SYTË E KORBIT

Serial televiziv tashmë i i mirënjohur i kanalit HBO, por edhe cikël romanesh fantahistorike nga George R.R. Martin, The Game of Thrones është edhe një univers paralel me tonin, i shpalosur mbi një gjeografi fantastike, të një planeti “tjetër” nga yni. Në fakt, gjeografia luan rol kritik në zhvillimet narrative të ciklit, sa kohë që pozicioni i qyteteve të mëdha ose i “Shtatë Mbretërive” në raport me njëra-tjetrën, dhe faktorë të tjerë si Muri në veri ose ngushticat e The Narrow Sea ose edhe raporti i qyteteve dhe i mbretërive me detin ose me malin kushtëzojnë edhe politikën, aleancat dhe karshillëqet mes palëve.

Fabulën kryesore të veprës e çon përpara përleshja, gara ose “gjuetia” (siç e kanë përkthyer në shqip) për fronin e hekurt në King’s Landing, që do të sigurojë edhe hegjemoninë mbi kontinentin Westeros. Vetë kontinenti, sikurse duket edhe nga hartat, ka trajtën e një drejtkëndëshi të ngushtë, me gjerësi rreth 1000 milje dhe gjatësi rreth 3500 milje; nga Muri në skajin verior të botës së qytetëruar, te bregu jugor i Dorne-it, distanca është rreth 2500 milje. Kushdo që do të sundojë mbi këtë kontinent, duhet të marrë parasysh këto distanca; dhe aq më e vërtetë bëhet kjo, nëse palët janë në luftë mes tyre. Që këtej, edhe roli kritik i komunikimit në distancë.

Universi i The Game of Thrones duket se i ngjan Mesjetës europiane të shekujve XII-XIII me pak elemente të Rilindjes, sepse është modeluar mbi të; dhe kjo vlen edhe për teknologjinë. Ushtritë luftojnë mes tyre me shpata, shigjeta dhe shtiza; anijet udhëtojnë me vela; mallrat transportohen me karroca të tërhequra nga kuajt. Qytetërimet në Westeros dhe në Essos-in përballë arrijnë t’i përpunojnë mirë metalet dhe veçanërisht çelikun; arkitektura e mahnitshme në qytetet lë të kuptohet për një teknologji ndërtimi mjaft të përparuar; por makinat dhe makineritë janë ende rudimentare. Mungojnë, mes të tjerash, edhe orët mekanike dhe, së bashku me orët, praktika dhe rituali i sinkronizimit.

Sinkronizimi këtu nuk duhet kuptuar thjesht si çështje kalendarësh, disiplinash dhe rutinash kolektive në qytetet; por edhe si parim i organizimit të rendit politik dhe social. Një mbret hipotetik i Westeros-it duhet të jetë në gjendje të dijë se çfarë ndodh në kontinent, çfarë kërkon një farë kontrolli të qëndrueshëm edhe ndaj informacionit. Për shembull, nëse Muri në veri nuk arrin t’i ndalë dyndjet e “egërshanëve” (wildlings), atëherë mbreti në King’s Landing duhet të ketë kohë që të përgatitet për këtë invazion nga veriu; që këtej edhe nevoja për një shërbim informacioni efikas.

Narrativa në The Game of Thrones këtë sfidë e ka zgjidhur duke pranuar, në universin përkatës, praktikën e “korbave postarë”, të cilët çojnë mesazhe me informacion nga një vend në tjetrin. Praktika është e rrënjosur në realitetin historik, pa çka se në universin tonë për të çuar postë kemi përdorur zakonisht pëllumbat – që me arabët në Bagdadin e shekullit XII dhe më pas me Çinxhiz Khan-in; teksa në Mesdhe praktikën e përsosën gjenovezët. Një pëllumb postar arrin të fluturon me një shpejtësi prej 50 milje në orë për distanca të moderuara (deri 400 milje); por mund të mbulojë deri në 1100 milje. Si rregull, çdo pëllumb stërvitet që ta konsiderojë një vend të caktuar (A) si “shtëpinë” e vet; pastaj transportohet në kafaz te një vend tjetër (B) dhe mbahet atje, derisa B të ketë nevojë të komunikojë me A. Në këtë rast, i lidhet mesazhi pas trupit dhe lihet i lirë të fluturojë – për t’u kthyer “në shtëpi” në A.

Tani, në korbat në Westeros kushedi janë më të shpejtë dhe më rezistentë se pëllumbat dhe në gjendje të kapërcejnë distanca më të mëdha se 1100 milje; ashtu një korb mund ta çojë informacionin nga Winterfell-i në veri, në King’s Landing në jug për rreth 24 orë, duke fluturuar pa ndërprerje. Me fjalë të tjera, këto dy qytete, Winterfell dhe King’s Landing janë 24 orë larg njëra-tjetrës, sa i përket informacionit. Çfarëdo që të ngjasë në njërin prej qyteteve, kjo do të merret vesh te tjetri të paktën 24 orë më pas: sepse në këtë univers shpejtësia e fluturimit të korbit është e krahasueshme me shpejtësinë e dritës, në universin tonë. Për të njëjtën arsye, nëse mbreti në King’s Landing ka ushtrinë në Winterfell dhe dëshiron të urdhërojë një sulm, duhet të marrë parasysh këtë “distancë” të sinkronizimit, e cila në disa rrethana nuk mund të kompensohet, veçse duke u dhënë autonomi të gjerë dhe, natyrisht, besim të plotë gjeneralëve.

Harta pak a shumë zyrtare e botës në Game of Thrones.(*)

Gjithsesi, politika dhe veprimet luftarake të palëve në Westeros varen në masë të madhe nga teknologjia e korbit postar; sikurse limitet biologjike të këtij shpendi përcaktojnë limitet nec plus ultra të pushtetit të centralizuar. Mjaft të kemi parasysh se, në universin tonë të tanishëm, informacioni udhëton praktikisht me shpejtësinë e dritës; dhe një distancë prej 24 orësh përkthehet në rreth 1.61⋅1010 milje (2.59⋅1010 km). Nga ana tjetër, nëse një ushtri në Westeros udhëton rreth 10 milje në ditë, do t’i duhen mesatarisht 120 ditë që të përshkojë distancën nga King’s Landing në Winterfell; ndërsa në universin tonë, sot e kësaj dite, mungon teknologjia për ta zhvendosur një ushtri përmes triliona miljesh, prandaj edhe ne parapëlqejmë të lëvizim informacion, jo makro-objekte. Megjithatë, mendjet tona ndoshta janë më të përgatitura për një botë ku informacioni nuk lëviz shumë më shpejt se njerëzit dhe sendet, si ajo në The Game of Thrones dhe ku sinkronizimi nuk është gjithnjë i çastit; një botë ku distancat gjeografike përkthehen edhe në distanca kohore të prekshme.

Edhe pse teknologjia për transmetimin e informacionit me shpejtësinë e dritës ka qenë në dispozicion që prej më shumë se një shekulli, ne të sotmit po e përjetojmë këtë si realitet imediat e të përditshëm vetëm tani që është masivizuar teknologjia e telefonisë celulare, e cila na lejon të lidhemi praktikisht në çast me këdo tjetër, në çdo cep të globit. Por meqë ky revolucion teknologjik është ende duke u shpalosur, ne ende nuk jemi në gjendje të kuptojmë deri në fund se ç’ndryshime po i sjell mënyrës sonë të së jetuarit, politikës dhe jetës sociale, kulturës dhe vetë teknologjisë; sepse ne jemi, hë për hë, instrumentet që e mundësojnë ndryshimin. Unë ende mbaj mend, për shembull, kohën kur shumë familje edhe në Tiranë nuk kishin telefon, çfarë e vështirësonte shumë kontaktin me dikë, sidomos kur nuk duhej ta merrte vesh familja. Ende më kujtohet koha kur rrija duke pritur me orë, under cover, para hyrjes së pallatit të një vajze, me shpresën se ajo do të dilte gjëkundi në ballkon a do ta çonin për të blerë bukë a vajguri, dhe ashtu do të arrija t’i flisja. Humbje kohe për mua dhe për miliona e miliona të tjerë, natyrisht; por diçka humbasim edhe tani, kur mund të komunikojmë në çast.

Duke thjeshtuar disi, mund të themi se për grimcat që udhëtojnë me shpejtësinë e dritës, rrjedha e kohës ngadalësohet; duke thjeshtuar edhe më shumë, le të themi edhe se për korbat e Westeros-it, që fluturojnë nga një qytet në tjetrin, nga një kështjellë në tjetrën, nga një port në tjetrin, koha gjithashtu ngadalësohet. Çfarë më lejon, tek e fundit, të përfytyroj metaforën e mëposhtme: teknologjia sot na ka bërë të gjithëve korba postarë: për të çuar informacionin nga pika A në pikën B, ngrihemi vetë në fluturim. Kur ti i telefonon së dashurës nga Brooklyn-i ose në Bali të Indonezisë, zëri yt “udhëton” së bashku me informacionin; dhe dhuron iluzionin e pranisë virtuale. Kush dëshiron, mund të dërgojë edhe fytyrën. Nesër virtualiteti do të na sigurojë transporte të tjera, edhe më të guximshme; arsye edhe më bindëse që trupat të mos i lëmë të largohen nga skrivanitë ose nga kolltuqet. Por në këtë ndarje, në këtë dyzim midis masës biologjike që mbetet e palëvizshme (sepse ta lëvizësh kushton) dhe unit “informacional” gjithnjë në fluturim (sepse kjo kushton fare pak), cila palë është më autentike? Ose, për t’ia bërë edhe vetes pyetjen që zakonisht ia bëjmë tjetrit kur na telefonon në celular: ku je?

[Minor spoilers] Në episodin e tretë të sezonit të tanishëm, Sansa –trashëgimtarja legjitime e familjes së kryezotit në Winterfell – takohet më në fund me vëllanë, Branin, pas disa vjetësh ndarjeje, kur ajo madje edhe e kujtonte për të humbur përfundimisht. Bran-i kthehet në shtëpi pas një “stazhi” përtej Murit (ku theksi narrativ bie mbi parafjalën përtej), plot peripeci dhe në shoqëri krijesash fantastike dhe magjike, të cilat i kanë mësuar teknika të meditimit dhe të transit, për t’u shndërruar në “korbin me tre sy”, një figurë mitologjike, që është njëfarësoj edhe hyu i informacionit për atë univers. “Tani unë mund të shoh gjithçka,” i thotë ai së motrës; “gjithçka që i ka ndodhur gjithkujt, në çdo kohë. Gjithçka që po ndodh pikërisht tani. Më vjen ende copa-copa. E thërmuar. Duhet të mësoj të shoh më mirë. Kur të vijë sërish nata e gjatë, duhet të jem gati.”

Ekzili përtej Murit e paska shndërruar kështu Branin në Google-in e Westeros-it; që i kontrollon ngjarjet vetëm duke zotëruar informacionin për to, edhe pse pa qenë në gjendje t’i ndikojë.  Kjo ndoshta shpjegon edhe identifikimin e tij të kahershëm me “korbin me tre sy”, që ndoshta e ka një lidhje edhe teknologjike (racionale) me korbat postarë që transportojnë anembanë botës informacionin, për ta mbajtur këtë botë të lidhur së bashku, për t’ia siguruar organicitetin. Ende i padalë nga fëmijëria, por tashmë i gjithëditur, i ngjan kështu njeriut modern, të armatosur me një pajisje celulare: i mjafton një klik (i syve) për t’u transportuar gjetiu dhe për të parë – por ende jo për të kuptuar – gjithçka që ndodh. Ironikisht, por edhe në pajtim me analogjinë e mësipërme me trupin biologjik si peshë e vdekur a ballast i shpendit informacional, Brani është i paralizuar nga mesi e poshtë, pas rrëzimit nga muri i kështjellës që fëmijë; edhe pse i di tani të gjitha, ose ndoshta pikërisht për këtë arsye, korbi me tre sy që sheh gjithçka nuk e lëviz dot më trupin e vet por mund të fluturojë vetëm symbyllur.

© Peizazhe të fjalës


(*) Te harta bie në sy një farë ngjashmërie në konfigurim me Greqinë dhe Azinë e Vogël në lashtësinë klasike: ku kryeqyteti King’s Landing do t’i përgjigjej Athinës, ndërsa Winterfell në veri Spartës, përballë qyteteve dhe qytetërimit më dekadent në Essos, me qytete si Braavos dhe Volantis, të cilat të kujtojnë edhe Trojën edhe Konstandinopojën; në një kohë që brendësia e kontinentit lindor i referohet detyrimisht Persisë dhe, më tej akoma, barbarëve (skithëve), jo pa doza orientalizmi. Sërish për t’i qëndruar analogjisë, Oldtown në brigjet perëndimore të Westeros-it rimerr – ndoshta – frymën e qyteteve të Rilindjes në Itali; me bibliotekën borgesiane dhe dijetarët laikë të dorëshkrimeve. Ironikisht, Muri në veri e ndan dhe njëkohësisht e mbron këtë Heladë imagjinare nga tmerri që vjen prej Veriut: por nuk po e zgjat më analogjinë 😊.

2 Komente

    1. Ndoshta ju u referoheni librave, ndërsa unë serialit. Ky i fundit tashmë ka “avancuar” në raport me romanet, prandaj universi i atjeshëm është ndarë të paktën më dysh.

      Për të vdekurit nuk di ç’të them, sepse për të vdekurit në serial nuk thuhet pothuajse asgjë; nuk merret vesh se çfarë kërkojnë në jug të Murit dhe pse; sikurse nuk merret vesh se çfarë i motivon në përgjithësi, sa kohë që janë të vdekur.

      Sa për Iron Bank, ma merr mendja se një institucion financiar ka nevojë për sinkronizimin e informacionit të paktën po aq sa edhe institucionet e tjera. Prandaj nuk ju kuptoj mirë kur thoni se “korbat nuk vlejnë për Iron Bank”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin