MENDIME TË PAKREHURA (XXIV)

(nga Stanislaw Lec*)

I zbehtë ishte, si populli nën hijen e diktaturës.

Mos prisni që të përmbytet bota, pa të lani këmbët!

E tmerrshme ta shohësh rrezikun në sy, kur sytë janë të bukur.

Me çdo papagall e gjen shpejt gjuhën e përbashkët.

Budallai asnjëherë nuk të keqkupton.

Qytetari i verbër dhe shurdhmemec është bekim për shtetin.

Nëse janë jetëgjata parullat në banderola, kjo do të kuptohet kur t’i lajmë.

Kurrë nuk duhet filluar industrializimi i vendit me automatizimin e njerëzve.

E njoh atë fllad. Vishet me gjithfarë flamujsh.

E humba besimin te fjala, por ma riktheu censura.

Mund ta vrasësh dikë me çekan, sikurse mund ta vrasësh me drapër. Le pastaj me drapër e çekan.

Ndërtojmë për të ardhmen, por shkatërrojmë për gjithnjë.

Ndonjëherë zgjohen tek unë frikërat e njeriut primitiv, por më kot pres për gëzimet e tij.

Ndoshta shpresat realizohen. Në fakt, ka gjithnjë e më pak.

Ndonjëherë më duket sikur Krijuesi është i mahnitur pas sistemit monarkik britanik: Zoti mbretëron, por nuk qeveris.

“Merr një ombrellë me vete edhe kur është kohë e bukur” – nuk dihet kur të vjen tjetri për të të pështyrë në surrat.

Oazet: pika karburanti për devetë.

Disa autorë të japin përshtypjen se filluan të shkruajnë vetëm ngaqë nuk kishin gjë për të thënë.

Gjurmët e dashurisë së tij janë akoma të gjalla, popullojnë shtëpitë e fëmijës.

Mjerë ata që e kanë ylberin bardhezi!

Të jesh i lirë në ëndërr është shkallarja e parë drejt lirisë.

Dy patriotizma nuk përleshen kurrë. Përkundrazi, luftojnë mes tyre dashuria për atdheun nga njëra anë, urrejtja për të huajin nga ana tjetër.

Brenda një gruaje bosh mund të futësh shumë para.

Ka njerëz që nuk kanë paragjykime kombëtare. Mund të luftojnë kundër gjithkujt.

Është më mirë prosperiteti i rremë, apo mjerimi i mirëfilltë?

Bëj kujdes kur i zgjedh ëndrrat. Ëndrrat ndonjëherë bëhen realitet.

Asgjë nuk kalon pa lënë jehonë, as ëndrra.

Kur shtrëngojmë dikë në krahë, mund ta ngushëllojmë ose t’ia zëmë frymën. Është momenti hyjnor i marrjes së vendimit.

Nuk është urtësia, negativi i idiotësisë.

Miti e përcakton ndërgjegjen.

Turpi e përcakton ndërgjegjen.

Një vdekje vërtet diskrete. I përshëndeti me dorë të pranishmit dhe, në heshtje, e mbylli mbi vete kapakun e arkivolit.


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: