MENDIME TË PAKREHURA (XXV)

(nga Stanislaw Lec*)

Shumica e njerëzve ka një vizion të botës të përcaktuar. Nga pakica.

Në shumë procese gjyqësore, elokuencës së provave i kundërvihet elokuenca e avokatëve.

Ky shkrimtar e mpreh lapsin me shpatë.

Po të ishte e përjetshme dashuria, me çfarë do të jetonin gratë e tjera?

Njeriu është gjithnjë vetëm epigon i heronjve të ëndrrave të veta.

Ndonjëherë për të kuptuar çfarë po ndodh duhet ndalur së menduari.

Detet e lotëve të njeriut nuk do të ishin kaq të gjerë, po të mos ishin kaq të cekët.

Pleshti në krifën e luanit të jetë vallë më trim se pleshti në bishtin e lepurit?

Stërgjyshët e tij nuk zbritën kurrë nga pema gjeneaologjike.

Ata që i mban turma në gojë, shpejt i përfundojnë kësaj në gjuhë dhe pastaj në dhëmbë.

Sikur vdekja të mos na gjente më mes të vdekurve!

Edhe heshtja është një lloj krijimi, po të jetë e kufizuar nga dy vepra.

Ku shkuan ato kohë, kur na varej mbi kokë shpata e Damokleut!

Sikur të mund ta ruanim për më vonë kohën e papërdorur!

Një herë e një kohë, liria ishte utopi. Sot nuk është më as realitet.

Kur mori një çmim letrar, poeti N. organizoi një banket. Por nuk shërbeu asnjë pije. Të ftuarit le të deheshin me suksesin e tij.

Ajo grua ishte si monedha, kalonte dorë më dorë, por pa humbur vlerë.

Nga reticencat ka lindur letërsia.

Ndoshta pas ca shekujsh do t’i shkojmë te varri dhe do të themi: këtu prehet primitivi i shekullit XX. Por hë për hë, le t’i rrimë larg.

Çfarë e shkatërron forcën tërheqëse? Zakoni.

Kur prishet ura, të dy brigjet vazhdojnë të ekzistojnë.

Dikur u përfshi nga pasioni krijues – por vetëm poshtë belit.

Kush studion jetën, të bëhet gati se do ta marrin në pyetje edhe në fusha të tjera.

Kur kujtoja se isha shkrimtar social, nuk isha; tani që kujdesem të mos jem, me sa duket jam.

Preferoj përrallat nga e kaluara, ndaj atyre për të ardhmen.

Ka jo vetëm ëngjëj mbrojtës, por edhe djaj mbrojtës.

Nuk e kam pranuar kurrë faktin që në çmendina mbyllin edhe budallenjtë.

Burri ia fiton zemrën gruas duke iu nënshtruar.

Kur ta heqin dënimin me vdekje, vdekja nuk do të jetë më dënim.

Nuk është për t’iu besuar fallxhorëve që përdorin metoda shkencore.


 

(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: