TË JESH A TË MOS JESH (THJESHT) FEMINIST/E

nga Klaudia Koxha

Të qenit feminist/e nënkupton minimalisht ndërgjegjësimin mbi pabarazinë që ekziston mes burrave dhe grave, sa i përket mundësive për t’u shkolluar, edukuar apo punuar në një sërë profesionesh dhe të trajtuarit e grave me të njëjtin integritet dhe dinjitet sikurse dhe burrat.

Ky ndërgjegjësim nuk mund te arrihet thjesht dhe vetëm duke identifikuar rastet e përditshme të favorizimit të gjinisë mashkullore. Edhe një grua e pashkolluar diku “majë katundit” e kupton kaq gjë, sado që disa feministe këtejpari e thumbojnë herë pas herë këtë prototip gruaje që e ka të pamundur të ngrejë krye, e cila kontribuon në forcimin e mendësisë patriarkale me veprimet apo mosveprimet e saj. Kjo grua e prapambetur, siç dëgjojmë, mund fare mirë të shkatërrojë jetën e fëmijëve të saj, sidomos të vajzave. E tanimë, vajza e cila është sidoqoftë më e shkolluar se e ëma dhe më e dalë në botë, arrin të kuptojë dhe të urrejë rendin në të cilin është rritur. Në pamundësi për t’i shpjeguar nënës së saj shtypjen e burrave ndaj grave ajo nis ta urrejë dhe ta përbuzë. Ky është rasti tipik i njeriut syhapur e mendjembyllur.

Rrallëherë në përpjekjet dhe dështimet tona për t’iu qasur dikujt që është ndryshe nga ne, përpiqemi ta gjejmë qoftë edhe një grimë të fajit te vetja. Nisur nga kjo premisë do të mund të kuptonim më mirë pse vallë nuk po arrijnë të ndërtojmë ura komunikimi e të avancojmë kauzën që tanimë pretendojmë se e mbrojmë? E kështu nga individi, pra vetja e pamundësuar për t’iu qasur shtresave të gjera shoqërore, nisim të kuptojmë ngërçet strukturore që na kanë prerë rrugën.

“Emancipo individin dhe ke emancipuar shoqërinë”, kam lexuar diku. Sot më shumë se kurrë, kur shoh këta individët “e emancipuar”, të vetëkënaqur me arritjet e tyre individuale dhe të tejmbushur me ndjenjën e superioritetit, kuptoj se emancipimi nuk mund të jetë një proces thjesht individual. Një individ, sado i arsimuar e profesionist të jetë nuk përbën potencial emancipues më shumë se sa një majmun, për sa kohë që nuk i dedikohet një pjesë të ditës, kohës, përpjekjeve të tij për t’u organizuar bashkërisht me të tjerë. E me këtë nuk nënkuptoj vetëm organizimin mbi kauzën e feminizmit. Organizimi mund të konsistojë për të drejta nga më të ndryshme, si e drejta për t’u arsimuar, të drejtat në punë, e drejta për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm etj.

Si pjesë e brezit të viteve ’90 di të them që feminizmi ka qenë për shumë kohë jo vetëm një fjalë e pahasur gjëkundi por edhe një kauzë e padukshme. Trajtesat e vetme publike i gjeja në ndonjë emision televiziv, ku pas ndonjë ngjarjeje të rëndë me viktimë një grua diku në ndonjë cep të Shqipërisë, disa gra të pispillosura flisnin të indinjuara për kafshërinë e burrave shqiptarë.

Më vonë, gjatë leximeve të shumta u njoha më mirë me feminizmin. Kuptova që padituria ime do të kishte qenë thuajse e pamundur nëse do të kisha jetuar në vitet ’60, vite të zjarrta aktivizmi social. A e pyesni ndonjëherë veten ju moshatarët e mi, pse feminizmi ka qenë kaq i huaj për ne për kaq shumë vite? Çka kam arritur të kuptoj është se mbas viteve ’90, me valën e furishme të reformave neoliberale, aktivizmi social u minua së tepërmi. Feminizmi, ndër të tjerash, u kthye në një shfryrje të vazhdueshme dufi të eksperiencave personale me gjininë mashkullore. Nëse vitet ’60 kanë qenë vite të arta të kauzës feministe, kjo ka ndodhur sepse feminizmi ishte integruar me një sërë kauzash të tjera sociale. Ndërsa sot, prej shumë vitesh po trajtohet si një kauzë e izoluar e në terma kryekëput individualistë. Bie fjala, një feministe sot thotë “Trupi im, zgjedhja ime!” por një aktivist social do të thoshte “Aborti është kujdes shëndetësor, kujdesi shëndetësor është një e drejtë”. Në këtë mënyrë e drejta e abortit shpaloset si pjesë e së drejtës universale për kujdes shëndetësor e kësisoj kauza për të cilën lufton është më gjithëpërfshirëse e për rrjedhojë më e fuqishme.

Një rast tjetër me rëndësi kritike për shoqërinë është arsimi. Një feminist e kupton se mungesa e edukimit favorizon si shtypjen e grave prej burrave, po ashtu edhe shtypjen e burrave dhe grave të pafuqishme prej burrave dhe grave të fuqishme, trajtuar kjo në terma ekonomikë dhe socialë.

Është shumë e lehtë ta marrësh si të mirëqenë arsimin si shpërblim ndaj të paktëve të përkushtuar, kur pozitat paraprake të avantazhojnë kundrejt pjesës tjetër të klasës (të jetuarit në një familje pa strese ekonomike, përgjithësisht më pak të prirur ndaj dhunës, kur ke mundësi të ndjekësh kurse private apo të frekuentosh shkolla private, etj). Megjithatë nuk është gjithaq e lehtë të kuptosh se prej pozitës avantazhuese ke një përgjegjësi morale kundrejt shoqërisë, aq më tepër kur arsimi kthehet në një investim, në një marrëdhënie që për të marrë do të duhet të japësh në terma monetarë.

Arsimi publik si koncept është një investim i krejt shoqërisë duke të nxitur kësisoj një sens përgjegjësie kundrejt njerëzve që kanë kontribuar në shkollimin tënd. Lipset mendimi yt kritik, pena dhe zëri yt në çështje me interes publik.

Të qenit feminist/e sidomos në Shqipëri është shpesh, si shumëçka tjetër një privilegj të cilin mund dhe duhet ta kthejmë në detyrë morale kundrejt të pazëshmëve të shoqërisë sonë, grave të paarsimuara e të ngujuara në punët e shtëpisë, shoqeve dhe pse jo shokëve të pamundur për të përballuar studimet, vajzave dhe grave të tejshfrytëzuara në fasoneri e të përpiqemi të mos i harrojmë sa herë na jepet mundësia të artikulojmë e të përfaqësohemi si feministe.

6 Komente

  1. Klaudia,

    Për sqarim, në shkrim mos ke dashur të thuash se feminizmi nuk duhet të kufizohet në temat që tentojnë ta steriotipizojnë feminizmin, sikur ato që kanë për qëllim të vetëm “emancipimin” e gruas? Por të shtrihet edhe më gjërë në tema që e ndihmojë gruan, edhe pse jo patjetër arrijnë ta emancipojnë atë? Për ta ilustruar po i referohem rastit që përmendni ju: mundësitë për ta emancipuar një grua në majë katundit dhe pa shkollë janë minimale, porse mundësitë për ta ndihmuar këtë grua dhe për t’ia lehtësuar jetën e përditëshme janë reale. Për të mos thënë që “emancipimi” total mund të vijë edhe me pasoja tragjike për këtë lloj gruaje.

    Pra thjesht, feminizmi nuk ka pse të veshi këmishën e ngushtë të “emancipimit”, përkundrazi të angazhohet më tepër në tematikën e gjërë të zhvillimit social?

  2. Ky shkrim eshte nje reagim kundrejt diskursit dominant feminist prej vitesh tashme qe edhe emancipimin e redukton ne arritje individuale duke krijuar nje distance shume te madhe nga grate qe jane te pafavorizuara nga kushtet ne te cilat jetojne. Vete emancipimi eshte nje proces i vazhdueshem i cili patjeter qe nxitet, nder te tjerash, duke permiresuar kushtet materiale. Per mua feminizmi nuk mund te kuptohet si retorike thjesht dhe vetem kunder patriarkalizmit bie fjala por te kuptoje edhe shkaqet me te gjera te shtypjes ndaj gruas. E kjo sigurisht qe nxit nje reagim me te madh social kundrejt nje sere ceshtjesh si psh arsimi te cilin e kam permendur edhe ne shkrim. Pra per mua, kauza feministe ne vetevete eshte shenjues bosh, pasi per t’i dhene kuptim do te duhet te kapesh problemin nga te gjitha anet e te perfshihesh ne nje sere ceshtjesh te ndryshme edhe pse ne dukje mund te mos kene lidhje drejtperdrejt me feminizmin sic kuptohet rendom.
    Uroj t’i jem pergjigjur pyetjes suaj megjithese mendoj se jemi ne te njejten linje.

  3. …..këmishën e ngushtë të “emancipimit”….. thotë LA.

    Më lejoni L.A t’ju pyes se pse mendoni që këmisha e emancipimit është e ngushtë? Unë do ta shikoja në dritën tërësisht të kundërt: që feminizmi është këmisha e ngushtë e emancipimit, çka më duket se po përpiqet të na thotë autorja. Emancipimi nënkupton gjerësisht çlirimin nga kufizime shoqërore e mundet kësisoj e duhet të përdoret për kontekste mjaft më të gjera. Kështu, sikundër edhe përgjigjet Klaudia, “duhet te kapesh problemin nga te gjitha anet e te perfshihesh ne nje sere ceshtjesh te ndryshme”

    Urime autores për qartësinë, thellësinë dhe përulësinë në trajtimin e argumentit. Meqë përmend që është pjesë e brezit të viteve ’90, ky kontributi i saj më sjell optimizëm për vlerat e reja të Shqipërisë.

    1. Sophieshqip,

      Mendoj se si emancipimi ashtu edhe feminizmi janë kauza me qëllime të mirëpërcaktuara. Them se ato shpesh i rrinë ngushtë realitetit social, që jo patjetër është i mirëpërcaktuar. Ndaj mendoj se sipas rastit kanë nevojë t’i përshtaten këtij realiteti.

  4. Me ne fund , vala e trete e feminizmit ka mbritur ne brigjet e qytetit te veriut. Aty ku Rozafa u sakrifikua nga tre vellezrit per te ngritur Keshtjellen e pushtetit te tyre, aty ku Motra Tone me droje e gati se po ben nje blasfemi, largon pak percen nga fytyra, aty ku Migjeni futi diskursin feminist ne letersi me Historia e njanes nga Ato, me Studentin ne shtepi, A don qymyr, zotni etj.
    Kjo ” Cuca e Maleve” ka shpalosur trupin e saj si flamur beteje .Pozon para kamerave dhe kete e quan sfide te maskilizmit. E quan sfide duke menduar se , edhe pse ne mode jane gocat e pasarelave me trupin slim, kjo ka ca kile te teperta dhe keshtu jep mesazhin: Duaje trupin tend! Me standartet e pasarelave mbase nuk i ka punet e trupit ne rregull por, trupin gjithsesi e ka te rregullt, te rrumbullt, bash si femrat e kolme te pikturave te Rilindjes ( europiane, jo te Rames) .
    Sigurisht qe trupi femres nuk eshte vetem nje topografi biologjike por edhe nje fotografi social kulturore e shoqerise, i rindertuar sipas standarteve estetike dhe kerkesave sociale te kohes.
    Por pertej “paturpesise” per te pozuar trupin e saj, problemi eshte tek qasja ndaj bsrazise gjinore. Goca fryn e shfryn kunder meshkujve. Ata jane e keqja e botes sipas saj. Ata duhen demonizuar.
    Qasje e gabuar! Barazia gjinore arrihet si dialog mes dy gjinive dhe jo si kundervenie e tyre.
    Por goca eshte ende ne fillesat e misionit per tronditjen e patriarkise. Probkemi eshte se dhe nje grua e ftilluar si znj. Acka, grua e kulturuar dhe shkrimtare, ne nje status te saj si reagim per vrasjen e gruas gjyqtare, shkruan :
    Rrini o gra, zjeni fasulet!
    Kur thirrja ne fakt duhet t’u drejtohet grave dhe burrave.
    Burrat nuk jane vetem burimi dhunes, nuk jane vetem burimi dhunes por edhe pjese e zgjidhhes se tij.

Lini një Përgjigje te r.th.Anuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin