TË KAFSHOSH GJUHËN

Siç ka qenë e udhës në letërsinë shqipe të paktën që nga Rilindja e këtej, nuk mund ta quaje veten poet (vjershëtor) pa i kushtuar të paktën ca vargje të rimuara gjuhës shqipe; këto kanë qenë pjesë e kanonit letrar, si ushtrimet e detyruara për gjimnastët olimpikë.

Parë nga sot, vjersha dhe poema të tilla ngjajnë si dy pika uji, të paktën për nga imazheria, patosi dhe etosi: shqipja është gjuha më e vjetër dhe gjuha më e bukur dhe poeti u bën thirrje të gjithëve që ta duan fort, sepse është edhe ajo çfarë i bashkon shqiptarët anembanë.

Sërish parë nga sot, shumë nga këto vjersha – megjithë fisnikërinë e qëllimeve të autorëve të tyre – spikatin ngaqë janë tejet të dobëta.[1]

Ja si vjershëron Thimi Mitko, në 1879[2]:

Mblidhi gjithë anembanë,
Gegë, toskë, arbër, çamë,
Sa flisni shqipen të tërë,
Edhe quhi shqipëtarë,
Shkroni gjuhën të këndoni,
Të mësohi si gjithë njerëzia.

Edhe pse strofa këtu nuk fillon keq, atë e shkatërrojnë dy vargjet e fundit; dhe sidomos ky “të mësohi si gjithë njerëzia”, që e prish edhe rimën edhe ritmin edhe metrin.

Rilindësit shkruan letërsi didaktike, e cila duhej të ndihmonte aktivisht për zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe, eventualisht, të mësohej në shkollat e para shqipe. Çfarë edhe mund të shpjegojë pse disa nga këto vjersha, përfshi edhe ato që i kushtohen gjuhës, tingëllojnë fëminore.[3]

Ja edhe Naimi, në 1890:

Të shkruajm’ gjuhënë tënë,
Kombinë të ndritojmë,
Gjithë ç’është e ç’ka qënë,
Ngadalëzë ta mësojmë.

Neve sot rimat foljore, të tipit ndritojmë/mësojmë na tingëllojnë keq; ndoshta në kohë të Naimit kjo gjellë ende pëlqehej. Por çfarë e prish strofën më lart, është ajo ngadalëzë, fjalë buburrec, krejt e panevojshme dhe e futur aty vetëm për të mbushur vargun.[4]

Sërish Naimi, në 1894:

Gra, burra, djem e vasha!
E ju pleqt’ e uruar
Dhe ju plaka zë-trasha,
Mos rrini pa mësuar,
Kjo do të na nderonjë
E do të na bashkonjë.
Këtë gjuhë që flasim,
Këtëzë të këndojmë
Gjënë tënë të qasim,
Të huajn’ ta dëbojmë.

Këtu spikat epiteti zë-trasha, që është futur në varg për të rimuar me vasha; përndryshe, fragmenti dëshmon sërish se Naimi, kur i hiqte duart nga timoni, i çonte gjithnjë foljet në fund të vargut, për të garantuar rimën me çmim të ulët. Të vërehet edhe ajo këtëzë, provë se për poetin nga Frashëri, prapashtesat zvogëluese ndihmonin edhe për t’i shtuar vargut ndonjë rrokje, përveç virtytit të tyre estetik të vetvetishëm.[5]

Ndryshe nga Naimi, poetët e veriut shkodran, si Mjedja dhe Fishta, e kanë vargun më të përpunuar dhe vjershërimi u rrjedh më ëmbël; por të dy këta, kur shkruajnë për gjuhën, nuk u shpëtojnë dot klisheve:

Fishta në 1913:

Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m’nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubimit,
ka’i bien qiellvet tue flutrue
n’t’zjarrtat valle t’ameshimit.

Këtu dhe gjetiu në trupin e vjershës krahasimet janë stereotipike; praktikisht parafabrikate që mund t’i zhvendosësh nga një poezi në tjetrën, për t’i thënë lexuesit naiv: kujdes, këtu po bëhet art (fleta e Kerubimit, t’zjarrtat valle t’ameshimit, etj.).

Ja dhe Hilë Mosi në 1909:

Gjuh’ e shejt’ e kaq e moçme,
Gjuh’ sakole der n’dit t’soçme,
Shoqen tande kund s’e gjenë!
Zoti ty këtu t’ka çuemun:
T’rrebt e t’bukur e t’kulluemun;
Kshtu gjithmon’ ti ke me qenë.

Të gjithë këta poetë shkruajnë për shqipen si të kenë një detyrim moral ndaj atdheut, bashkatdhetarëve dhe kombit; por të paktën neve sot na lejohet të vërejmë se ky detyrim dhe obligim moral nuk i shton oksigjen vargut, përkundrazi.

Të forcohet përshtypja se krijimet e tyre për gjuhën dhe ato për atdheun dhe flamurin dhe historinë dhe malet, synonin tekstet shkollore dhe klasën; ku do të funksiononin si lutje të një feje shekullare ose religjioni civil, për t’i dhënë edhe kuptim edhe mbështetje emocionale forcimit të atdhetarisë në brezin e ri.[6]

Kësaj sëmundjeje nuk i shpëton as edhe një poet përndryshe nga më të hollët e periudhës së Pavarësisë, si Lasgush Poradeci, i cili në 1938 shkruan në vjershën “Hapja e shkollës”:

Mblidhi, djem, dorë-pasdore
Për në shkollë si nga mot,
Dhe ju vasha plëngëtore
Mblidhuni në shkollë sot.

Prej mësonjësit të ditur
Të mësojmë dituri,
Të mos mbetemi të mitur
Siç po ishim gjer tashi.

Të mësojmë-e të këndojmë
Djem e vasha pa pushim,
Shqipezën t’a lavdurojmë,
Që na mbush me kaq gëzim.

Që Lasgushi, poeti mistik i liqerit, i vargut pleqërishte dhe i përbrendësisë, të arrinte të nxirrte nga pena një përbindësh si “shqipezën t’a lavdurojmë”, këtë shumë lexues esëll nuk do ta shpjegojnë dot. Porosi të tipit “Prej mësonjësit të ditur/Të mësojmë dituri” vijnë me një kakofoni të rrallë për atë poet. Pjesëza po te ”siç po ishim gjer tashi” është futur për të shtuar një rrokje; sikurse është shtuar shprehja “pa pushim”, për të rimuar me “gëzim.” Me gjithë respektin madje adhurimin për Lasgushin, më duhet të them se vjershërime si ky më lart nga autori i “Valles së yjeve” nuk i bëjnë nder letërsisë shqipe.[7]

Për fat të keq, të njëjtat vargje të këqia deri në parodi nxjerrin kokë edhe në këtë përkushtim të Lasgushit për Asdrenin:

Pate shkruar e punuar
Kombin për t’a kombësuar,
Shqipen për t’a shqipëzuar.

Vite më vonë, me vargjet për gjuhën shqipe e provon dorën edhe poeti arbëresh i gjysmës së dytë të shekullit XX Vorea Ujko, i botuar gjerësisht edhe në Tiranë:

Kjo gjuhë ka aq bukuri,
Sa ngjyrat e ylberit,
E nuk provoj hidhërim,
Në qoftë se nuk shitet,
Në pazaret ndërkombëtare,
Urtësia e saj e lashtë
Është një distilim,
Barërash të rrallë,
I tharmëtuar me durim,
Prandaj kushton shumë.

Për mendimin tim, kjo është një nga poezitë më të dobëta që është shkruar ndonjëherë për gjuhën shqipe; “pazaret ndërkombëtare” të bën të mendosh se Ujko e ka mësuar shqipen standard nga “Zëri i Popullit”; vargu i fundit, “prandaj kushton shumë”, është kaq i lodhur, sa mund edhe të ndërrohej me “po e le me kaq, se s’kam ç’të them më.”[8]

Sërish një shkrimtar tejet i hollë dhe erudit, si Dhimitër Pasko, lajthit që me katër vargjet e para të poemës që ia kushton edhe ai shqipes:

Të falem ty, o gjuhë-shkëmb,
Me rrënjë thellë në shkëmbënj,
Që çave qiellin kur t’u vrënj,
Dhe shembe bisha e shtërpënj.

Duke e mbaruar vargun e parë me shkëmb dhe të dytin me shkëmbënj – një rekord më vete; pa çka se edhe vargu “shembe bisha e shtërpënj” nuk mbetet prapa, për nga artificialiteti.

Kësaj epidemie të kitsch-it në vjershërimin për gjuhën nuk i shpëton as I. Kadareja, i cili i kushton një poezi gjuhës shqipe në vëllimin “Koha”, të botuar në 1975; vëllim që për shumë – përfshi këtu edhe mua – përfaqëson kurorëzimin artistik të veprës së tij poetike.[9]

Gjithsesi, konstatimi nuk vlen për vargjet e mëposhtme:

Të të bënin ty, donin,
Shqipëri, memece,
Po ja, erdhi Naimi,
Si yll mbi ty ecte.

Dorën e zbehtë
Mbi ballë ta vuri
Të të hiqte zjarrllëkun
Prej të sëmuri.

Shumëçka nuk shkon me këto dy strofa: që nga imazhi çalues i një “ylli që ecën”, te metafora e përzier e “yllit” që sakaq ia vë Shqipërisë dorën “e zbehtë” mbi ballë. Ky yll me duar të zbehta kushedi do të vlente si subjekt i përshtatshëm për një pikturë të Chagall-it. Ironik është edhe konstatimi që, po në këtë poemth, autori i denoncon pushtuesit se “lëshuan drejt saj [gjuhës]/Gjithfarë merimangash/Parashtesa e pjesëza/E lidhëza së prapthi,/Të bukurën gjuhë/ta bënin lesh arapi[10]”; por pastaj kushedi harron dhe përdor fjalën zjarrllëk, kryqëzim i një teme shqipe dhe i një prapashtese merimangë -llëk. Ndoshta në botimet e mëvonshme redaktorët përkatës kanë bërë adetin dhe këtë fjalë e kanë zëvendësuar me zjarrmi.

Me sa duket, nuk është e lehtë të shkruash poezi për gjuhën; ndoshta ngaqë çdo poezi është edhe poezi për gjuhën. Poetët e cituar më sipër janë nga më të shquarit që kemi – prandaj edhe dështimet e tyre të bëjnë të mendosh. Nxitimi i dikurshëm për t’u dhënë lexuesve dhe shkollave tekste patriotike është një faktor lehtësues për autorët e Rilindjes; inercia e “vjershës patriotike” si zhanër obligato mund të shpjegojë lajthitjet e autorëve të mëvonshëm, ende të trullosur nga “t’zjarrtat valle t’ameshimit”.

Për fat të keq, tekstet e sotme të letërsisë, që nga fillorja në shkollën e mesme, vijojnë t’i paraqitin vjersha të tilla si “kryevepra”, duke i pështjelluar nxënësit dhe duke u shitur sapunin për djathë; pa folur për antologjizimet e tyre të pafund.[11] Mirëpo përmbajtja patriotike nuk mjafton, për t’i dhënë vlerë artistike një krijimi – se po të ishte ashtu, atëherë poema më e bukur shqipe do të ishte teksti i Himnit të Flamurit; që në fakt nuk ka vlera letrare të spikatura.[12]

Një pjesë e madhe e letërsisë utilitare të Rilindjes dhe më pas të Pavarësisë shkruhej dhe kushedi edhe konsumohej si të ishte tekst liturgjik, ose t’i shërbente adhurimit të kombit dhe të gjuhës, prej grigjës patriotike. Përsosmëria formale në këtë rast nuk ngrinte peshë në krahasim me tipare të tilla si lehtësia për t’u kuptuar dhe për t’u mbajtur mend, përsëritja e ideve të thjeshta dhe e imazheve me natyrë simbolike, patosi dhe pompoziteti.

Ky orientim i krijimtarisë së atëhershme mund t’i ketë shërbyer përulësisht Rilindjes dhe zgjimit kombëtar, por nuk ka shumë lidhje me letërsinë dhe poezinë shqipe në vetvete, dhe aq më pak me vargun si art të gjuhës. Nga ana tjetër, edhe faza foshnjore e një letërsie mund të shijohet, me kusht që të dimë si t’i qasemi. Përkundrazi, ngatërrimi i regjistrave dhe paraqitja e vjershërimeve didaktike si të ishin kulme letrare vetëm sa e dëmton kulturën e sotme.

Asgjë nuk do të na pengonte që, në vend të teksteve me përmbajtje thjesht patriotike, t’u jepnim fëmijëve vargjet më të mira të autorëve të traditës. Një vjershë e dashurisë mistike, nga Naimi, do t’i shërbente edukimit, edhe atdhetar edhe estetik, më mirë se shembuj si këta më lart ose të tjerë, që për fat të keq i gjen me bollëk.

© Peizazhe të fjalës.

 

[1] Gjykimet për çështje të formës letrare nuk janë kurrë të prera; dhe një poezi e keqe për dikë mund t’i duket dikujt tjetër kryevepër. E megjithatë, këtu e më tutje, po mbështetem te përkufizimi se vjershë e dobët është ajo që nuk arrin të ndjekë rregullat formale që i ka zgjedhur vetë.

[2] Pothuajse të gjitha vargjet që kam cituar në këtë shkrim i kam nxjerrë nga libri Shqipja, qysh u është dukur, përgatitur nga Xhevat Lloshi,  Albasoul 2016. Në libër gjenden edhe shumë shembuj të tjerë të ngjashëm.

[3] Përndryshe, këta ishin njerëz të mësuar, që njihnin letërsitë e vendeve fqinje, si atë rumune, greke dhe italiane; por edhe letërsinë europiane në përgjithësi. Me siguri nuk u mungonte ndjeshmëria poetike dhe aftësia për të dalluar poezinë e mirë. Prandaj disa mangësi të vjershërimit të tyre duhen shpjeguar me vështirësitë e shqipes së shkruar vetë, e cila ende nuk i përballonte dot kërkesat e poezisë “moderne”; ndërsa të tjera do të shpjegohen me faktin që shumë nga këto vjersha ishin të destinuara për t’u mësuar përmendësh dhe për t’u recituar, jo për t’u lexuar në faqen e një libri ose të një gazete. Ky destinim i përcakton edhe disa tipare të formës, si rimën e lehtë, përsëritjet dhe klishetë.

[4] Me vlerësimin modern të Naimit duhet treguar kujdes, meqë ky vinte nga tradita e poezisë së bejtexhinjve, ku siç jam munduar ta provoj në një studim të hershëm, krejt aparati metrik dhe i rimës ishte huazuar nga poezia përkatëse në turqishte (osmanishte). Duke ia hequr orientalizmat shqipes së vet poetike, Naimi anuloi traditën e vet dhe iu desh ta nisë nga zeroja. Le të kemi parasysh edhe se te Naimi, ndryshe nga te Çajupi dhe më pas te Fishta, nuk ka ndikime të rëndësishme nga vjershërimi folklorik.

[5] Që Naimi e shihte litotën si përftesë poetike të garantuar, na e kujton edhe fjala e tij e urtë, punë, punë, nat’e ditë, që të shohim pakëz dritë, e cila do të ketë intriguar me qindra mijëra nxënës shkollash në Shqipërinë e viteve 1960-1970, ngaqë u vinte së bashku me fletoret katër-lekëshe, e stampuar te kapaku. Kalamajtë në përgjithësi nuk e kapnin litotën dhe as e lexonin “pakëz dritë” si trajtë poetike të “dritë.” Veç kësaj, askujt nuk i pëlqente ideja që duhej punuar nat’e ditë, për veç pakëz dritë; me sa mbaj mend, një kritikë për këtë është shprehur aso kohe edhe publikisht, por vetëm për të vënë në dukje që shqiptarët tashmë e kishin kaluar fazën e “pakëz dritë” dhe po punonin, vërtet nat’e ditë, por për të ndërtuar socializmin.

[6] Nëse vjersha të tilla vërtet e forcojnë ndjenjën kombëtare dhe “dashurinë për gjuhën”, kjo mbetet e diskutueshme; sikurse mbetet e diskutueshme vetë “dashuria për gjuhën.” Për shqiptarët, edhe ata të Rilindjes, gjuha shqipe ishte strumbullar i identitetit; dhe lufta për t’i dhënë shqipes hapësirën e duhur nuk mund të reduktohet te “dashuria.” Prandaj edhe vjershat që i kushtoheshin gjuhës duhen marrë si një lloj klisheje tematike, karakteristike për kohën.

[7] Me pak keqdashje, do të supozoja se Lasgushi e ka shkruar këtë hata ngaqë i janë dashur paratë e honorarit.

[8] Arbëreshët kanë traditën e tyre të shquar poetike, me kulme si De Rada, Santori, Serembe, Dara, Schiroi e të tjerë; ky degradim i tharmit, nëse mund të shprehem kështu, do të ketë lidhje me pamundësinë për të transpozuar së paku mekanikisht, në shqipen standard, të rregullsive të muzikalitetit të vargut arbëresh.

[9] Për mua, vëllimi “Koha” përfaqëson një nga dy-tre momentet kyçe në poezinë shqipe të Realizmit Socialist; në kuptimin që poezia e viteve 1980 në Shqipëri praktikisht duket sikur ka dalë e tëra nga faqet e atij vëllimi – në tematikë, në figuracion, në vizion dhe në stil.

[10] Këtu ka edhe një ironi tjetër – I.K. thotë, në të njëjtën poezi, se turqit lanë “kufoma divanesh e divane bejtesh” në bedenat e poemave popullore; por vargjet “të bukurën gjuhë ta bënin lesh arapi” çuditërisht i referohen vargjeve të poetit bejtexhi, Nezimit, 200 e kusur vjet më parë, i cili shkruante te Divani: “Këjo gjuhë qe bërë harap,/Në qeder me shumë hixhab,/Shahit mjaft ky qitab,/Handan e bëri Nezimi!”

[11] Disa entuziastë madje i përdorin pohimet në vjershat e Rilindjes për gjuhën shqipe edhe si dëshmi për lashtësinë e pakrahasueshme të kësaj gjuhe.

[12] Për atë tekst, i detyrohemi Asdrenit, edhe ai autor i një numri të madh vargjesh për t’u harruar.

9 Komente

  1. Nuk mbaj mend te kem lexuar nje shkrim per letersine qe te me kete dhene kaq shume kenaqesi sa ky ! Model analize letrare. Ndersa e thena – … cdo poezi eshte edhe poezi per gjuhen – eshte per titull.

  2. “…por pastaj kushedi harron dhe perdor fjalen zjarrllek…” – nuk harron;eshte vete Kadare qe perdor ironine.
    Eshte brenda kontekstit: dora e zbehte e Naimit heq zjarrllekun e bash me te edhe kete ‘llek’,pikerisht.
    E njejta gje edhe me ironine tjeter.Huazimi eshte ironik.Eshte kaq i qarte.
    Kadare eshte akuzuar per kete ironi.Madje,pikerisht per kete,e kane akuzuar edhe si racist.
    “Per mua,vellimi “Koha” perfaqeson nje nga dy-tri momentet kyce ne poezine e Realizmit Socialist;ne kuptimin…” – dakord.
    Kurse,per mua qe po komentoj,Kadare eshte poeti me i mire i brezit te tij.Pa as me te voglin dyshim.
    Kadare eshte poet me i mire se te ashtuquajturit “patriarke” te poezise shqipe te kohes.Me i mire,pra,se Agolli,Arapi dhe Spahiu.Poete shume te mire keta,por Kadare eshte ca me i mire.
    Po t’i kishte kushtuar poezise po ate vemendje si prozes,Ismail Kadare do te ishte edhe poeti me i madh i letersise shqiptare;qe nga fillimet e saj e deri me sot.

    1. Shkruan:

      Po t’i kishte kushtuar poezise po ate vemendje si prozes,Ismail Kadare do te ishte edhe poeti me i madh i letersise shqiptare;qe nga fillimet e saj e deri me sot.

      Po doemos. Unë madje mendoj se po të kishte shkruar më shumë librete baleti, do të kishte qenë libretisti më i madh i baleteve në letërsinë shqiptare, që nga fillimet e saj e deri më sot.

      1. Nuk mendoj qe ironia juaj eshte me vend,sepse shperfill kontekstin,ku nenkuptohet cilesia,niveli i larte artistik dhe jo sasia.
        Kadare,me vetedije,nuk i ka kushtuar vemendje poezise.E ka nenvleresuar.E ka thene vete shprehimisht.
        Madje,i pyetur para ca vitesh se pse nuk shkruan me poezi,ai eshte pergjigjur pikerisht keshtu: nuk me duket serioze te shkruash poezi ne nje moshe te madhe!Mendoj qe ka dashur te thote ne nje moshe te pjekur;domethene pak me te vogel se mosha e madhe,gjithsesi.
        Imagjinoj ndonje prej “patriarkeve” te poezise qe mund ta kete degjuar kete hidhesire te Kadarese,por edhe shume te tjere poete te njohur,te cilet,te gjithe se bashku,e kane menduar si domenin e tyre poezine,pa Kadarene qe t’i eklipsonte,sesi mund te jene idhtesuar!

        1. Kadareja ka shkruar libretin e baletit “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë.” Përndryshe, Timur, po të përgjigjem në italisht, se mbase më kupton më mirë: ma chi se ne frega?

          1. Tani,meqe ra fjala,Kadare ka shkruar edhe Dasmen,te cilen,profesori i nderuar Xhevat Lloshi,te cilit i jeni referuar ne shkrimin tuaj,e vlereson lart per vlerat artistike.
            Madje,ua keshillon edhe te rinjve ta lexojne,pikerisht per keto vlera te larta artistike qe ajo ka!

  3. Mbetet jashtë poezia e Mjedës! Që është më e bukura.
    Kurse Naimi, ironikisht, vargjet më të bukura per gjuhën shqipe i ka te një poezi tjetër:

    E ku shkruhenë në kartë
    Fjalët e gjuhës së zjarrtë!

    Vetëm se duhen lexuar në kuptim literal, përndryshe janë Fjalët e Qiririt.

    Paskëtaj erdhi brezi i poezive për Partinë.

    Po brezi ynë, vallë, kë temë e ka per “must”?

  4. Shprehja ” kafsho gjuhen” perdoret ne kuptimin kur dikush kerkon te thote dicka qe stonon ne nje kuvend , bisede apo kur guxon te thuash nje te vertete te rrezikshme, dicka qe prish statusquone e krijuar .
    Poetet e tradites tone , nga shembujt e sjelle nga Vehbiu; duket se nuk e kane “kafshuar gjuhen”, nuk e kane frenuar ligjerimin , edhe kur jane ndodhur ne shterpesi leksikore. Dhe kesisoj, per hir te rimes, kane trazuar grurin me egjerin ne poezite e tyre.
    Ja nje shembull i “kafshimit te gjuhes” poetike nga Ali Asllani ne poezine per Ali Pashe Tepelenen:
    Nese e ul historia.
    Do ta ngrere Shqiperia.
    Sepse trimin nuk e nuk
    Trimi trimin nuk e zhduk
    Te tilla naivitete leksikore , ne kerkim te rimes se sforcuar, gjen plot tek poezia e Dritero Agollit. Edhe pse, ne pergjithesi, fjalet jane te kerkuara per hir te rimes, ato duken si te natyrshme brenda frymes se poezive te tij pastorale.
    Pertej ketij fenomeni , ne nje rrafsh me te gjere,ne historine e letersise shqiptare,dhe posacerisht poezise, jane pervijuar tre tipologji te poetit:
    1.Poeti profet tek Rilindasit . Poeti si profet i patriotizmes. Rilindasit para se te ishin poete, ishin edukatore te kombit, thote Cabej. Naimi spikat si poeti profet dhe edukator. Dhe sado qe teza patriotike rendon ne kurriz te letrares, per mua Naimi mbetet Shenjtor i shqiptarizmes, themelues, ne mos, shpikesi i gjuhes letrare . Poezia e tij, gjuha e poezive te tij eshte misherimi me i paster i atyre cilesive te gjuhes shqipe te cilave ju kendon ne poezine “Gjuha jone”
    Nuk duhet te jemi kaq buzeholle kur flasim per poezine e tij, edhe pse puro letrarja shperfaqet ne pak poezi tek Lulet e veres. Nuk duhet te harrojme kohen kur krijoi. Poezia e Naimit eshte si ato diamantet qe firmesohen ne erresire te plote.
    2. Poeti prooagandist, poeti burizan i Partise. Kjo eshte periudha e socreakizmit. Tre kryeburizanet, jane tre Moskotjetret- Agolli, Kadare, Arapi. Poezia e tre P-ve: Partishmeri Patetizem, Pathos, sipas poezise moskovite, sovjetike dmth, me model Majakovskin.
    Por…nuk ka poezi me gjuhe me artistike se Shqiponjat fluturojne lart apo Perse mendohen keto male. Apo Alarme te pergjakura e birit te Zvernecit, Fatos Arapit .
    3. Poeti postmodernist ose poeti palaco i postkomunizmit i cili ne kerkim te kohes se humbur dhe zulmes se kerkuar pa humbur kohe; imiton izmat e dale mode , ben avanguardistin dhe pseudofuturistin.
    Migjeni eshte nje perjashtim. Ndersa poezia dhe letersia shqipe endej shtigjeve te maleve me lahute ne dore , duke i kendue epikave legjendare, Migjeni afrohet ne autostraden e poezise moderne dhe jep sinjalet e nje brezi qe po shkonte ne luftra t reja per me ra fli . Aksidental dhe oksidental.
    Pastaj e pas tij, poezia futet ne shtigje malesh e trotuaresh , i kendon rinise porsi Migjeni por tashme me nje avaz te ri per “njeriun e ri” : rini , rini o zog socializmi…
    Ndoshta cilesimet per poezine e postkomunizmit jane pak te teprume, por a di kush me thene se ne c’ujra lundron poezia shqipe sot, sot pra, ne shoqnine e hapur e me arkapija te celuna tej e tej

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin