MENDIME TË PAKREHURA (XXIII)

(nga Stanislaw Lec*)

Mos u ul në tryezë me kanibalët, mund të përfundosh ti vetë në pjatancë.

Urtësi duhet të ketë sa të duash, pothuajse askush nuk e përdor.

Çfarë lajkatarësh ata shkrimtarë satirikë, të cilët i përqeshin një populli virtytet që ky nuk i ka!

Rëndësi ka që çimkat të mos futen në ëndrra.

Ka momente kur liria ka tringëllimin e çelësave të gardianit.

Sa janë ata që, për ta parë kërthizën, pranojnë të ulin kokën?

Joshi armiqtë me ëndrrat e tua, ndoshta do ta lënë kokën duke u munduar t’i realizojnë.

Ah, sa Atlantida dalin në atlaset politike!

Ç’vlerë ka shtupa në gojë, kur mund të gëlltitet?

Profetët e rremë do ta vërtetojnë vetë profecinë e tyre.

Kush i bie në gjurmë një mendimi, të mos ua lërë qenve ta nuhatin.

Kush do ta shpikë vallë alfabetin për t’u marrë vesh me analfabetët?

Kush ka qenë monument, e ka pastaj të vështirë të jetë qoftë edhe model.

Ke etje për gjak? Bëhu plesht.

Ku gjendet miniera e urtësisë? Zakonisht atje ku e kanë varrosur.

Se nga vjen, varet nga gjenetika; se çfarë do të bëhesh, nga politika.

Cili është fati i njeriut? Të jetë njeri.

Ruaju nga fluturat efimere. Nuk kanë shumë kohë në dispozicion.

Ju që jeni lakuriq, kush vallë do t’ju kërkonte të bënit striptease?

Janë zhdukur nga hartat njollat e bardha, janë shfaqur njollat e përgjakura.

Errësirë është ajo gjendje e mjedisit ku shkëlqejnë qelbësirat.

U mblodhën vitet bashkë. “Le të krijojmë një epokë,” thanë.

Sa turp për rrufetë, që të kapen nga rrufepritëset!

Ndodh që kolltuku i pushtetit të rraset me forcë nën bythën e dikujt.

“Më kanë thënë që bota është e bukur,” vërejti i verbri. “Ashtu duket,” u përgjigj ai që shihte.

Kur kthehemi nga Z-ja në fillim të alfabetit, i gjejmë shkronjat të ndryshuara tashmë.

Është shumë e vështirë të lundrosh kundër rrymës së gjakut tënd.

Mos e zgjatni jetën me letargji.

Tregojeni gjuhën, para se të shtrëngoni dhëmbët.

Gjasat janë që bota të jetë krijuar nga frika prej boshllëkut.

Kush ka gjuhë të bindur, shpesh hesht.

Është shumë e vështirë ta fshish pikën nga i-ja.

Ka shumë që s’e kanë jetuar jetën e tyre, duke e kaluar kohën me vdekjen e tjetrit.

Urrejtja ime u plak dhe u kthye në përçmim.

Ëngjëjt? Pularia e kanibalëve.

Poetët që e konsumojnë veten duke shkruar nuk ishin veçse lapsa.


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: