1×10: BISEDË ME DHJETË MIQ

Titulli: Bisedë me dhjetë miq
Autori: Albana Shala

Carabela 2017

Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Albana Shala

1.

Albina:

E veçantë tjetër liridhënësë ishte fakti që unë kisha dhomën time dhe nuk e ndaja me askënd. Një dhomë të tijën do t’ia uroja çdo njeriu, që nga dita që lind e deri në ditën e fundit të jetës…Të pasurit e një hapësire të pandashme i jep individit një liri të vërtetë…Pra, një dhomë krejt e ytja, personale, të lejon të zhvillosh individualitetin tënd. Të qenit individ për mua është liri. Kjo krijohet në fëmijëri dhe kur rritesh nuk ke frikë të shpalosësh individualitin tënd.

Kuptohet që në kohëra e situata të caktuara, më është dashur t’i fsheh, t’i kontrolloj, t’i maskoj edhe individualitetin edhe ndjenjën e lirisë. Shpesh herë më është dashur të paraqitem ajo që duhet të isha dhe jo ajo që isha. Kjo sepse ne duhet të jetonin e funksiononim, në të shumtën e kohës, në kolektiv. Dhe ne kolektiv ishte e pamundur të kishe jetën tënde, kohën tënde, sepse ishe e vëzhguar në çdo çast. Për mua, të larguarit nga shtëpia për të ndjekur shkollën në Tiranë, në moshën 14 vjeç, ka qenë një largim disi dramatik, pikërisht për këte arsye. Të gjithën e kam përjetuar si një humbje lirie…Tani që po të flas po më duket vetja si qenië joshoqërore. I dua njërëzit, dhe i dua shumë, por njerëzit e organizuar në kolektiv më tmerrojnë. Kolektivi në përgjithësi ka diçka të mbrapshtë, sepse ka më shumë tendencën drejt sulmit, histerisë dhe luftës se sa drejt paqes dhe mençurisë.

2.

Andrea:

Nuk është e lehtë që njeriu të ndryshojë identitet e të përshtatet. Njerëzit duan të jenë krenarë për vendin nga vinë, sepse vijnë të ngarkuar shpirtërisht e mendërisht, por mendoj që Kanadaja dhe Amerika janë vende ku integrimi dhe mbajtja e identitetit fillestar mund të realizohen njëkohësisht. Ne duhet të paguajmë koston e shpërnguljes, por kthimi në Shqipëri tani ndoshta do të ishte vetëm një zhgënjim i madh. Këtu ku jemi ndihemi mire…Përpiqem të ndihem pjesë e të tërës këtu… dhe e rëndësishme është të jesh i informuar se ç’ndodh rreth teje.

Në qoftë se do të filloja jetën nga e para si prind, me fëmijet do të sillesha ndryshe. Së pari, do të komunikoja më ndryshe dhe shumë më tepër me to. Sigurisht që jam ndikuar në mënyrën si jam lidhur nga më të vjetrit, nga prindërit, nga kultura dhe sistemi në Shqipëri. Them që duhet të merresha më shumë me to e ti nxisja të ishin më të pavarura e të ndiheshin më të përgjegjshme. Këtu prindërit lidhen krejt ndryshe me fëmijët. Por ndoshta kjo varet edhe nga karakteri i fëmijës.

 

3.

Gazi:

Diçka shumë e rëndësishme për mua është sensi i arritjes.  Mendoj se i kam përcaktuar qartë objektivat e mia. Dhe nuk është objektiv i imi që të filloj këtu e të mbaroj atje, sepse edhe objektivat janë në vetvete një ‘work in progress’ (në bërje e sipër).

 

Ndjenja e suksesit  më gjallëron. Ndenja se po realizoj gjëra që kanë kuptim edhe për të tjerët më mban gjallë. Ndoshta se mbi të gjitha dua ta shikoj veten si të vlefshëm.

Kur ke një ide, një sens të asaj që do të arrish, vënia e një objektivi bëhet më e lehtë. Për shembull në planin personal e ndjej që duhet të jem modest, të mësoj e njëkohesisht  të përpiqem të kap majat e profesionit tim…Në fushën e bisnezit sigurisht që nuk vepron dot pa synuar në objektiva.

Tjetër, së bashku me Anilën kemi disa miq të ngushtë, të cilët jetojnë këtu. Dhe nuk mund të kesh miq pa investuar kohë me ta.  Për mua kjo është e rëndësishme. Domethenë jo vetëm të kemi shumë shokë, por edhe miq të ngushtë.

Në familje dua të jem një djalë, burrë, vëlla, dhe baba i mirë dhe i pazëvendësueshëm. Unë vërtetë lëviz, por e di që këtu jam i rëndë, i nevojshëm, i vlefshëm.

 

4.

Greta:

Nuk shikoj mbrapa, me gjithë xhelozitë, mëritë, injorancën e inatin e atyre që tek unë shikonin “armikun e klasës”, të atyre që vërtetë më kanë dëmtuar…

Gjëja më e rëndësishme është mos e ulësh kokën e të mos dorëzohesh, pavarësisht se si vjen jeta. Kur dënuan tim atë, xhaxhain e çuan në internim, mamin e përjashtuan nga partia. Ajo ishte shumë e re, me tre femijë, por e fortë e kurajoze. Kurrë nuk e kam parë të gabonte nëna ime. Punonte me turne si infermiere, me dhëmbshuri për të sëmurët, në spital, në psikiatri, në pediatri, në ambulance, dhe ishte e zonja për të mbajtur edhe shtëpi. Na rriti të treve me sakrifica, por e gëzuar se u bëme të mire e të ndershëm. Në ato vite, ime më ka dhënë gjak me dhjetëra herë, në mos edhe me qindra herë, që të mund t’ia dilnim ekonomikisht.

 

5.

Blandi:

Jam i bindur se ne shqiptarët vetëm kur të kemi ujë e drita, domethënë të jemi më në fund të larë e të ndriçuar në kuptimin më të gjere të kesaj fjale, që më kujton atë “Pak dritë…” të Migjenit, si dhe me lirine e  qarkullimit, që kemi me ne fund,  mund të nisim të respektojmë në rradhë të parë veten, dhe kësisoj të mund të na respektojnë dhe të tjerët.

 

6.

Iris:

Jam e bindur që çdo njeri ka të përveçmen e tij, lirinë e tij, por disa guxojne e kanë fat që ta zbulojnë e ta ndjekin këtë, disa kanë frikë e nuk e zbulojnë kurrë të përveçmen e tyre. Mendoj se kam një aftësi për ti thënë gjerat troç, dhe kjo më bën deri diku të lirë. Shpesh të thënit e gjërave troç e në kohën e dukur më ka ndëshkuar në jetën time profesionale, sepse shumica e njerëzve këtu nuk e vlerëson aspak këtë mënyrë direkte komunikimi. Kësaj i shtohet fakti që jetojmë në një shoqëri patriarkale.

 

7.

Lazri:

Shkruaj por nuk e di a jam shkrimtar. Nëse shkruaj disa faqe të mira, ose një libër të mirë gjatë gjithë jetës, them se do isha i kënaqur. Megjithate nuk e konsideroj vetën martir të letërsisë. Nuk ka kuptim të jetosh vetëm për letërsinë, ndonëse letërsia i jep kuptim jetës time, e bën ate të jetueshme.

Them se ndihem aq i emancipuar sa jam njeri i lirë.

 

8.

Ladi:

Bota pa sport do të kishte një mungesë të madhe. Sporti nuk i takon 100 vjetëve të fundit të radios e të televizionit. Ai është bashkëudhëtar e jetës së brezave. Më kujtohet poezia e famshme e Fan Nolit: “Rent o marathonomak!” Sporti sot është paqe, edhe mungesë e luftës së vërtetë. Për mua të luash sport, duke perfeksionuar trupin e mendjen dhe duke ju gëzuar fitores, do të thotë të shmangësh luftën e konfliktin e panevojshem. Sporti është manaxhim i luftës në paqe. Është një duel midis atyre që pretendojnë të jenë të barabartë. Megjithatë në sport ndikojnë edhe gjëra të tjera, si për shembull tradita, forca fizike, forca mendore dhe sigurisht edhe investimet që bëhen në të.

 

9. 

Eda:

Nëse shikoj mbrapa duke u përpjekur të reflektoj për sistemin e kaluar, ndiej shijen e frikës së atyre kohërave. Mbaj mend që kisha shpesh frikë … nga sigurimi, shteti, policia, tjetri, ditën dhe natën. Ndoshta ngaqë brenda shtëpisë jetohej shumë më ndryshe nga jashtë shtëpie dhe kishte mospajtim rrënjësor me regjimin. Unë ende s’e kuptoja pse ishim aq kundër dhe s’kisha as pjekurinë, as formimin filozofik që të ma lehtësonte të kuptuarit, dhe kjo ma bënte edhe më të madhe frikën. Aq sa, nga frika, harroja frikën; dhe duhet ta harroja, se si do jetoja ndryshe. Por nga ana praktike, kam jetuar mirë, me dashuri dhe me shumë shokë, histori, pushime, variacion. T’u tregosh kalamajve sot se çfarë quaj unë variacion ose qejf, ndoshta s’do jenë hiç dakord me mua, por kjo është relative. Rëndësi ka si ndihet jeta.

Unë kam qenë dhe mbetem kundërshtare dhe mosmirënjohëse (në kuptimin më literal të kësaj fjale) e regjimit komunist. Nuk e kam dashur kurrë, nuk i shoh anë pozitive, dhe nuk e justifikoj. Është absurde për mua të thuash, “po vërtet ishte totalitar dhe vriste e dënonte për mendime, por ama i bëri ca gjëra të mira, shoi analfabetizmin, forcoi shkollat, elektrifikoi…” Për mua kjo gjuhë është ose hipokrizi ose moskuptim i thellë.

 

10.

Tefa:

Të gjithë si individë jemi e veçantë e të përveçëm. Janë institucionet e sistemi, ndaç në epokën komuniste, ndaç tani, që përpiqen të na njehësojnë. Megjithatë gjithmonë jam përpjekur të dyshoj, të vë në pikëpyetje përgjigjet e gatëshme, çdo gjë rreth meje, duke dhënë përgjigjet e mia në bazë të përvojës sime dhe të të tjerëve. Nganjëherë përgjigjet e zgjedhjet e mia kanë qënë të mira e nganjëherë nuk më kanë çuar askërkund, por sidoqoftë kanë qënë përgjigjet e mia.

Sot njerëzit këtu në Itali dhe në Shqipëri jane të lirë të dyshojnë, të vënë në pikëpyetje konceptet e vlerat e jetës dhe të shprehen të lirë, pa frikë se do të përfundojnë në burg. Liria është bërë e përditshme, koncept i pandashëm i jetës sonë dhe pyes veten se çfarë bënin atëherë pa liri fjalë e pa mjete komunikimi si Interneti.

Sot kufijtë janë atje ku i ve ti vetë dhe unë përpiqem t’i vendos sa më larg që të jetë e mundur.


Libri i Albanës mund të blihet në Amazon te ky link (në US) dhe te ky link (në UK).

Kjo faqe në Facebook (Albanian Talks) i kushtohet librit; të interesuarit mund të gjejnë atje më shumë informacion dhe të bashkëndajnë historitë e tyre.

1×10 është një seri që i prezantohet lexuesit të Peizazhe të Fjalës. Ideja është e thjeshtë: një libër në dhjetë copëza. Ky “cungim” i librit nuk vjen gjë nga parimi se mjafton një gotë për të marë vesh ç’verë ka fuçia, por nga shpresa se oreksi për dijen dhe leximin vjen duke “pirë”.

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin