MENDIME TË PAKREHURA (XXII)

(nga Stanislaw Lec*)

Edhe pleshti nuk kërcen nga gëzimi.

Aktet që nuk janë kryer shpesh, sjellin me vete një mungesë katastrofike pasojash.

Jo çdo masë e hirtë ka lidhje me trurin.

Shumë shpesh luajmë estradë pa shpresuar se do të na duartrokasin.

Çfarë është vetvetiu qesharake përjashtohet nga satira.

Ka edhe ca që i paguajnë, për të mos duatrokitur.

Heronjtë pozitivë nuk ka pse t’i krijosh, mjafton t’i emërosh.

Shkrimtari që nuk zhytet thellë mbetet gjithnjë mbi ujë.

Kur arsyet janë të brishta, ngurtësohen pozicionet.

Kush ka gjetur jehonë, përsëritet.

Të gjitha tragjeditë e mëdha kanë një happy end, por kush ka durim të rrijë ulur deri në fund!

Poeti i sheh me dyshim fjalët e veta: cila do t’ia zbukurojë stelën e varrit?

Mos u ngutni që ta dramatizoni jetën. Po sikur të gjendeshin aktorë më të mirë për rolet tuaja?

Nganjëherë shkrimtari humorist bie në depresion: nuk arrin të jetë më qesharak se patosi i tjetrit.

Vetëm kur u fut në karrocë, e kuptoi se kish qenë karrocieri.

Fjala mjafton – çfarë mbetet janë llafe.

Poeti peshkon te rrëkeja që i rrjedh në vete.

Kam parë efekte që çdo vit prodhonin nga një shkak të ndryshëm.

Analfabetët duhen lejuar të diktojnë.

Shumë pak vetë në shekullin XIX e parashikonin se pas këtij do të vinte shekulli XX.

Ata që mungojnë nuk kanë kurrë të drejtë, por shpesh e shpëtojnë kokën.

Ata që kur vdesin nuk shquajnë asnjë farë diference, nuk meritonin të lindnin.

Je bir i kohës sate. Të takon të zgjedhësh babanë.

Kur janë të pastreha, idetë gjithnjë gjejnë shtëpi te njeriu.

Ndodh që nga tryeza e padronit të bjerë poshtë mysafiri.

Njerëz, le të mos ia kthejmë shpinën njëri-tjetrit! Rrezikojmë ta vëmë re që jemi të pikturuar vetëm nga njëra anë.

Martir i vërtetë është ai të cilit i mohohet edhe ky titull.

Është më lehtë ta shpallësh veten perandor, se portier.

Gjithnjë kthehemi te dashuria e parë. Ndoshta. Por me synime çdo herë të ndryshme.

Njerëzit lindin me iniciativë private, por me kërkesë sociale.

Ka ca sfonde që nuk lejojnë t’u vësh asgjë përpara.

Vetëm kush është mbyllur në kafaze ari mund të shpresojë që ta çlirojnë që andej.

Nëse gjendesh me ujkun në shpellë, mos ia shpreh përçmimin.

Jo çdokush që di më shumë se ç’duhet, e di.

Mos bërtit që “mbreti është lakuriq” vetëm kur të tregon të pasmet.

U transferua nga Sodoma në Gomorra.

Edhe përmasat e universit do të jenë sekret ushtarak.

Djalli nuk fle. Me të parin që vjen.

Fund i nekrologjisë: Nuk vdiq! Ndërroi regjimin e jetës.

Breshkës i duhet të jetë kaq e fortë ngaqë është shumë e butë.

Mos harroni kurrë që mollaqet kujtojnë se janë fasada.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: