KAFKA SIPAS MUSA RAMADANIT

Çmime I [1]: RINGJALLJA E KAFKËS SIPAS MUSA RAMADANIT

Profeti është personazh i vështirë për t’u ndërtuar, sidomos si personazh kryesor në prozë të gjatë. Dakort, Profet, veç prozës së lashtë hebraike, ka krijuar edhe ndonjë autor tjetër më i vonë, ndërkohë që në përdorimin bashkëkohor të gjuhës fjalën mund ta përdorë si epitet edhe ndonjë futbolldashës në batuta për aftësitë e veta për parashikimin e fatit të ndeshjes; por një profet është gjithësesi i vështirë meqenëse atij i madhi Zot i jep aftësinë e lejen ta dëshmojë prej eksperiencës ekzistencën e Zotit dhe ndonjë degëzim të së ardhmes që Zoti i madh ka gatuar, kurse ne të tjerët duhet t’i shohim shenjat në errësirë të plotë.

Ndërkohë që profeti i zotit Musa Ramadanit është vetë Franc Kafka gjermanishtshkruesi hebre i Pragës. “Profeti nga Praga” i dha zotit Ramadani çmimin “Kadare” të akorduar nga Fondacioni Mapo, një nga të paktët çmime të letërsisë shqipe në këtë kohëra. E na duhet ta pranojmë se është pikërisht çmimi që na çoi tek libri.

Në qendër të romanit na shfaqet vetë zoti Kafka që kthehet në Pragë prej vdekjes njësoj si Kostandini ynë që u kthye nga përtej jetës për të mbajtur fjalën që i dha së ëmës. Por Kafka, meqenëse të gjithë pranojmë se ka kontribute më të rëndësishme për njerëzimin, gëzon një leje më të gjatë qëndrimi e sorollatet nëpër Pragë nja dy ditë. Gjithçka ndodh në vitin 1965.

Përkatësia e veprës në gjininë e romanit është e holluar disi me pasionin e madh për data, gjykime letrare lloj e lloj, gjeografi urbane, biografi. Jo se jemi kundra një romani eseistik, por shkrirja dihet që është delikate. Gjatë leximit të krijohet ideja se zoti Ramadani ka qenë duke përgatitur një parathënie për ndonjë botim të Kafkës në shqip e pastaj ka vendosur që ato fjalitë informuese t’i shpërndajë nëpër disa gojë personazhesh e t’i bëjë roman. Më i rëndësishmi personazh është Kafka. Kafka që takon mikun e tij Maks Brodin e famshëm, që nuk ia dogji dorëshkrimet dhe na dha Kafkën e madh. Pastaj takon një ish të dashur, takon edhe një tjetër. Pastaj, Kafka paska pasur edhe një bir. E takon edhe atë. Në fillim nuk e kuptojmë mirë se kush është kush, po dikur dallohen disi. Komunikon me të atin. Ka ca letra. Takon prap Brodin. Një rrëmujë që shtohet edhe prej faktit se romani nuk të nxit që leximin ta vazhdosh aty ku e le, meqenëse rrjedha e ngjarjeve nuk ka nevojë për vazhdimësi. Secili episod mund të rrijë më vete. Sikur zoti Ramadani të jetë duke komplotuar diçka fort ironike, secilin episod mund ta bëjë një roman.

Personazhet lundrojnë në sipërfaqe dhe janë të gjithë të një prerjeje. Një leksion biografik e kritik i gjatë e i ngeshëm, me tavolina e karrike, lumenj e rrugë, pak histori, biografi, historik botimesh. Koncepte të stërpërfolura të veprës së Kafkës, emra, tituj veprash dhe përmbledhje e shkurtër e ndonjë aspekti apo ndodhie në to. Nja dy tre ringjallje të tjera përkitën pikërisht ato ditë. Pastaj ka edhe një si kotje në lokal, lëvizje në rrugë, prindërim, dashurim. Si i thojnë piktorët, natyrë e vdekur me filan gjë.

Në thelb, personazhi i Kafkës është një mistik lirik, një autokritik filozofik. Një njeri që gjykon rrjedhën e jetës së vet nga pas vdekjes, por me largësinë e ftohtësinë e një lexuesi jo fort të thelluar e informuar.

Shumica e informacionit vjen e prezantuar në dialogje, e ka gjëra që nuk ecin. Shpesh burimi nga e ka marrë informacionin zoti Ramadani mund të gjurmohet lehtësisht në vepër të Kafkës e nuk ka ndonjë proces analitik a sintetik prapa dhe për më tepër nuk është aspak i pasuruar me ndonjë element të krijimit letrar.

Biseda me babain është kryesisht rikompozimi i dy tre faqeve të para nga “Letër babait”. Biseda dhe njohja me djalin hipotetik është goxha kafkiane. Dy Kafkat takohen tek një urë e njohur e Pragës, fillimisht janë të dy i njëjti njeri, debatojnë për pronësinë intelektuale të veprave të Kafkës, por pastaj njëri thotë jo jo se jam biri e tjetri mbetet ati. Një si krizë identiteti e trinisë së shenjtë. Ati zot e biri zot, kush e ka radhën sot?

Shpesh Kafka nuk është as shkrimtari as njeriu. Dhe herë pas here nuk dimë kë po ndjekim. Të dy janë aty, por gjithësesi në një mjedis kakofonik. Bisedat e tyre janë kako-monofonike. Por ka edhe ndonjë kthjelltësi herë pas here.

Por, si për dreq, dy Kafkave, njeriut e shkrimtarit,  i shtohet edhe zoti Ramadani, i cili edhe vetë sikur dyzohet. Profeti i titullit degradon në një Mjeshtër, kur Ramadani i shkon në dhomën ku i ndjeri Kafkë dha shpirtin prej urisë të shkaktuar prej laringut te vet të sëmurë. Në këtë kapitull të fundit të veprës, kur i jep fund përshkrimit të sorollatjeve të Kafkës nëpër Pragë dhe tregon për shëtitjet e veta në atë qytet në gjurmim të Kafkës, zoti Ramadani ngre pyetjen e synon përgjigjen:

“Mirë, po qe se jam bërë vetë ai, dua të di se ku mund të jetë tashti Franzi?  Një përfytyrim, një dytësor, një hije, vegim apo diç më tepër që ka të bëjë me të besuarit e leverdisshëm të mishërimit shpirtëror, fizik e kimik?!? Ja ndodhem në dhomën e tij, mbase pikërisht aty ku ishte dikur shtrati i tij: me kokë nga dritarja e fundme e këmbë nga dera, që i shëmbëllen po asaj të sezamit. Tashmë qëndroj si ai, heshti si ai, sillem si ai, përgjoj si ai, me një fjalë – imitoj pothuajse çdo gjë nga jashtësia e tij. E megjithatë, jam i vetëdijshëm se ish-sanatoriumi I doktor Hajekut tash është një bllok i madh trekatësh me shumë banesa familjare.”

Zot i madh!

Ndjesia ime është se një autor i ri qëndron pas këtyre fjalëve, e ndoshta shumë pjesëve të këtij libri. Gjuha është e ngurtë dhe gjithë kohën në kërkim të formave englendisëse të të shprehurit. Togfjalëshat injorojnë nevojën për qëndrueshmëri logjike dhe ndjekin qejfe bashkëtingëlloresh labiale e zanoresh dentale.

Zoti Ramadani ka lindur në 1944 e sot duhet të jetë plot 73 vjeç, ndërkohë që ngjarjet ndodhin në vitin 1965. Ndoshta zoti Ramadani ka treguar diçka për veprën në ndonjë intervistë e shkrim, por unë këtu jam përqendruar vetëm në mbresat nga libri e nuk kam shkoqitur si duhet informacione ndihmëse. Pra pyetja është: ‘Mos vallë më 1965-ën, 21-vjeçari Musa Ramadani pati bërë udhëtimin e tij në Pragë e mbajti shënime në një gjurmim të lëvizjeve të Kafkës nëpër qytet e libra e pastaj  në bashkëkohësi gjeti ato shënime rinore plot me stërhollime fiozofiko-letrare, poetike, etj., dhe i futi një redaktim të shpejtë e i çoi një herë në konkurs të Mapos?’

Në rast se romani është vërtetë i vitit 1965 duhet thënë se është disi kurioze aftësia e tij për të tërhequr vëmendje jurish bashkëkohore të besuara me një çmim të leverdisshëm në duar (10,000 euro) e me emrin e zotit Kadare në ballë. Gjithsesi, ajo që kuptojmë është se letërsia është e aftë të ruajë gjurmën e njeriut në kohët që rrjedhin. Prandaj edhe lloj lloj kryevepre mbetet bashkëkohore. Kjo ia rrit vlerën këtij dhe çdo vlerësimi tjetër nga çdo juri që qëllon. Gjithsesi, këtu nuk kam as më të voglin qëllim të marr ndonjë qëndrim për vlerësimin e jurisë se nuk kam fare ide për cilësinë e prurjeve që kanë pasuar thirrjen e Fondacionit.

 

PS. Për fat të keq gjithçka vjen në një botim fletëshqitur e të kursyer në skaj me çmimin tamam aty ku mbaron toleranca blerëse për letra me të këtilla kullandrisje, e kjo nuk i nxjerr në dritë të mirë botimet “Mapo”. Megjithëse një zhvillim pozitiv, dramaticiteti shtohet kur pas blerjes zbulon se vepra është ‘on line’ në lidhjen:
https://www.scribd.com/document/351718350/Profeti-Nga-Praga-Musa-Ramadani

 

[1] “Çmime” është një cikël artikujsh për vepra letrare që janë vlerësuar nga juri kolektive e që janë promovuar për vëmendjen kombëtare gjatë viteve të fundit. Veprat e vlerësuara nga Çmimi Kadare i dhënë nga fondacioni Mapo dhe Çmimi i Kombëtar i Letërsisë i dhënë nga Ministria e Kulturës janë objekt i parë vëmendjes sime. Për të siguruar legjitimitetin e nevojshëm në hyrjen në këtë lëmë ku një ushtri protagonistësh mund ti ngulin rishtarit një mijë ‘kush je ti?’ nëpër secilin sy, ky cikël i referohet edhe çmimit të librit. Atij të voglit që ka aty mbrapa dhe përfundon me fjalën ‘lekë’. Këto janë reflektimet e një blerësi dorshtrënguar, që neglizhon lavdinë që brezat do hedhin mbi këto përpjekje fisnike për të katapultuar copa jete në kujtesën letrare të botës, dhe gjykon librin me përnjëherësi materialiste.

7 Komente

  1. Nje shkrim mjaft i mire. Nje menyre krejt e veçante, ne dukje ‘ e ftohte’, por jo aq e, mbi te gjitha larg kritereve te njohura e te standartizuara te veshtrimit te nje vepre letrare . Autori mund te sjelle gjera te reja ne kete fushe aq te ndjeshme e te abuzuar te letrave shqipe.
    Por per mendimin tim libri nuk duhej gjykuar ne lidhje me çmimin qe ka marre ne Tirane. Sikur te le nje si shije te nenkuptuar prej mllefi nga pas.

  2. Letersia, ta quajme kushtimisht, kosovare, eshte letersi e cila ka pasë mundesi te jete ne kontakt me gjithfare rrymash te letersise evropiane, qe nga vitet e ’60-ta e kendej…
    Kjo letersinen ndikimin e ketyre rrymave evropiane, zhvilloi postmodernizmin. Po e jap vetem nje shembull: “Vdekja me vjen prej syve te tille” e Rexhep Qosjes, te cilen mund ta lexosh si te duash: permbledhje tregimesh, roman, persiatje filozofike e eseistike apo thjesht si deshmi e dhunes serbembi individin dhe shkrimtarin kosovar, por edhe popullit te Kosoves…
    Ne kete vazhde, jane edhe shkrimet e Musa Ramadanit, nje letersi postmoderniste…

    1. I dashur Bashkim, une fare nuk e kam permend letersine kosovare ne nje artikull qe me qellim eshte marre vetem me nje veper. une e kam shpreh se nuk e njoh fare vepren e zotit Musa Ramadani. une jam marre ngushtesisht me vepren ne Profeti nga Praga. po te ishte per pergjithesime une i kisha ba vete. Kafka eshte e vazhdon te jete nje figure e letersise qe na mban te gjithe te bashkuar, por ai vete na beri te ndjeshem ne forma shprehje, perzjerje ndjesishe ne shkrim e ksisoj gjanash.
      me qe po pergjigjem, atehere i detyrohem edhe nje falenderim atij qe ka bere shenimin me siper e shkruan si lyssd, e qe gjithashtu parandjeu perzjerje ne temitika te tilla. (lyssd kjo gjithsesi e shton disi interesimin. duhet ti perdorim te gjitha mjetet ;).)

  3. Dikush e paska ngarkuar ne menyre te jashteligjshme “online” librin e Ramadanit duke mos ia pasur haberin asaj gjese se quajtur “E drejta e autorit”. Shpërndarja e një linku të tillë ku njerëzit mund ta shkarkojnë ilegalisht është moralisht e gabuar.

    1. Keni te drejte, po une e kam konsideruar qe kam sinjalizuar autorin ose shtepine botuese dhe ja kam treguar. Libri doli ne kerkim te Google shume kollaj. Libri eshte i vleresuar nga nje juri dhe autori eshte shperblyer. Shtepia botuese po e ka shpallur qe kete e ben per shoqerine ne teresi. Keshtu qe une nuk kam fare shqetesime morali ne kete rast. Per mendimin tim as zoti Ramadani nuk duhet te shqetesohet shume, por gjithesesi e mira do ishte t’ia tregonte dikush. Megjithese ndoshta e di.

  4. I nderuari Oltion!
    Kritika nuk eshte e drejtuar ndaj teje, por pergjithesisht ndaj estabilishmentit kulturor ne Tirane, i cili, me thene te drejten, kur merret me vibrimet letrare, gjuhesore e kulturore qe vijne nga Prishtina, i keqkupton ose ne rastin me te keq, nuk merret fare me to.
    Kritika ndaj letersise ne Kosove ka pasë bere edhe vete Kadareja, fill mbas Luftes se Kosoves (1999), duke e quajtur letersi hermetike, madje e mbaj mend edhe titullin e artikullit: “Letersi e dokrrave avangardiste” (mund te jete edhe titull i vene nga gazeta)!
    Pergjithesisht, autoret kosovare nuk jane pritur mire ne Tirane, me perjashtim te Ali Podrimjes dhe Rexhep Qosjes. Jo me kot, e mora shembullin e romanit te Qosjes, i cili, per mendimin tim eshte i pari shkrimtar postmodernist shqiptar… Te postmodernizmi, letersia karakterizohet nga thyerja e struktures dhe perzierja e teksteve, gje qe i gjejme te ky autor. Te njejtin tentim kam hasur te Kadareja, te romani “Nentori i nje kryeqyteti”, qe perzien tekstet dhe kemi nje tendence te thyerjes se struktures romanore, me nderfutje tekstesh e rrefimesh gjithfaresh, por si duket Kadareja nuk mund te ekserimentoje me tutje, meqe e di se nga kritika socrealiste nuk do te pritej mire.
    E di qe ka edhe shkrimtare nga Kosova, qe eshte gjynah ta harxhosh bojen dhe letren per te, ama ka edhe te tjere qe duhet t’u heqesh kapelen, e nder ta eshte edhe Musa Ramadani. Nuk e di, por ne rrethet letrare dhe universitare ne Prishtine, Ramadanin e therrasin Maestro, me pak per shkak te moshes e me shume per shkak te kontributit letrar.
    Dhenia e cmimit per librin e tij, nuk nenkupton vetem cilesine e vepres letrare, por edhe nje perpjekje per ta njohur dhe pranuar njeri-tjetrin,ne “vellezer siameze”, qe jemi te ngjitur shpine per shpine, por nuk duam ta shohim njeri-tjetrin ballaz.
    Andaj, letersia shqipe ne Kosove, sidomos leterisa e Musa Ramdanit, nuk duhet te lexohet si letersi moderne, po postmoderne, natyrisht me verejtjet eventuale qe mund t’i kete.
    Fundja, te gjithe jemi gabimtarë në këtë dynja!

  5. ndoshta do ishte pak si shumë i tërhequr vendimi im për të shpallur një injorancë të plotë ndaj letërsisë kosovare. unë dic kam lexuar prej saj dhe disa vepra e autorë me famë i kam parë nga pak. mendoj se ky angazhimi i tyre ndër postmodernizma sikur anashkalon gjuhen e njeriut që të lexon. një shfrytëzim arbitrar i komunikimit për të shkarku veten ndoshta prej qindra dëshirash e sikletesh. Aty ka errësirë, jam dakort. ndër poetë Kosovarë ti je treguar dorshtrënguar me citim vetëm të Ali Podrimjes.Po sa për prozë unë nuk kam ndonjë kujtesë të gjallë ndër ato pako lexime rastësore që mund të kenë qenë edhe të pafat.

    Postmoderne, pastaj, është ndër etiketime me shoqe plot për veprave të ndryshme. edhe unë s’marr vesh shumë për ndonjë gjë kur më thojnë që është postmoderne. di vetëm që postmodernizma ta njeh të vlefshme edhe kur nuk di ndonjë gjë ose di dy gjëra të kundërta njëkohësisht. ose tre. ose pesëmbëdhjetë. kjo ndoshta nuk ta do popullin të gjithë në kurriz, po edhe nga populli nuk ikim dot. Prandaj Zoti Kadare edhe këtë herë gjithmonë do të mbetet i pagabueshëm. 😉

Lini një Përgjigje te BashkimiAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin