ATA QË NUK FALIN

Tollovitë e fundit mediatike, për një letër të Ismail Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës rreth “gabimeve” të së motrës Kadrie dhe probleme të ndërlidhura i pata ndjekur por përciptazi.

Te kjo faqe, kemi botuar një shkrim nga A.A.B. për temën, që më është dukur korrekt dhe adekuat, sidomos në krahasim me çfarë kam parë të dalë gjetiu.

Para dy ditësh, denoncimit të sulmeve në mediat ndaj Kadaresë i është kthyer edhe Çerçiz Loloçi, në një artikull të botuar në gazetën MAPO (T’i përgjigjet apo jo Palluqit shkrimtari Kadare, kjo është çështja).

Loloçi e ka me Rezart Palluqin, të cilin e quan menjëherë “shkrimtari katundar nga Elbasani” (!); dhe pastaj shpjegon se ky paska bërë kohët e fundit një letër të hapur për Ismail Kadarenë (Zoti Kadare, kërkoni të falur…); mjafton një vizitë në sajtin përkatës, për të parë se bëhet fjalë për një shkrim të më se dy vjetëve më parë (maj 2015).

Në vijim të shkrimit në MAPO, Loloçi përmend një grup autorësh që e kanë kapur me Kadarenë, të cilët përfaqësojnë atë që ai e quan “palluqëria” (!), duke shkruar mes të tjerash [theksimi është imi, A.V.]:

Natyrisht se nuk ia vlen të merresh me Rezart Palluqin, por palluqëria është më e gjerë brenda dhe jashtë kufijve zyrtarë të Republikës së Shqipërisë. Është pak a shumë i njëjti mendim që ka djali i eksponentit të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe nomenklaturës komuniste Ilir Demaliaj, që shpërndau letrën e Kadaresë; koncepti i kreut të sapozgjedhur të shoqatës antikomuniste demokratë dhe i nëndrejtorit të Institutit të Dokumentimit të Krimeve Komuniste, po aq sa mendimi i amanetmbajtësit që ka marrë në përdorim arkivin e Nexhmije Hoxhës; të Henri Çilit të UET që ka edhe Çmimin ‘Kadare’, por që boton marrëzitë e Mustafa Nanos për Gjergj Kastriotin dhe punëson ‘varrëmihësin’ e Skënderbeut Hysamedin Ferraj; koncepsioni i shokut Fatos Lubonja që do të dekonstruktojë mitet komuniste por asnjëherë nuk është shprehur për vrasjet pa gjyq të parisë nacionaliste, të kryera nga babai dhe nëna e vet gjatë viteve të para të regjimit komunist ; përsiatjet e Adrian Vehbiut me pejzazhet e fëlliqësisë dhe kështu me radhë të një llagëmi gjirizesh majtas, djathtas e në qendër që janë gjithmonë kundër vlerave më të spikatura properëndimore të shqiptarëve.

Pjesa me të zeza, por jo vetëm, më la pa gojë, sepse “palluqëria” e Loloçit përfshikësh edhe “Peizazhe të fjalës”, të fëlliqta, dhe në të njëjtin “llagëm gjirizesh”, ku janë mbledhur të gjithë ata që “janë gjithmonë kundër vlerave më të spikatura pro-perëndimore të shqiptarëve.”

Ngaqë e njoh disi Loloçin, i dërgova një mesazh për ta pyetur se çfarë e kish shtyrë të shprehej kështu për ne, dhe cili shkrim pikërisht në “Peizazhe të fjalës” ishte bërë shkas për këtë llahtari.

M’u përgjigj:

Nuk e mendoja asnjëherë që edhe ti me blogun tënd të bëheshe pjesë e skuadrës që hedh vrer kundër Kadaresë dhe me ke trishtuar shumë, që shkrova atë gjysmë fjalë kundër teje.

Kërkesës sime që, megjithatë, të më thoshte se çfarë pikërisht te “Peizazhet” ishte bërë sebep për këtë llangosje kaq falas, Loloçi nuk iu përgjigj (nuk i është përgjigjur ende).

Meqë me autorin e shkrimit nuk kam pasur ndonjë konflikt ndonjëherë, atëherë çdo ad hominem për të nxjerrë inatin duhet përjashtuar. Nga ana tjetër, kush e lexon “Peizazhet”, e di që unë, si A.V., ka disa vjet që nuk jam marrë pothuajse fare as me kritika as me lavde ndaj Kadaresë dhe aq më pak kam “vjellë vrer” ndaj tij; dhe jo se jam zotuar t’i qëndroj larg, por sepse besoj që polemikat rreth Kadaresë në mediat sot nuk kanë lidhje me letërsinë e krijuar prej tij, por me mitin e një personi, i cili ushqehet dora-dorës që flitet për të, në daç mbarë, në daç mbrapsht.

Dhe sidomos, nuk e kam mbuluar Kadarenë as me sherbet as me farmak, sepse kam pasur gjëra të tjera më të rëndësishme për të bërë.

Fjalët e hidhura të Loloçit më bënë të kthehem me mendje te një incident i para disa viteve; shumë nga ju me të drejtë do ta kenë harruar tashmë, edhe pse gjithnjë mund t’jua kujtojë faqja shqip e Wikipedia-s, të cilën një anonim është kujdesur ta hartojë për mua; ose faqja italisht ku thuhet mes të tjerash se “Vehbiu è riconosciuto come uno dei critici più accesi della persona di Ismail Kadare.”

Nuk më duket pa lidhje kjo punë me faktin që Loloçi, në artikullin e botuar tani në MAPO, e qorton Rezart Palluqin për një shkrim që ky e ka nxjerrë këtu e dy vjet të shkuara; sepse edhe kur flet për “Adrian” Vehbiun ky duket sikur është kthyer mbrapsht në kohërat kur emri im mbase lakohej akoma në të njëjtat kontekste publicistike me atë të Kadaresë (edhe si Adrian, edhe si Ardian).

Siç i shkrova atij autori edhe në privat, dhe siç mora konfirmim kur ai nuk arriti (ose nuk deshi) të më tregonte se ku pikërisht në “Peizazhe të fjalës” u “villka vrer” ndaj Kadaresë, përshtypja ime është që Çerçiz Loloçi më ka përfshirë në grupin armiqësor kundër Kadaresë sepse ashtu ia kanë thënë të tjerët, jo sepse e ka konstatuar vetë duke lexuar “Peizazhe të fjalës.”

Është i vetmi shpjegim që kam tani për tani, për pasazhin e cituar më lart dhe shqetësimin e madh të autorit. Përndryshe, siç thashë, unë u kam qëndruar larg ujërave toksike të polemikave që zhvillohen sot, rreth jetës private të Kadaresë; dhe që sado të zjarrta, nuk arrijnë dot të mbulojnë boshllëkun e një diskursi kritik dhe mirëfilli kulturor rreth veprës letrare të Kadaresë, marrëdhënies së saj me politikën dje dhe sot, dhe ndikimit të saj mes publikut shqiptar sot (boshllëk që i ka rrënjët edhe në censurë).

Ndërkohë, hidhërimi për fjalët mbetet; sepse Loloçin asgjë nuk e pengon që të vijë dhe të shfletojë “Peizazhet”, për të parë se tek ne flitet jo vetëm për heroin e tij të letrave, por edhe për gjithfarë temash të tjera; dhe se te “Peizazhet”, që ai me aq lehtësi i quan “të fëlliqta,” shkruajnë rregullisht një numër i madh kolegësh të respektuar për fjalën dhe për mendjen; pa folur pastaj për lexuesit e përditshëm; dhe pa folur për kujdesin e madh që tregojmë, për të ruajtur standardet e një publicistike gjithnjë dinjitoze.

Krejt shtrimi i debatit si “ke sharë Kadarenë/nuk ke sharë Kadarenë” është batak i rëndomtë; ku nuk po dua t’i këllas çizmet as tani seriozisht. Por më duket tejet groteske që sot dikush, cilido, të gjykohet në opinion nga pozicioni që ka mbajtur ose mban ndaj një shkrimtari – i cili është ende gjallë e shëndoshë dhe me një ushtri dashamirësish që e mbrojnë deri edhe nga armiqtë imagjinarë.

Më vjen keq për Çerçiz Loloçin, i cili me gjasë ka përfunduar i përdorur prej të tretëve; shpresoj që të gjejë aq kurajo në vete sa të tërheqë publikisht fjalët që ka thënë. Më vjen keq edhe për të gjithë ata që kujtojnë dhe besojnë se tallazi i tanishëm për letrën e Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës mund të ketë ndonjë vlerë çfarëdo, jashtë debatit që nuk u zhvillua, për marrëdhëniet e intelektualit me pushtetin gjatë viteve të totalitarizmit.

18 Komente

  1. Në Shqipëri duket thuajse e pamundur që të shtrohet një debat racional dhe etik ku palët të kundërshtojnë apo të diskutojnë si njerëz. Kultura jonë e komunikimit nuk ngrihet dot mbi thashethemin dhe sulmet ad hominem. Megjithatë, paçka se të paktë në numër, ka gjithmonë nga ata që do ta refuzojnë këtë qasje me fisnikëri dhe inteligjencë. Prandaj ne e duam Peizazhet, sepse na orienton pikërisht drejt kësaj mënyre të diskutuari dhe nuk vendos kënd përpara gijotinës.

    Përgëzime për shkrimin!

  2. Ca mendime “të pakrehura” duke marrë shkas nga paragrafi i fundit në blogun e z. Vehbiu…

    Debati për marrëdhëniet e Intelektualit me pushtetin gjatë viteve të tolalitarizimet mund të bëheshin apo bëhen nga:

    a – Intelektualët e asaj kohe që përjetuan pushtetin dhe marrëdhëniet me të “në lëkurën” e tyre
    b – Intelektualë “hibridë” me një këmbë në dy epoka (kam përshtypjen që komuniteti i Peizazhe gëlon nga syresh!)
    c – Intelektualë të “rinj” që nuk përjetuan pushtetin dhe marrëdhëniet me të po kanë dëshirë të hulumtojnë këtë temë.
    c- Në dialog midis grupeve për të korrektuar “miopizmin” kohor.

    Fatkeqësisht nuk kam asnjë ide se cilat janë prurjet në këtë fushë kështu që mund të bëj vetëm hamendësime me pak vlerë. (Do të ishte me interes në se komuniteti i Peizazhe do të listonte materiale që ja vlen të lexohen.)

    Fakti që duket se nuk kemi prurje nga të parët mund të tregojë se kemi pak Intelektualë të asaj periudhe të aftë për të sintetizuar përvojën e tyre gjatë totalitarizimit me kurojo, ndershmëri dhe pse jo duke kërkuar falje – së pari ndaj vehtes dhe pastaj komunitetit të tyre.

    Në se nuk kemi prurje edhe nga të tjerët kjo përsëri mund të tregojë se edhe këta akoma nuk pranojnë realitetin që “intelektualizmi” i tyre vazhdon të mbetet peng i “tragjedikomedisë” totalitare që ravijëzon jetët tona kudo që jemi e aq më tepër në Atdhe.

    I Mitrushi

    1. Mitrush, Shqiperia e gjitha gelon nga intelektuale “me nje kembe ne dy epoka”, sikurse thua ti. “Peizazhe” nuk eshte tjeter veçse pjese e ketij realiteti te madh. Meqe jemi te Kadareja, edhe ai vete, duam apo s’duam ne, qofte edhe per arsye thjesht biografike dhe anagrafike, eshte nje shkrimtar “me nje kembe ne dy epoka”.

      Sa per marredheniet me diktaturen, sot te lare dalin vetem ata mijera shqiptare qe paten kurajon t’i kundervihen hapur duke perfunduar ne burg si burra te vertete. Te tjeret, kush me shume e kush me pak, ishin ne tave dhe nuk kane goje te flasin sot. Po t’i pyesesh pse nuk e ngriten zerin atehere, te pergjigjen se nuk ishin heronj. Pra mos prit te kerkoje kush falje sot!

  3. Nuk do ishte çudi që ideja se në këtë blog është “hedhur vrer” ndaj Kadaresë ta ketë fillin në një kritikë të disa viteve më parë për një ribotim me frymë puriste të një romani të Kadaresë ku orientalizmat qenë spastruar për t’u zëvendësuar me fjalë “shqipe”. Them nuk do ishte çudi duke patur parasysh frymën dhe nivelin e debateve që zhvillohen rëndom rreth Kadaresë.

    1. Oksigjen, une nuk di se çfare vleresimi me te madh mund t’i besh vepres se nje autorit se sa duke mos e cilesuar si mumje vitrine, e duke i kushtuar nje studim teper te rralle ne letrat shqipe, siç ishte analiza e struktures se saj leksikore ne kohe. Kerkon njohuri e mund qe nuk ia kushton cilesdo veper.

      1. Sigurisht, ashtu mendoj edhe unë, por desha të them që debatet mbi Kadarenë shpesh kanë një predispozim aq emocional, politik e foshnjarak, sa nuk do ishte çudi që pikërisht një kritikë si ajo në fjalë, e lavdërueshme si përpjekje dhe që përmban vlerësim për veprën që trajton, të merret për ters. Qofsha i gabuar.

  4. Kjo qe ndodh me Kadarene eshte nje roman me vete. Vete Kadare – padyshim shkrimtari me i mire i shqipes – na thote se Diktatura luante me te. Se “Enveri e mbronte nga te vetet, nga sistemi qe kishte krijuar”, ndonese nje here shtroi edhe pyetjen: Nga kush me mbronte? Nga vetja?

    Te gjitha keto na cojne ne ate dilemen banale e te stisur nese ishte Enveri qe i frynte asaj qe ndodhi ne Shqiperine e dominuar prej tij, apo shumecka behej poshte.

    Sic mund ta dime tani, fryma percakton cdo gje. Nuk mund te kishte letra anonime, fleterrufe, kritika dhe lincime, po qe se ato nuk do te kishin jehone.

    Shumekush perpiqet te mirekuptoje situaten dramatike te Kadarese si shkrimtar ne raport me Diktaturen. Vete Kadare ka ndikuar qe ky raport te zhvendoset drejt ekskluzivitetit te marredhenies se tij me Diktatorin, duke krijuar nje siluete virutale prej “Diktatori” te ri qe frymezon dhe menaxhon kete lufte bajate thashethemesh dhe shantazhi. Mund te kete vullnetare, sigurisht, por polarizimi ne pro dhe kunder ka edhe firmen e tij. Ai mund te kishte zhbere shumecka nga kjo tollovi qe po mban me pune lloj lloj personazhesh.

    Eshte cinike por jo pa vertetesi te thuhet se: Doni te kuptoni Enverin ne raport me Kadarene? Kuptoni Kadarence ne raport me zhurmuesit dhe kritiket me ndryshimin e vetem se as Kadareja nuk eshte dot Enver dhe askush nuk eshte dot Kadare ne rolet e dikurshme. Parimi eshte i njejte. Nuk kuptohet se per cfare sherben akoma e gjitha kjo.

  5. Të kërkosh të falur për një gabim që ke kryer është shprehje qytetarie, dëshmi se je person me moral të lartë qytetar. E ky tipar, ne shqiptarëve të dalë nga diktatura, na ka munguar e na mungon në shkallë të lartë. Shkrimtari i talentuar Ismail Kadare e hodhi një hap të guximshëm në këtë drejtim kur shkroi në fillim të viteve 1990-të skicën “Prometeu i Pajtuar”, ku pranoi hapur se dhe ai kishte qenë “poet i oborrit” si po e quante turma e revoltuar. Mirëpo këtë hap të Kadaresë drejt katarsës nuk e ndoqën krijues të tjerë të cilët po ashtu kishin krijuar vepra artistike sipas parimeve të realizmit socialist, pra kishin punuar si propagandistë (shërbëtorë) të partisë shtet. Fatkeqësisht edhe sot ka shkrimtarë regjisorë, piktorë, kompozitorë, etj që vijojnë të mburren me veprat e tyre të krijuara në përputhje me politikën e partisë shtet.
    Shkurt muhabeti, t’i kujtosh Ismail Kadaresë një gabim që ka bërë në kohën e diktaturës dhe t’i thuash se ai është mirë t’i kërkojë të falur motrës së vet për gabimin që ka kryer dikur, nuk është aspak hedhje balte mbi këtë personalitet të shquar të letërsisë sonë, por e ndihmon atë që të na japë një mësim dhe ne të tjerëve si të veprojmë në raste gabimesh…

    1. I dashur Thanas, se ç’ka bërë dhe ç’bën Kadareja me të motrën është punë e tij private dhe gjithsesi pa interes publik. Unë këtu nuk kam shkruar për Kadarenë, por për lehtësinë me të cilin një koleg – Çerçiz Loloçi – e quan “të fëlliqtë” sajtin tonë Peizazhe të fjalës, vetëm e vetëm ngaqë ne këtu dikur diku mund të kemi kritikuar idhullin e tij. Ky është problemi. Ky është shqetësimi. Të lutem mos e devijo muhabetin në çështje të tjera, që janë jashtë teme.

  6. Arroganca që e bën tjetrin ta quajë “të fëlliqtë” një faqe si “Peizazhet”, punë e mund dhjetëvjeçar i një grushti njerëzish që janë munduar, rigorozisht dhe me prioritet, t’i ruajnë normat elementare të komunikimit, madje edhe t’u tregojnë të tjerëve si mund të ruhen këto norma; arroganca që nuk vjen nga Çerçiz Loloçi. Kur më ndodh kështu (se nuk është hera e parë), gjithnjë mendoj se mbiemrat – aq më tepër kur vihen falas – kanë efekt pasqyrë: fëlliqësinë dhe gjirizet i gjen te pësh-pëshet, intrigat, insinuatat, provokimet, etiketimet, paranojat, frazat me “një farë ky… një farë ai…”, thikat pas shpine, shpifjet, denoncimet, kundër-denoncimet. Është një gjuhë sovjetike, e një mendësie sovjetike, tipike përçmuese dhe megalomane, që sot qarkullon ende vetëm e vetëm ngaqë publiku nuk i ka mjetet për ta pikasur; një gjuhë sovjetike nga njerëz që u ka mbetur ora në plenumet e LSHA-së dhe që u djegin akoma hundët nga tymi i cigareve të njëpasnjëshme të Driteroit.

  7. Sulm dylekësh, që nuk ia vlen të merresh fare. Por një pyetje e kam për këta “rojtarë të Kadaresë” (se s’mund t’i quaj ndryshe): ata mendojnë vërtet se po i bëjnë nder Kadaresë, kur ia përdorin emrin si topuz për t’u rënë kokës ‎njerëzve që mund të kenë një mendim ndryshe nga ata, apo, më keq akoma, që t’u bien atyre që nuk u pëlqejnë apo me të cilët kanë inate personale?

    Këta kanë filluar të më kujtojnë pak Abdullain e Pashallëqeve të Mëdha, mbikëqyrësin e Kamares së Turpit, rojtarin e kokës në tepsinë prej bakri, që kishte dhe ai, dy herë në ditë, disaminutëshin e tij të famës, kur ngjitej në kamare për t’i hedhur kripë e mjaltë kokës.

    Vetëm se këta rojtarët e sotëm Kamaren e Turpit e kanë zëvendësuar me Kamaren e Nderit dhe aty kanë venë “kokën” e Kadaresë, për ta “mbrojtur” pastaj me fanatizëm nga armiqtë, realë apo imagjinarë, në 15-minutëshin e tyre të famës.

  8. Sulmi ndaj “Peizazhe te Fjales” eshte me te vertete i ulet.Reagimi i zotni Vehbiut eshte i drejte dhe korrekt.
    Por,ajo qe me intrigon eshte shembulli qe sjell (nje shkrim i A.A.B.),te cilin zotni Vehbiu,gjithe duke qene korrekt per vete( kur thote:sidomos ne krahasim me c’kam pare gjetiu), cileson korrekt nje shkrim qe per mua nuk eshte aspak i tille,perkundrazi eshte rasti tipik i sulmeve skuthe qe i behen Kadarese.
    Ai qe u be sebep per gjithe kete zhurmnaje,eshte nje gazetar i njohur.Vertete e ka postuar ne FB-ne e tij por,te gjithe e dime qe ka qene mese i vetedijshem,qe do te merrej nga portalet e do te behej zhurma e deshiruar.Dhe,me te vertete,ndodhi pikerisht keshtu.
    Ata qe duan te hedhin helmin e perhershem ndaj Kadarese veprojne ne nje menyre shume skuthe dhe acaruese.Bejne sikur jane te indinjuar per “zhurmen e kote”,madje indinjohen edhe pse portalet “vjedhin” materiale nga FB personal i tjetrit etj.
    Pastaj … u hap qe u hap ky debat,pa deshiren tone natyrisht(!),hajt te bejme analizen e pisllekut te hedhur ne FB personal te dikujt,i cili pisllek pastaj na qenkej vjedhur nga portalet!
    E kam vene re,qe shpejt, kete taktike te ulet qe perdoret per te goditur Kadarene.
    Gjithcka,pra,nis gjoja si padashje,si ashtu kot,pa menje,si nje gje krejt pa rendesi… gjithe duke qene te vetedijshem,qe kjo gjepogje,menjehere do te marre vemendjen e shumepritur.
    Dhe,pasi te ndodhe kjo,atehere fillon sulmi i vertete;justifikimi eshte gati: ne nuk deshem te shkruajme gje por … ja qe erdhi rasti dhe po themi edhe ne ate qe mendojme per ceshtjen ne fjale!
    Keshtu nisin perhere sulmet ndaj Kadarese.Perhere,perhere,perhere.Shume gje e shemtuar aa!
    Me perjashtime shume shume te rralla,sic eshte rasti i zotni Vehbiut,kritikat qe i behen Kadarese kane nje doze te madhe mllefi dhe nje deshire per ta zhburreruar,per ta poshteruar ate.
    Eshte pikerisht kjo arsyeja,se pse ka nje reagim te tille,qe i kalon caqet e etikes,nga “rojtaret e Kadarese”.
    Por,secilit hakun.
    Ata qe kritikojne Kadarene,sic e thame pra,kane njefare etike te cuditshme qe,gjithsesi,etike mbetet ne pamje te pare.
    Ata qe e mbrojne Kadarene,reagojne pa etike.
    Kjo eshte ne pamje te pare,pra.Pamja e dyte eshte krejt tjeter.Provokatoret,ne thelb,jane te pa-etiket;sepse,ata provokojne gjithcka, nga hici,vetem e vetem per te gjetur rast te derdhin mllefin e tyre,qe per mua akoma mbetet i pakuptuar,ndaj Kadarese.

    1. Timur,

      Më vini në një pozitë të vështirë duke më kritikuar në koment të një shkrimi ku cekem vetëm pak e tërthorazi. Do të kishte qënë goxha më e volitshme t’i kishit shprehur këto rezerva poshtë artikullit fillestar që ju krijoi këtë përshtypje.

      Ju ngrini dy probleme të veçanta: nga njëra anë “kritikën” time ndaj I. Kadaresë dhe nga tjetra qëndrimin e A.V. ndaj këtij shkrimi tim. Është e vetëkuptueshme që për këtë të fundit nuk mund të flas unë. Mjafton të themi që ai shkrim u paraqit për botim dhe m’u pranua. Nëse do të kishte pasur nevojë për redaktime që të vinte në vijë me politikën redaktoriale të kësaj reviste, ato do të ishin bërë.

      Përsa më përket mua, andralla është që ju realisht nuk flisni për shkrimin tim, po për një bashkësi të marrë me mend shkrimesh të ndryshme e kritikash ndaj z. Kadare, të cilat mund t’i keni lexuar këtu-atje. Është ironike, në fakt, që e shkërbeni kaq pastër shëmbëlltyrën e atyre që janë thellësisht të bindur për ekzistencën e një grupi kritizerësh të tij dhe veprës së tij, e që është pikërisht ajo çka nxiti, së paku pjesërisht, këtë shkrim të A.V.

      Po të kishit dashur, ose ndoshta po të kishit ditur, do të kishit lexuar se ajo e imja nuk qe kritikë, por mbrojtje e I. Kadaresë. Kjo jo sepse ai nuk ka mbrojtës në të katra anët, apo sepse nuk paska për t’u kritikuar, por sepse më erdhi ndot nga leximi prej demaskimi në mbledhje të kolektivit që iu bë asaj letre në shtyp. Sa ishte dashakeqe kjo mënyrë të vepruari, e sa e krijuar nga padija e atyre që e përçonin, këto nuk jam në gjendje ta them. Sido të ketë qenë, kishte vend për një trajtim më të ftohtë të asaj letre, të cilin u mundova të ofroj në PTF.

      Për dijeninë tuaj, kjo ishte hera e parë që prekja një tematikë të lidhur me I. Kadarenë me shkrim. Kështu siç qëndrojnë gjërat, është kokëçarje e madhe me dobi fare të vogël përfshirja në debate që kanë të bëjnë me të. Klima e përftuar gjatë tyre është e tillë që gjymton çdo impuls intelektual dhe vret çdo nuancë mendimi jashtë dikotomisë gati psikotike që ngjall figura e tij.

      Gjithashtu, zotërisë “gazetar të njohur” që nisi këtë gurgule nuk ia njohur madje as emrin përpara se të shpërndante fotografitë e letrës nga Arkivi i Shtetit. Nuk kam kohën e mjaftueshme për ta bërë publicistikën më tepër se një pasion të herëpashershëm. I zbulova të dyja nga butaforia e disa organeve të mëdha të shtypit në lidhje me to, gjë e cila, siç thoni, ishte marrë parasysh nga I. Demaliaj.

      Sa për pjesën tjetër të komentit tuaj, aty ku nuk zgjatet mbi fjalë apo mendimi të pashprehura kurrë prej meje dhe hamendje në erë për “sulme,” “mllefe,” e zhburrërime” që – me gjithë respektin – vetëm ju i shihni, ai (komenti) përbëhet vetëm nga sulme – do t’i quaja personale, por besoj që u drejtohen të gjithë “grupit” tonë konspirativ – që, edhe sikur të mos ishin kaq të vagullta e të pakuptimta, janë me një fjalor që unë nuk do të pranoja të përdorja gojarisht mes të njohurish të afërt, sikur për shaka.

      Nuk dënjoj, natyrisht, t’u përgjigjem.

      1. A.A.B.
        Nuk e kisha lexuar me pare shkrimin tuaj.Ju kishte permendur zoti Vehbiu,prandaj edhe komentin e bera ketu;natyrisht,pasi e lexova shkrimin.
        Letra e Kadarese nuk eshte filozofike apo nga ato qe shkrimtaret e medhenj u shkruajne sundimtareve,zakonisht per arsye madhore.Ajo eshte nje leter banale.
        Eshte kjo arsyeja se, pse mendoj qe nje analize,cilidoqofte motivimi,nuk ofron asgje tjeter,vecse banalitetin e saj(letres).
        Ju propozoni nje lexim tjeter te letres dhe stergjateni ne analizen tuaj.Une mendoj qe nuk ka lexim tjeter;per kedoqofte.Gjithcka eshte e qarte.
        Mirepo,kjo analize,sidomos stergjatja e saj,me apo pa dashjen tuaj,del ne ate perfundimin aq shume te dashur per dashakeqet : Kadareja,nje njeri i vogel…
        Dashakeqet e Kadarese e kane gjetur qe shpejt metoden e perbaltjes,e cila mund te permblidhet ne ate qe pat thene Ramiz Alia: Ismail Kadare nje shkrimtar i talentuar,por nje njeri i vogel!
        Eshte kjo arsyeja,qe me perjashtime te rralla,edhe ato per pjese te vecanta te krijimtarise se tij,Kadareja sulmohet si “njeri i vogel”.
        Mire – marrim me mend te thone me vete dashakeqet – eshte i talentuar,e pranojme,aq me shume qe talenti i tij eshte i certifikuar boterisht,ketu pra,nuk kemi se c’ti bejme … ama,si njeri te vogel mund ta akuzojme e ketu si marrim doren askujt,per me teper qe material kemi me bollek…
        Natyrisht,qe nuk ka ndonje “grup te strukturuar” anti-Kadare por,njefare grupi,goxha grup i madh,behet si me magji,kur dikush vendos te sulmohet Kadareja.
        Gjithsecili per arsyet e tij,shume te ndryshem e nganjehere edhe armiq me njeri-tjetrin,sapo u vjen rasti tregojne nje zell te habitshem per te “ndricuar” ane te erreta te njeriut te vogel Kadare!

        1. Timur, siç ta tha edhe kolegu, këtë koment ti duhej ta kishe bërë tek tema përkatëse.

          Me siguri e ke vënë re se kjo temë, ku ti po komenton tani, nuk u kushtohet “dashakeqëve të Kadaresë”, por “dashakeqëve të faqes Peizazhe të fjalës”.

          Se si operojnë këtë “dashakeqë të Kadaresë”, kësaj teme këtu nuk i intereson. Përkundrazi, i intereson si operojnë dashakeqësit e faqes sonë.

          Se si dhe për çfarë sulmohet Kadareja prej dashakeqëve, sërish kësaj teme këtu nuk i intereson.

          Në përgjithësi, kush e sulmon Kadarenë si person sot, si dhe pse, dhe nëse ka apo jo bashkëpunëtorë, kjo është çështje që duhet trajtuar veçmas.

          Aq më tepër që Kadareja vetë nuk ia ka lënë kujt mangut, kur ka qenë fjala për sulme.

          Mua gjithnjë më vjen keq kur vëmendja në mediat zhvendoset gjithnjë e më shpesh nga vepra e Kadaresë, te personi i Kadaresë. Kjo sepse mendoj që personi i Kadaresë, ashtu siç është shfaqur në publik, nuk i ka vlerat e veprës së tij dhe as besoj se pretendon që t’i ketë.

        2. Timur thotë:

          A.A.B.
          Nuk e kisha lexuar me pare shkrimin tuaj.Ju kishte permendur zoti Vehbiu,prandaj edhe komentin e bera ketu;natyrisht,pasi e lexova shkrimin.
          Letra e Kadarese nuk eshte filozofike apo nga ato qe shkrimtaret e medhenj u shkruajne sundimtareve,zakonisht per arsye madhore.Ajo eshte nje leter banale.

          Timur, Nuk e di se sit ë ka shpëtuar shkrimi i A.A.B.-së, por jo edhe shkrimi i A.V.-së këtu tek PF-ja. Megjithatë nuk rri dot pa konstatuar se ju duket të keni një cilësi të hatashme për të lexuar vetëm gjëra që lidhen drejtëpërdrejt apo edhe tërthorazi me “sulmet” ndaj Kadaresë, dhe në “binary mode” – nuk po them bardh-e-zi, por me siguri me zero dhe me njësha kur fillon dhe gërrmon për to rrjetin.

          Nuk po shkoj aq larg sa të them që ju jinni i programuar për të “gërrmuar” cdo gjë që perceptohet si sulm ndaj Kadaresë, por me siguri që keni një lloj simptome idolatrie, për adhurim idhujsh, që patjetër e konsideron “sulm” cdo lloj përqasje tjetër që nuk është adhuruese(*) kundrejt objektit (në këtë rast Kadaresë).

          * Për qëllim riprogramimi: {“nuk është adhuruese” ≠ “sulm”}. Enter.

  9. Kam nje “simptome idolatrie” per Kadarene,padyshim.Por,jo ne ate kuptim qe thoni ju.Ai nuk eshte politikan as ideolog e aq me pak profet.Kadare eshte nje shkrimtar.Nje mjeshter i fjales;nje artist i saj.
    Idolatria ne kete rast eshte nje gje e mire;nje gje shume e mire;e mire dhe e shendetshme.Une adhuroj artistin e fjales.Ata qe e sulmojne – personin tek i cili eshte misheruar ky artist.Dallimi eshte i madh.
    Nuk duhet te harrojme apo, per ata qe nuk u ka shkuar ndonjehere ne mendje,t’ua kujtojme,qe Kadare eshte i vetmi shkrimtar i madh,te cilin,shqiptaret mund ta lexojne dhe shijojne ne origjinal.
    Natyrisht,ka shume shqiptare qe lexojne letersi te madhe ne origjinal.Por,kjo letersi eshte ne gjuhe te huaj dhe keta shqiptare kane mesuar gjuhen perkatese,pa e kane lexuar.
    Megjithate,sado ta kene pervetesuar ate,sado me kulture te gjere e njohuri te thella,prapeseprape,nuk e shijojne kurre plotesisht.Kurre.
    Te shijosh Shekspirin,ne te gjitha fragrancat e magjise se fjales,duhet te jesh nje anglez;po keshtu duhet te jesh nje francez te shijosh me te vertete Balzakun.
    Ashtu sic duhet te jesh shqiptar,qe te shijosh plotesisht Kadarene.
    Kadare eshte i vetmi shkrimtar i madh i letersise boterore,qe shkruan shqip dhe qe eshte shqiptar.Letersia e tij eshte e vetmja e ketij niveli,qe shqiptaret mund ta lexojne ne origjinal dhe ne gjuhen e tyre.
    (Ne te vertete,ata qe e sulmojne Kadarene,pervec se nga shume e shume komplekse te tjera,vuajne edhe nga ky qe thoni ju).

Lini një Përgjigje te Ardian VehbiuAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin