KASTRA E GJINOS

Në faqen e vet në FB, studiuesi Auron Tare kërkon të dijë origjinën e emrit Gjinokastra, si variant të standardit Gjirokastra; duke vërejtur se të parin e ka ndeshur rëndom në literaturë dhe në dokumente.

Të tjerë që kanë ndërhyrë në diskutim, përfshi edhe gjuhëtaren Ledi Shamku-Shkreli, kanë vërejtur se forma Gjinokastra ndeshet edhe sot në përdorim në të folmet e zonës, dhe në veçanti në Golem, madje edhe në gojën e personave gjysmë-analfabetë.

Për t’u përjashtuar, gjithsesi, që Gjinokastra është versioni gegnisht i emrit të qytetit.

Ideja që emri Gjinokastër të lidhet njëfarësoj me Gjinët e famshëm të zonës, që nga Gjin Bua Shpata te Gjin Zenebisha tundon, por nuk i qëndron dot kritikës.

Në fakt, emri i qytetit Αργυρόκαστρο – Argyrokastro del në kronikat bizantine që në vitin 1336 (Gjon Kantakuzeni), ose para se të shfaqeshin në histori dy Gjinët e mësipërm.

Gjithashtu është e pazakonshme që një qytet të quhet sipas emrit të sundimtarit – në rastin tonë Gjin; më gjasë do të kish pasur, në këtë situatë hipotetike, që të përdorej mbiemri.

Në greqishte, emri ka kuptimin “kështjellë e argjendtë” dhe emërtimi është strukturalisht në pajtim me “kastrat” e tjera të zonës.

Shpjegimi që e lidh emrin e qytetit me princeshën Argjiro është konsideruar si folklorik. Një teori tjetër e lidh emrin e qytetit me fisin e Argjirëve, që jetonin në atë zonë.

Osmanët e quanin qytetin Ergiri; një emër që ndeshet ndonjëherë në shqipe si Ergjëri.

Të gjitha këto janë gjëra të ditura dhe nuk shpjegojnë as origjinën, as përhapjen e emrit Gjinokastër.

Vëzhgime të miat personale më lejojnë të them se Gjinokastër u përdor gjerësisht duke filluar nga fundi i shekullit XIX e deri dikur në mes të shekullit XX; nuk më rezultojnë përdorime më të hershme.

E kam parë të përdoret shpesh në shtypin e diasporës; por edhe në tekste të viteve 1930 nga autorë si Çabej.

Hipoteza ime është se Gjinokastër është një krijim savant i Rilindjes, për ta shkëputur qytetin nga sfera onomastike dhe kulturore greke.

Veçanërisht vlen kjo për periudhën kur Greqia kish pretendime serioze ndaj Shqipërisë së Jugut dhe kërkonte ta aneksonte Gjirokastrën, mes të tjerash edhe me argumentin se bëhej fjalë për një qytet thjesht grek (“siç e tregonte edhe emri”).

Gjinokastra, kushedi e mbështetur dhe e frymëzuar nga emrat e Gjin Bua Shpatës dhe Gjin Zenebishës – dy sundimtarë arbër të zonës dhe të qytetit vetë – ishte një version alternativ ndaj emrit Gjirokastra, që mund të përdorej dhe në fakt u përdor për qëllime patriotike.

Unë vetë jam me origjinë gjirokastrite, por nuk mbaj mend ta kem dëgjuar ndonjëherë emrin Gjinokastra në familje; edhe pse shumë gjirokastritë në mërgim dalin në shtypin e diasporës si nga Gjinokastra (dhe im gjysh ka qenë një prej tyre, në vitet 1920).

Do ta quaja emrin Gjinokastra si një affectation, që e kreu detyrën dhe tani është mënjanuar nga përdorimi; me përjashtim të disave që vazhdojnë ta përdorin, duke e kujtuar për versionin gegnisht të toskërishtes Gjirokastra.

Megjithatë, edhe shpjegimi im është spekulativ. Do të mirëprisja kontribute nga kolegë dhe lexues të informuar për këtë çështje; dhe veçanërisht, do të doja të di nëse gjendet gjëkundi ky toponim, në variantin Gjinokastra, në harta ose botime të para-Rilindjes.

34 Komente

  1. Une kam patur gjyshen nga Permeti dhe e perdorte vetem ne formen Gjinokaster. Ajo, dhe si femije mbaj mend edhe te gjitha plakat e zones. Vdiq me 1988 dhe kujtoj se te rinjte talleshin me formen Gjinokaster qe u kishte mbetur pleqve. Pra me pas sesa mesi i shekullit XX. Madje edhe sot, nje e afermja jone qe vazhdon te jetoje dhe po le 100-vjeteshin pas e perdor ne ate forme: Gjinokaster. Sikur te marr vesh se ne gojen e saj kjo forme do kete hyre terthorazi nga rrekete e mesimeve dhe predikimeve rilindase, do me dukej me shume se cudi. Sepse mua Gjinokaster ne gojen e saj dhe te brezit te saj ne ate zone, bashke me lutjet e tyre dhe ca fjale te tjera qe po ikin me ta nga kjo bote, me duket si forma e vetme qe ata kane ditur dhe degjuar.

    Interesant “kembengulja” per perdorimin e kesaj forme Gjinokaster ketu: http://www.nytimes.com/1997/10/20/world/adil-carcani-75-a-leader-in-albania-s-stalinist-twilight.html dhe ketu: http://www.nytimes.com/1994/12/19/world/conflict-with-greece-leaves-some-in-albania-perplexed.html.

    Ideja e rrezikut grek me duket shume e ekzagjeruar, per me teper qe ky operacion nuk u ndoq ne asnje rast tjeter.

  2. Kjo Gjinokaster ne Jug eshte me te vertete shume interesante.

    Edhe ne Vlore ka qene masivisht e perhapur , edhe ne fshatra. Te vjetrit perdornin vetem Gjinokastra. Ishte e degjuar deri vone, edhe pas viteve ’60 sepse perdorej ne familje.

    U zhduk nga perdorimi me siguri per shkak te shkolles ku perdorej forma me ‘r’.
    Pikerisht kjo, mungesa e shkolles e ben thuajse te pamundur perhapjen e versionit me ‘n’ edhe po te ishte nje nisme e rilindasve.

    Kam pasur pershtypjen se forma ‘Gjinokastra’ ne Jug perdorej vetem ne Laberi.
    Ne dialektin lab hasen disa ngjashmeri me gegnishten,si psh reduktimi mb-,nd-,ng- ; emra tri gjymtyresh,po ashtu.

    (Por n! sjell rastin e gjyshes ne Permet; nuse ne Permet , dmth mund te jete edhe e ardhur. Po edhe atje , ne Permet mund te perdorej si ne Laberi)

    1. Jo ishte bije ne Permet nga te dy krahet. Dhe edhe plakat e tjera flisnin keto forme Gjinokaster. Kete e mbaj mend mire. Permenda grate sepse jane me konservatore ne ruajtjen e te folures.

      Pyeta dhe me thane qe brezi qe ka jetuar deri ne vitet ’70 i thoshin Gjinokaster edhe ne fshatra te Skraparit, kurse ne Mallakaster te Eger i kane thene Gjinokaster deri vone. Edhe pleq qe kane vdekur keto vite por qe kane qene 80-90 vjec.

      1. Ndoshta gabohem, por po më duket sikur ka një përkim midis shtrirjes gjeografike të variantit Gjinokastër në Jug dhe zonave të bektashinjve. Çfarë unë e shoh si një mbështetje të hipotezës sime – sepse pleqtë e tanishëm do të kenë qenë nxënës nga të hershmit të shkollave shqipe të Rilindjes.

        Nga një kërkim në Google Books, më del që kjo formë, Gjinokastër, përdoret në tekste me natyrë praktike dhe politike, dhe mjaft dendur në diasporë (por kjo mund të jetë edhe një iluzion, që vjen ngaqë tekstet e diasporës janë përfaqësuar më mirë në bibliotekat e skanuara nga Google).

        Por nuk më del asgjë në shekullin XIX.

        1. Une nuk mbaj mend te kem degjuar po kaq shpesh formen ‘gjinokastrit’ e cila nuk harrohet asnjehere pasi ben xing ne dialektin jugor, Kurse Gjinokaster shihej si arkaizem qysh atehere. Edhe perkthyesi i Dhiates quhej Grigor Gjirokastriti.

          Nese nuk gjen shpjegim ne planin gjuhesor atehere kemi te bejme me nje mbjellje te natyres administrative dhe shkollore.
          Gazeta “Shqip” botonte sot nje portret te Cabejt bere nga Poradeci mbi nje faqe leternjoftimi. Viti 1925 i leternjoftimit, shkruhet Gjinokaster. Por edhe Lasgushi perdor te foluren “zyrtare” ne shenimin me shkrim dore. Qe duhet te na beje te mendojme se kemi te bejme me nje bindje te thelle ndaj rregullit.

          http://gazeta-shqip.com/lajme/2017/08/06/portreti-me-cigare-qe-lasgush-poradeci-i-beri-eqrem-cabejt/

          Po te pranojme aspektin politik mendoj se kjo nderhyrje e Jug nuk shkon perpara vitit 1914 qe ka te beje me ngjarjet Autonomise se Epirit. Pak a shume si debati i sotshem per Himaren. Pra ndoshta duhet ta lidhim me periudhen e Pavaresise dhe jo te Rilindjes. Perhapja kaq kapilare mund te kerkoje shpjegimin edhe te nje roli te mjediseve fetare, pasi ne ate kohe ndarja fetare po thellohej. Dhe qe ketej edhe tema e patrajtuar e politikes se myslimaneve te Jugut kunder Greqise dhe Kishes qe perben ne fakt nje gati manifest te ri te nacionalizmit shqiptar qe gjen shprehje edhe te regjimi i 1945-es.
          Nje dobesi e kesaj qasjeje eshte se kjo nderhyrje mund te kishte kuptim ne komunitete dygjuhesh, por ate kohe me sa di vetem Lunxheria e kishte kete karakteristike.

        2. Ardi, do ta shihja pak me dyshim bektashizmen si faktor perhapes, ngaqe sic te thashe me del edhe ne Saraqinishtë, ne familje jete e mor ortodokse (fjala vjen ne krejt fisin e Vaso Netit me te cilin kam krushqi), fis per te cilin jam e bindur qe nuk i ka ndjekur shkollat e bektashinjve. E po asntu me del ne thuajse krejt ortodokset e Saraqinishtes.

          1. Ke të drejtë, Led. E habitshme përhapja e emrit mes ortodoksëve të Jugut. Sa më shumë që lexoj për këtë, aq më shumë bindem se do ta meritonte një studim serioz; edhe pse deri tani nuk kam parë asnjë argument që të ma kundërshtojë hipotezën e bëhet fjalë për një neologjizëm të Rilindjes, ndoshta të bazuar edhe te një pseudo-gegizëm.

  3. Dikur kam lexuar një artikull nga Moikom Zeqoja, i cili citonte veprën “Contributi alla cronologia albanese” të Giuseppe Valentini-t, ku hidhet dritë mbi prejardhjen e toponimit “Gjirokastër”.

    1. E ndesh të botuar në dokumente të shkruara në toskërishte, si te Kalendari i Vatrës “i motit 1918”. Edhe te shkrimet e Çabejt, që në vitet 1930 ka botuar edhe gegnisht edhe toskërisht, e ndesh si Gjinokastër, çfarë më bën të dyshoj se, në atë kohë, të thoshje Gjinokastër, ishte shprehje e një qëndrimi të caktuar, ndoshta patriotik. Ka pastaj edhe shumë dëshmi, përfshi edhe këto që u sollën këtu (por edhe të tjera te diskutimet në faqen e A. Tares në FB) që Gjinokastër e kanë dëgjuar të përdorur gjerësisht në Jug. Mund të jetë formë pseudo-gege e adoptuar nga toskërishtja për të kundërshtuar Gjirokastrën e perceptuar ose të deklaruar si greqishte. Ma merr mendja se Gjinokastër e përdorin sot shpesh ata që flasin (e shkruajnë) gegnisht, duke e kujtuar se i përket si formë atij dialekti, dhe kundërvënien Gjinokastër/Gjirokastër e gjejnë të ngjashme me venë/verë, ranë/rërë, burrni/burrëri etj.

  4. Titolo: Contributi alla cronologia albanese / a cura di P. Giuseppe Valentini S.J..
    Pubblicazione: Roma : Reale Accademia d’Italia (1942)
    Descr. v. ; 25 cm
    Nota generale In testa al front.: Reale Accademia d’Italia, Centro di studi per l’Albania
    Serie: Fonti per la storia d’Albania. 1, Prolegomeni
    Autore: Valentini, Giuseppe

    Legame inferiore Comprende: 1: Età romano-bizantina dalla morte di Costantino alla morte di Teodosio e alla definitiva divisione dell’impero (337-395 D. Cr.).

  5. Në librin tim “Mihal Grameno Jeta dhe vepra OMSCA Tiranë 2012 kam përdorut formën GINOKASTRA e GJINOKASTRIT meqenëse këtë formë e përdor jo vetëm popullsia gege por dhe gjithë zona e Korces, Devollit, Kolonjes, etj në jugë. Këtu u përmendën edhe raste në Përmet e labëri, pra forma me “N’ nuk mund të jetë e krijuar dhe e përhapur gjatë Rilindjes.
    Gjithë brezi im në Korcë deri në vitin 1970 e më vonë kemi përdorur formën me “N”.
    Ideja se këtë kala qytet e ka ndërtuar një princ arbëror me emrin Gjin nuk duhet nënvlerësuar. Gjin Bua Shpata mund të ketë pasur sipas traditës emrin e gjyshit të tij, i cili mund ta ketë krijuar formën fillestare të këtij qyteti-kështjellë. Kështu që kronisti biznatin si nëpunës i Perandorisë që përdorte gjuhën greke, mund ta ketë shkruar me “R” për t’i dhënë një formë me kuptim në greqisht. Zakon i lashtë i grekëve…

    1. I nderuar Thanas, emri Argyrocastron (Greek: Αργυρόκαστρον) në dokumentet bizantine del para se të shfaqen dy Gjinët (Bua Shpata dhe Zenebishi) në histori. Po ashtu, që emri Gjinokastër përdoret në Jug nuk do të thotë gjë se “nuk mund të jetë krijuar dhe përhapur gjatë Rilindjes.” Përkundrazi: në ato zona shkollat dhe idetë e Rilindjes u përhapën më fort. Provë për këtë do të ishte një dokument me Gjinokastër i periudhës së para-Rilindjes.

  6. Ja si e mendoj une kete pune:

    Ne shtypin shqiptar dhe arberesh te Rilindjes dy variantet e emrit te qytetit kishin natyre dialektore, pra perdorej “Gjinokaster” ne tekste gege dhe “Gjirokaster” ne tekste toske, krahas me dublete te tjera toponimesh si Shqipeni / Shqiperi, Vlone / Vlore etj.

    Ne Kuvendin e Vlores procesverbalet e mbledhjeve i mbajti Luigj Gurakuqi me ndihmen e Mustafa Krujes. Duke qene keta gege, format e toponimeve ne procesverbale dalin rregullisht me format gege (Shqipeni, Vlone, Gjinokaster).

    “Kanuni i pertashem” nje lloj kushtetute e pare e shtetit shqiptar, botuar ne 1913, ku percaktohet edhe ndarja administrative e vendit ne prefektura, nenprefektura etj. i sjell keto toponime gjithmone ne format gege.

    Organi i pare zyrtar i shtetit shqiptar “Përlindja e Shqipëniës”, qe doli ne Vlore ne vitin 1914, paçka se shkruhej kryesisht ne toskerisht, perdorte rregullisht format gege Shqipeni, Vlone, Gjinokaster. krahas shume elementeve te tjera gege, si forma te paskajores te tipit “me mbrojtur”, “me punuar”, pjesore gege (per te mbajtun, kane sjellun), emri “çashtje”, pjeseza krahasuese “ma” (ma i madh, ma shume) etj. Ne “Bisedimet e Kuvendit Kombetar” ku botoheshin aktet e parlamentit shqiptar te kohes, Avni Rustemi ne fjalimet e tij perdorte format zyrtare “Vlone”, “Gjinokaster”. Nderkohe gazeta “Demokratia” qe dilte ne Gjirokaster ne vitet ’30 alternonte perdorimin e te dyja formave: ne koke te gazetes dhe ne artikuj shkruante “Gjirokaster”, por perdorte rregullisht formen gege ne njoftimet zyrtare qe vinin prej bashkise ose “prefektures se Gjinokastres”. Ky perdorim zyrtar i formes “Gjinokaster” vazhdoi te perdorej nga tosket deri ne vitet e para pas çlirimit.

    Keshtu pra, permes perdorimit zyrtar, hyri dhe nisi te perhapej edhe ne Jug forma gege Gjinokaster.

    Brezi i pleqve qe u permend ne komentet e mesiperme u rrit pikerisht gjate kesaj periudhe. Gjysherit e mi, te lindur ne dhjetevjeçarin e fundit te shek. XIX thoshin gjithmone “Gjirokaster”, ndersa babai im qe u rrit dhe u shkollua ne vitet 20-30, i perdorte te dyja format: ne shtepi thoshte “Gjirokaster”, ndersa ne mjedise jashtefamiljare thoshte “Gjinokaster”.

    Nuk besoj se ka ndikuar ketu nevoja per t’u mbojtur nga greqishtja.

    1. Le të pranojmë, për hir të argumentit, se Gjinokastër është formë gege, ndërsa Gjirokastër toske.

      Tani, për Gjirokastër e dimë se nga vjen (fino a prova contraria); sikurse dimë vitin se kur është themeluar qyteti me atë emër, meqë e kanë shënuar kronikat bizantine.

      I bie që forma gege të jetë formuar mbi formën toske; ose të jetë përftuar një “pseudo-gegizëm”, duke marrë një -r- ndërzanore të toskërishtes dhe duke e shndërruar në -n- sipas një mekanizmi analogjik (p.sh. analogji me Vlorë/Vlonë).

      E kundërta nuk ka gjasë; ose që emri Gjirokastër të jetë rotacizim i një gegnishteje Gjinokastër – e para, sepse qyteti ngrihet në zonën ku flitet toskërishtja, dhe emri i qytetit i bie të jetë përhapur që andej; – e dyta, sepse rotacizmi në toskërishte nuk vepronte në kohën kur u themelua qyteti.

      (Sikur të vërtetohej që Gjinokastër ka qenë përdorur në gegnishte para Rilindjes, gjithnjë do të duhej shpjeguar marrëdhënia me Gjirokastër, pa qenë nevoja e hipotezës së një lidhjeje me emrin Gjin.)

      Prandaj unë do ta quaja, e shumta, pseudo-gegizëm emrin Gjinokastër, të ndërtuar gjithsesi mbi formën bazë Gjirokastër. Këtë e them në lidhje me tezën tënde, që Gjinokastër është gegnisht: mund të jetë sot, sepse folësit ashtu e besojnë, por rruga që ka ndjekur për t’u bërë gegnisht është e pazakonshme.

      Faktet – që i ke parë edhe ti më mirë se unë – tregojnë se Gjinokastër e përdorin lirisht edhe në toskërishte, madje në toskërishten e shkruar. Besoj se ka qenë një zgjedhje e vetëdijshme, e atyre pak shqiptarëve që shkruanin në atë kohë.

  7. Une them se “Gjinokaster” eshte gegerisht, jo se kjo ka qene forma primare e parotacizuar, por sepse eshte perdorur fillimisht nga geget perkunder formes toske “Gjirokaster” dhe paralelisht me te. Natyrisht qe ketu nuk kemi rotacizem historik, por nje lloj procesi te permbysur analogjik.

    Mendoj se nder tosket eshte perhapur forma gege nen ndikimin e gjuhes zyrtare dhe publike pas krijimit te shtetit shqiptar. Kete e verteton edhe perdorimi i mbiemrit gjithmone me “r” (gjirokastrit) nga ana e toskeve.

    1. Eshte i veshtire ndryshimi per shkak te imponimit nga lart ne ato periudha. Rilindasit nuk kishin shkolla , po edhe shteti i ri shqiptar nuk shkonte dot me tej se ura e Mifolit dhe kam frike se gazeta zyrtare shperndahej vetem ne Shesh te Flamurit.

      Ja nje pyetje : perse ndodhi Gjirokaster>Gjinokaster dhe jo Vlore>Vlone ?

      1. Ndoshta per arsye eufonike. Grupi “gjir” eshte shume i rralle ne shqipe, pra eshte i pazakonte. Ne gegerisht nuk ekziston fare e ndoshta prandaj geget e shnderruan ne “gjin”, ndersa ne toskerisht ka shume pak fjale me kete grup: gji,-ri, gjiri,-a (gjinia), gjiriz, ngjirem. S’besoj se ka te tjera.

        1. Ndoshta atehere duhet te nisemi nga baza “gji” per te kuptuar prejardhjen e “Gjinokaster apo Gjirokaster”??? Mund te jete nje hipotez interesante!

    2. Ketij argumenti i bie ndesh fakti se ne te njejten periudhe e nga te njejtet autore kemi perdorimin e Vlore dhe jo Vlone. Faktet per kete “diglosi” jane te panumerta dhe hedhin poshte idene e nje gegnizme.

  8. Argyrokastron do te thote Keshtjella e Argjendte ose e Argjendit. Ndoshta e ka marre emrin dhe nga argjendaret e asaj kohe 🙂

  9. Kam perpara disa letra te shkruara nga Mesuesi i Popullit Thoma Papapano(1884-1970) , sic njihet ne Gjirokaster e me gjere, Basho Thomai, nje nga mesuesit e pare te shkolles se pare shqipe Liria ne Gjirokaster,1908. Ne keto dhe fletoret e shenimeve te tij, shkruan “Gjirokastra”, jo “Gjinokastra”.

  10. Artan Shkreli më dërgon këtë imazh të nxjerrë nga çfarë njihet si “Harta e Konicës” por që, siç më shkruan Shkreli, “nuk është përpiluar nga [Konica] por nga austriakët […] Konica, i cili kujdesej për toponomastikën shqipe, e nisi këtë punë në 1898 dhe harta doli nga shtypi vetëm në 1902.” Siç mund të shihet, në hartë emri i qytetit lexohet si GHINOKASTRE.

  11. Para pak ditësh, i shkrova prof. Emil Lafes, për ta pyetur në lidhje me prejardhjen e variantit Gjinokastër – jo vetëm ngaqë kam pasur fatin të punoj me të, por edhe ngaqë e gjykoj si një nga dijetarët që e njohin më mirë gjuhën shqipe, përveçse si gjuhëtar të rrallë. Përgjigjen po e sjell, me lejen e tij, më poshtë:

    Lexova me kureshtje diskutimet për Gjirokastër – Gjinokastër. Nuk jam thelluar ndonjëherë në këtë çështje, sepse kam pasur bindjen, ashtu si dhe ti, që kemi të bëjmë thjesht me një rindërtim për t’i dhënë këtij emri një formë sipas gegërishtes. Analogjisë me Vlorë – Vlonë do t’i shtoj edhe emrin e Gjin Bua Shpatës, të cilin unë si nxënës e kam mësuar Gjin BUE Shpata – kam parë edhe një tabelë rruge në Tiranë me këtë formë të emrit.

    Nuk e di se kur dëshmohet për herë të parë forma Gjinokastër , ndoshta te Naum Veqilharxhi, 1845. A e pati dëgjuar Naumi prej miqve të tij gegë, apo e sajoi vetë? Ka mundësi që gegët ta kenë sajuar vetvetiu këtë formë për t’ia përshtatur së folmes së tyre, sipas shembullit Vorë – Vlonë. (Kam dëgjuar në Tiranë para 40 vjetësh në mos më shumë, nga toskë të vendosur në Tiranë që para lufte që Kamzën e quanin Këmbëz).

    Edhe unë besoj se forma Gjinokastër vjen nga gjuha e shkrimit dhe u përhap pastaj edhe në gjuhën e folur, veçanërisht tek ata që nuk e kishin dëgjuar më parë formën Gjirokastër dhe e mësuan në formën e dialektit zyrtar të caktuar me dekretin qeveritar të vitit 1923. Mendoj se kështu shpjegohet që ka pasur korçarë, devollinj a përmetarë që kanë përdorur formën Gjinokastër. Por kjo natyrisht nuk çon peshë fare në këtë diskutim. Vetë vendësit dhe krahina përdorin dhe kanë përdorur vetëm formën Gjirokastër. Edhe unë jam nga ato anë (Labova e Kryqit pranë Libohovës) dhe nuk e kam dëgjuar kurrë formën Gjinokastër në rrethin tim familjar, as nga njerëzit e nënës (përmetare nga qyteti). Hamendjet se Gjinokastër është forma e parë dhe te Gjirokastër – Gjinokastër kemi të njëjtin rast si te Vlorë – Vlonë nuk gjejnë mbështetje.

  12. Pergjigja e z.Lafe, sikurse dhe mund te pritej, eshte “politikisht korrekte” ne kontekstin e tij personal, pasi vijon te mbetet i vetmi toske qe nuk e ka degjuar kurre emertimin “gjinokaster” nga vendalinjte 🙂

  13. Tani meqe forma me “r” kundrejt formes me “n” paracaktohet si derivim nga origjinali greqisht Argyrakstro, do te duhet qe pakica greke ne Shqiperi, si bartese e panderprere e gjuhes greke ne kete zone, ta ruante te paprekur formen me “r”.

    Pyeta dhe me thane se edhe ne zonen e minoritetit grek ne Sarande, pleqte perdornin formen Gjinokaster. Madje pleqe qe jane akoma ate forme flasin ende.

    Po keshtu ne fshatrat ortodkse vllehe te Permetit i kane thene Gjinokaster, pyeta dhe ma konfirmuan.

    Pra Gjirokastra rrethohet nga Gjinokastra nga te gjitha krahet, po te heqim qytetin e Permetit, sic na thote z. Lafe dhe fshatrat ortodokse perballe. Dicka e ngjashme me rrethimin Tirana/Tirona, por me e nderlikuar.

    Kjo mendoj une e rrezon argumentin se ndryshimi u be per llogari te perballjes se helenizmit.

    Ne punimin e vitit 1971, “Mendimi Politik e Shoqeror i Rilindjes Kombetare Shqiptare”, Vellimi I (1879-1908) riprodhohen materiale publicistike apo shkrime ne disa gazeta shqip te kohes. Riprodhimi i qendron besnik origjinalit pervec rasteve kur materialet jane perkthime. Gjirokastren e gjeta te permendur vetem njehere ne formen Gjirokaster, por si perkthim te nje shkrimi te Anastas Kulluriotit.

    Ne letrat dhe shkrimet e ndryshme ne gazetat apo jurnallite sic i quante dikush atehere, kemi perdorim te dendur te Shqiperise, Shqypnise, shqyptar e shuptar, qe njihen. Por edhe forma qe nuk lidhen edhe aq me drejtshkrimin si: Herseke, Vartop, apo Malakastra. Keto jane jurnalli qe botohen ne diaspore dhe ne nuk e dime si i kane thirrur vendasit vendit te vet, po nje siguri e kemi, pasi me perkufizim e dime qe diaspora konservon me mire memorinen gjuhesore te origjines.

    Kur vjen puna te rreziku grek, me se shumti per,menden zona e Korces dhe Leskovikut dhe Janina. Nese do te kishim nje krijim te Gjinokaster per llogari politike, do te duhet te shpjegojme perhapjen kaq masive. Dhe kete ne ate kohe e bejne dy gjera: ose feja me mjetet e veta, shkrimi, librat dhe Pazari, nje institucion me vete.

    Nga ana tjeter shohim se forma Gjinokaster ka qene vecori ne zonat perqark Gjirokastres, ndonese qytetit ruajti formen origjinale. Arsyet duhen hetuar, por e them kete sepse keshtu shpjegojme edhe harten e sjelle nga Shkreli e cila nuk perben edhe aq argument se Gjinokaster eshte krijim i ri.

    Duke pare qe Leskoviku dhe Erseka jane bartes te kesaj forme, pra Gjinokaster, eshte logjike te mendohet se Konica ka sugjeruar formen e tij, te zones se tij. Ose austriaket kane bere kopjimin e toponimit sic e flasin banoret. Ne nuk e dime nese kan riprodhuar ndonje harte me te vjeter. Ketu do ishte me interes te silleshin shkrime te qytetit te Gjirokastres, ose pulla postare apo shkresa te regjimit te pushtimit italian gjate LIB ne kete zone.

    Pra ideja se Gjinokaster te jete nje forme e mevetesishme e zonave qark qytetit nuk ka pse te perjashtohet apriori. Si, kur dhe pse, kjo duhet hetuar.

    Per argumentin e depertimit geg, mendoj se vlen te sillet nje pasazh nga nje shkrim i Aleksander Xhuvanit i vitit 1905, ne “Albania”. Ai shkruan nen pseudonimin Dok Sula dhe e titullon shkrimin e shkurter: “Për themelim të një gjuhe letrare. Ceshtja e ABESË”.

    Thote Sula(Xhuvani) nder te tjera:

    “Mendja ime ash këjo: për themelim të nji guhe letrëtare, të mirret toskënishtja(dhe qysh do të mirret për këtë kam shkruen nji herë tjetër…); për shkronjat të nji abeje të përgjithëshme të mirren shkronjat e shoqënis “Bashkimi”. Me kët mënyrë më duket që qi tëë dy palëvet nuk do t’u vi keq, sepse toskët më nj’anë do apinë dialektin e vet për gjuhë letrëtare, më tjetër anë gegët, vep’r e të cilëve quhet “bashkimi”, do apinë shkronjat e veta, të cilat sot janë ma të pëlqyeshme dhe ma të përdoruëme prej ma të shumëve shkrimtarë.”
    (fq. 287, Mendimi Politik e Shoqeror i Rilindjes Kombetare Shqiptare).

    Krijimi i Gjinokaster si pedagogji politike antigreke mua me duket e pambeshtetur, sidomos ne kushtet kur ate e “refuzon” Gjirokastra dhe fshatra te vetat qe jane te angazhuar per ceshtjen e Shqypnise.

    1. Ja dhe një argument mirëfilli gjuhësor, që unë nuk e besoj shumë, por që formalisht nuk ka të sharë: forma Gjinokastra mund të jetë rezultat i një procesi fonetik që e quajnë disimilim, dhe që ndodh kur një nga dy fonema identike brenda një fjale ndryshon për të shmangur përsëritjen dhe vështirësinë në shqiptim: p.sh. arbitri bëhet albitri, ose gjarpri bëhet gjalpri; në gjuhë të tjera, kujtoj latinishten peregrinus që ka përfunduar në pellegrino, pilgrim. Që r-ja e shqipes ka qenë disimiluar shpesh dhe vazhdon të disimilohet, kjo njihet dhe është përshkruar mirë; p.sh. vetëm në dialektin e Gjirokastrës dëgjon gërshëlë (për gërshërë) dhe rrëmudhë (nga një rrëmullë, që është vazhdim i latinishtes rumorem; krahaso me rrëmujë gjetiu). Disimilimin, në rastin tonë, mund ta ketë ndihmuar ajo që tha Relapso-ja, se rrokja gjir nuk është shumë e dendur në shqipe (praktikisht nuk ndeshet); dhe ndikimi thjesht fonetik i emrit Gjin (i përdorur edhe si mbiemër në ato treva); ose i rrokjes gjin-, që është – më duket mua – më e shpeshtë.

    2. Me duket se gjendja eshte permbysur nqs greke e vllehe perdorin formen ”Gjinokaster”, tani duhet provuar kur eshte perdorur per here ne pare ne burimet e shkruara forma ”Gjirokaster”, te pakten duhet demostruar qe ne burimet e shkruara eshte me e hershme se forma ”Gjinokaster”. Duhet edhe pare nqs eshte normale ne shekujt 14-15 e me vone, qe te bjere ar-. Ne Ardenice psh nuk ka rene, po mund te kete rene ne te tjera, thjesht duhen besoj ca prova per te mbeshtetur formen Gjirokaster, se Gjinokastra vjen vetiu ne rast se kemi keshtjellen e Gjinit, po Gjirokaster ka nevoje per rregull gjuhesor ne renien e ar-.te Argjirokaster.

      Besoj se dikush do e kete demostruar, qofte ne hershmerine e burimeve te shkruara, qofte ne rregullin gjuhesor, perndryshe nuk do ishte fshire nga te gjitha listat forma ”Gjinokaster”. Duhet gjetur ky ”dikushi”, perndryshe kjo çeshtje do dukej si e zgjidhur me shpate politike nga kungulli i madh.

  14. Nje pyetje:
    Duke perjashtuar perdorimet e dikurshme apo ato te pleqve te moçem sot, a ka ndonje zone toske ku ende perdoret ekskluzivisht forma “Gjinokaster” si variant dialektor lokal?

  15. Nuk jam i afte per kete bisede, por kam nje hipoteze amator.

    Ndoshta forma Gjirokaster na vjen drejtperdrejte nga Greqishtja e lashte, ndersa forma Gjinokaster na vjen nga Latinishtja. ArgyRo = ArgeNtum.

    Propozoj dy huazime aq te ngjashme qe duken sikur te ishin vec dy forma dialektore te nje fjale.

  16. Pershendetje,
    në monografinë, kushtuar Gjirokastrës jam përpjekur, duke u mbështetur ne dokumente dhe interpretim gjuhësor, të arrij te origjina e toponimit Gjirokastër prej fisit të argjirinëve dhe kreut të tyre Argjirin Livaton. Prof Çabej thoshte: për emrin e Gjirokastrës jemi në erresirë”, por edhe ai më të mbështetur dhe prej arkologëve gjente këtë emër.
    Para do kohësh studiuesi M. Zeqo kishte një shkrim ku përsëri dilte me ketë teze dhe po e citoj “Gjatë vitit 1996 kur unë studioja në Dumbarton Oaks në Washington D.C. shfletova librin e botuar nga dijetari i madh Zef Valentini me titull: “Contributi alle Cronollogia Albanese” Romë 1957. Në këtë libër në faqen 109 mbështetur në burimet bizantine thuhet se kështjella e Gjirokastrës është ndërtuar me 565-579 nga një funksionar bizantin gjysëm i pavarur, i quajtur Livaton Argjiri (Argyro Livatone), i cili ka jetuar në kohën e Justinianit të Madh dhe ka ndërtuar dhe bazilikën e quajtur Pantakrator dhe Nëna e Zotit.

    Përsa i përket trajtës me -r- Gjirokastër po sjell me poshte nje dokument osman të vitit 1431_1432 Súret-i
    Defter… XIII, f. 1-3, 8, 12, 16, 18, 20, 21, 23, 27) ku ky emër del në disa variante: Argjirokasro, Argjirokasri, Arjurokasri, Arjorikasri, Argjirikasri. Forma më e shpeshtë është e fundit. Ky variant u përdor nga administrata turke, e cila duke e përshtatur me rregullat fonetike të turqishtes, a-në nistore e shndërroi në e- dhe emri doli në versionin e turqishtes Ergjërikasri, ose shkurt, Ergjëri. Pra trajta më e hershme është ajo me -r-.
    Unë vetë jam gjirokastrite dhe gjyshet e mia që ishin “plaka tw jetws’ e shqiptonin Gjirokastër. Asnjëherë në familje apo njerëzit e afërt s’kam dëgjuar Gjinokastër. E di që ka midis të shkolluarve gjatë periudhës së Zogut që e shqiptonin Gjinokastër, ndoshta në analogji me emrin Gjin.
    Nje arsye tjeter që dikush mund ta kete dëgjuar Gjinokastër, lidhet me faktin që njerëz të arsimuar duke ditur se në toskëri ndodh rotacizmi i fjalëve me -n ndërzanore, për ta emertimi i hershëm duhet tv kete qenë Gjinokastër.

    Një dukuri e pangjarë kjo nuk është (perdorimi i trajtes gege) kur dhe emërtimin e një rruge, asaj te kalase ne kete qytet e emertojne Gjin Bue Shpata. Tog -ue ne toskeri nuk gjen, vetem ua: grua, ftua etj.

    ps/ me intrigon fakti qe gjushja e I. Arapit ne Permet e shqiptonte Gjinokaster, ndoshta duhet pare periudha kur e perdorte.

    1. Nëse qyteti dëshmohet i formuar në shek. VI nga një sundimtar me emrin Argjir, atëhere diskutimi merr fund. Formën Gjirokastër unë po e pranoj pa hezitim dhe tash e mbrapa do të përdor këtë formë.

  17. Ja një imazh që patën mirësinë të më dërgojnë: Letër-njoftimi i Eqrem Çabejt, i lëshuar në vitin 1925, ku emri i qytetit të Gjirokastrës del edhe me shkrim dore, edhe në vulë, si Gjinokastër. Natyrisht (për shkak të vitit se kur është lëshuar), teksti i pasaportës është i shkruar gegërisht; edhe pse, siç e sqaruam këtu, kjo nuk ka të bëjë me formën e emrit të qytetit.

    1. I dashur Ardian!
      Në atë kohë edhe Vlora quhej zyrtarisht Vlona. Deri vonë në anën e majtë të hyrjes së tunelit të Ujit të Ftohtë, ka qenë një kabinë me pompat e ujësjellësit dhe në faqen e murit nga ana e detit kishte të shkruar me shkronja të mëdha në reliev UJSJELLSI VLONA. Nuk është çudi që edhe në letërnjoftimet e atëhershme për të lindurve në Vlorë vendlindja të shënohej Vlonë, sepse nëpunësit e gjendjes civile këtë formë e njihnin si zyrtare.
      Ashtu si rasti i Vlorë/Vlonë është edhe Gjirokastër/Gjinokastër, por me këtë ndryshim, që forma Vlonë ka ekzistuar si forma më e vjetër e emrit të atij qyteti (Aulona) dhe është ruajtur në gegërishten si dhe në greqishte e në italishte, kurse forma Gjinokastër nuk ka ekzistuar, por është sajuar ose rindërtuar analogjikisht (siç e kam përmendur e ka përdorur edhe Naum Veqilharxhi më 1845) dhe është përhapur sidomos pas organizimit të shtetit shqiptar në vitet ’20.
      Mëtimet për ta nxjerrë Gjinokastrën si parësore nuk qëndrojnë.
      Emil Lafe

Lini një Përgjigje te RelapsoAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin