te ndahej edhe per ura te tjera? Ne nje moment rubrika shfaqi pamjet e nje burri te ngjitur ne krahet e ures, dhe disa qe po perpiqeshin ta bindnin te zbriste, por burri u hodh. “Frikacak!” – bertiti plaku. “Si? – i thashe une. “Po, frikacak! – perseriti ai duke me treguar me dore burrin qe binte, dhe u largua duke u mbajtur ne bastunin e tij.
    Ne fytyre plakut i lexohej inat dhe merzi. Nuk kisha c’ta pyesja me. Ndoshta do kete humbur dike ne skenare te ngjashem.
    Dukej sikur donte te thosh “Bej c’te duash por mos e vrit veten!”

  2. Dhe kjo perben habi sepse….?

    Një artikull i Gazetës Shqip në korrik të këtij viti paraqet disa shifra alarmante nga INSTAT-i mbi vetëvrasjet në të gjithë Shqipërinë për vitin 2016.[2] Me sa duket, te ne numri i vetëvrasjeve e tejkalon atë të vrasjeve.

Lini një Përgjigje te qafirarnautAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin