DY HISTORITË

Ka dy histori të Skënderbeut dhe sot po ndihet nevoja për t’i balancuar.

Njëra histori, që po e quaj e Skënderbeut, është ajo e rrëfyer me mijëra e mijëra herë, të paktën që nga Barleti e këtej: ose narrativa e jetës së Skënderbeut, që nga origjina familjare e deri në vdekje, e gjesteve të tij si komandant ushtarak dhe burrë shteti dhe diplomat, marrëdhënieve të tij me fuqitë e mëdha të Europës e të Azisë, si Vatikani, Venediku, Mbretëria e Napolit dhe Perandoria Osmane dhe në përgjithësi e politikës së tij në skakierën europiane të kohës; por edhe e politikës dhe marrëdhënieve të tij me bujarët e tjerë shqiptarë dhe jo-shqiptarë në Ballkan. Idealisht, brenda kësaj historie, gjestet e Skënderbeut vendosen në kontekst, krahas përpjekjeve për të shpjeguar çfarë deshi ai të bënte, çfarë arriti dhe çfarë ndikimi pati në Arbërinë e kohës së vet, por edhe në Ballkan dhe në Europën Perëndimore e më gjerë. Versione të thjeshtuara të kësaj historie u mësohen fëmijëve shqiptarë në shkolla; versione edhe më të thjeshtuara, në trajtë të kalcifikuar, mbretërojnë në debatet publike rreth Skënderbeut dhe trashëgimisë së tij.

Historia tjetër, që po e quaj e Skënderbejadës dhe që mbetet në masë të madhe e padukshme, është ajo e pritjes, perceptimit, ruajtjes dhe trashëgimisë së memories së Skënderbeut, nga ana e arbërve, shqiptarëve, italianëve, popujve të Ballkanit dhe osmanëve vetë. Nëse historia e parë zgjat e shumta një shekull, kjo e dyta shtrihet në pesë-gjashtë shekuj. Pjesë të saj janë: historitë e Skënderbeut të shkruara vit pas viti anembanë Europës, nga Barleti e tutje; trajtimi i Skënderbeut nga historianët europianë dhe osmanë në rrjedhë të shekujve; kujtimi i Skënderbeut në kulturën europiane perëndimore, ose kuptimi që i ka dhënë kësaj figure kultura europiane në shekuj; kujtimi i Skënderbeut mes shqiptarëve, përfshi këtu edhe folklorin kushtuar Skënderbeut në shqiptarët dhe në arbëreshët e Italisë; kujtimi dhe kultivimi i figurës së Skënderbeut mes shkrimtarëve shqiptarë dhe arbëreshë të Para-Rilindjes, duke filluar nga Frang Bardhi; Rilindja shqiptare dhe roli qendror i figurës së Skënderbeut në projektin e zgjimit kombëtar të shqiptarëve; vendi i Skënderbeut në themelet e shtetit shqiptar të shekullit XX; përdorimi i Skënderbeut nga Zogu; përdorimi i Skënderbeut nga fashizmi italian; vendi i Skënderbeut në historiografinë shqiptare të periudhës totalitare; kuptimi që i jepet Skënderbeut sot, në Shqipëri, në Kosovë dhe gjetiu ku jetojnë shqiptarët; mënyrat si kremtohet në publik kujtimi i Skënderbeut mes shqiptarëve dhe gjetiu; historia e artit kushtuar Skënderbeut: poemat, romanet, pjesët teatrale, operat, në Europë dhe mes shqiptarëve. Lista është detyrimisht e paplotë, por besoj mjafton për të krijuar idenë.

Çfarë dua të theksoj këtu është se (1) këto dy histori janë të ndryshme nga njëra-tjetra, por e dyta gjithnjë plotëson të parën; (2) deri më sot kemi vepra të plota dhe shteruese për historinë e parë, por për të dytën gjen vetëm studime të shpërndara, por mungon përpjekja për sintezë; (3) disa aspekte të imazhit që kemi sot për Skënderbeun varen drejtpërdrejt nga historia e dytë, jo e para; (4) çdo përpjekje për t’i ndarë dy historitë është, në fakt, pjesë e së dytës; (5) historia e parë është objekt i punës së specializuar të historianëve, ndërsa e dyta prek të gjitha sferat e jetës kulturore, sepse ka të bëjë me mënyrën si e përjetojmë ne, shqiptarët, identitetin tonë kombëtar dhe një personazh historik qendror si Skënderbeu; (6) pjesa më e madhe e publikut e krijon imazhin dhe ndonjëherë kultin e Skënderbeut nëpërmjet historisë së dytë, jo të parës. Që këtej, nevoja e ngutshme që kjo histori e dytë jo vetëm të studiohet seriozisht, por edhe t’i jepet publikut në po atë masë sa e para.

Imazhi, koncepti dhe kuptimi që ka sot publiku shqiptar për Skënderbeun, i mbrujtur në shkollat dhe i ushqyer më tej nga letërsia, historiografia, mass mediat dhe artet figurative, është gjithnjë i ndërmjetësuar nga tradita – por jo aq tradita e ruajtjes së pandërprerë të kujtimit të bëmave të Skënderbeut, sa tradita e paraqitjes së Skënderbeut nga disa vepra kyçe, si historitë e Barletit, Naim Frashërit dhe Nolit, skulpturat e Odhise Paskalit dhe arti i derdhur në muzeun e Krujës. Aq i fortë është ndikimi i këtyre veprave në vetëdijen kolektive të shqiptarëve sot, sa çdo shmangie ndaj “normës” që ato kanë krijuar shpesh të përfytyrohet sakaq si shmangie nga e vërteta: cili prej nesh nuk është stepur, kur ka parë për herë të parë portretet e Skënderbeut nga autorë italianë të asaj kohe, që nuk përkojnë me imazhin që na ka dhënë Paskali? Cili prej nesh nuk ka mbetur i zhgënjyer, kur ka vizituar kështjellën e Krujës për herë të parë, dhe nuk ka parë atë madhështi që ia kishin sugjeruar rrëfimet historike për rrethimet e asaj kështjelle? Në fakt, shkolla dhe kultura publike në përgjithësi nuk bëjnë asnjë përpjekje për të shpjeguar se imazhi dhe kuptimi që kemi ne sot, për Skënderbeun, është po aq produkt i aktualitetit, sa ç’është edhe produkt i vërtetësisë historike. Prandaj studimi i arsyetuar i mënyrës si është kuptuar Skënderbeu në rrjedhë të kohës do të ndihmonte për t’i mbajtur të gjalla dhe aktive të dy akset kohore njëkohësisht: sinkroninë dhe diakroninë; meqë do të na ndihmonte për t’i bashkuar dy sinkroni, atë të shekullit XV kur veproi historikisht Skënderbeu dhe këtë të sotmen, tonën, me ndërmjetësimin e një vargu aktesh diakronike. Të marrim edhe shembullin e kultit për Skënderbeun mes arbëreshëve; të cilin kult nuk mund ta shpjegojmë thjesht si “ruajtje të një tradite”, meqë gjasat janë që në shekullin XIX ky hero të nderohej e të kremtohej, mes arbëreshëve, më shumë e më fort edhe se në shekullin XVI, kur kujtimi i tij ishte tejet i gjallë dhe kish akoma plot prej tyre që i kishin përjetuar vitet e luftërave anti-osmane të Skënderbeut (motin e madh) në përditshmëri. Qasja aq e veçantë e arbëreshëve ndaj Skënderbeut do shpjeguar, pra, në kontekstin e nevojës së tyre për një strumbullar rreth të cilit të ndërtonin identitetin e tyre kombëtar; dhe kjo ka rëndësi, jo vetëm për arbëreshët vetë, por edhe ngaqë prej arbëreshëve kulti i Skënderbeut i kaloi edhe Rilindjes shqiptare përtej detit, për të ardhur pastaj deri në ditët tona. Ose të marrim edhe kremtimet e mëdha të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në Shqipërinë e vitit 1968, kur edhe u vendos statuja e heroit në sheshin qendror të Tiranës dhe u nxitën, nga shteti, një mori botimesh historiografike dhe letrare, por edhe vepra të tjera artistike, si opera ose në artet figurative, dhe konferenca të rëndësishme si ajo e 2-ta e Studimeve Albanologjike; të gjitha këto, nisma me ndikim të thellë, gjurmët e të cilave në vetëdijen kombëtare janë të dukshme sot e kësaj dite. Historia e Skënderbejadës ndihmon për të kuptuar arsyet e kësaj stuhie historiografike dhe simbologjike në kulturën shqiptare, por edhe arsyet e kësaj kthese dhe ri-përqendrimi të vëmendjes në kombëtarizëm, pas shkëputjes së Shqipërisë nga kampi socialist dhe dalja nga Traktati i Varshavës.

Po të hysh në një librari sot dhe të shohësh raftet që i kushtohen historiografisë, do të gjesh një numër veprash serioze, që i kushtohen historisë së parë, asaj të Skënderbeut; megjithëse ky lloj hulumtimi historiografik është i vështirë, kërkon ekspertizë në shfrytëzimin dhe krahasimin e burimeve dhe njohje të mirë të shekullit XV në Europë (përfshi këtu edhe Bizantin) dhe në Perandorinë Osmane. Në një kohë që veprat kushtuar historisë së Skënderbejadës, ose aventurave të Skënderbeut personazh historik në historiografinë dhe kulturën europiane dhe shqiptare janë më të pakta; dhe sidomos, mungojnë qasjet sintetizuese. E megjithatë, edhe vetëm një kurs universitar i plotë, kushtuar kremtimeve të 500-vjetorit të Skënderbeut, do të ndihmonte për të shpjeguar si e sotmja ndërhyn, me të gjitha mënyrat, për të modifikuar vizionin dhe kuptimin tonë për të shkuarën: mjafton vetëm një listë e plotë e botimeve të atij viti, disa origjinale në shqip dhe të tjera përkthime, disa në prozë dhe disa në vargje, që nga poema e Longfellow-t te romanet kalorësiake standard, për të vërejtur se rikthimi i Skënderbeut në qendër të kulturës shqiptare të asaj kohe po realizohej jo vetëm duke i dhënë publikut historinë e parë, të Skënderbeut, por edhe duke i ofruar këtij pjesë nga e dyta, Skënderbejada; edhe pse jo të organizuara në trajtesa koherente, refleksive dhe gjithëpërfshirëse. Si edhe herë të tjera, ne jemi entuziazmuar që kultura europiane i ka dhënë vend një heroit “tonë” dhe e ka përfshirë në ikonografinë e vet standard të Mesjetës, por nuk jemi lodhur shumë të kuptojmë pse ka ndodhur kjo; ndoshta nga frika se mos zbulojmë që, në këto ndërmarrje, nuk ka luajtur ndonjë rol admirimi i “atyre andej” për shqiptarët dhe heronjtë e tyre.

Ka dy histori të Skënderbeut; është koha që intelektualët, publicistët, kulturologët dhe të gjithë ata që i japin tonin diskursit publik shqip t’i kushtojnë vëmendjen e duhur edhe historisë së dytë; në emër të ruajtjes së integritetit jo vetëm të vizionit tonë për historinë, por edhe të identitetit kombëtar të shqiptarëve.

(c) 2017, Peizazhe të fjalës.

11 Komente

  1. Historia e dyte eshte multidisiplinore, dikur ishte filozofi e historise, si e tille kerkon shume kompetenca qe te mos katandiset ne thashethemnaje.
    Kur lexon historine e Skenderbeut dhe te Shqiperise ne pergjithesi, botimet e Akademise se Shkencave, historianet perpiqen te shphegojne gjeresisht edhe kete historine e dyte,filozofine historike, dmth interpretimin e historise dhe rolin e aktoreve historike. Dikur ishte filozofia e historise qe vendoste pikat mbi i, me vone edhe sektori filozofik u monopolizua nga historia si shkence, historiografi.

    Natyrisht ka disa shkenca sociale, ose disiplina, si etnografia, antropologjia, sociologjia,politologjia etj qe mund te nderhyjne, por si me lart duhet kompetence, se eshte nje tipologji dijeje ku gjerat mund te kthehen se prapthi pa problem. se studimet multidisiplinore nuk jane aq serioze sa lejon te nenkuptoje koncepti, madje perpjekjet per kurse universitare dhe pasuniversitare multidisiplinore nuk kane prodhuar entuzianem.

    Persa i perket Skendebeut, ai mund te intepretohet edhe ne krahasim me shqiptaret e tjere qe si ai, u moren nepermjet devshirmese. Dialektika e krijuar eshte qe Skenderbeu Hero, Ballaban pasha tradhtar. Ne fakt te dy u moren nepermjet devshirmese po a mund te krijojne shkeputja e Skenderbeut, Hamzait dhe 300 kaloresve, nje dialektike, ku ata qe nuk u shkeputen behen tradhtare , si te mirenjohurit Ballaban Pasha e vellai i tij Jakup Pasha ?

    Ta zeme, Ismail Qemali u shkeput nga Perandoria, kurse kusheriri i tij, po nga dera e Vlorajve, Ferid Pashe Vlora, nuk u shkeput, madje vdiq ne Turqi. Ferid pasha ishte Veziri i Madh/ kryeministri i Turqise Osmane ne vitet 1903-1908, derisa e rrezuan xhonturqit. bashke me sulltan Abdyl Hamitin, i cili u kthye nga sundimtar absolut ne te internuar ne sarajet e veta, Topkapi.
    A mund te themi ne baze te dialektikes hero-tradhtar se Ismail bej Vlora ishte hero, ndersa Ferid pashe Vlora ishte tradhtar ? Aq me teper kur ky i fundit ishte edhe 5 vjet kryevezir i Turqise ?

    Nqs po, atehere situata behet shume e koklavitur se historia e P. Osmane, ka nje thes me vezire shqiptare, me gjenerale e kolonele/pashallare e bejlere qe kane udhehequr shtetin dhe ushtrite osmane.

    Kryeveziri i pare i huaj, dmth jo turk etnik i P.Osmane ka qene arnaut, ose me sakte ka qe thone se ka qene arnaut.
    Bajazid Pasha ne vitet 1413-1421. Kur Timurlengu ne 1402 theu sulltanin Bajazid dhe e futi ne kafaz, arnauti ne fjale, mori Mehmetin adoleshent dhe u kujdes qe ai te fitonte luften me vellezerit dhe Mehmeti e beri kryevezir dersa vdiq. Murati II, ai i Skendebeut, u perkujdes te merrte pushtetin mbi vellezerit duke mbajtur arnautin kryevezir.

    Me Bajazid Pashen fillon filo-arnautizmi i sulltaneve osmane ne perzgjedhjen e vezireve dhe komandanteve ushtarake.
    Vellai i Bajazidit ishte komandant i flotes qe pushtoi Selanikun ne 1430 dhe komandant po i flotes gjate pushtimit te Kostandinopojes ne 1453. Nderkohe komandanti i ushtrise tokesore qe kaperceu muret e Kostandinopojes ishte kryeveziri Zagan Pasha, per te cilin ca thone se ishte sllav ose arnaut, ndersa te tjere grek ose arnaut, dmth me 50% probabilitet edhe ky del arnaut.
    Dy arnaute te mundshem komandonin trupat tokesore dhe detare qe pushtuan Kostandinopojen.

    Nderkohe qe kemi nje kryevezir per 15 vjet gjate luftes se Skenderbeut, nje grek Engjelli, i lindur ne Kosove, po me lidhje te mundshme me Pjeter Spanin, katolik arberor, qe thone se mund te ishte me origjine nga Engjejt e Despotatit te Epirit dhe Thesalise. Nuk eshte çudi te quhet arnaut ne vend te grek Kosove, kusheri me Pjeter Spanin. Jo çdo Engjell eshte grek, sikunder Arianit Komneni si Komnen mund te quhet grek por ishte arber.

    Te vijme tek arnautet e tjere, 24 karatesh, ai qe rrethoi Shkodren , te cilin na e pershkruan Barleti ishte arnaut, Daut Pasha. Ky ka fatin te jete ai qe perfundoi epoken e lufterave shqiptaro-turke. Si arnaut safi, ky hyn ne histori edhe si shkodrani i pare i shkodraneve te sotem, sepse shkodranet u larguan nga i pari tek i fundit drejt Venedikut ne baze te traktatit, keshtu qe Daut Pasha si komandant i trupave turke simbolikisht eshte shkodrani i pare modern dhe natyrisht myslimani i pare shkodran.
    Daut pashe Shkodrani u be edhe kryevezir per plot 15 vjet pas vdekjes se Mehmetit.

    Jane edhe Ishak Pasha , disa vjet kryevezir dhe Gedik pasha qe nuk eshte safi, po i mundshem. Gediku ne rast se vertetohet ne ndonje menyre se ka qene arnaut, del te jete edhe arnauti i pare qe ka sulmuar Perendimin, pasi si sanxhabej i Vlores, ndertoi floten turke dhe komandonte trupat osmane qe u hodhen ne Otranto.
    Nqs ka qene vertet arnaut, atehere eshte edhe pergjegjesi per kthimin e Myzeqese ne toke moçalore nepermjet prerjes ka kriter te pyjeve, te cilat shkaktuan daljen e lumenjve Vjosa e Seman nga shtreterit. I duhej te priste pyjet per te ndertuar floten qe do zbarkonte ne Itati.
    Nderkohe Gedik pasha ka qene edhe kryevezir i Mehmet II kur turqit nisen rrethimin e fundit te Krujes 1476.

    Keshtu shekulli 15, mes arnauteve safi dhe atyre te mundshem ose pseudo-arnauteve, nqs duam, del te jete i arnautizuar dhe Ballaban Pasha me Jakup Pashen, dalin te jene thjesht diletante ne tradhtine e tyre.
    Keta arnaute safi e te mundshem, kane bere bema historike si kunder Arberise si kunder gjithe aktoreve te tjere ne historine e shek 15.

    Sigurisht qe situata del jashtemase e koklavitur, sepse arnautet si vezire,kryevezire e gjenerale, jane nje taborr i tere, nga rindertuesi i shtetit osman pas katastrofes se Ankarase, 1402, deri tek Ataturku, qe ndertoi Turqine moderne (ky si gjithe xhonturqit pas vitit 1908, i perndoqi arnautet me buke ne traste).
    Meqe ra llafi edhe lufta e pare Ballkanike ne 1912 ka nisur me nje beteje, mes grekeve dhe turqve, ku ushtria turke komandohej nga nje kolonjar, Hasan Tahsin Pasha, kurse shefi i shtabit i ushtrise greke ishte suljot nga fisi i njohur Dangli. Fitoi suljoti, kishte 3 here me shume ushtare se kolonjari.

    Si perfundim, ne themi historia, historiografia, shqiptaria, tradhtia, mirepo na mungojne konceptet e gjithepranuara, duhet te biem dakort ne disa koncepte per kete historine e dyte.
    Kam frike se nuk kemi per te rene dakort si shoqeri flas, sepse behet çeshtje shume delikate per t’u trajtuar.

    1. Epo le ta pasurojmë listën e mësipërme me disa emra shqiptarësh që kanë qenë kryeministra në Perandorinë Osmane:

      Haim Ahmet Pasha (1496-1514);
      Ahmet Pashë Dukagjini (1514-1515);
      Ibrahim Pasha (1523-1536);
      Ajaz Mehmet Pasha (1536-1539);
      Lufti Pasha (1539-1541);
      Kara Ahmet Pasha (1553-1555);
      Merre Husein Pasha (1601-1602), etj., etj…

      Nuk po zgjatem me detajet mbi origjinën dhe bëmat e secilit në respekt të durimit tuaj dhe duke qenë se nuk mendoj se ndihmon në atë çka po diskutohet.

      Mes tyre dhe Skënderbeut ka një vijë ndarëse, të qartë: ata i shërbyen lavdisë personale që jo rrallë i përballi me vëllezërit e gjakut të vet, ndaj dhe emrat nuk u njihen në të gjitha trevat shqipfolëse.

      1. Shekulli i permendur nuk perben interes te veçante, as pasuesit deri ne kohen e Rilindjes.
        Kur kryen dallimin hero-tradhtar nevojitet figura e Heroit dhe ne varesi te konceptimit te tij lind edhe tradhtari. Kur heroi/heronjte lidhet/lidhen me nje akt politik si Pavaresia, lufterave per te, aty lind edhe tradhtari, qe nuk mungon asnjehere ne asnje popull.
        Keshtu me interes te veçante jane shek 15, qe ishte lufte per mbrojtjen e ekzistences se entiteteve politike arberore, faza e Rilindjes, ku u poq formesimi i nje entiteti shteteror dhe natyrisht Clirimi nga pushtuesit italo-gjermane.
        Perndryshe shekujt e tjere ose 250 vjeteshi i ndermjetem, mbartin interes ne lidhje me çfare mendojne te tjeret per neve, psh kur Bushatllinjte jane te mirenjohur si ne perpjekjet osmane per shtypjen e kryengritjes serbe, si ne ate greke.
        Keto jane gjera qe ne nuk i prekim, se na djegin duart dhe ne kete kuptim, them se shoqeria nuk do te bjere dakord t’i trajtoje.

        Nderkaq nje perzgjedhje tematikore nuk prodhon dot nje histori te dyte. Psh bektashinjte gjate gjysmes se pare te shekullit 20, mendonin me te drejte se perderisa Skenderbeu ishte jeniçer atehere ishte bektashi, se eshte fakt i mirenjohur qe jeniçeret kane qene bektashinj qe diten e pare qe u formuan si korpus ushtarak deri diten e fundit.
        Gjithe figurat me prejardhje jeniçere duhet te jene edhe bektashinj, perpos kur e mohonin shprehimisht ate.
        Ali pashai thone studiuesit bektashinj ishte bektashi, po njesoj eshte fakt i mirenjohur (besoj) qe Ismail Qemali ishte bektashi si gjithe dera e Vlorajve, ne kundershti ta zeme me Toptanet qe ishin sunite. Abdyl Frasheri po dihet qe ishte bektashi.

        Por sa ndikon dhe si ndikon influenca jeniçere ne historine tone, nuk e trajtojme, ashtu sikunder na trembin edhe fenomenet me lart. Jo se nuk dihen, thjesht nuk dihen mire dhe ndoshta nuk duam t’i dime mire.

  2. Qasje mjaft interesante. Qysh kur kam hasur per here te pare portretin pa kesulen me briret e dhise, ai Skenderbe me eshte dukur i pergjumur, plak, me shume si mendimtar sesa si strateg dhe kordhetar
    Skenderbeu historik eshte aktivizuar, eshte “perdorur” , eshte modifikuar ne sherbim te narratives tone kombetare dhe historike. Madje kjo ka ndodhur edhe ne kukturen europiane perendimore , pra me Skenderbejaden
    Ne portretin majtas Skenderveu eshte konceptuar nga piktori europian si nje mendimtar apo princ i Rilindjes , pra ne funksion te konteksit kulturor te kohes.
    Madje edhe shtatorja e cila do vendosej ne Budapest, me gjithe kundershtite, ne perspektiven e shkrimit te Vehbiut eshte ok.
    Pra ajo shtatore eshte perpunuar ne pershtatje me mjedisin kulturor ku do te vendoset e, sidomos, ne baze te imazherise kombetare te atij vendi
    Ky proces i Skenderbeiades, me elemente modifikimi dhe mitizimi, duket se nuk mund te ishte e te jete ndryshe. Rrenjet e proceseve mitizuese dhe mistifikuese te Skenderbeut historik, aq sa qendrojne tek nevojat pragmatike, makiavelike politike te cdo kohe, te Rilindasve, Zogut, Duces, Enverit, Berishes, Rames, po aq qendrojne edhe ne psikiken njerzore dhe procesin historik , me zigzaket e tij.
    Ne kukturen tone venerimi dhe glorifikimi deri ne mit i Skenderbeut ka ardhur jo vetem nga nevoja e elitave ne luften per pavaresi e pushtet por edhe si sublimim i pafuqise tone , vonesave tona, vogelsise tone si komb.

  3. Mendoj se eshte ende i rendesishem kontributi ne “historine e pare”. Sa me e paplote historia e pare aq me abuzive e spekulative do te jete e dyta. Dhe dokumenta te pahulumtuar ka ende plot.

  4. Pjesa me e madhe e publikut,edhe sikur te kete nje trajtim shterrues per te dy historite (dhe sintezen) qe thote zotni Vehbiu,heroin do ta perceptoje ashtu sic e ka perceptuar, dhe sic i perceptojne heronjte e tyre te gjithe pjeset e medha te publikut ne te gjitha vendet e botes,sado te emancipuara te jene ato.
    Une problemin e vertete e shoh diku tjeter.E shoh tek qasja e gabuar qe,ka ca vite,ndoca opinioniste dhe publiciste,me ndonje perjashtim te rralle edhe ndonje studiues i mirefillte i historise,kane ndaj figures se Skenderbeut.”Grupimin” e ketyre zoterinjve,Kadareja e ka quajtur “albanologet e rinj”.
    Sepse,ishte pikerisht kjo qasje qe trimeroi ekstremistet fetare dhe “ideologet”e tyre qe,pas viteve nentedhjete,nisen intifaden kunder Skenderbeut,te dilnin kaq hapur ndaj tij.
    Megjithate duket se ka nje kthjellim nder “albanologet e rinj”.Kjo verehet shume qarte tek nje mori shkrimesh te ketyre diteve,te disave prej tyre apo simpatizuesve te “kauzes” se tyre,qe per ironi na beri te njohur ndjeshmerine e tyre te vertete,e cila nuk na qenkesh ashtu sic jane munduar te na e paraqesin … por tepke si e pjeses me te madhe te publikut;te atij publiku,me ndjeshmerine e te cilit,jane tallur me kaq lehtesi!
    Ka nje vetedijesim qe qasja e tyre snobe dhe tmerresisht mendjelehte,aq me teper ndaj nje domeni,per te cilin, nuk kane ekspertizen e duhur per ta eksploruar,na qenkesh shfrytezuar dhe po u shfrytezoka nga ata qe ka njezet e sa vite,qe kane nisur fushaten anti-Skenderbe,per qellime te qarta fetaro-politike.
    Per shkak te qasjes snobe dhe mendjelehtesise se ketyre “c’mitizuesve” laike te Skenderbeut – keta e kane shtremberuar debatin,ne nje debat mes tyre dhe publikut – jane lene menjane,si ne hije,ata qe duan realisht rrezimin e Skenderbeut;rrezimin,ne kuptimin e pare fare dhe ne te gjitha kuptimet.
    Per kete qellim,keta punojne ne menyre sistematike,pa u lodhur,me durim,cdo dite,edhe tani qe po shenojme.Ka shume incidente qe i ka bere publike edhe media.Por,keto jane shume shume pak me ate qe ndodh pertej syrit te saj.
    Intelektualet tane snobe dhe mendjelehte,duke u marre me sterhollime te panevojshme qe si duhen aspak atij publiku qe i drejtohen (eshte pikerisht kjo qe tradheton sharlatanizmin e tyre),kane harruar t’u pergjigjen pyetjeve elementare :Si filloi debati per Skenderbeun?!Kush e filloi kete debat?!Pse e filloi?!
    Qasja e drejte ndaj debatit per figuren e Skenderbeut ka si kusht pa te cilin,t’u pergjigjet ketyre pyetjeve.

      1. Konstatimi juaj eshte i sakte.Nderhyrja eshte bajate.Por,eshte ngushellues fakti,qe nuk ka sesi te jete ndryshe.
        Vete debati per Skenderbeun eshte bajat.Mund te mos ishte,po t’u jepej pergjigje pyetjeve te mesiperme.Sepse,tek ato pyetje dhe pergjigjet e tyre,eshte nisja per nje debat te vertete,ku mund ta gjenin veten te gjithe;madje edhe ata qe jane te paduruar per te kenaqur vanitetin e tyre intelektual.
        Nuk e pranoj qe debati per Skenderbeun te kete per shkak “nismen c’mitizuese” nga ndoca intelektuale kozmopolite mendjehapur.Keta te fundit i shtyu vaniteti te futeshin ne kete debat,qe kishte kohe qe kishte nisur nga njerez dhe grupe njerezish me agjende te qarte.Nderhyrja e vanitozve laike,e perceptuar prej tyre si nje mbeshtetje,qofte edhe e terthorte,i ka trimeruar ne ate mase,sa te shpallin publikisht,pavaresisht se ne ambiente te posacme,synimin e tyre.
        Nje pjese e ketyre misionareve te emancipimit po e kuptojne qe vaniteti i i ka futur ne nje si kurth,ku e shohin veten ne nje ane me ata qe nuk u interesojne aspak as emancipimi as c’mitizimi as c’mistifikimi i ndokujt,por thjeshte rrezimi i Skenderbeut;rrezimi,si i Skenderbeut real ashtu edhe atij mitik.
        Une verej nje ndryshim qendrimi tek shume nga keta “misionare” .Edhe tek ata qe nuk e pranojne,shoh nje nervozizem qe tradheton te kunderten;dhe,kjo eshte nje gje e mire.
        Mbulimi i Skenderbeut e pati kete te mire.

  5. Gjithë sa flitet e përflitet më kujtoi një rrëfenjë për Skënderbeun (përpos asaj me thuprën e vetme dhe tufën e thuprave të lidhura) që e kam lexuar vite më parë në një libër fëmijësh, me kopertinë në ngjyrë çokollate dhe një pikturë bardhë e zi të Skënderbeut në mes.

    Tregohej aty se si Skënderbeu i kishte mashtruar turqit për të dalë nga rrethimi në një prej kalave të tij, duke lëshuar natën një numër të madh dhish me qirinj të ndezur e të fiksuar mbi brirë, nga një shteg që varej në faqe të malit. Kaq u desh që turqit të mendonin se dhitë ishin njerëz e të suleshin hyxhym për t’i kapur, kurse ai bashkë me trimat e vet ja doli ta çajë rrethimin.

    Them se errësira (edhe pse në formë perçeje dhe mjegulle idesh, a ndërdyshjesh) do ta ndihmojë edhe këtë herë, që të kujtojhet për mirë e të na japë shpresë e forcë Gjergji ynë.

  6. Lapsi.al ka botuar sot shkrimin tim “Dy histori”, duke e marrë pa leje nga faqja Peizazhe të fjalës. Dhe jo vetëm kaq: e boton duke ia ndërruar titullin, dhe duke i vënë një titull të ri MASHTRUES, i cili e nxit lexuesin të besojë se unë kërkoj RISHIKIM – ose duke e futur shkrimin forcërisht në hullitë e debateve për “rishikim” të cilat nuk më interesojnë, sepse janë bërë dhe stërbërë gjetiu dhe tani janë kthyer në folklor. Përkundrazi, shkrimi im – siç e kanë parë të gjithë ata që e kanë lexuar – flet për nevojën që historia e imazhit që kemi për Skënderbeun të trajtohet KRAHAS historisë së Skënderbeut vetë, për ta balancuar këtë të fundit dhe për të pasuruar kulturën tonë kombëtare. Nuk është polemik as kërkon rishikime gjëkundi, por vetëm shikime.

Lini një Përgjigje te hyllinAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin