ME HRUSHOVIN

Fëmijërinë time, në vitet 1960, e kam kaluar në një mjedis familjar aq të lidhur me aktualitetin politik, sa edhe shkronjat e para unë lexuesi i hershëm i pata mësuar nga gazeta “Zëri i Popullit”. Dhe në kolonat e kësaj gazete, që më pas i këndoja me ëndje, sidomos ato të faqen së 4-t ku, krahas orareve të kinemave, merrja vesh gjëra për vende të botës që përndryshe i kisha vetëm si pulla poste; në kolonat e kësaj gazete, pra, u njoha me Hrushovin, armikun tonë të betuar, Judën, që na kishte tradhtuar jo vetëm ne, por edhe kauzën.[1] Nga ndonjë revistë sovjetike që ende qarkullonte në shtëpi, e kisha njohur Hrushovin edhe si dukej nga pamja: i shkurtër (rromaduc, do të thonin tironsit), me kostum të çelët kooperativist, i shogët si infermier i psikiatrisë dhe me një shprehje të mrrudhur në fytyrë që e bënte të dukej sikur përtypte kripë. Enver Hoxha gjithnjë bubullinte kundër tij, dhe mua më pëlqente t’ia lexoja invektivat, njëlloj siç më pëlqente të bëja sehir nga dritarja dy maçokë duelantë në oborr. Në atë kohë ende nuk ish futur në jetën tonë televizioni, me të mirat dhe të këqiat e veta; Hrushovi ishte para së gjithash një emër i pazakonshëm (të cilin gjithnjë e shqiptonim Krushovi), si emër demoni, që u bashkëlidhej si etiketë gjithë të këqijave të botës përtej; dhe veçanërisht revizionizmit, i cili duhej përfytyruar si një lloj katastrofe që, në përfytyrimin tim prej fëmije, i zëvendësonte të mirët me të pamirët dhe vlerat me antivlerat. Nuk e kuptoja mirë se ç’ishte pikërisht revizionizmi, por dija që duhej mbajtur larg, sepse askush nuk ishte imun ndaj tij; dhe që Enver Hoxha po bënte të pamundurën për ta luftuar (çudi si nuk kishin shpikur një vaksinë kundër revizionizmit, xhanëm – pyesja unë fëmija, që nuk kalonte muaj, pa u vaksinuar brutalisht, në çdo pjesë të sipërfaqes së trupit). Në fakt, faqja e 4-t e gazetës “Zëri i Popullit” kish diçka të përbashkët me përrallat dhe legjendat që kalamajve si unë u pëlqenin aq shumë: në të dyja herët, flitej për një botë tërheqëse por të paarritshme, madje të pavizitueshme; një botë ku ti nuk mund të shkoje dot, por që – mjafton të ulje për një çast vigjilencën revolucionare – mund të vinte ajo tek ti. Kjo ishte situata, me të cilën duhej edhe unë fëmija të jetoja.

Pikërisht në këtë kohë, kur ishim duke zhvendosur disa rrangulla nga një kthinë e shtëpisë te tjetra, më ra në dorë krejt rastësisht një album i madh dhe i rëndë, i lidhur bukur, me fotografi të vizitës së Hrushovit në Shqipëri në vitin 1959. Albumi kish përfunduar diku poshtë prapa gjithçkaje tjetër, në intersticet e shtëpisë, ndoshta ngaqë tejet i vështirë për t’u shkatërruar ose për t’u djegur; por përndryshe m’u shfaq si një objekt i tjetërllojshëm, që nuk duhej t’i përkiste realitetit. Teksa e shfletoja, tashmë mace e vrarë nga kurioziteti, nuk po u besoja syve: Enveri im i fjalimeve të “Zërit të Popullit”, krah më krah dhe përqafuar me krye-armikun, bajlozin e bardhë, Hrushovin vetë: të dy me dhëmbët përjashta, të lumtur dhe të nginjur, me sytë që u shndrisnin si gastare. Deri atëherë unë nuk e kisha ditur fare që Hrushovi e paskësh vizituar Shqipërinë – edhe pse diçka duhej të kisha kuptuar nga epiteti “tradhtar” që kundër tij përdorej pa kursim: tek e fundit, ai që ka tradhtuar, nuk ka qenë tradhtar para se të tradhtonte, por është bërë më pas, njëlloj si Hamzai i Skënderbeut. Mirëpo nuk isha në gjendje të arsyetoja hollë, dhe aq më pak në rrethanat kur sapo më ish shembur bota përreth, ose bindja se kjo botë mbështetej mbi kolona betonarmeje, të palëvizshme, të patundura: vizioni im i deri-atëhershëm bardhezi dha shpirt dhe u përtha para fotove bardhezi të këtij albumi të rikuperuar nga “e përtejmja”. Vite më vonë, shumë më vonë, kur të lexoja Time Out of Joint të Philip K. Dick, do të kujtoja se, njëlloj si personazhi i atij romani, edhe unë kisha kaluar një krizë derealizimi, duke përjetuar këtë relativizim menjëhershëm të botës rreth meje dhe të heronjve të saj, të argalisur mu si aktorët në skenën e teatrit, pasi mbaron shfaqja, dhe zënë të përqafohen me afsh: Othelloja me Jagon, Makbethi me Makdafin! Prindërit dhe të tjerët që m’u ndodhën pranë në ato momente të rënda, gjithë duke kafshuar buzën, dhanë e morën të më shpjegojnë se Hrushovi dikur – shumë kohë më parë, madje para edhe se të lindja unë (ja një rrethanë tejet lehtësuese) – hiqej si miku i madh i Shqipërisë dhe ne i kishim besuar, sepse ashtu i besonim Bashkimit Sovjetik, të Leninit dhe të Stalinit; dhe ashtu edhe e kishim pritur mysafir në Shqipëri, me mikpritjen tonë tradicionale, pa e ditur se ai nuk na e kish me të drejtë, por kërkonte të na mashtronte dhe të na ngulte pastaj thikën pas shpine. Ai album, që unë tani kisha zbuluar aksidentalisht dhe nuk mund ta ç-zbuloja më, ishte provë se jo gjithnjë mundemi ta dallojmë të keqen, dhe se shpesh e keqja maskohet si e mirë për të na joshur në çark dhe në kurth, njëlloj si ai ujku i përrallës që vishet me lëkurë qingji; çfarë edhe i shkonte Hrushovit të albumit në fakt, sepse ai në ngjyrë qingji kish jo vetëm kostumin prej liri të zhubrosur shkujdesshëm nga vapa e Butrintit, por edhe këpucët verore me vrima.

Mirëpo ky shpjegim nuk mjaftoi, që të ma largonte zhgënjimin: së bashku dhe në solidaritet të plotë me Enverin e albumit, që vazhdonte të qeshte në fotografitë megjithë ç’kish ndodhur ndërkohë, edhe unë u ndieva i tradhtuar, i tërhequr për hunde, i trajtuar si kalama – veçse jo nga Hrushovi, por nga bota mbarë. Dora-dorës, do të më lindte dyshimi i ankthshëm se mos prapa çdo armiku të sotëm, të cilit ia lëshonte rrufetë “Zëri i Popullit”, mund të fshihej ndonjë album si ky i tanishmi, ku Enver Hoxha të dilte fotografikisht i përqafuar, bie fjala, me një “renegat” si Josip Broz Titoja (edhe ai i veshur me lëkura qingji), ose me sekretarin amerikan të mbrojtjes, kapitalistin e regjur Robert McNamara, të cilit i lakohej shumë emri aso kohe në lajmet për bombardimet në Vietnam; fundja edhe me vetë presidentin amerikan Lyndon Johnson, xhelatin e popujve të Azisë dhe jo vetëm, të cilin nuk mund ta përfytyroja dot veçse në trajtat e karikaturave me të cilat e përqeshnin çdo javë te “Hosteni”, duke vringëllirë ndonjë raketë balistike ose duke i dorëzuar Hrushovit tim ose Titos qesenë me florinj, aspra a dollarë (të stolisur me shenjën misterioze $); sa kohë që “Zëri i Popullit” këtyre nuk ua nxirrte ndonjëherë fotografitë, kushedi për të mos na lënë të shohim se bëhej fjalë për njerëz me pamje të rëndomtë. Dyshime të tilla kanë shembur përdhe edhe mendje shumë më të kalitura se ajo e një fëmije si unë, që deri dje ish gati të armatosej me patickë dhe të nisej në luftë kundër Hrushovit, për ta mbrojtur atdheun e vet nga “revizionizmi”; dhe që kish marrë pjesë tashmë, me entuziazëm të sinqertë, në pritjen madhështore që iu bë mikut të madh të Shqipërisë, kryeministrit kinez Çu En-Lai, i paharrueshëm në pamjen e tij prej geishe të dyllosur, i drejtë si purtekë në veturën e hapur te rruga e Durrësit, duke ua bërë turmave ngazëllimtare me dorë. Por që nga ajo kohë, albumi që aq fatalisht ma çorri koherencën e realitetit, njëfarësoj më ndërvendosej midis vetes dhe botës, si për të më kujtuar që ta mbaja gjithnjë distancën e sigurisë nga e vërteta që shitej në pazar. Dhe jo për hir të ndonjë qasjeje gnoseologjike më të studiuar, por për të ruajtur mendtë e kresë; ose për të mbajtur larg, mundësisht të mbyllur në ndonjë bodrum, frikën se edhe kjo e tashme mund të përfundonte një ditë e hequr mënjanë, e groposur në ndonjë arkë a sëndyk gjithë lagështirë, e zëvendësuar nga një e tashme tjetër, ku miqtë dhe armiqtë t’i kish ngatërruar sërish një dorë e pamëshirshme; i merakosur edhe për fatin e atij unit tim tjetër, në versionin “alternativ” të historisë.

 


[1] Nikita Sergejeviç Hrushovi ishte Sekretar i Parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (PKBS) midis viteve 1953 dhe 1964, kryeministër midis viteve 1958 dhe 1964; dhe nismëtar, mes të tjerash, i një procesi masiv të de-stalinizimit të shoqërisë dhe të shtetit sovjetik (pas vdekjes së Stalinit në 1953). Autor i të ashtuquajturit “raport sekret” në Kongresin XX të PKBS, ai u shqua edhe më pas për politikat liberalizuese në ekonomi dhe në kulturë dhe hapjen e vendit ndaj Perëndimit. Vija e re e Hrushovit edhe në marrëdhëniet sovjetike-jugosllave nuk u prit mirë nga Enver Hoxha dhe u shoqërua me gjithfarë konfliktesh të fshehta mes dy partive, derisa këto shpërthyen hapur, me fjalimin e mbajtur nga lideri shqiptar në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë, në vitin 1960; pa çka se Hrushovi pat ardhur ndërkohë për vizitë zyrtare në Shqipëri, në vitin 1959, ku u prit me nderime të mëdha si askush tjetër më parë. Përplasja në mbledhje u pasua nga konflikti shqiptaro-sovjetik për bazën ushtarako-detare të Vlorës dhe nga prishja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Pak vjet më vonë, Shqipëria do të dilte edhe nga Traktati i Varshavës dhe, në përpjekje për rrugëdalje nga bllokada e vendeve aso kohe socialiste të Europës Lindore, do të afrohej me Kinën e Maos. Derisa ra nga fuqia, pas një grushti shteti të pagjak në Kremlin, Hrushovi ishte objekt i kritikave të ashpra dhe të përsëritura të Enver Hoxhës, veçanërisht në kryeartikujt e “Zërit të Popullit”, ku denoncohej rregullisht si revizionist, tradhtar i lëvizjes revolucionare botërore, lake i imperializmit dhe varrëmihës i socializmit në Bashkimin Sovjetik.

15 Komente

  1. Shpjegimi ne fund te tekstit, per te cilin ne fillim u cudita qe ishte, me kujtoi sa kohe ka shkuar qe nga vitet ’60! Nje brez qe ndoshta nuk e ka degjuar ndonjehere emrin e Hrushovit ka ardhur e eshte rritur. Nje brez qe ka nevoje ta njohe historine e vet (te larget?), dhe qe une s’jam e sigurte se si do i tregohet, prej kujt e ne sa versione.

    1. E pyeta edhe Elonën, nëse duhej dhënë ndonjë sqarim për Hrushovin: që do të ishte edhe koncesion ndaj “vjetërimit” të brezit tim dhe përjetimeve tona. Mirëpo faqja ka shumë lexues që kanë lindur në vitet 1980-1990, për të mos folur për të tjerët që janë të shekullit XXI, dhe të cilëve Hrushovi nuk u thotë ndonjë gjë të madhe. Nëse duam që fantazmagoritë tona të kenë akoma ndonjë kuptim për të tjerët, atëherë më mirë t’i shpjegojmë. Edhe pse fjala e fundit i mbetet gjithnjë kuriozitetit të tjetrit.

  2. Perafer kesaj ndjesie te Ardianit kane perjetuar padiskutim shume femije gjate viteve 60 dhe 70, pasi shume familje ruanin perckujdesshem gazeta te vjetra. Edhe une femije kam zbuluar ca gazeta e revista te vjetra me viziten e Hrushovit ne Shqiperi dhe fytyren e tij. Ndersa komshija perballe gjeti ne nje sunduk te vjeter disa dhjetra pulla poste me fytyren e Zogut; dhe me nje ndjenje pendese, (gati si faj) mi fali mua femijes trecerekun e tyre. Por si femije keto raste nuk i gjykon si i rrituri, per rrezikun qe sjellin keto sende te vjetra. Ndersa kur rritesh, do s’do, din ti japesh Cezarit ate qe i takon dhe mos ti japesh ate qe nuk i takon! Keshtu, ne lidhje me viziten e Hrushovit ne Shqiperi, me 1959, nese i besojme fjaleve te E. Hoxhes mbi fjalet qe i tha Hrushovi kur vizitoi Bregdetin, se prej aty ai e cante Italine mes per mes me nendetse, duhet thene se largimi i nje fuqie te tille nga Shqiperia 1-2 vjet me vone, (panvarsisht planeve te meparshme qe mund te kene ekzistuar), eshte per tu lavderuar dhe nje merite e Enverit.

  3. Ngjarje e bukur. Për më tepër, shkrimi vjen edhe në momentin e duhur, në një kohë kur gjeopolitika është rikthyer me vrull në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kur shumë aleanca dhe miqësi të djeshme – madje dhe nga ato që deri para pak vitesh dukeshin si të bëra për përjetësinë – kanë filluar të lëkunden dhe nuk kanë më asnjë garanci që nesër s’mund të bien apo të prishen edhe ato.

    Në këtë kontekst, historia e “marrëdhënies vllazërore” të kthyer në “armiqësi të betuar” mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik (për atë punë, dhe me gjithë vendet e tjera të Lindjes plus Kinën, xhanëm!) është një rikujtim me vlerë, jo vetëm për më të rinjtë, por në radhë të parë për ata që marrin vendime për të tjerët, për të ruajtur mendjen e ftohtë dhe distancën e duhur, aty ku kërkohet, dhe sidomos për t’i menduar gjërat nga fundi, nga pasojat, para se “t’ia shkrepin”.

    @ Eda,
    atë mendova edhe unë në fillim. Sa i domosdoshëm është një sqarim i tillë mbi Hrushovin për një qytetar shqiptar?! Por pastaj mu kujtua një ngjarje e paradokohshme me një koleg anglez, te fundi i të njëzetave, i cili emrin e Charles de Gaulle, për habinë (tmerrin!) e disa francezëve aty, e lidhi vetëm me aeroportin e Parisit, dhe kështu, shpjegimi për Hrushovin u bë kuptimplotë.. :d

  4. Shkrimi nuk di pse m’u duk stilin e kujtimeve te Kadarese .
    Meqe u perfshiva ne debatin per Kukullen , e rilexova dhe diku IK thote se qysh nxenes kishte kuptuar se Sokaku i te Marreve nxirrte vetem te mencur dhe te marre.
    “Nuk e kuptoja mirë se ç’ishte pikërisht revizionizmi, por dija që duhej mbajtur larg, sepse askush nuk ishte imun ndaj tij; dhe që Enver Hoxha po bënte të pamundurën për ta luftuar (çudi si nuk kishin shpikur një vaksinë kundër revizionizmit, xhanëm – pyesja unë fëmija, ”
    Sa vjec keni qene zoti A.V kur keni menduar se ” askush nuk eshte imun nga revizionizmi”?

    1. Pyesni:

      Sa vjeç keni qene zoti A.V kur keni menduar se “askush nuk eshte imun nga revizionizmi”?

      Këtu duhet të jap disa përgjigje. Që 3-4 vjeç kam filluar të dëgjoj (dhe të “lexoj”) për revizionizmin; me siguri kam pyetur të tjerët se ç’është dhe do të më kenë dhënë një përgjigje sa për sy e faqe.

      Po ashtu, do ta kem kuptuar se revizionizmi ishte rrezik real dhe iminent për të gjithë (clear and present danger), për nga mënyra si shkruhej në gazetë dhe si flitej në radio; por se për çfarë pikërisht nuk e dija.

      Pak më vonë, sidomos pas vitit 1968, revizionizmi kish diçka të bënte me pushtimin e Çekosllovakisë, Dubçekun dhe përgatitjet e popullatës në rast goditjeje atomike. Njëlloj si gjirokastritët te “Kronikë në gur”, edhe ne atëherë na kanë çuar disa herë në strehime të nëndheshme, me kuç e me maç, për provë; sikurse na kanë kërkuar të fikim dritat ose ta errësojmë Tiranën krejtësisht, në orë të caktuara; ose të prisnim për të dëgjuar sirenën që lajmëronte avionët bombardues në qiejt afër Tiranës.

      Kam pasur një shok në klasë të parë, që e kishte nënën çeke. Kur ndodhi “pranvera e Pragës” dhe më pas Dubçeku u bë emër shtëpie dhe hero negativ i faqes 4 të “Zërit të Popullit”, diçka nga përbuzja politike e shtetit kaloi edhe te ne; kam qenë i pranishëm kur, gjatë një zënieje banale (mu te sheshi ku sot gjendet Hemingway), njëri nga ne e pat quajtur këtë shokun tonë “Këlysh i Dubçekut.” Ky ishte rreziku iminent i revizionizmit, që as kalamajtë e klasës së parë nuk i shpëtonin dot. Gjërat mund të precipitonin shpejt, sidomos kur “armiku” veç mund të përfytyrohej.

      Tani, sa për shprehjen “askush nuk është imun”, kjo është imja tani; e cila përkthen, në gjuhën time prej të rrituri, një ndjesi që kisha unë fëmija atëherë. Le ta marrim si një lloj shkurtoreje; ose prani të dialogjizmit në tekst. Si përftesë narrative, kjo është fare banale, në rrëfime në vetë të parë, ku heroi si personazh i romanit është fëmijë.

      Fare i ngjashëm me “Kronikë në gur”, nga kjo pikëpamje, është romani “Roli i familjes sime në revolucionin botëror”, i Bora Cosic; edhe pse atje shpesh efekti komik krijohet ngaqë fëmija i ndjek dhe i përshkruan ngjarjet, por pa ua kuptuar implikimet – ose duke ua lënë lexuesve të vet të rritur.

      Në raste të tilla, janë dy zëra që rrëfejnë: fëmija dhe autori, i cili identifikohet me fëmijën e rritur (rrëfimtari 1 dhe rrëfimtari 2); të dy këta, rrëfehen pastaj nga kallëzimtari – si subjekt i thëniezimit (énonciation) por asnjëherë i thënies.

      Për t’u kthyer te teksti im, fjalë si imun tradhtojnë rrëfimtarin 2; i cili i përdor ato për t’u distancuar nga rrëfimtari 1, ose fëmija – sepse vetëm ajo e lejon t’ia japë lexuesit të plotë eksperiencën e fëmijës.

      Por kam përshtypjen se gjurmë të rrëfimtarit 2 (të rriturit) në tekstin më lart gjen sa të duash; sepse ky jo vetëm e rrëfen eksperiencën e rrëfimtarit 1, por edhe e komenton hap pas hapi, teksa e riviziton. Veta e parë njëjës nuk do të ishte kështu marifet, por vetëm përftesë diskursive e mbështetur në vijueshmërinë (diskursive) të subjektit rrëfyes (vetës së parë), e cila përndryshe e anulon distancën midis dy kohëve: asaj kur ndodh diçka, dhe asaj kur kjo diçka rrëfehet.

      P.S. Kadareja i para-1990-ës është nga shkrimtarët e mi të preferuar, dhe nuk është çudi që të jem ndikuar prej tij, sepse prej tij i kam formuar shijet letrare në rini. Por dyshoj, duke gjykuar edhe nga sa shkruani më tej për këtë temë, se ju do të nuk keni lexuar shumë nga ky lloj letërsie, ku “uni” në rrëfim flet me dy zëra.

  5. C’eshte e verteta nuk kam lexuar asgje nga kjo letersi memorialistike me subjektin rrefyes femije, pervec Kronikes, Vite te vegjelise te Enverit dhe kete pasazhin e kujtimeve te sjella nga ju. Dhe cuditerisht jeni te tre gjirokastrite.
    Me kujtohet kur isha femije , kur tim ate me merrte ne parakalimin e 1 Majit-festa e ish proletareve. Gezim i madh, hare, parakalim fitoresh e suksesesh. Bota me dukej shume e lumtur.
    Kur ktheheshim ne shtepi, hanim dreken e varfer, makarona nga ato te zezat te cilat kur zjenin, beheshin si qull. Une beja naze dhe nuk i haja . Pastaj kujtoja partizanet qe rrinin edhe pa ngrene ndonje nate ( keto na i thoshte xhaxhi veterani) dhe vetja me dukej si hero. Keshtu i shikoja gjerat kur isha femije.
    Tani , i rritur, i rikujtoj keto dhe vetem tani bej lidhjen mes manifestimit triumfalist dhe menuse tone aq te varfer , pra lidhjen mes fasades / propagandes dhe realitetit.
    Se normal, ku ta dija une femije fjalen “triumfalizem” apo “fasade”?
    Po t’i vendosja keto gjykime te tanishme (te rrefimtarit 2) ne gojen e rrefimtarit 1, pra femijes, ky i fundit do dukej si disident tani dhe realiteti do perftohej pak i trukuar.
    Pra ky rrezik qendron sa kohe qe nuk eshte , ne fakt, i rrituri qe rikujton me syte e femijes por eshte femija qe rrefen me mendjen dhe pervojen e te rriturit. Dhe jo thjesht rrefen me naivitet, sic ja del IK tek Kronika por edhe vlereson, interpreton faktet, sic ben IK tek Kukulla dhe , per pasoje, na prezanton nje femije, pra veten, shume te avancuar per kohen, per kohen kur jo me moshataret e tij por edhe te rriturit , sapunin e Enverit me fitorje e mbrojtje te m-l , e hanin per djath.
    Rrefimi me prane mendjes se femijes do ishte, sipas meje, kur rrefyesi , teksa degjonte gjithandej rreziku revizionist, rreziku …rreziku, te mendonte pak a shume: po si mund te vinte rreziku nga nje xhuxh, nga Krushovi, ai dukej si nje klloun i vogel etj etj.
    Keshtu qe ajo fjala ” imun” e komprementon femijen dhe e nxjerr rrefimin nga natyrshmeria.

    1. Pika, keto kujtimet e tua feminore, se bashku me ato te Ardianit, me bene shume pershtypje, sepse i krahasova sakaq me kujtimet e mia, krejt te ndryshme. Ndryshe nga ju, une jam rritur ne nje familje “te deklasuar”, burrat e se ciles thuajse te gjithe ne periudha te ndryshme kishin provuar burgjet e diktatures. Kujtimet e mia jane shume me konfliktuale, te dhimbshme dhe ekzistenciale, sesa ato te tuat ku makaronat kontrastonin me triumfalizmin e propagandes dhe fanfarat e 1 Majit 🙂

      1. Po, eshte fiks ashtu , Relapso dhe nderhyrja ime kishte per qellim pikerisht kete: ne librat memuaristike ne pergjithesi apo krijime letrare te rrefyer nga autori femije, duhet ruajtur koherenca me konteksin dhe mjedisin ku rritet rrefyesi.
        Nese rrefyesi eshte nje femije te themi i nje familje te deklasuar apo antikomuniste asokohe, eshte krejt normale qe ai te krijoje nje perceptim negativ per realitetin ku jeton dhe Enveri qe dilte ne tribune dhe per te tjeret perceptohej simbolikisht si Diell qe ndricon boten, per ate te ishte nje perbindesh. Ne vizatimin e identitetit te ketij femije , dyshimi, ankthi, mosbesimi dhe carja mes asaj qe thuhej nga propaganda dhe realitetit, do te ishin me te natyrshme.
        Kurse nje femije i rritur ne nje familje e cila i perkiste nomenklatures se kohes, arritja ne deduksione te tilla qe vinin ne dyshim “te verteten” , duken pak artificiale, ose thene ndryshe, narratorin femije e dominon i rrituri autor i cili ,reflektimet e tij nga pervoja dhe permbysja e realitetit , i transferon tek vetja femije.
        Ja nje pasazh nga shkrimi:

        “Por që nga ajo kohë, albumi që aq fatalisht ma çorri koherencën e realitetit, njëfarësoj më ndërvendosej midis vetes dhe botës, si për të më kujtuar që ta mbaja gjithnjë distancën e sigurisë nga e vërteta që shitej në pazar”
        Keto dy realitete kundervenese, me Jugosllavine, BS dhe Kinen, njehere miq dhe pastaj armiq, i kam “prekur” kur asokohe shfletoja shtypin ( Zerin e Popullit posacerisht) dhe reflektimi i AV , pos mortum te atij realiteti, eshte mese i drejte.
        Por pikerisht tek kjo “mungese koherence”, tek kjo dialektike zhvillimi Enveri kaleroi ne betejat e tij donkishoteske dhe shaloi Shqiperine per gjysem shekulli.

        1. Mbaj mend p.sh. nje episod kur fill pas kongresit te radhes te PPSH-se na erdhi per vizite nje kusheri me botimin e raportit qe Enver Hoxha kishte mbajtur ne kongres. Duke e shfletuar tha fjalet fatale: “Ky raport duhet lexuar me laps ne dore”. Pasoi nje heshtje varri dhe nga ajo dite atij kusheriri, qe regjimi i kishte vrare babain, iu mbyll pergjithmone dera e shtepise sone. Vetem pas ’90-es, kur ai kerkoi shpjegime per ftohjen e papritur, nena ia kujtoi ato fjale.

    2. Një tjetër libër i kësaj natyre, që më ka pëlqyer shumë, është “Highcastle: A Remembrance” i shkrimtarit polak Stanislaw Lem (jo Lec). Edhe ai shkruan për fëmijërinë, në vetën e parë, por duke i përzier të dy zërat.

      Megjithatë, ka edhe një dallim të rëndësishëm që më duhet ta bëj: “Kronikë në gur” është roman, sikurse edhe “Kukulla”; ndërsa shkrimi im më lart, gjithë duke ruajtur përpjesëtimet, është ese letrare.

    3. Meqë flasim për “Kronikë në gur”, ja një pasazh që e nxora duke e hapur librin fare kuturu, në këtë moment:

      Gjatë evakuimeve asnjë nga ndërluftuesit nuk e preku kundërajrorin. Evakuimet bëheshin shumë shpejt dhe me rrëmujë të madhe, kështu që, me sa duket, secila palë e kishte të vështirë ta zbriste topin e rëndë që nga maja e kështjellës.

      Unë do të pyesja: kush flet këtu? Fëmija apo i rrituri? Një fëmijë nuk do të përdorte kurrë fjalë si “ndërluftues”, “palë”, madje as “evakuim” (unë nuk besoj që fjala “evakuim” të përdorej në Gjirokastër në vitet e Luftës, por për këtë s’e vë dorën në zjarr). Gjithsesi, fjalë si këto i thonë lexuesit se rrëfimtari është i dyzuar: prapa zërit të fëmijës qëndron edhe zëri i të rriturit. Nuk ka asnjë problem këtu, sikurse nuk ka – për mendimin tim – me fjalën “imun” te teksti më lart.

      Ja edhe një shembull tjetër, sërish i nxjerrë kuturu:

      Nofulla e tij lëvizte me nervozizëm.

      Kush thotë këtu “nervozizëm”? Djali i vogël gjirokastrit? Natyrisht jo: është i rrituri, që flet me gojën e fëmijës.
      Mund të nxjerr me qindra shembuj të ngjashëm.

  6. Ne te njejtin stil “feminor” Kadare ka edhe “Ceshtje te marrezise”, nje nga librat e tij me te mire, sipas meje.

  7. Po, edhe mua ky rrëfimi i Ardianit më kujtoi “Çështje të Marrëzisë” të cilin po ashtu edhe unë e gjykoj si një ndër librat më të mirë të Kadaresë i cili gjithsesi na pat përgatitur për “Çështjet” qysh tek “Kronika” kur rrëfente për qitapët e gjyshit.

    Ndërkohë Ardiani na tërheq vëmendjen edhe për raportin tonë me retushimin e historisë. Sipas meje, sa herë që brezat rreken ta rishikojnë historinë përfundojnë me “four legs good, two legs bad”. Ata që ishin me katër këmbë para dhjetë vjetêsh shikohen me dy këmbë nga pasardhësit. Ose anasjelltas.

    Dhe ironikisht tani kujtohem që revizionizëm në fakt do te thotë rishikim. E kujtohem po ashtu që mbase nervozizmi i Enverit ndaj revizionizmit ishte në thelb frika nga rishikimi i paautorizuar, i paparashikueshëm e pra i pakontrollueshëm i dogmës çka në vetvete kërcënonte pushtetin e tij që frymëzohej, ushqehej, e konsolidohej prej dogmës.

  8. Mua ende më shokojnë edhe sot imazhe filmike apo fotografi të cilat nuk janë konform me standardin zyrtar të historisë politike të Shqipërisë të fundviteve 80. Jo se kam ndonjë preferencë politike për vlerësimin e tyre, por më kapin ende të papërgatitur; thënë disi më direkt, më kapin “gafil”. Si për shembull edhe imazhet reale të Sadam Husinit që e nxirrnin nga vrimë nën dhe për ta furur përsëri në atë vrimë dikur më vonë apo të Kadafit të rrahur nga një mob diku në një fshat të humbur përtej shkretëtirës. Imazhet e propagandës zyrtare janë shumë më tepër se pozicionime estetike, ato janë pjesë e dogmës dhe demistifikimi i tyre nuk bëhet vetëm me një presdispozicion për t’u fokusuar më objektivisht në një çështje të caktuar. Madje unë do të thoja, që brezi im nuk ka për të qenë asnjëherë në gjendje të perceptojë si një imazh të vetëkuptueshëm diktatorin fjala vjen që heq çorapet privatisht apo ka frikë nga dentisti.

    Meqë keni mbërritur tek kjo pjesa e perspektivës së fëmijës lidhur më zhvillime dramatike, kam përshtypjen që ky është një mjet stilistik shumë i fuqishëm dhe frytdhënës, ngaqë naivitetit të fëmijës nuk mund t’i vësh dot sipër aq lehtë një perspektivë më objektive për të vëzhguar.

    Për t’u bërë edhe unë konkret do të doja të sugjeroja përmbledhjen me tregime “The Question of Bruno” të shkrimtarit amerikan, ose më saktësisht finksionalisht post-ish-jugosllav Aleksandar Hemon, të cilin e kam fort për zemër [në gjermanisht e gjeni me titullin “Die Sache mit Bruno”], në të cilin gjendet një tregim i cili zhvillojet dukshëm në në dy plane vizuale. Plani një parë është 1/3 e faqes ku shumë pastër dhe në mënyrë naive tregohet një histori tejet e thjeshtë dhe në shënimet në fundfaqe një histori tejet politike. Kombinimi i naivitetit të fëmijës me shënimet historike është i arritur në një mënyrë të njëhershme dhe personalisht më ka lënë përshtypje jashtëzakonisht shumë të këndshme.

    Kush ka kohë dhe interes, i bën vetes një goxha shërbim sikur t’i qaset në përgjithësi Aleksandar Hemon-it; veçanërisht duke filluar me “Ajo puna me Brunon”.

    Përndryshe Bora Cosic është një shkrimtar jashtëzakonisht i rëndësishëm ballkanik dhe “roli i familjes time në revolucionin botëror” është diçka e mrekullueshme. Nuk e di nëse e patën përkthyer dot atëherë në Kosovë; libri duhet të jetë i fundviteve 60.

    Faleminderit AV për shkrimet dhe ju të tjerëve për reflektimet tuaja. PF është (për atë që ka fat e DI të lexojë në shqip) ushqimi shpirtëror i vetëm domethënës i shqipes së shkruar aktualisht.

Lini një Përgjigje te RelapsoAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin