E FUNDMJA E POPAJVE

nga Ylljet Aliçka

« Dua vetëm një televizor që të shikoj filma serialë me dashuri »

Bashkëbisedim me të mbijetuarën e fundit të familjes së famshme Popa, Emaria-Ermioni Popa.

Biseda me Konin (nofkë përkëdhelie , që nga fëmijëria, kur babai e krahasonte me konen e vogël, të shtëpisë), ishte më e lehtë seç e kisha parashikuar. Ajo e kishte kohën me tepri. Fliste më shumë me gjeste, dhe herë pas here, si të desh të më tërhiqte vëmendje më prekte në krah a më kapte dorën, aty për aty e tërhiqte dorën, dhe me ndroje më kërkonte ndjesë për gjestin e tepruar. Tek tregonte herë qante, herë qeshte si fëmijë.

Ishte 75 vjeç, pëlqente më shumë jetën e vetmuar mbyllur në kthinën e saj, se sa jashtë “ku njerëzit nuk mendojnë veçse për të bërë keq”. Merrte një pension 6500 lekë në muaj dhe duket kishte një mall të pashuar për të folur.

Koni jetonte në katin e parë të një apartamenti parafabrikat në rrethinat e Durrësit. E vetmja gjë me vlerë e asaj biruce, ishte porta e blinduar, dhuratë nga kushërinj të largët, që dukej se e mbronte bujtësen nga hajdutët « që donin t’i vidhnin kanoçet e mbledhura në kazanët e plehrave », burimi kryesor ekonomik i Maria-Ermioni Popa, të mbijetuarës së fundit të familjes së famshme Popa, e cila duket se krahas humbjes së anëtarëve të tjerë të familjes së saj, kish humbur dhe paqen me veten.

Kur nuk e kishte portën e blinduar, hajdutët i kishin vjedhur televizorin, dhuratë nga një parlamentare e Kuvendit të Shqipërisë.

Apartamenti kishte dhe një ballkon mbuluar me copëra kartoni e katramaje në mënyrë që mos e shikonin nga jashtë, (« jam femër, kupton.. » ).. Thënë ndryshe ish nga ato apartamente që të ngjallnin trishtim, ku mjerimi dhe zymtësia tejkalonte çdo lloj përfytyrimi. E papërfytyrueshme gjithashtu indiferenca, harrimi dhe mospërfillja ndaj kësaj familjeje, që me gjestin kurajoz tronditi regjimin komunist.

Në kushte të tejskajshme varfërie ,aty ku nder vite, që nga kthimin apo përzënia nga Italia (2001), ajo kishte përcjellë për në banesën e fundit anëtaret e tjerë familjes (me paratë e komunës). Brenda atyre mureve veshur me rrjeta të shumta merimangash, për Konin dukej sikur koha kish mbetur në vend. E fundit, që « i kishte prerë krahët » ishte Irena Popa, vdekur ca muaj më parë. Vëllai i madh Nikolla kish vdekur në Itali i cili sipas Konit « kish pëlcitur nga mërzia ».

Fundi i palavdishëm ky jo vetëm i Konit, por i gjashtë heronjve, të cilët atë vit të vdekjes së Enver Hoxhës (1985) teksa i paraprinë pavetëdijshëm “pasojave të ardhshme” të shembjes së murit të Berlinit , hynë në ambasadën italiane, duke kërkuar azil politik, ngjarje e pa precedent për krejt bllokun e ish vendeve komuniste të Evropës Lindore, që ngriti në këmbë diplomacinë ndërkombëtare, deri Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke i shkaktuar shok shtetit totalitar shqiptar. Fjala është për një ngjarje pa precedent jo vetëm për Shqipërinë, por për krejt bllokun e ish vendeve komuniste të Evropës Lindore (I pari ishte një kardinal hungarez, i cili pas kundërrevolucionit të vitit ’56, u strehua në ambasadën amerikane në Budapest për të dalë vetëm pas 15 vitesh).

Gjatë viteve të shumta të ballafaqimit të dy diplomacive, dalin në pah ngjarje ndërqeveritare pak të njohura nga publiku në sfondin e një lufte të ftohtë, ku vetë Presidenti i Parlamenti Giulio Andreotti, aspak i pandjeshëm ndaj “favorit” që i bëri Hoxha Italisë duke u prishur me Moskën; dhe nga ana tjetër roli i Perez de Cuellar-it, (Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara) si ndërmjetës në episodin vendimtar të transferimit të së gjashtëve në Itali.

Ato kohë dhe më pas ngjarja provokoi përplasje mes Shqipërisë e Italisë, sa në planin politik aq dhe atë mediatik…

1985, “Zëri Popullit”:Gjashtë individë të komprometuar në veprimtari antishtetërore, që veprojnë nën urdhrat e një shërbimi të huaj. Të gjashtë janë persona të implikuar në veprimtari armiqësore kundër shtetit shqiptar, nën urdhrat dhe shërbimin e shërbimeve të huaja sekrete… Do t’ia dalim edhe këtë herë, ashtu si ia kemi dalë kundër nazifashistëve gjermanë e sidomos atyre italianë, revizionistëve jugosllavë, socio-revizionistëve sovjetikë, e atyre kinezë e tërë reaksionit botëror imperialist-revizionist. Fjala është për një ambasador italian me një të kaluar të qartë fashiste… »

1985, Gazeta “La Repubblica”:“Shqipëria e vogël i bie fort me grusht tavolinës së bisedimeve propozuar nga Farnezina…- Italia e madhe nuk duhet absolutisht të tolerojë fodullëkun e komunistëve shqiptarë kundrejt lirimit të familjes Popa. Duket se Italia është e gatshme ta shndërrojë flamurin e të drejtave të njeriut në një pecetë për të pastruar duart nga kjo çështje. 

1986, Mirko Tremaglia senator, Parlamenti italian: “Pse qeveria italiane nuk po reagon përballë terrorit barbar të autoriteteve komuniste ? Çdo vonesë e juaja në lidhje me lirimin e familjes Popa është një fyerje ndaj të drejtave të njeriut. Kjo qeveri po përgatitet të shesë jetën e gjashtë qytetarëve në duart e kriminelëve komunistë”.

1986, Claudio Martelli, Ministër i Punëve të Jashtme: “Kërkesa e të gjashtëve për azil politik, nuk mund të realizohet për arsyen e thjeshtë se policët shqiptarë e kanë rrethuar ambasadën 24 orë në 24. Të jeni të sigurtë se askush nuk do t’i shesë të gjashtët.”

1986, Giulio Andreotti, President i Parlamentit italian: «Në fund të fundit nuk po na kërkon azil Sollzhenjicini, apo Sakharovi…”

1986, Bettino Craxi, Presidenti i Këshillit të ministrave : « Ne jemi për një zgjidhje paqësore për krizën e krijuar nga familja Popa”.

1989, Gianni de Michelis, ministri i Jashtëm italian, diskutim në Kombet e Bashkuara: “Duke liruar familjen Popa, Shqipëria mund të na japë një sinjal që ajo është vërtet një vend demokratik që respekton të drejtat e njeriut”.

1990, Perez De Cuellar, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, aeroporti i Romës : “Lirimi i familjes Popa është çështje orësh…”

2001, Gazeta “Corriere della sera”: “Një familje refugjatësh shqiptarë në kushte të rënda shëndetësore u nxor jashtë me forcë nga forcat e rendit nga një apartament i ndihmës sociale në rrugën 1 Giustiniana në periferi të Romës. Ky fakt u denoncua nga shoqata kulturore “Giuseppe Dossetti-I valori”.

Familja jetonte në atë apartament që prej vitit 1989, pas kërkesës së Ministrisë së Jashtme ndaj Komunës së Romës, e cila u njohu atyre statusin e refugjatit politik nga regjimi i mëparshëm diktatorial shqiptar.

Në veçanti ndaj disa anëtarëve të familjes Popa policia ka ushtruar një sjellje tepër brutale duke përdorur deri dhe injeksione qetësuese për të fashitur çdo lloj rezistence gjatë nxjerrjes së tyre jashtë apartamentit, madje pa arritur që ata të merrnin me vete dhe sendet e tyre personale”.

Gjatë këtyre dymbëdhjetë vjetëve, askush nuk ka menduar për t’i dhënë familjes Popa ndonjë zgjidhje të përshtatshme: asnjë banesë alternative, asnjë ndërmjetësim ndërkulturor, asnjë mbështetje nga shërbimet sociale territoriale.”

Ajo pra që në fundin e viteve 80 ishte “një problematikë e karakterit politik e social papritmas u shndërrua në një problem të rëndomtë të rendit publik.”

Shoqata i ka kërkuar kryebashkiakut Walter Veltroni “të hapë një hetim të brendshëm për të verifikuar nëse gjatë kësaj historie janë kryer shkelje eventuale të të drejtave të njeriut”.

Gjashtë Popat mundën të dalin nga ambasada italiane vetëm pesë vite më vonë pas një morie negociatash ndërkombëtare dhe një jete krejtësisht të izoluar nën vëzhgim të rreptë nga regjimi, nën një ankth përzier me shpresë, mërzi përzier me lumturi.

Pas bujës së parë mediatike dhe institucionale në Itali, të gjashtët hynë në rrjedhën e burokracisë perëndimore të trajtimit të refugjatëve. Fillimisht i transferojnë në një kamp refugjatësh për t’i strehuar më pas në një appartamento popolare në periferitë e varfra të Romës, ku jetuan gati të paintegruar e të sëmurë në monotoninë e një ekzistence pothuajse të harruar nga të dyja vendet.

Në Itali, në tokën e ëndrrave të tyre, i pret një realitet i paparashikuar, i mbushur me ballafaqime të trishta me një përditshmëri të rënduar nga stereotipet dhe bishtnimet burokratike: një Perëndim i hutuar, një demokraci e mbyllur, një shoqëri që dyshon, përjashton dhe nuk kupton.

Tradhtimi i ëndrrës, me davaritjen e mundësive të rreme që shihnin në media, e shpie këtë familje me 6 anëtarë drejt vetmisë, zvetënimit, çmendurisë dhe vetëvrasjes. Përplasja mes dy shoqërive të përshkuara nga keqkuptime historike, shoqërohet me politika të pafuqishme për të administruar fenomenet e mikpritjes, të takimit, apo dhe të kthimit të organizuar, politika të paafta për të deshifruar perspektivat e integrimit dhe të rritjes. Mësimi i autorit u drejtohet të dyja shoqërive: asaj shqiptare, të balsamosur e pastaj të asgjësuar nga regjimi komunist; dhe asaj italiane, të shtrembëruar dhe më pas të mykur nga një kapitalizëm autoreferencial. Që të dyja qeveritë i qasen problemit me shumë hezitim për t’u shkuar deri në fund shqetësimeve themelore: qeveria shqiptare për të çelur një epokë të re të drejtash e lirish; ajo italiane për të favorizuar integrimin përmes punës, duke kapërcyer politikën asfiksuese të asistencës sa për lëmoshë por që në fakt është përjashtuese.” Mario Bova, ish ambasador i Italisë në Shqipëri.

 

 

Bashkëbisedimi me Konin

Y.A. Çfarë bën gjithë ditën?

Koni: Rri, ulem te ky stoli, mbush shishet me ujë, se ikën uji…, fle, por fle pak se më ka ikur gjumi.. E kam gjumin e lehtë, se po të fle thellë, kjo më ndodh rrallë, bie nga divani, se njeriu lëviz natën, pastaj divani siç e sheh, është i ngushtë dhe kur bie vras kokën në dysheme (më tregon shenjën e vrarë të kokës…).Prandaj kam vënë kartonët këtu poshtë. Po kam kohë që s’bie më, se siç të thashë, kam gjumë të lehtë, ose s’fle fare. Zgjohem dhe rri si kukudh, se s’kam çar shof, dersa të dalë dita. Është vërtet mrekulli që ikën nata dhe vjen dita, pastaj ikën prapë…Bah, si nuk harrohet një herë…!!!! Kur kisha televizor s’mërzitesha fare dhe kur s’flija. Me televizor njeriu nuk mërzitet kurrë.

Y.A. Po çfarë do të shohësh në televizor?

Koni: Gjithçka, po veçanërisht më pëlqenin dy seriale, ai turk “Ertogryl”, dhe seriali indian “Kjo është dashuria”. Janë shumë prekës ata filma !!! Kurse tani… Lum ti që s’e ke provuar të rrish pa televizor …Tani zgjohem dhe mërzitem, ose mendoj.

Y.A. Çfarë mendon?

Koni: Si çar mendoj, pak gjëra kam për të menduar… çfarë kam bërë, çfarë kemi bërë që na lanë kështu..

Y.A. Kështu kush?

Koni: Të dyja palët, më së pari komunistat, sigurimi, ne s’kishim bërë asgjë, na persekutonin kot, s’mund ta imagjinoni sa kemi vuajtur…po fare kot…..po dhe italianët, janë të poshtër, na kanë tërhequr zvarrë, duke na keqtrajtuar, sidomos komandanti i Digos, Rafaele. Në fakt ai bënte çar i thoshte administratorja e komunës Zonja De Gasperis, një shtrigë e vërtetë. Ata nuk kishin asnjë të drejtë juridike, ne kishim statusin e azilantit politik nga Kombet e Bashkuara që na i kishte dhënë vetë Sekretari i Përgjithshëm De Kuelar…Veç për inat..

Y.A. Pse ju kishte inat?

Koni: Nuk e di, pse ishim shqiptarë, pse nuk hanim ushqimet e tyre, veç pastave napolitane, ata janë mjeshtra për pasta…Por Digos, Digos ishin kriminelë, madje them se Digos italiane ka bërë binjakëzim me Shërbimin sekret shqiptar vetëm e vetëm për të përdhosur shqiptarët…e kam fjalën ata pa faj. Unë di shumë për Italinë, por s’dua të flas, se po fola unë….

Y.A. Çfarë ndodh?

Koni: Më mirë mos ta them. Kaq them, ata janë racista, të pabesë, le që nuk dinë të flasin mirë italisht…

Y.A. Si ka mundësi?

Koni: Ne mor zotëri, kemi mësuar italishten e civilizuar.. aty në Romë i hanin fjalët veç lëshonin ca si mo, ç’t’ju them unë.., kështu janë, hipokritë, pa kulturë.

Y.A. Po, më falni, diku kam lexuar se ju apo njëra prej motrave ra në dashuri, apo të themi krijoi një lloj simpatie me një polic Italian, aty brenda ambasadës…

Koni: Jo, absolutisht jo, më duket se ashtu ka shkruar një libër një ish-ambasador, dhe ia ka futur kot, pse nuk na pyeti një herë ne ai, para se të shkruante libër.. ne kishim moralin tonë, ishim me vëllezër, pse hymë ne, për dashuriçka…ne hymë për t’i shpëtuar persekutimit komunist…

Y.A. Dakord, po pesë vjet…me dëshirat, botën dhe ndjenjat tuaja…

Koni: Jo pra, jo, le që policët aty ishin çuna të rinj, ne hymë në një farë moshe… Me kalamaj do binja unë në dashuri?

Y.A. Po në Itali, patët ndonjë lidhje…desha të them u shoqëruat me dikë ?

Koni: Bah, ku na linin vëllezërit…pastaj, ishim shqiptarë, italianët nuk i duan shqiptarët… po dhe mosha jonë, ne ishim një farë moshe, italianët duan vajza të reja…

Y.A. Kuptova… Me një fjalë, si mund ta përmblidhnit jetën aty brenda në ambasadë?

Koni: Më keq se ç‘e prisnim a shpresonim…n’atë fillim diçka, na u duk sikur kapëm lumturinë, më pas jo…dhe na u bë si burg, u lodhëm së prituri lumturinë… erdhi një pikë kur na trajtuan si të çmendur, na sollën dhe një doktor psikiatër, zotni burrë… Ah të kisha mundësi t’i dërgoja të falat e mia atij zotërie…Mu sikur të kishte qenë napolitan.

Y.A. Pse si janë napolitanët?

Koni: Napolitanët, janë ndryshe.

Y.A. Si ndryshe?

Koni: Ata janë njerëz të mirë…

Y.A. Pse?

Koni: Se ashtu i ka bërë perëndia, si pse. Unë besoj te të gjitha fetë, vetë jam ortodokse por më pëlqejnë të gjitha fetë me Zot. Një herë që vëllain e madh Nikelin e përplasi motoçikleta, asnjë italian, d.m.th. roman, s’e ndihmoi për besë, iu gjend vetëm një napolitan…Edhe ambasadori italian Cutillo është burrë i mirë. E di pse?

Y.A. Jo

Koni: Se është napolitan.

Y.A. Çfarë bënit 12 vjet në Itali?

Koni:Rrinim në shtëpi, shikonim televizor, vizitonim Romën, hanim akullore, po s’kishim dhe shumë para për të lëvizur… Një herë vizituam Napolin… Napolitanët janë galantuomini.

Y.A. Kur u kthyet në Shqipëri?

Koni: Kur ju shporrën thuaj…më 2001.

Y.A. Çfarë morët me vete kur u kthyet?

Koni: Asgjë, veç rrobat e trupit, na lëshuan në Rinas si…si thes me patate.

Y.A. Kush ju priti?

Koni: Askush, këtu nisën peripecitë e tjera më të mëdha, duhet të siguronim vetë ushqimin, atje të paktën na jepnin për të ngrënë, sado që njeriu nuk jeton për një kafshatë bukë, apo jo? Ne kemi shumë prona, se kemi qenë familje e njohur me ambasadorë, ministra. S’kemi marrë asgjë.

Y.A. Me çfarë jetoni?

Koni: Me kanoçet, kur kisha dhe Irenën, mblidhnim më shumë, asaj s’ia hante qeni shkopin, kurse tani, më zënë kazanët, më shohin të moshuar, edhe fuqi s’kam më. Ka dhe një qendër sociale ku më japin për të ngrënë një vakt. Jo se e bëj veten për një kafshatë bukë, por dhe ata, ja ku po ta them, më duket se ata na hanë ushqimin… as për një fëmijë nuk mjafton… Po unë nuk ha shumë…më ka mbytë mërzia dhe njeriut prej trishtimit i ikën dhe uria, apo jo? E kam gabim?

Y.A. Jo, këtë mendim kam dhe unë….. Shkon te fqinjët për të parë televizor ?

Koni: Nuk më duan, nuk më do më njeri, ose bëhen dhe xhelozë me mua.

Y.A. Pse?

Koni: S’më afrojnë, mbase kanë inat se mua më ka ardhur vetura e ambasadës amerikane te era kur më ftoi ambasadori amerikan Donald Lu për një kafe: zotni burrë ambasadori Lu. Edhe ambasadori Cutillo është zotni, por ambasadori Lu më dha dhe ca lekë, dhe ato kohë nuk dola as të mbledh kanoçe. Po lekët mbarojnë…apo jo? Kur u kujtova unë prapë për kanoçe, m’i kishin zënë gjithë kazanët. Nuk është si më parë, kur secili kishte kazanët e vet, tashti s’e merr më vesh dreqi të birin, s’do t’ia dijë njeri, kush mundet t’i kapë i pari… Unë jam e moshuar dhe me zor kap ndonjë…Ja ku i kam thasët me kanoçe. Po derën e shtëpisë, portën e kam të fortë dhe s’guxon kush të m’i vjedhë kanoçet..

Y.A. Po si, rri brenda fare vetëm?

Koni: Ku të shkoj ?! Që kur më la dhe Irena, flas me macet, a me qentë, veç se më ngordhin shpejt, po mbase ngaqë dhe s’kam me çfarë t’i ushqej. Sapo më ngordh ndonjëra, unë e zëvendësoj me një të re, ka plot rrugëve. Kjo më ngushëllon dhe…rri pres kot.

Y.A. Kë pret…?

Koni: Si kë pret?

Y.A. Desha të them, çfarë pret më në këtë jetë ?

Koni (zë e qan): Nuk e di, të kisha mundësi të vizitoj dhe një herë varrin e Nikollës, në Romë, e varrosëm me paratë e komunës, kurrkush s’na erdhi në varrim, dhe …dhe të kem një televizor, edhe i vogël të jetë, të shikoj serialet në televizor, kanë shumë dashuri dhe ngrohtësi…

 


Shënim: Një version i shkurtër i kësaj interviste ka dalë në suplementin “Unë gruaja”, të gazetës Panorama.

30 Komente

  1. Duke ruajtur ne dukje natyren e nje stili stenografik, kinse te zhveshur nga figuracioni, nje stil thjesht raporues, pa anembajtje, pa pyetje qe te shtyjne ne nje drejtim a tjeter, shkrimi jep me te vertete dhimbjen e thelle deri ne kocke dhe dramen e pashoqe te nje familje qe jo thjesht tronditi regjimin, por qe mbi te gjitha shkundi nje popull te tere nga letargjia me e rende, nga ambjentimi me nje jete ne surdine, nga nje egzistence ne minimumin jetik e social qe po shkonte drejt aktit final pranimit te se keqes si norme, madje e kishte pranuar ate.
    Nuk e dija se kishin arritur punet deri ketu. Nje faqe e vertete turpi e shoqerise shqiptare, qe u akordon pensione te kenaqeshme te gjitha veglave qe mbanin ne kembe diktaturen dhe le te mbledhin kanoçe per te mos vdekur urie ata qe ishin te paret qe treguan thyeshmerine e diktatures.

      1. Sipas mendimit tim “lyss” nuk ka nevojë për falenderime. Ai ka nevojë ti përhapet ky koment, në mënyrë që dikush ose shumkush të sensibilizohet për ti kthyer nëpërmjet figurës emblematike të kësaj Zonjë, dinjitetin e nëpërkëmbur të Familjes Popa!

    1. pershendetje Irena dhe faleminderit per interesimin.Ne fakt nuk ja di te sakte, nje parafabrikat, diku me tutje se stadiumi i Durresit. Sidoqofte po interesohem me shoqeruesin qe me coi atje.

  2. Nuk e di a egziston mundesia qe t’i propozohet qeverise akordimi i nje pensioni special per te. Po te shihni listen e atyre qe e perfitojne deri me sot nje gje te tille, do t’ju ngrihen qimet perpjete (nuk mungojne ata qe jo vetem nuk e meritojne por edhe duhet t’i kthejne vendit para per demet qe i kane shkaktuar, ata qe nuk kane bere asgje, eterit e miqve te qeveritarve te larte, pononjes te rendomte te komiteteve te partise, shebetoret te zellshem te diktatures, madje as spiunet).
    Duke bere nje gje te tille, pra duke i akorduar nje pension special te te fundmes se Popajve, qeveria vetem se shpreh mirenjohjen e nje populi te tere per gjestin e tyre qe te kushtonte jeten (dhe ata e bene nje gje te tille me vetedije te plote te rrezikut real) por edhe nderon veten duke korrigjuar nje gabim te te gjitha qeverive te mepareshme.
    Megjithate, kot flas edhe une. Si mund te mendohet nje ndermarrje e tille nga nje shtet qe pergatietet te kete ne krye te strukturave te tij me te larta nje akrep gjigand nofullshtrenguar si Gramoz Ruci, qe ka cilesine e pabesueshme te dale i pacenuar jo vetem nga permbysje te tilla sociale, qe parapriu akti i paharruar i vellezerve Popa, por edhe nga vete bomba atomike.

    1. Simpatia dhe empatia jane mese te mjaftueshme,i nderuar.
      Shkrimi i mesiperm eshte emocionues,ashtu sic jane shume shkrime per raste te ngjashme.Ka shume shkrime gazetaresh e publicistesh te njohur,per personazhe publike,si artiste,poete,studiues,shkencetare,veprimtare fushash te ndryshme etj etj,ku kerkohet pikerisht kjo qe kerkoni ju: nje ndihme,perkrahje materiale,ne para…
      Para ca kohesh u be lajm ne te gjitha portalet vobektesia ku jetonte aktori i njohur Ndrenika.Ishte ilustruar me foto.Ca te rinj e te reja,ne sfond nje televizor i vjeter… i behej thirrje,s’di se kujt,te behej dicka … dha aktori i njohur rrinte mes tyre gjithe dinjitet…me ate dinjitetin e cuditshem te atij qe mendon se i kane borxh,por s’po e lyp!
      Ka pafund lajme e kronika per figura te ketilla publike,per jetesen e tyre modeste,per pensionet qe mezi u dalin per kafe… dhe e gjitha kjo kontrastohet,gjithmone,me luksin ku jetojne qeveritaret,politikanet,horrat dhe kriminelet!
      Semuret njeri nga keta,dhe menjehere del nje i njohur ne media,ku u ben apel te gjitheve,deri tek ambasadoret e huaj(!), qe te bejne dicka.
      Ne te vertete,te gjithe keta,perfitojne maksimumin e sherbimit qe mund te perfitoje nje qytetar i rendomte,ne kushte ideale e kam fjalen (imagjino tani),dmth pa ato shperfilljet qe i has qytetari i rendomte.Por duan me shume.Duan trajtim te specjalizuar,prsh jashte vendit.Dhe e perfitojne…
      Po qytetaret e tjere?!
      Po une?!Po familjaret e mi te dashur?!Se me ka ndodhur,jo per gje.Dhe e di si ndjehesh?- si mjeran,si njeriu me i humbur ne bote…

      1. Pak e çuditeshme kjo histori: po une, po familjaret e mi…?
        Ti dhe te tjeret ngrihuni, gjeni forma e protestoni, tregoni pakenaqesine ndaj ngathtesise dhe inefiçences se qeverise, ngrihuni kunder varferise, papunesise a gjithçkaje tjeter me te cilen nuk pajtohesh, hidhu ne greve (jetoj ne nje nga ekonomite e medha boterore dhe me iku gjysma e jetes neper greva e protesta), lidhu me zinxhire te dera e kryeministrise, denonco varferine tende para nderkombetarve. Pra, bej ate qe bene Popajt dikur. Me ndryshimin qe ata e bene nje gje te tille kur te ikte koka. E bene per vete, por e bene edhe per ne. Ti sot ngrihesh dhe proteston dhe ke ligjin qe te mbron e te jep te drejte ne ate qe ben. Ata u ngriten kunder ligjit, kunder rendit, kunder regjimit, kunder diktatues, ata i treguan botes se sa te mjere ishim edhe une e ti qe kur kalonim para ambasades ku ishin futur ata, kthenim syte, por duke u kujdesur te mos kthenim koken. E kupton tani perse ata e meritojne pensionin special dhe ti jo?
        Eshte ves jo i fort i pafajshem venia e shenjes se barazimit.

        1. Keqkuptimi juaj eshte ulerites,lyss.Sepse,une nuk vura shenje barazimi mes vetes dhe dikujt tjeter por,sic shihet qarte nga komenti ,mes qytetareve te tjere (te thjeshte sic quhen) dhe nje figure cfaredo publike.
          Tek keta qytetare te thjeshte,ashtu si une,perfshiheni edhe ju,zotni lyss.Une permenda veten time,per delikatese;kesaj ju i pergjigjeni me nje cinizem aspak origjinal.Pash zotin,nga e nxore kete pensionin special qe e dashkam per vete?!
          Qe te mos keqkuptohemi,e vleresoj shume shkrimin dhe ndjeshmerine e zotit Alickaj.
          Por,ajo qe thashe e qe po e perseris,eshte se simpatia dhe empatia mjaftojne.
          Jo per gje,por s’na dalin paret per krejt figurat e shquara te kombit,zotni lyss.Jane shume, ejj!
          Njeri kerkon pension te vecante,tjetri shtepi,nje tjeter akoma trajtim special mjekesor,mundesisht jashte vendit…te gjithe se bashku pra,ne fund te fundit ,duan pare,pare zotni lyss.
          Gjithsesi,edhe po te pranojme ate qe thoni ju,megjithe patetizmin feminor qe e karakterizon,prapeseprape sikur nuk shkon;jo per gje,por eshte radha e gjate,shume e gjate.
          Pastaj,i ndjeri,akademiku Popa ka qene per vite e vite me radhe ne postin me te nderuar dhe te respektuar te nje vendi.Respektin dhe nderimin me te madh ka marre.Dhe,nje intelektual i vertete,kete do,apo jo?
          Dhe,ketu,po flas ne pergjithesi tani.
          Ok,po i japim edhe paret;ama,ne kete rast,nuk mund te mos i kujtojme atij dhe hipokriteve patetike qe u qan shpirti per te,se ka radhe … dhe eshte e gjate… se nuk e dime nese na dalin paret per te gjithe… por edhe se keto pare po ia heqim vetes tone dhe njerezve tane,qe sic dihet nuk jane te imunizuar nga hallet dhe te paprekshem nga semundjet edhe ata,per t’ia dhene zoterise hipotetik pra,qe ai te beje nje jete me te dinjitetshme (kufirin e se ciles nuk e di as vete!) si shperblim per sherbimet e sakrificat e medha qe ka bere per lirine,kombin,njerezine!
          Vesi me i perhapur eshte hipokrizia,zotni lyss;sidomos ajo qe fshihet pas nje pafajshmerie feminore.

          1. Timur, une nuk ju njoh dhe nuk ju drejtohem juve, por edhe sikur t’ju njihja nuk do t’ju drejtohesha personalisht. Nuk do te kishin asnje vlere diskutime te tilla qe sillen rreth pervojave personale. I drejtohem atij personit mesatar qe ju pershkruani, e kam fjalen per ata te cileve nuk u dalin parate per kafe, siç thoni, , qytetaret e thjeshte pas te cileve shtron pyetjen; po une? etj.
            Natyrisht askush nuk e meriton te jetoje ne varferi, as ju, por ketu nuk po diskutojme per problemet sociale te Shqiperise, se befas na u zbulua nje rast flagrant i qendrimit te shtetit te ri shqiptar, sjellja me arrogance dhe indiference vrasese ndaj nje familjeje qe me aktin e saj nxorri ne siperfaqe te verteten e parrefyer ku jetonte nje komb i tere. Ishte aty qe filloi shkermoqja e diktatures.
            Kjo eshte arsyeja qe ju me mediokritetin e nderhyrjeve pa vend qe beni (permend Ndreniken, qeveritaret a familjaret e tyre, akademikun Popa qe nuk ka asnje lidhje me kete çeshtje etj. etj), largoni vemendjen e publikut nga nje problem shume me i ndjeshem se kafeja e pensionistit tip qe endet rrugeve te Tiranes. Se ose nuk e kupton vertet ose ben sikur nuk e kupton se ku qendron ndryshimi i tyre me familjen Popa.
            Ne kete kuptim ju duke u vene ne rolin e atij qe siç thote shprehja, kerkon te mbyse peshkun ne uje, fshihni e largoni vemendjen nga thelbi i problemit , duke u shnderruar ne nje lloj virusi a troll-i te nje specie ende te pastudiuar mire.
            Shpresoj nuk keni ardhur tamam per nje gje te tille ketu.

            1. “…te verteten e parrefyer ku jeton nje komb i tere”,me shume se kushdo tjeter,ishte shkrimtari yne i madh,Ismail Kadare,qe e “nxorri ne siperfaqe”,zotni lyss.Dhe,si shperblim per kete,eshte kthyer ne nje tabel qitjeje per gjithe snoberine intelektuale dhe aradhat e idhtareve te tyre internautike qe,tek kjo snoberi,shohin veterealizimin e tyre te mjere.
              Dua te them,se ata qe u dhimbsen kaq shume figura te tilla te nderuara e qe na paskan nxjerre ne pah te verteten e madhe,nuk mund t’i marr seriozisht ne simpatine dhe empatine e tyre kur nuk ia falin Kadarese se pse nuk ka kaluar edhe ai ne te njejtin kalvar vuajtjesh!
              Vuaj, te te dua! – i thone kesaj.Keta,qe i thone keshtu, jane hipokrite.
              Megjithate,duke e marre si te vertete ndjeshmerine tuaj,sillni nje shembull sakrifice sublime por,une mund te sjell nje shembull tjeter;te tjere akoma mund te sjellin shembujt e tyre per individe apo grup individesh qe kane bere sakrifica te ngjashme,e keshtu me radhe.Dhe,kjo radhe eshte e gjate, e gjate.
              Une,dhe nuk kam nevoje te marre ndonje fare guximi ne kete rast,nuk e respektoj kete radhe!Nuk.Nuk e respektoj,zotni,se keta i kane marre dhe i marrin cdo dite te gjitha ato gjera qe u takojne,pa problemin me te vogel.Nga ana tjeter,shumica derrmuese e qytetareve te thjeshte,ku perfshihemi te dy ne,nuk marrim shumicen derrmuese te po te njejtave gjera qe na takojne,sipas ligjit.
              Qe kur dalin nga shtepia,tek shkallet,tek ashensori…aaa jeni ju? kaloni ju lutem…tek rrugica,rruga,dyqanet,zyrat,sportelet,spitalet etj,sherbimet qe ofrohen ne to: aaa jeni ju? ejani ejani,kaloni,urdheroni,c’doni tjeter na thoni!
              Respektin tim,tendin,respektin e njerezve te thjeshte,respektin e institucioneve,private dhe publike,respektin e vete shtetit,shkurt e me pak fjale respektin e te gjitheve,kane.
              Shume dakord deri ketu.Nuk kam gje kunder.
              Por,prit pak… ketu ndodh nje fenomen i cuditshem: te vetedijshem per kete respekt qe u jepet,te mesuar me te dhe te llastuar nga ai,mendojne qe respekti do te ishte i plote nese do t’u jepeshin edhe ca pare me shume…qe sherbimet t’u beheshin ne nje menyre me te kualifikuar se c’u behen atyre qe i respektojn dhe nderojne!
              Natyrisht ,ka shume nga njerezit e thjeshte ,per te cilet po flas qe, edhe ata nga ana e tyre,njejte si te nderuarit,besojne se respekti i vertete do te ishte nese do te kontribuonim me ndonje gje speciale,prsh me ndonje pension special,me pare domethene,per ta!
              Ju zotni lyss,sic duket qarte ne kembenguljen tuaj naive,jeni nje nder ta.Une nuk jam.Refuzoj te jem.

            2. Aman, kemi gjynahet tona me Kadarene e nuk eshte aspak nevojshme te kemi tani dhe kete kembenguljen tende per ta patur ate prezent ne cdo debat. Mos e devijo debatin sipas midese tende.

            3. Kjo qe thoni ju, z. Timur, bie ne kundershtim me cfare ka thene Kadareja per familjen Popa.

      2. Timur, duke të folur si moderator i këtyre komenteve, të kujtoj se dikush që shkruan me pseudonim, nuk mund ta sjellë veten si argument – sepse qëllimi i pseudonimit është “maskimi” i vetes. Kurseja faqes këto kontradikta.

        1. Jeni nje moderator korrekt, zotni Vehbiu, dhe parimisht keni te drejte.Por,mendoj se ka nje keqpuptim te vogel ketu.Sepse,nuk e solla veten si argument.
          Po qytetaret e tjere? – ky eshte “argumenti” qe solla.Qytetaret e tjere jane te gjithe ata,qe rendom quhen qytetare te thjeshte,per kontrast me te “perberet” figura publike;qytetar i thjeshte jam edhe une.Ky “une” ,ne kete rast,duhet kuptuar si delikatese pergjithesuese,jo si skutheri.
          Me vetem pak dashamiresi,do te isha i mirekuptuar.

  3. Ylljet, nje pyetje kam:
    para botimit te romanit nuk ke pasur asnje kontakt me anetaret e kesaj familjeje? Nuk i more prej tyre te dhenat per romanin?

      1. Nuk jam i sigurt se do te kishte qene me mire. Nga pikapamja letrare eshte me mire qe nuk i ke takuar, sepse mund te ndikoheshe negativisht dhe mund te demtohej lirizmi i romanit. Po ai episodi i vellait qe vrau komshiun me thike eshte i vertete apo eshte trillim letrar?

        1. Di qe ka pasur nje sherr me fqinjet per shkak te lenies se plehrave ne shkallete e nderteses…Te tjerat jane fiksion

  4. Kam jetuar prane tyre, flisnim rregullisht sidomos me Arqilen pse cdo mengjes une shkoja per ne gjimnaz e ai ne pune ne bujqesi e prisnim ndonje mjet per te bere rreth 8 km. sebashku. I pergjigjej me pasion e kulture cdo pyetje qe mblidhja ne librat e shkolles e jashteshkollor. Kish punuar per pak kohe ne gjimnazin Q. Stafa pas luftes. Shume i edukuar e si te gjith ne ate familje shume i thjeshte e umile ( kjo i shkon atyre!). Punonte ai e vellai tjeter Niko idrauliku, plot pasion per boksin e futbollin . Motra tjeter e perfolur ne hyrjen ne ambasade ishte piktore ne Durres thonin.
    Per hyrjen ne ambasade mbetem akoma me idene qe ” ja futen sigurimi e sherbime te tjera” nuk besoj qe kishin menduar ndonjehere te vepronin ashtu. Italianeve ja ngecen ne dere ndaj i trajtuan si edhe shkruhet me lart.
    Me vjen keq qe jetuan vec ne vuajtje. Ishin njerez shume te mire e te bute ne ate kohe te eger.

  5. E kujtoj kohën kur u futën në ambasadë dhe nuk i dija peripecitë e kësaj familje simbol.
    Fatkeqësi e madhe që një familje e tillë të trajtohet më keq se në komunizëm
    I bëj thirrje kryeministrit ,po qe se mendon për popullin e varfër ,ta trajtojë çështjen e zonjës me përparësinë më të madhe .Kjo familje e nderuar që theu portën e ambasadës në një kohë kur i gjithë populli dridhej nga frifa ,e ka vendin në Muzeumin Historik .

      1. Me sa di pas shkrimit asaj i sugjeroi ai qe me ndermjetesoi takimin (Fatos Kullaj: 0673857339) do i mundesonin te hapte nje numer llogarie

    1. Faleminderit per dashamiresine Ilir,Por pas shkrimit kane degjuar disa nisma per te bere te njejten gje. Gjithsesi mund tju jap kontaktin e gazetarit Fatos Kullaj i cili me mundesoi takimin.Duket ate ka njeri te besuar:0673857339

  6. Gjithe ‘filmi’ (cili: ai i jetes se tyre? ai i drames se 30 viteve të fundit?) në nje fraze të vetme:
    Citoj:

    Y.A. Çfarë bënit 12 vjet në Itali?

    Koni:Rrinim në shtëpi, shikonim televizor, vizitonim Romën, hanim akullore

Lini një Përgjigje te Ylljet AlickaAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin