ROENTGENIZDAT

Rusët janë amatorë të thekur të muzikës së mirë amerikane. Dikur këtu në PTF kam patur rast të përmendur librin A Russian Journal të Steinbeck-ut, ku ai duke përshkruar udhëtimin e tij në Bashkimin Sovjetik menjëherë pas L2B, flet për pasionin e rusëve për jazz-in amerikan, edhe pse tromakset nga niveli i interpretimit të orkestrave të tyre. Gjithsesi, ajo që ishte e paimagjinueshme në Tiranë, nuk ishte e tillë në Moskë. Në sallat e hoteleve dhe restoranteve të ndryshme, të sapoardhurit nga fronti, linin kapelen në tavolinë dhe ngriheshin të kërcenin nën tingujt e jazz-it.

Steinbeck-u, përshkruan edhe një darkë në një restorant ku shkoi krejt rastësisht, dhe flet për një tenor që mori mikrofonin, edhe pse nuk kishte fare nevojë për të, dhe këndoi “Old Man River” dhe disa këngë të njohura të Sinatrës si “Old Black Magic” dhe “I’m in the Mood for Love”.

E pra, kjo punë nuk do të ketë zgjatur shumë. Me rënien e perdes së hekurt, nga radiot dhe orkestrat ruse u fshi krejtësisht edhe një pjesë e mirë e muzikës perëndimore. Por pasioni rus për të me sa duket nuk u shua asnjëherë.

Është folur shumë për disidencën e letrave që shprehej nëpërmjet botimit klandestin të broshurave, librave e revisteve e që njihet me emrin samizdat (самиздат) që do të përkthehej vetë-botim, por jo aq shumë për roentgenizdat-in, përhapjen klandestine të muzikës së ndaluar. Eshtë me të vërtetë një histori tjetër e mrekullueshme guximi e mosnënshtrimi, se kundërvajtësit nuk rrezikonin ndonjë gjobë, por vetë gulagun. Jazz-i ishte tashmë kolona zanore e armikut të betuar të Bashkimit Sovjetik, Amerikës, por bashkë më të duhet kujtuar se ishte e ndaluar edhe muzika e cilësuar ekstravagante e kompozitorëve vendës, ajo e emigrantëve rusë, të shpallur armiq të atdheut, por edhe e artistëve të tillë se tenori V. Kozin, i cili ishte arrestuar si homoseksual.

Dëshmitë e dredhave që i bëhej censurës sovjetike nuk kanë munguar, por vitet e fundit është një dokumentar i realizuar Stephen Coates, shef i grupit britanik The Real Tuesday weld– që e ka risjellë në sytë e opinionit botëror këtë histori të pabesueshme të riprodhimit të muzikës së ndaluar në Bashkimin Sovjetik.

Me sa del, ai vetë ka rënë në gjurmët e saj në mënyrë krejt rastësore. Gjatë një turneu të vonshëm në Rusi ai tregon se u ndodh një ditë në një pazar rraqesh dhe aty i zunë sytë një lloj filmi radiografie në formë të rrumbullakët dhe me një vrimë në mes. Edhe ai që e shiste nuk e dinte se çfarë ishte. Stephen e mori me vete në Londër dhe aty nisi të interesohet më me nge pranë emigrantëve rusë se për çfarë bëhej fjalë. Dhe mëson se kishte rënë në gjurmët e disidencës muzikore, të shpërndarjes së muzikës së ndaluar me një “teknologji” krejt të çuditëshme, që kishte si lëndë bazë filmat radiografikë. Ndryshe disqe të tillë muzikorë njiheshin edhe me emrin familjar ribs (brinjë), meqë në to dalloheshin qartë trajtat e skeletit të njerëzve, pasojë e përdorimit të tyre të parë për qëllim mjeksor. Duket e gjitha kjo i dha Stephen Coates idenë e dokumentarit të tij (The Strange Story of Soviet Music on the Bone).

Në origjinë të kësaj disidence aq të veçantë del të jetë një polak, i cili më 1946 sjell në Moskë, si trofe luftë nga Berlini, një makinë të çuditshme, prodhim i markës Telefunken Recording. Ishte e kundërta e një gramafoni. Në vend të gjilpërës që bënte të vibronte zëri i regjistruar në disk, ajo kishte një lloj maje të mprehtë që hapte një tragë në plastikën e një disku të pangarë më parë dhe linte aty të gjitha vibracionet e frekuencave të pjesëve muzikore të një disku tjetër që rrotullohej ndërkohë në një gramafon të zakonshëm. Dukej se fillimisht një aparat i tillë do të qe përdorur nga gazetarët gjermanë për të regjistruar reportazhet e tyre drejtëpërdrejtë nga fronti.

Polaku në fjalë arriti të marrë pa shumë vështirësi një autorizim për hapjen e një dyqani ku njerëz të ndryshëm vinin dhe regjistronin për qejf zërin e tyre në disqe plastikë. Pas fotografive ja edhe një mënyrë origjinale për të e patur si kujtim diçka tjetër nga vetja a të tjerët.

Punët nisin t’i shkojnë mbroth, por jo thjesht për shkak të aktivitetit që kishte deklaruar. Pasi mbyllte dyqanin, polaku jepej me pasion pas një marifeti tjetër, të ndaluar nga regjimi : riprodhonte disqet e muzikës tashmë të ndaluar. Ato pastaj ua shiste melomanve dhe pa e ditur vetë që bërë kështu pirati i parë në këtë fushë.

Por gjithçka do të kishte mbetur gjësendi mjaft e kufizuar sikur një ditë të mos qe paraqitur në dyqanin e tij Ruslan Bogoslovsky, i cili dëgjon tingujt e një tangoje, që edhe ajo ishe muzike e ndaluar. Menjëherë ai pyet polakun tonë nëse është e mundur që të blejë një disk të tillë. Pse, jo? Vetëm se duhej të vinte pas të mbyllej dyqani.

Në pak kohë Bogoslovsky bëhet nga blersit e tij më të mirë. Por një gjë e tillë e tërhoqi aq fort sa bashkë me një mikun e tij, Boris Taigan, nisi të vrasë mendjen se si të merreshin edhe ata me një veprimtari të tillë, të fabrikonin disqet e tyre. Në atë kohë as mund të bëhej fjalë të gjenin edhe ata një makinë në tillë, por ama gramafonët e vjetër për t’i dëgjuar disqet e piratuara nuk është se mungonin në Bashkimin Sovjetik të kohës së Stalinit. Kjo i shtyu të përpunojnë idenë e shpikjes së një makine regjistruese të tillë si ajo qe kishin parë. Nga ana e tij Bogoslovsky prej kohësh kishte nisur të mbante shënime e të skiconte pjesë të ndryshme të aparatit të tij të ardhshëm të rregjistrimit, por në këtë ndërrmarrje, ai kërkoi edhe ndihmën e të atit, që ishte një inxhinier i njohur. Dhe pas një pune intensive klandestinë në daçan e tij në periferi të Sankt Petërsburgut , ai dhe Taigan arritën të krijojnë aparatin që u duhej.

Por pas kësaj etape vinte një problem tjetër po aq i vështirë; gjetja e disqeve të pangarë, të virgjër, mbi të cilët do të regjistronin muzikën e ndaluar. Në atë kohë blerja e tyre ishte krejt e pamundur. Po aq i pamundur ishte edhe prodhimi i tyre, për shkak të lëndës shumë speciale që duhej.

Dhe këtu spikat gjenialiteti i vërtetë i kësaj shpikjeje; përdorimi si suport regjistrues i radiografive mjekësore, i filmave që përdoreshin për t’iu ekspozuar rrezeve x apo röntgen që ishin zbuluar që më 1895. Kjo është arsyeja që në analet e disidencës sovjetike një veprimtari e tillë do të gjinjet me emrin Roentgenizdat.

Për hir të së vëretës duhet thënë se një procedurë e tillë regjistrimi ishte shpikur në vitet ’30 në Çekosllavaki dhe Hungari, ku stacionet e radios, kishin nisur të arshivonin emisionet e tyre duke i rregjistruar në radiografi mjekësore. Më tej kishte edhe persona të veçantë që regjistronin disqe të tilla në shtëpitë e tyre. Por dy personazhet e mësipërm duhej ta rimerrnin këtë procedurë nga e para.

Në pikëpamje teknike, radiografitë mjekësore të asaj kohe që të mund të ruanin gjurmët e lëna nga rrezet x në sipërfaqen e filmit, mbuloheshin me një shtresë të hollë xhelatine, që siguronte mosfshirjen e informacionit. Pikërisht një cilësi të tillë do të shfrytëzonin piratët tanë entuziastë. Pasi i prisnin në formë të rrumbullakët dhe u hapnin një vrimë në mes, ata mbi këtë shtresë xhelatine regjistronin frekuencat muzikore të muzikës së zgjedhur për shpërndarje.

Për fat, kishte një fenomen tjetër që lehtësonte gjetjen e këtyre filmave. Për shkak të lëndës që përdorej, ata ishin lehtësisht të djegshëm, gjë që i detyronte spitalet të mos i mbanin në arkivat e tyre, por t’ua jepnin kujtdo që i kërkonte. Për të patur sasinë e nevojshme të prodhimit të tyre “industrial” Bogoslovsky-t dhe Taigan-it nuk i mbetej veçse të paraqiteshin në dyert e spitaleve me ndonjë shishe vodka në dorë dhe të mbushnin krahët me lëndën e tyre parë.

Si përfundim, ata që blinin të tilla disqe muzikorë, shihnin në to edhe edhe gjurmët e lëna në film të kërcinjve të thyer, brinjëve të coptuara, falangjeve të përgjysmuara etj.

Suksesi është i menjëhershëm. Grupi i piratëve nisi të rritej dhe Bogoslovsky-t i lind ideja që veç disqeve të prodhojë edhe aparate të tjera regjistrimi. Kjo bëri që me kohë numri i atyre që riprodhonin në disqe të tillë muzikën e ndaluar të bëhej krejt i pakontrollueshëm nga ata që ishin nismëtarët e saj.

Qe një veprimtari që edhe nxirrte ndonjë farë fitimi, por jo shumë. Madje kur grupe të tjera do të punonin për fitime kolosale, atëhere do të vihet re një rënie e dukshme e cilësisë së regjistrimeve. Qëllonte që njerëzit blinin të tilla disqe në tregun e zi dhe kur shkonin në shtëpitë e tyre, dëgjonin vetëm disa zhurma të tmerrshme.

Më 1950 i gjithë grupi arrestohet. Bogoslovsky dërgohet për 5 vjet në gulag, ndërsa Taigan dënohet me dy vjet më shumë sepse veç muzikës së ndaluar kishte regjistruar edhe muzikën që kompozonte vetë, gjë fort e ndaluar nga autoritetet e vendit.

Gjithsesi ata nuk qëlluan pa shans, sepse veprimtaria e tyre nuk u cilësua si disidencë politike, por si veprimtari kriminale. Kjo shpjegon edhe dënimin e tyre relativisht të butë.

Me vdekjen e Stalinit, dy vjet më vonë, bashkë me mbi një milion vetë të tjerë nga gulagu u liruan dhe Bogolovsky dhe Taigan.

Grupi fillon punën nga e para por përsëri arrestohet dhe dënohet me burg për dy vjet të tjera. Por kjo nuk i pengoi që kur dolën nga burgu të fillonin edhe një herë tjetër… Me atë që bënin duke rrezikuar aq shumë ata u jepnin mundësi një numri të madh njerëzish kënaqeshin e kultivonin shije të tjera muzikore. Edhe mjaft muzikiantë rusë që nuk pranoheshin nga regjimi si Arkadi Severni, bënë emër të madh nëpërmjet përhapjes klandestinë të krijimtarisë së tyre

E vërteta është, thotë S. Coates, se ata nuk kishin për qëllim që të rrëzonin regjimin, por thjesht që t’u jepnin mundësi miqve të tyre që të dëgjonin muzikë të ndaluar, muzikë që e pëlqenin.

Sot Bogoslovsky kujtohet si një hero i kulturës underground, por në thelb veprimtaria e tij i detyrohet shumë edhe natyrës që kishte. Nuk ishte dikush që ishte bërë për t’iu bindur rregullave, thotë Coates.

E për pasojë, sot janë të shumtë ata që kujtojnë se në rininë e tyre kishin fshehur e këmbyer nën xhaketë regjistrimet e këngëtarëve të tillë si Ella Fitzgerald, Duke Ellington apo Billie Holiday dhe të shumë orkestrave të mrekullueshme, që i dëgjonin fshehurazi, natyrisht pa ditur shumë gjëra se si ishte bërë e mundur që të vinte deri te ata.

4 Komente

  1. Ka nje stacion radioje ketu, Fair Child Radio quhet, qe jep programe ne gjuhe te ndryshem, simbas komuniteteve ne qytet. E gjeta fare rastesisht tek prisja i ngujuar ne makine dhe perpiqesha t’i shpetoja muzikes se lodhshme qe jipesh ne 7 te mengjezit, ne stacione te ndryshem, qe nga muzika afrikane ne stacion frengjisht e deri tek “kanceri” i fundit ne Virgin Radio
    Cdo gjuhe ne Fair Child Radio ka nga nje ore program. Programi ne italisht eshte nga 7 deri 8 te mengjezit. Ka goxha provincialisma, por muzika eshte interesante dhe shpesh e bukur. Nje dite drejtuesja e programit lajmeroi se ate dite do merreshin me kenge te ndaluara, qe nuk ishin lejuar te jepeshin as ne radio e as ne televizion. Madje edhe shtepite diskografike i kishin bojkotuar . Per nje moment ngela. Cfare kengesh italiane mund te ishin te ndaluara. Edhe si koncept me dukesh i cuditshem, jo me si praktike. E dija qe Mines per shembull i paten nderruar disa rrjeshta ne nje nga kenget, per shkak te sensibilitetit katolik. Por vetem kaq.

    Dhe vijme tek “Io se fossi Dio”

  2. Më tërhoqi vëmendjen nje frazë në shkrimin e mësipërm – …flet për pasionin e rusëve për jazz-in amerikan, edhe pse tromakset nga niveli i interpretimit të orkestrave të tyre. Po ne në Shqipëri cfarë niveli jazz-i kemi patur? Nga vinte informacioni për ato pjesë që luheshin? Ndoshta indirekt pikërisht nga B.S.dhe vendet e lindjes? Trashëgimi e paraluftës? Unë kam qenë i ri në vitet ’80 dhe pothuaj pa njohuri për muzikën jazz e megjithatë mbaj mend meloditë që orkestrat e hoteleve të “turizmit” apo disa bareve luanin – dhe më vone kam kuptuar që ato ishin jazz samba, bossa nova, smooth jazz, etj. Besoj që ishin pjesë te Stan Getz, Charlie Byrd, Antonio Carlos Jobim e ndonjë tjetër. Shpresoj që dikush i apasionuar dhe i mirëinformuar të sjellë më shumë informacion për këtë temë.

  3. Materiali qe sjell durimpaku eshte interesant, por ajo qe kuptoj une eshte se edhe ne krahasim me Rumanin jemi ne qe mbesim ana e erret e henes. Shoqia mire e ka duke qe numeron privacionet e rinise rumune qe nuk i linin te kendonin ne tv me floke te gjata (te ne Fatmir Xhafa do e krasiste me gershere delesh sa pa dale nga shtepia), por edhe pse nuk i shkova deri ne fund studimit, nuk pashe te thote se ne Bukuresht ftoheshin te jepnin koncert grupet me te medhe te kohes, aq nuk permend se Caushesku shkoi dhe vizitoi pese here Ameriken. E imagjinoni ju mullain tone duke ecur poshte empire state bilding i shoqeruar nga Sulo Gradeci?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin